virgin-media-business

“Biznesi shqiptar përkundrejt tregut të kapitaleve” është një analizë vrojtuese, që synon mbi të gjitha, të mbledhë të dhëna primare, unike për biznesin dhe sipërmarrjen shqiptare, lidhur me çështjet dhe problematikat që ai ndesh, në kuadër të mundësisë së përdorimit të tregut të kapitaleve në Shqipëri dhe burimeve të financimit jashtë kanaleve bankare. Tashmë është fakt i mirënjohur se ende biznesi apo sipërmarrja shqiptare nuk e ka bërë ende realitet grumbullimin e fondeve të nevojshme për financim nëpërmjet rrugës së drejtpërdrejtë, atë të tregut të letrave me vlerë dhe bursës.

Nga ana tjetër, Bursa e Tiranës ka mbi 18 vjet që nga hapja e parë e saj zyrtare pranë Bankës së Shqipërisë dhe mbi 12 vjet nga shkëputja prej kësaj të fundit dhe themelimit të saj si institucion i pavarur, në formën e shoqërisë anonime. Përtej momentit të hapjes së saj zyrtare, tregtimi i aksioneve, qoftë për shoqëritë aksionare shtetërore apo ato private, ende nuk ka filluar, duke mos shënuar kështu asnjë shoqëri tregtare të listuar në listën e saj zyrtare. Në këtë kontekst dhe pavarësisht nga problemet dhe ngjarjet e ndryshme politiko-ekonomike që kanë ndodhur në Shqipëri pas vitit 1996 dhe ndikimit të tyre thelbësor mbi veprimtarinë e vetë Bursës së Tiranës, pyetja që vijon të shtrohet gjithnjë është: A mund të kualifikohen shoqëritë shqiptare për t’u listuar në Bursën e Tiranës, apo për të shfrytëzuar tregun e kapitaleve, si një mekanizëm efikas për sigurimin e fondeve të nevojshme për financimin e projekteve dhe investimeve afatgjata?

Kësaj pyetjeje synohet t’i japë përgjigje kjo analizë vrojtuese, e përgatitur me rreth 1000 shoqëri tregtare shqiptare. Aktualisht, kjo përbën analizën e vetme të këtij lloji në Shqipëri dhe me të shënohet hera e dytë që ndërmerret një vrojtim i tillë rreth biznesit shqiptar. Sigurisht që analiza e fundit është shumë më e gjerë, në aspektin e madhësisë së kampionit dhe ku janë intervistuar mbi 1/3 e të gjithë shoqërive aksionare në vend. Analiza është kritike në drejtim të të kuptuarit të problemeve reale që ka dhe përballon biznesi shqiptar, kryesisht i mesëm dhe i madh, lidhur me çështjen e financimeve të drejtpërdrejta, shkallën e njohjes dhe perceptimit të së bursës, si alternativë për grumbullimin e fondeve afatgjata dhe përdorimin e mundshëm të saj në të

Analiza tashmë ka përfunduar, pas një procesi të gjatë të grumbullimit, përpunimit dhe analizimit gjithëpërfshirës të tyre. Analiza është e ndarë në 5 kapituj, ku në secilin prej tyre jepen të dhëna dhe informacione që nga ato me natyrë të përgjithshme, deri te ato më specifike dhe teknike.  Në këtë analizë, totali i rasteve të shqyrtuara arrin në 1,000, ku 591 prej tyre, janë shoqëri të organizuara në formë sh.p.k.-je, 271 prej tyre, janë shoqëri të organizuara në formë sh.a. tërësisht private, 97 prej tyre, janë shoqëri të organizuara në formë sh.a.-je tërësisht shtetërore dhe 15 prej tyre, janë shoqëri të organizuara në formë sh.a. me pronësi mikse (shtet plus privat).

Siç u përmend dhe më lart, qëllimi i organizimit të këtij vrojtimi ishte evidentimi i gjendjes aktuale të shoqërive tregtare në Shqipëri, me qëllim gjetjen e rrugëve dhe mundësive për tërheqjen e biznesit shqiptar në tregun e kapitaleve, si një shans ende i pashfrytëzuar nga ana e shoqërive shqiptare, për rritjen dhe zgjerimin e veprimtarisë ekonomike dhe të efektivitetit të kësaj veprimtarie.

Gjithashtu, rezultatet e këtij vrojtimi ballafaqohen me gjetjet e të njëjtit pyetësor, të zhvilluar në vitin 2001, bazuar thuajse plotësisht mbi të njëjtin pyetësor. Patjetër që ka një grup faktorësh që e bëjnë komplekse mënyrën e financimit dhe lehtësinë e gjetjes dhe shfrytëzimit të mundësive financiare nga këto shoqëri tregtare. Këta faktorë janë të llojeve të ndryshme si: orientimi i natyrës së biznesit, njohuritë rreth alternativave të financimit dhe kostove respektive të tyre, papërshtatshmëria e organeve vendim-marrëse për çështjet madhore të organizmit dhe menaxhimit të biznesit (ku qendra e gravitetit të vendimmarrjes vijon të anojë dukshëm e zhvendosur në anën e drejtuesve dhe pronarit kryesor), etj.

Vlen të theksohet se, një nga problematikat më të mprehta që evidentohet nga vet biznesi, lidhur me sigurimin e burimeve të financimit, është përqindja e interesit për huanë, d.m.th niveli i lartë i tyre, është problematika kryesore e biznesit në marrëdhëniet me bankat. Nga ana tjetër, nga analiza vërehet se ka një konvergjencë thuajse të plotë të të gjithë shoqërive tregtare drejt tre çështjeve më problematike si: (1) nevoja për fonde të reja, (2) niveli i kulturës financiare, (3) transparenca dhe cilësia e të dhënave financiare.

Këto problematika të ngritura nga biznesi shpjegojnë më së miri dhe vështirësitë që hasin shoqëritë shqiptare në orientimin e tyre drejt tregut të kapitaleve dhe përdorimit të tij, pasi janë pikërisht këto problematika që shërbejnë dhe si parakushtet kryesore për këto shoqëri, për t’u listuar dhe përdorur tregun e kapitaleve, në mbështetje të veprimtarisë së tyre ekonomike.mbyllet_bursa_e_tiranes_

Për të qenë realist, nuk mund të pohohet se tregu i kapitaleve është një domosdoshmëri jetike për shoqëritë tregtare shqiptare, nisur dhe nga fakti se, deri më tani në rrugëtimin e tyre ato kanë ecur dhe janë zhvilluar edhe në mungesë të bursës dhe një tregu funksional kapitalesh. Sigurisht që rruga e një biznesi drejt përdorimit të tregut të kapitaleve nuk është aspak e lehtë dhe kërkon kohën e saj.

Pavarësisht nga kjo, tashmë është fakt që format mbisunduese te organizmit të shoqërive që përfaqësojnë biznesin e madh në vend janë shoqëria me përgjegjësi të kufizuar dhe ajo aksionare me pronësi tërësisht private. Gjithashtu, shoqëritë e shtrijnë biznesin e tyre në disa fusha të veprimtarisë ekonomike, kryesisht në ato që karakterizohen nga qarkullim i shpejtë dhe shumë fitimprurës, nisur kjo për arsye të diversifikimit të burimit të sigurimit të të ardhurave. Ky përqendrim relativisht i lartë i shoqërive aksionare tërësisht private në veprimtari me qarkullim i shpejtë, nevoja që këto shoqëri paraqesin për fonde të reja dhe natyra e këtyre fondeve, mund t’i frenojë në orientimin e shpejtë drejt tregut të kapitaleve dhe përdorimit të tregut aksionar. Megjithatë, nga fakti që zbulon analiza, që një pjesë e madhe e sh.p.k-ve janë të përqendruara në sferën e prodhimit mund të shihet si një premisë pozitive për sigurimin e një baze premtuese për ofertën potenciale për listim në tregun e kapitaleve në Shqipëri.

Megjithatë, nga sa më lart, por edhe nisur nga struktura e sistemit financiar shqiptar dhe shkalla aktuale e ndërmjetësimit të sektorit bankar, mund të pohohet se, edhe në vijim shoqëritë tregtare shqiptare, pashmangshmërisht dhe gjerësisht, do të (duhet të) përdorin si burime kryesore të financimit të veprimtarisë së tyre: fitimin e pashpërndarë, fondet e brendshme dhe huaja bankare (pra sistemin bankar), për financimin e veprimtarisë së tyre operacionale dhe investuese.

Nga kjo analizë vrojtuese evidentohet se, megjithëse ka kaluar mbi 13 vjet nga kryerja e analizës së parë, një pjesë e mirë e problematikave dhe e çështjeve që lidhin së bashku biznesin shqiptar dhe tregun e kapitaleve (bursën) mbeten përsëri të mprehta dhe jo të adresuara drejt.

Kështu, vijon të evidentohet një nivel minimal i njohurive të përgjithshme dhe teknike nga ana e komunitetit të biznesit, si për aspektin institucional, ashtu dhe atë ligjor të tregut të kapitaleve në Shqipëri. Nga ana tjetër, vetë mungesa e pranisë së një burse funksionale dhe realisht operative, si dhe institucioneve aktive të tregut të kapitaleve brenda sistemit financiar, e vështirëson së tepërmi vlerësimin dhe marrjen në konsideratë, nga komuniteti i biznesit shqiptar, të alternativës së tregut të kapitaleve.

Për sa i përket transparencës dhe cilësisë së të dhënave financiare, pavarësisht nga mbi 61 për qind e shoqërive tregtare e konsiderojnë transparencën dhe cilësisë e të dhënave financiare një çështje që varion nga aspak problematike deri në një problematikë me efekt mesatar, kjo çështje kuotohet pa përjashtim nga të gjitha shoqëritë si një problematikë jo pak serioze. Një fakt i tillë nuk është shumë premtues, për sa i përket përmbushjes së një kriteri themelor dhe përcaktues për listimin e një shoqërie në bursë dhe vijimin e këtij listimi në të ardhmen.

Menaxhimi dhe marrja e vendimeve; Nga aspekti menaxherial, shoqëritë tregtare shqiptare karakterizohen nga një nivel i ulët menaxhimi dhe deduktohet lehtësisht se, në pjesën dërrmuese mungon një strategji apo plan zhvillimi dhe rritjeje e biznesit te tyre në të ardhmen (në periudhë afatmesme). Drejtuesit, apo përfaqësuesit e tyre pasqyrojnë një nivel modest të përgatitjes menaxheriale dhe mungesë të theksuar vizioni strategjik për shoqëritë që ata drejtojnë, si dhe nivel minimal të kulturës financiare në përgjithësi. Kjo përforcohet dhe nga shkalla e lartë e vendimmarrjes nga organet apo personat e papërshtatshëm, duke evidentuar një nivel jo të kënaqshëm të zbatueshmërisë së mirëqeverisjes së korporatave, brenda këtyre shoqërive.

Nisur nga problematika kyçe të sipërpërmendura, në analizë jepen disa rekomandime për këtë qëllim, si:
(i) Mbetet detyrë e disa grupeve të interesit, si: sektori bankar dhe qeveria, që të punojnë intensivisht dhe në të gjitha drejtimet, për minimizimin, zbutjen dhe lehtësimin e efekteve të faktorëve, që kontribuojnë në mbajtjen në nivele të larta dhe të pandryshueshme të rreziqeve në ekonomi, që pashmangshmërisht trupëzohen në nivele (të perceptuara) të larta të përqindjeve të kredive për biznesin.

(ii) Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me komunitetin e biznesit, duhet të bëjnë përpjekje energjike për të shndërruar të gjithë problematikën që ndeshin shoqëritë në raport ne bankat dhe financimin apo shërbimet që marrin prej tyre (niveli i interesave, burokracia e bankave, niveli i komisioneve, mungesa e huave afatgjata, etj), në elementë favorizues dhe mundësi për përdorimin e instrumenteve të tregut të kapitaleve, të tilla si: Obligacionet e Shoqërive Aksionare. Këto instrumente u japin zgjidhje optimale këtyre aspekteve problematike të evidentuara nga biznesi, ndërkohë që ndihmojnë në një shpërndarje më të balancuar të rreziqeve brenda vetë sistemit financiar shqiptar.

(iii) Institucionet përfaqësuese të tregut të kapitaleve dhe letrave me vlerë në Shqipëri duhet të rrisin dhe vijojnë përpjekjet e vazhdueshme për ndërgjegjësimin e biznesit, në drejtim të njohjes më të thellë të institucioneve të tregut të kapitaleve, bazës rregullatore që rregullon këtë treg dhe këto institucione dhe prezantimin e kuptimin e tregut të kapitaleve si një alternativë ende e pashfrytëzuar dhe fitimprurëse për biznesin.

(iv)  Bursa e Tiranës, ose çdo lloj tjetër sipërmarrje që synon të verë në funksionim një treg zyrtar letrash me vlerë të tregut të kapitaleve, duhet të shndërrohet në një treg real dhe të prekshëm instrumentesh financiare. Në këtë drejtim kërkohet një bashkëpunim dhe partneritet publik-privat, për të mundësuar një proces sa më produktiv dhe natyral të listimit të shoqërive shqiptare në një treg zyrtar kapitalesh.

(v) Komuniteti shqiptar i biznesit dhe në veçanti bankat e nivelit të dytë, duhet të konsiderojnë ndërmarrjen e hapave paraprakë e përgatitorë për ofrimin së shpejti nga ana e tyre, të shërbimeve të ndërmjetësimit dhe konsulencës së specializuar financiare, në fushën e tregut të kapitaleve dhe investimit në letrat me vlerë.

One Response to “Biznesi shqiptar përkundrejt tregut të kapitaleve” (Studim)

  1. ca rendesie ka says:

    Tregjet e kapitalit ne Shqiperi? Te lutem, boll u harxhuan leke taksash kot duke paguar njerez tek (ish) bursa e tiranes. Per mendimin tim ska piken e sensit qe bursa te hapet ne nje shtet si shqiperia. niveli i sipermarrjeve ketu eshte mjeran, dhe mosaksesi i pseudo-biznesmeneve ne burime alternative financimi do ti mbronte investitoret vendas nga investime te gabuara. Edhe sikur te mendohej qe bursa do te hapej prape sdo te kishte funksionuar ne nje vend me gdp nominale 10 bio EUR. besoj qe mund ti hedhim njehere syte verdalle, gjithe bursat e ballkanit jane ilikuide. e mira e te mirave eshte qe cunat ti shtrohen punes se tregu i kapitaleve eshte nje luks i vendeve te industrializuara.

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.