MW-AZ372_sm10th_20130215132136_MGMë pak se 17% e shqiptarëve në moshë madhore kanë patur fatin e mirë apo fatkeqësinë, cilësojeni si të doni, që të marrin një kredi. Fatin sepse i ka shpëtuar nga një problem parash dhe ka bërë të mundur pasurimin. Fatkeqësi sepse nuk ka arritur të përmbushë të gjithë makinacionet e realizimit të një aktiviteti ekonomik të suksesshëm. Por pavarësisht romancës së një kredie me klientin e saj, ekzistojnë disa pozicionime strategjike të cilat absolutisht nuk mund të anashkalohen kur flasim për të. Kjo mënyrë e rregulluar me ligj dhe strukturë të të dhënit para borxh funksionon vetëm në këmbim të sigurimit mbi të drejtat e një pjese të pasurisë suaj. Ajo është përgjegjëse për të gjithë dinamikën me të cilën një pasticeri shndërrohet në një furrë buke, e tre muaj më vonë aty vihen postera berberanesh. Kredia pra është shkencërisht karburanti i domosdoshëm për ekonominë tonë.

Ekzaktësisht 476 mijë shqiptarë në moshë madhore janë të shënuar në regjistrin e kredive në zyrat e Bankës së Shqipërisë. Se sa janë femra dhe sa meshkuj kjo është e parëndësishme. A janë pak, mjaftueshëm apo shumë është pyetja që duhet bërë. Po të rikonsiderojmë rëndësinë e këtij komponenti financiar në realitetin njomëzak të zhvillimit të Shqipërisë duhet të themi se është jetësor. I tillë është dhe për shtetet e tjera. Por ata të tjerët dinë të shfrytëzojnë, më mirë se sa ne shqiptarët, një logjikë monetare që ka lindur bashkë me njerëzimin. Për më tepër më mirë se ne, edhe pse në të njëjtin kënd të globit, vendet e rajonit kanë treguar se janë më të afta të përdorin para nga ato që lëvizin në shina të njohura. Në Kosovë ekzistojnë institucione të trashëguara të ish Jugosllavisë dhe njëkohësisht institucione perëndimore që rezultojnë me sjellje provinciale, por pavarësisht paradoksit, kredia përdoret nga 23% e popullsisë. Maqedonia me ndasinë e ndjeshme dhe të rënduar të origjinës së popullsisë, kredinë e përdor nga 36% e popullsisë në moshë madhore. Banka Qendrore në Bosnje, në një shtet me 3 qeveri, deklaron sipas regjistrit të saj të kredive se mbi 40% e popullsisë ka akses në kredi monetare. Ndërkohë Shqipëria, në vitin e saj më të mirë, ka regjistuar një nivel pothuajse 20% të pjesëmarrjes në kreditim dhe kjo ka ndodhur në vitin 2012. Nëse arsyeja e këtij pragu të ulët për Shqipërinë është kontraktimi i sistemit bankar apo pafuqia e inidvidëve dhe bizneseve për të përmbushur kushtet e nevojshme për të marrë kredi, këtë nuk mund ta përcaktojmë ekzaktësisht. Ajo që mund të themi është shprehja e autorit Evan Rhys mbi vështirësinë e marrjes së një kredie. Ai thotë se ekziston një ndasi ndërmjet kredisë dhe karakterit. Sipas Rhys, nëse nuk e besoni këtë mund të pyesni shumë bankierë, ata do të përgjigjeshin se karakteri është i mrekullueshëm por nuk është kolateral!

Në kushte të tjera me një sistem financiar të plotë, në Shqipëri ndoshta kredia nuk do të ishte i vetmi mekanizëm i rishpërndarjes së parasë sipas nevojave të ekonomisë. Por Shqipëria nuk ndodhet në këtë pozicion krenare,  kjo pasi e financoi dhe promovoi për 17 vjet me fonde anemike dhe ligje shurdhmemece “Bursën E Tiranës”, deri sa vendosi që mos ta përfshijë fare këtë institucion në buxhetin e vitit 2015. Në këtë situatë, sistemi bankar dhe mekanizmi i saj kredidhënës kthehet në një domosdoshmëri për shëndetin financiar të kombit. Fakti që më pak se vetëm 1/6 e popullsisë së rritur është e shënuar në regjistrin e kredive do të thotë që potenciali i rishpërndarjes së një pjese të depozitave bankare në drejtimin e duhur investues është i bllokuar. Ndarja e këtij 20% sipas madhësisë së kredisë na tregon se pjesa absolutisht më e vogël e këtyre më pak se 500 mijë shqiptarëve janë kompani të mëdha në treg. Pjesa më e madhe, ajo së cilës i drejtohet ky artikull janë biznese të vogla dhe të mesme, individë me pasion dhe energji për të nisur dhe drejtuar një sipërmarrje me sukses. Kjo masë e madhe vullneti për të marrë dhe shfrytëzuar sa më mirë kapitalin monetar të një kredi është mundësia e vetme e tregut për të mbijetuar dhe prodhuar zhvillim.

Në kulturën e përgjithshme makroekonomike të një shteti, pra në panoramën e gjerë të funksionimit të një shteti modern financiar, kredia merr një rëndësi monumentale. Në ekonomitë e zhvilluara, pikërisht ato si Shtetet e Bashkuara, Japonia, Gjermania apo Kina, kredia përfaqëson një masë ndërmjet 80 deri në 200% të prodhimit kombëtar bruto. Në Shqipëri portofoli total i kredisë është vetëm 38% e të përgjithshmes, aq sa ne edhe në foltore politike të majta apo të djathta kërkojmë me ngulm investimet publike që të krijojnë vende pune dhe jo iniciativën sipërmarrëse.

Në këtë zbulim dëshmitar të problemit, rritja e pjesëmarrjes në kredi kthehet në kufijtë e butë të emergjencës si rruga e duhur e krijimit të një ambjenti objektivisht funksional të financave personale dhe kapitale. Përherë duhet të konsideroni hua-në të ndryshme nga kredia. E para përmbledh të gjithë shkëmbimin shpirtëror dhe material ndërmjet dy subjekteve. E dyta përfaqëson shkëmbimin fizik të parasë ndërmjet klientit dhe insitucionit bankar ose financiar jo bankar. Është pikërisht kjo e fundit që i nevojitet Shqipërisë dhe shqiptarëve. Vendimi i fundit i ardhur nga Frankfurti, në datën 22 Janar nëpërmjet Bankës Qendrore Europiane, lë të kuptohet një ulje të ardhshme të fuqisë së euros përballë lekut. Ndërkohë që pjesa më e madhe e kredive të dhëna deri më sot janë në euro dhe pjesa më e madhe klientëve të tyre paguhet në para, ky vendim vjen si një lajm i mirë që lehtëson barrën financiare të kësaj kredie. Ky vendim gjithashtu duhet të shërbejë si për sistemin bankar me qëllim rigjallërimin e tregut të kredive, ashtu dhe për sipërmarrësit për të ndërmarrë hapa profesionistë dhe të mirëmenduar.

Fig. 1

Capture1

 

Fig. 2

Capture 2

 

Burimi : Banka e Shqipërisë

Tagged with:
 

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.