fire-electricity-1280x800Ndoshta sektori më i rëndësishëm i ekonomisë sonë dhe që njihet më pak nga ekonomistët, mediat apo dhe publiku i gjerë është sektori i energjisë në vend. Vëmendja për këtë sektor rikthehet vetëm në ato raste kur ndërmarrjet që operojnë në treg kërkojnë një ndryshim të nivelit të çmimit të energjisë. Ajo që dihet tashmë dhe që lexohet lehtësisht nga fatura e OSHEE-së është se çmimi aktual mundohet t’i ndajë qytetarët në: të varfër, ata që konsumojnë deri në 300 kwh dhe paguajnë 7.7 lekë, dhe të pasur, ata që shpenzojnë më shumë se 300 kwh dhe paguajnë 13.5 lekë.

Duhet kuptuar që çmimi i energjisë elektrike në vend nuk është në kushtet e konkurrencës, apo në kushtet e një ekuilibri të thjeshtë të sasisë së kërkuar dhe sasisë së ofruar, siç ndodh për mallrat e tjera. Çmimet që ne paguajmë aktualisht janë të rregulluara nga Enti Rregullator i Energjisë, i cili deri në dhjetor duhet të marrë një vendim nëse kërkesa e Operatorit të Sistemit të Transmetimit për ndryshim të çmimeve do të përkthehet në çmim më të lartë për qytetarët. Sipas Bankës Botërore, në tërësi, çmimi i energjisë elektrike në Ballkan është më i ulët nga sa duhet të jetë, pasi qeveritë kanë marrë vendime të karakterizuara nga politika që marrin parasysh efektet sociale të ndryshimit të çmimit të energjisë. Nga ana tjetër, ky treg karakterizohet nga investime të ulëta, eficencë të ulët të energjisë, sistem të amortizuar të transmetimit etj.

Por, ndërsa çmimet e energjisë kanë mbetur të pandryshuara për një kohë të gjatë në Shqipëri, kërkesa për energji elektrike nga ana tjetër është rritur me afërsisht 10% në vit, indikator ky që reflekton rritjen ekonomike të vazhdueshme të përjetuar në dhjetë vitet e fundit. Por struktura e kërkesës nuk tregon për një rritje të peshës së operatorëve prodhues në ekonomi. Kështu për shembull, konsumi familjar në raport me konsumin e përgjithshëm të faturuar për konsumatorët tariforë për vitin 2007 ishte 57.1 % dhe 57.6 % në vitin 2013. Kjo në fakt është e ngjashme dhe me strukturën e kërkesës për energji elektrike edhe në Maqedoni, ku konsumi familjar zë gjysmën e kërkesës për energji elektrike dhe 25% e saj kërkohet nga 10 kompanitë më të mëdha industriale.Por ajo që vihet re në Shqipëri është fakti se rreth 76.3% e gjithë konsumatorëve familjare i përkasin bllokut të konsumit deri 300 kwh/muaj, që do të thotë se rritja e çmimit të energjisë do të ketë impakt të menjëhershëm në shumicën e popullsisë në vend, duke patur një impakt të fortë social dhe ekonomik.

Sfidat e sektorit të energjisë janë të shumta dhe përqendrimi i gjithë debatit në rritjen ose jo të çmimit të energjisë nuk lë mundësi për të diskutuar për alternativat më të mira për dekadat që vijnë. Kështu, ende nuk është e qartë se çfarë do të thotë liberalizim dhe komercializim i tregut të energjisë dhe a do të ishte kjo zgjidhja e këtij problemi? Si do të rishihet subvencionimi i familjeve që konsumojnë deri në 300 kwh/muaj, në një kohë kur Banka Botërore vlerëson se deficiti në sektorin energjetik shqiptar aktualisht është 550.000.000 dollarë. Gjithashtu, për sa kohë pritet që të ulen humbjet jo teknike apo vjedhjet në sistem, dhe çfarë do të thotë kjo për kompanitë publike dhe private që prodhojnë energjinë dhe për çmimin e energjisë në të ardhmen?

Sipas të dhënave të OSHEE, ose ish-CEZ, humbjet në rrjet në shtator të këtij viti janë ulur në 31.7% nga 45% që ishin në vitin e shkuar, duke theksuar menaxhimin më të mirë të administratorit të ri. Por po të shohim të dhënat zyrtare, humbjet vjetore në sistemin e shpërndarjes në vitin 2010 ishin 30%, duke treguar se humbjet nuk janë më mirë sesa 4 vite më parë. Megjithëse kredia nga Banka Botërore prej 150 milionë eurosh supozohet që të modernizojë dhe të ndërhyjë në sistemin e shpërndarjes, pra dhe ulje e nivelit të humbjeve teknike, publiku dhe media janë ende të paqartë se në këto kushte të reja të përmirësuara, a do të ulet sërish çmimi i energjisë?

Gjithashtu duhet theksuar se teksa kërkesa për energji është rritur çdo vit, prodhimi nuk ka njohur India-energy-povertydiversifikim të burimeve që përdor. Shqipëria ka aprovuar në maj 2013, ligjin e promovimit të Burimeve të Rinovueshme të Energjisë, ku duhet të plotësojë synimet e burimeve të rinovueshme (në bazë të Direktivës Europiane të Burimeve të Rinovueshme). Duke shtuar pyetjen se a do të kërkohen investime dhe subvencione financiare për të arritur këtë objektiv. Aktualisht, volatiliteti i përdorimit të burimeve hidrike shihet mjaft qartë nga të dhënat zyrtare, ku në vitin 2012 Shqipëria prodhoi më pak energji sesa në vitin 1986 dhe u detyrua të importojë energji me vlerë 161 milionë euro.

Një mundësi e përdorur nga qeveria e mëparshme ka qenë nxitja e prodhuesve privatë duke liberalizuar këtë treg dhe duke rritur prodhimin e energjisë nga operatorë privatë në 12% të energjisë totale nga 0 që ishte në vitin 2000. Në fakt, ky trend pozitiv i rritjes së ofertës mundet të frenohet në rast se Ministria e Energjetikës nuk sqaron qëndrimin e saj afatgjatë ndaj koncesioneve të dhëna për të ndërtimin e HEC-eve nga investitorët vendas dhe të huaj. Ndërkohë mesa duket, po vjen koha të analizojmë më ftohtë vendimin e qeverisë për të mos shkuar në arbitrazh me kompaninë çeke CEZ, dhe vendimi i saj për ta shlyer atë me 95 milionë euro deri në vitin 2018, në një kohë kur prodhuesit vendas të energjisë pretendojnë se kanë një vit që nuk paguhen nga shteti me një vlerë që arrin në 50 milionë euro. Duke vlerësuar riskun me të cilin përballen financat publike, organizmat ndërkombëtarë, përfshirë Bankën Botërore, inkurajuan zgjidhjen sa më të shpejtë të konfliktit me CEZ a.s, por kostot në fund të fundit do t’i përballojnë familjarët shqiptarë. Sfidat janë afatgjata dhe futja në burg e qytetarëve dhe ultimatumet 5-ditore për pagesa nuk qartësojnë situatën. Përkundrazi, devijojnë edhe njëherë debatin nga çështjet thelbësore të këtij sektori jetik të ekonomisë sonë.

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.