“Një instrument inovativ…” – Aplikimi i modelit të Nantes në kontekstin Shqiptar 

3-Innovation-GrowthNë vitet e deregulation[1] dhe inovacionit financiar që shkaktuan më vonë krizën e kredive subprime, pati një mutacion gjenetik të industrisë bankare si pasojë e krijimit të instrumentave financiarë që bëri të mundur kalimin e riskut të kredive nga banka tek subjektet e treta (njerëzit). “Paketimi i kredive[2]” transformoi raportet ndërmjet debive dhe kredive, në tituj që negocioheshin në mënyrë liberale në tregjet financiare globale duke dhënë iluzionin se risku, në relacionin debitorë-kreditorë bëhej minimal si pasojë e funksionit të tregjeve financiare të liberalizuara e në të njëjtën kohë kjo do garantonte një akses më të lirë për marrjen e kredive. Kjo gjë nuk ndodhi e ky mekanizëm shërbeu si katalizator i krizës financiare më të madhe në histori pas asaj të viteve 1929-1933 e cila u zgjidh falë këshillave të Keynes. Ky i fundit në korrik të 1944 në konferencën e Bretton Woods prezantoi një projekt i cili do të mundësonte autonominë e politikave monetare të brendshme, duke krijuar në të njëjtën kohë mundësitë për një zhvillim ekonomik ndërkombëtar të harmonizuar, falë kompesimit multilateral të debive dhe kredive tregtare, të vendeve që aderonin në Clearing Union[3].

Të njëjtat mekanizma funksionimi të parashikuar nga plani i Keynes mund të përdoren edhe në nivel lokal, për të realizuar një monedhë komplementare me atë kombëtare.

Ishte kjo ideja bazë që inspiroi projektin e realizimin në qytetin e Nantës, një sistem kompesimi në rrugë elektronike të bazuar në krijimin e një monedhe “të shkruar” që përdorej vetëm si njësi llogarie, projekt ky i dëshiruar nga J.M. Ayrault kryeminister i qeverisë socialiste, që qeveris F.Hollande. Bashkëpunues në këtë projekt kanë qenë edhe dy ekonomistët italianë M. Amato e L. Fantacci të Universitetit të Bocconit.

Ayrault për ti bërë ballë mbylljes së kantiereve detarë në vitet ’90 nisi disa praktika në qeverinë lokale që ai drejtonte, me idenë e rivleresimin të territorit dhe të burimeve të tij, që ka rreth 600, 000 banorë, në të cilin punojnë rreth 45,000 biznese, ku pjesa më e madhe e tyre janë SME të orientuara drejt eksporteve.

Ndërsa projekti i Nantes i inspiruar nga Clearing Union i Keynes nuk u bazua në vizionin neoliberal, por u bazua në principin e realizimit të një sistemi kredish kooperative, që nuk është i mundur pa pjesmarrjen dhe akordin e të gjithë aktoreve që marrin pjesë. Gjithashtu ndryshe nga plani Keynes gjejmë bizneset lokale në vend të shteteve. Në vend të kredive dhe debive të maturuara për efekt shkëmbimesh në të mira dhe shërbime në nivel ndërkombëtar gjejmë ndërmarrje që operojnë brenda një territori. Pra ҫdo transaksion tregtar ka një veprim kontabël: nga një anë kemi një kredi të rregjistruar për ndërmarrjen shitëse, nga ana tjetër, një debi ekuivalente e rregjistruar për llogari të ndërmarrjes blerëse. Këto trasaksione prodhojnë raporte kredie dhe debie brenda një dhome kompesimi. Për ta shpjeguar më qartë: funksionon njësoj si kleringu në Shqipëri vetëm se ndryshe nga këtu ndërmarrja shitëse mund ta përdori kredinë e vet që njihet ndryshe si monedhë komplementare lokale për të blerë në ҫdo moment të mira dhe shërbime brenda dhomës së kompesimit, pra nga ato ndërmarrje që kanë marrë pjesë në këtë sistem. Të njëjtën gjë mund të bëjë ndërmarja blerëse për të ripaguar borxhin. Në ҫdo moment rezultati komplesiv i Clearing Union është i barabartë me zero. Suksesi i kësaj skeme presupozon që në nivel lokal mund të vendos në lëvizje ekonominë pa shkuar në bankë e pa paguar interesa për kreditë e marra. Skema e kompesimit implikon një konvergjencë drejt barazimit të bilancit të gjithë operatorëve, duke krijuar kështu një natyrë kooperative ndërmjet raporteve të debive dhe kredive, ndërmjet ndërmarrjeve që bëjnë pjesë. Mbajtja e sistemit në këmbë është e garantuar nga fakti që ҫdo njësi e llogarisë lokale, nuk mund të jetë e konvertuar në euro, por mund të shpenzohet vetëm në dhomën e kompesimit. Kjo skemë kompesimi ndërmjet debive dhe kredive u ofron një sërë avantazhesh ndërmjarrjeve pjesmarrëse.

Avantazhi i parë që kanë ndërmarrjet që aderojnë në dhomën e kompesimit konsiston në mundësinë për të marrë likuiditet të krijuar në funksion të ritmit të shkëmbimeve në nivel lokal, pa marrë në konsideratë vlerësimet që duhet të bëjë banka, nëse është në gjendje kjo ndërmarrje që të kthej borxhin apo jo. Pra ndërmarja ka mundësi financimi të të gjithë kapitalit të vet qarkullues, pa vajtur fare në bankë, për më tepër ky kapital është aq i madh, sa shkëmbimet që bën ajo më ndërmarrjet e tjera lokale. Në kompleks shkëmbimet ndërmjet SME në një farë mënyre luajnë rolin e huave ndërbankare, pa harruar këtu koston shumë të ulët që e përmenda edhe më lartë.

Për të konkluduar mund të them se ky është një studim shumë i gjerë dhe përveҫ Nantës ka pasur sukses edhe në shumë qytete të Italisë, Gjermanisë, Zvicrës etj. Unë mendoj se mund të ishte me shumë interes për tu aplikuar edhe në Shqipëri pasi kemi shumë sektorë të ekonomisë të paralizuar nga mungesa e likuiditetit siҫ mund të jetë ndërtimi apo edhe agrikultura.

____________________________________________________________________________________

[1]Deregulation financiar në periudhën 1980-1999

[2]Cartolarization

[3]Shif: B. SteilThe Battle of Bretton Woods: John Maynard Keynes, Harry Dexter White, and the Making of a New World Order, Princeton University Press

 

Tagged with:
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.