0212greeceNëse GDP-ja dhe punësimi varen nga kërkesa, për t’i rritur ato nevojitet stimulimi i kërkesës agregate (pra kërkesa kombëtare). Një mënyrë për të rritur konsumin është ulja e taksave dhe rritja e rrogave, kështu qytetarët kanë më tepër të ardhura të disponueshme. Në këtë rast i referohem uljes së taksave, jo mbi të pasurit, pasi ata kanë tendencën të kursejnë pjesën më të madhe të të ardhurave të tyre (Keynes, 1936). Ndërsa rritja e të ardhurave të disponueshme e të varfërve përkthehet në një rritje të prirjes për konsum. Shpesh, rreth 90% e kësaj rritjeje shkon për rritje konsumi (Muço, 2014). Për të rritur investimet nga një anë nevojitet prirja për konsum, nëse nuk konsumohet nuk ka arsye pse të prodhohet. Nga ana tjetër, nevojitet nxitja e investimeve nëpërmjet uljes së normave të interesit. Banka Qendrore Europiane dhe ajo Shqiptare i kanë ulur në minimum normat e interesit, por kjo nuk ka mjaftuar për të nxitur investimet.

Rritja ekonomike relativisht e ulët dhe rënia e inflacionit po shkakton një rrezik deflacioni, si për vendet e Eurozonës, si për Shqipërinë. Në të tilla raste, impakti i politikave monetare mbi zhvillimin ekonomik bëhet gjithmonë edhe më i dobët, sidomos nëse kemi një rënie të inflacionit dhe një rrezik deflacioni. E mbi të gjitha, në kohë krize ndërmarrjet nuk kërkojnë më kredi për arsye se mungon kërkesa, kështu që të gjitha ndërmarrjet preferojnë të mbajnë likuiditetin dhe jo të investojnë (jemi në një kurth likuiditeti).

Ndërsa nëse duhet të rrisim eksportet dhe të ulim importet, duhet të zhvlerësojmë monedhën, në mënyrë të tillë që për konsumatorët e huaj, produktet tona bëhen më pak të kushtueshme. Por, siç u shpjegua më lart, shkaktimi i inflacionit (rritja e tij) për një vend të BE-së si Greqia nuk varet nga ajo, por nga Banka Qëndrore Europiane e mbi të gjitha s’do të kishte efektet e pritshme. Kështu që e vetmja gjë që i ngelte në dorë Greqisë për të dalë nga kriza, ishte rritja e shpenzimeve qeveritare (në fakt është akoma si mundësi).

Por Trojka (BE, BCE, FMN), si të vetmen mundësi që kishte për të menaxhuar krizën dhe për ta nxjerrë Greqinë nga kriza, i prezanton asaj planin e shpëtimit, duke i ofruar 110 miliardë euro e duke i kërkuar të ndërmerrte një sërë reformash, si shkurtime në administratë, ulje rrogash dhe pensionesh, ulje të investimeve publike etj.

Sipas një raporti të Parlamentit Europian, falë programit të ndihmave që iu dhanë Greqisë dhe falë masave që Trojka e detyroi të merrte, Greqia duhet që në 2012-n të fillonte të kishte një rritje ekonomike, papunësia do të arrinte 14,8%, ndërsa borxhi publik do të arrinte në 149%. Rezultatet ishin shkatërruese dhe krejt të kundërta me parashikimet e Trojkës, papunësia arriti në 27%. GDP-ja në periudhën 2009-2013 ra me 20.6%, kurse borxhi publik kaloi në 175.1% në 2013-n. Lagarde dhe Blanchardi, (drejtoresha dhe shefi ekonomik i FMN-së), e pranuan se kishin gabuar me Greqinë, por ndëshkimin për këtë gabim e mori dikush tjetër. Pikerisht për këtë arsye, qeveria e re greke nuk pranon më të negociojë me Trojkën.

Cipras është i ndërgjegjshëm, për faktin që faji fillestar bie mbi qeveritë e kaluara greke, të cilat shpërdoruan pa asnjë kriter fondet shtetërore dhe merrnin borxh pa pasur asnjë vizion për të nesërmen. Është koshient gjithashtu se votat që ai mori ishin pikërisht vota revolte ndaj një politike të vjetër dhe të urryer tashmë për popullin. Gjithsesi, është e palogjikshme, sipas tij, që të “shtrydhet” ekonomia e një vendi, e cila gjendet në një depresion të rëndë ekonomik. Sipas ministrit të Financave greke, Varoufakis, ajo çka i bënte Trojka Greqisë ishte një “mbytje e kontrolluar”. Pa një strategji për rritjen ekonomike, nuk kanë si të rimbursohen borxhet. Ministri i Financave greke, me background ekonomik dhe statistike, pohon se Greqia nuk do të dalë nga euro.

Borxhet do të preferonte që t’i faleshin një pjesë, megjithatë ai kërkon për momentin një rinegocim të tyre apo një pagim të tijin në bazë të rritjes ekonomike ose më saktë, që pagesa e borxhit të bëhet vetëm në ato momente kur Greqia të fillojë të ketë një rritje pozitive të ekonomisë, ndryshe është vetëvrasje për ekonominë e vendit. Pra, nga rasti i Greqisë vërehet edhe njëherë që politikat shtrënguese të imponuara nga FMN-ja dhe që i ka aq për zemër e djathta gjermane, janë antiproduktive. Nëse nuk kemi një rritje ekonomike, të ardhurat fiskale do të bien dhe situata do të përkeqësohet, nëse rritja e tyre do të vazhdonte, të ardhurat fiskale do të binin, borxhi publik në këtë mënyrë do të rritet gjithmonë e më tepër. Kjo gjë u verifikua edhe në Itali, Irlandë e në Spanjë. Ulja e rrogave në administratën publike dhe ulja e shpenzimeve shkakton një rënie të konsumit dhe si rrjedhoje një rritje të krizës ekonomike. Në momentet kur jemi në një krizë ekonomike si kjo e sotmja, nevojitet një stimulim i konsumit dhe i prodhimit. Në të tilla raste, zgjidhja e krizës nuk mund të jepet me anë të politikave shtrënguese apo me anë të teorive monetariste mbi të cilat është bazuar edhe krijimi i euros. Tashmë nevojitet roli i shtetit në ekonomi jo vetëm për stimulimin e kërkesës agregate me anë të investimeve publike, por edhe me rritjen e impaktit të ndërmarrjeve publike në ekonomi.

Kjo gjë do të ishte shumë pozitive edhe në Shqipëri, nëse politikat strategjike të zhvillimit të vendit vendosin në qendër të vëmendjes sektorin bujqësor, atëherë shteti, me anë të inkubatorëve të biznesit apo me anë të konsulencës profesionale në këtë sektor, do të orientonte investimet dhe do të nxiste prodhimin[1]. Gjithashtu, në kohë krize nevojitet një rritje e eficiensës në administratën publike dhe në dikasteret kyç, ku mund të thithen më tepër fonde nga BE-ja. Si konkluzion, nevojiten reforma strukturore, me qëllim nxitjen e punësimit dhe njëkohësisht nevojitet konsumimi i produkteve lokale, pra rritja e konsumit të produkteve vendase. Po ashtu, Shqipëria, nëse mundet, duhet të evitojë ndihmën e FMN-së, pasi këta të fundit kanë dhënë fakte se sugjerimet e tyre jo gjithmonë “prodhojnë” rritje. Njëkohësisht, nga fitorja e Cipras u vu re se papërgjegjshmëria politike herët apo vonë shkakton vuajtje për qytetarët, të cilët e transformojnë atë në një urrejtje për ta. ______________________________________________________________________________

[1] Në Shqipëri shikon në çdo cep pallati, kafene luksioze e çdo 1 kilometër rrugë mund të hasësh distributor nafte, është e vështirë të gjesh toka të punuara apo sera edhe pse jemi një vend bujqësor. Shpesh edhe aktivitetet bujqësore që kanë bërë investime serioze, vuajnë nga një mungesë informacioni për produktin që kultivojnë. Pshm në Shqipëri është vështirë të gjesh një veteriner të specializuar për peshkun troft edhe pse kemi me dhjetra pika në të gjithë Shqipërinë. Prandaj them se orientimi i investimeve dhe konsulenca do kishte një impakt të rëndësishëm në rritjen e prodhimit.

Tagged with:
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.