fto 2Punësimi, inovacioni teknologjik, kërkimi shkencor, janë këto fjalët primare të evokuara shpesh kohët e fundit nga studiuesit ekonomikë, si e vetmja mundësi për t’i bërë ballë krizës dhe konkurrueshmërisë globale, të cilat po modifikojnë me shpejtësi traditat dhe vlerat e shoqërisë sonë. Ky ndryshim përfshin ndërmarrjet, asetet institucionale e sociale, modelet e prodhimit dhe karakteristikat e tregut të punës. Në këtë kontekst të ri, në mënyrë paradoksale, duhet nisur nga antikja, pra nga “njeriu”. Sekreti për t’i bërë ballë krizës sot është të vendosësh nëpunësit në qendër të ndërmarrjes, të investosh për ta, të rrisësh njohuritë dhe formimin e tyre me anë të programeve të edukimit të vazhduar dhe të nxënit gjatë gjithë jetës. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ndërmarrjet ekzistuese, por edhe për ato të reja që presupozohen të hapen në Shqipëri në të ardhmen. Shpeshherë, politikanët tanë flasin për investime të huaja dhe orientimin e tyre në sektorë prodhues për rritjen e prodhimit dhe punësimit. Nëse një ndërmarrje e re hapet në Shqipëri, ajo ka nevojë për burime njerëzore të kualifikuara. Sipas një sërë studimesh të kryera në vitet e fundit del se formimi i personelit të një ndërmarrjeje është një ndër komponentët më të rëndësishëm për të pasur aftësi konkurruese në treg. Nëse inteligjencës humane i bashkëngjitet dhe edukimi i vazhduar, kjo e bën atë një faktor strategjik për ndërmarrjen. Pra, nëpunësit e një ndërmarrjeje sot nuk do të konsiderohen më si faktorë të procesit ekonomik, por si aktorë protagonistë të tij. Gjithashtu, me marrjen e statusit të vendit kandidat, Shqipëria ka një akses pa limit për thithjen e fondeve të BE-së. Nëse deri para një viti, vendi ynë merrte rreth 250-300 milionë euro në vit investime nga fondet e BE-së në formën e projekteve, aktualisht mund të marrë edhe dyfishin e kësaj shume apo më tepër se dyfishin, e gjitha kjo shumë tashmë varet vetëm nga aftësia dhe profesionalizmi i administratës publike por jo vetëm, për të hartuar sa më tepër projekte për financim. Nëse ky profesionalizëm do të mungojë apo do të mbizotërojë paaftësia e burimeve njerëzore në pozicionet kyç të administratës, ne si vend rrezikojmë që nga marrja e statusit të vendit kandidat të “humbasim” financime. Pra, me fjalë të tjera, formimi dhe kualifikimi i vazhdueshëm përfaqëson një burim shumë të rëndësishëm, ose më mirë të themi primar për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm, për t’i bërë ballë ndryshimit dhe për të bërë të mundur integrimin. Një rol primar në procesin e formimit dhe kualifikimit e zë edhe universiteti, i cili transformon njohuritë teorike në vlerë të shtuar për ndërmarrjet. Një rritje e bashkëpunimit ndërmjet universitetit dhe ndërmarrjeve përreth tij do ta bënte shumë të thjeshtë këtë proces. Pikërisht për këtë motiv, Universiteti i Gjirokastrës së fundmi në kuadër të Projektit Tempus U3M-AL – Zhvillimi i Misionit të Tretë në Universitetet Shqiptare me financim dhe përkrahje të Komisionit Europian ka krijuar Qendrën e Zhvillimit Rajonal, e cila është pikë bashkëpunimi ndërmjet botës kërkimore, asaj prodhuese dhe të shërbimit. Kjo qendër kërkimore rajonale është një eksperiencë e re dhe unike në rajonin e Gjirokastrës, e cila po tenton të ulë në një tavolinë të rrumbullakët gjithë aktorët publikë dhe privatë rajonalë për të diskutuar mbi problemet e rajonit, mbi mënyrat dhe strategjitë e zhvillimit ekonomik rajonal, mbi atë çfarë presin bizneset lokale nga universiteti, kompetencat teknike dhe specifike që u nevojiten atyre. Pra, do të ketë një planifikim të përbashkët për sa u përket disa lëndëve që sipas sipërmarrësve lokalë, janë të domosdoshme. Kjo qendër do të shërbejë si një pikë kontakti ndërmjet universitetit dhe institucioneve lokale nga një anë dhe universiteteve dhe organizatave perëndimore nga ana tjetër, pra do të shërbejë edhe si një qendër projektesh zhvillimi dhe kohezioni social. Pa harruar këtu ofrimin e kurseve dhe trajnimet e vazhdueshme, duke pasur si objektiv primar pajisjen e nëpunësve me kompetencat e reja për të rritur efikasitetin në punë dhe përgatitjen e aspirantëve sipërmarrës apo të vetëpunësuarve për të hapur një aktivitet individual apo për të zhvilluar atë ekzistent. Për shembull, së fundmi, flitet për reformën në arsim për rritjen e cilësisë dhe kualifikimit të mësuesve në arsimin fillor dhe të mesëm. Një ndër kriteret kryesore për mësuesit është edhe marrja e 6 krediteve shtesë çdo vit. Nëse këto kurse organizohen nga individë apo qendra, shpesh kthehen në biznes, duke i shitur ato dhe jo duke i trajnuar mësuesit. Nëse ky proces organizohet nga universitetet, siç ka filluar kohët e fundit, jo vetëm që kostoja e një krediti është të paktën 33% më e ulët, por edhe trajnohen me rigorozitet.

Sipas një studimi të OSBE-së dilte se produktiviteti në punë nuk varej nga titujt që dispononte një individ, por nga aftësitë e përfituara për marrjen e këtyre titujve, pra nevojitet një rritje e cilësisë së arsimimit për të pasur zhvillim. Gjithashtu M.Gelb në librin e tij “Mind mapping” thotë se të gjithë gjenitë që ne njohim kanë pasur të përbashkët punën dhe studimin e vazhduar, duke lexuar me mijëra orë. Pra, në kompleks, e gjithë literatura ekonomike dhe këto evidenca tregojnë se formimi parauniversitar, ai universitar dhe kurset e trajnimit ndikojnë pozitivisht në rritjen e prodhimit, e cila, nga ana e saj, ndikon pozitivisht në zhvillimin ekonomik të një vendi.

Gjithashtu nëse vërejmë situatën e rëndë ekonomike në të cilën ndodhet Shqipëria, në një krizë të rëndë konsumi, ku politika ekonomike po e rëndon çdo ditë e më tepër situatën, duke rritur herë pas here çmimet, e vetmja mundësi për t’i bërë ballë kësaj krize është ndërhyrja urgjente për të stimuluar konsumin i cili mund të nxitet me anë të punësimit. Pra mund të themi që është shumë e rëndësishme të gjenden instrumentet e politikës ekonomike, dhe politikave të punës që të jenë në gjendje të udhëzojnë universitetin dhe organet qeveritare për t’u impenjuar gjithmonë e më tepër për të nxitur arsimimin, për të rritur cilësinë e formimit si atë parauniversitar, dhe atë universitar.

Njëkohësisht të krijohet një koordinim ndërmjet bizneseve që operojnë në një territor të caktuar që të foto3bashkëpunojnë me universitetet si ato publike dhe private, për të krijuar kurse universitare apo lëndë të caktuara që ndihmojnë për të mësuar apo për të plotësuar në mënyrë sa më optimale kërkesat e shoqërive dhe njëkohësisht për të bërë sa më të lehtë punësimin e të diplomuarve të rinj.

Nuk duhet harruar këtu se çdo individ, në fillesat e tij të jetës, është si një “gur”, me anë të shkollës dhe formimit të vazhduar, ai skalitet dhe modelohet në vazhdueshmëri për t’u kthyer në një objekt i bukur dhe i vyer për shoqërinë.

One Response to UNIVERSITETI NË FUNKSION TË RRITJES SË MIRËQENIES SOCIALE

  1. Briseida says:

    Me pelqeu artikulli por personalisht nuk jam e mendimit qe universiteti eshte ai qe skalit me tej aftesite e nje individi. Ka menyra te ndryshme, si shkolla teknike, profesionale etj qe mundesojne rritjen e aftesive te nje individi duke i profilizuar ata me se miri ne nje profesion. Fatkeqesisht ne vendin tone shkollat teknike apo profesionale shihen me sy jo fort te mire pasi shumica preferojne universitetet. Nderkohe qe ne vendet perendimore keto shkolla profilizuese jane shume te perhapura dhe universiteti nuk eshte kusht qe dikush te ece ne profesionin e tij dhe te kete nje karriere te mire. Psh. personalisht kam hasur shume njerez te cilet punojne ne institucione te larta financiare pa kualifikim universitar dhe madje mbajne pozicione shume te mira fale eksperiences se tyre. Nje gje e tille eshte e paimagjinueshme ne nje vend si Shqiperia gje qe eshte per te ardhur keq.

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.