regulations“Të gjithë e urrejnë ndryshimin por në fund të fundit  është e vetmja gjë e cila sjell progress.” Charles Kettering

Të gjithë mund të krijojnë diçka të re por vetëm ata të cilët kanë shpirtin sipërmarrës shohin vlerën ekonomike të një krijimtarie cilësore duke parashikuar se ajo do të perceptohet nga agjentët e tjerë si një vlerë e shtuar.

Risitë të cilat pranohen nga tregu si superiore janë motori lëvizës i sistemit kapitalist dhe leva e arkimedit në këtë drejtim janë padyshim sipërmarrësit, të cilët ofrojnë të renë duke u bazuar mbi analizën, intuitën dhe besimin e tyre por dhe duke mbartur mbi supe të gjithë kostot e dështimeve të mundshme.

E reja sjell ndryshime në strukturat e tregjeve duke zmadhuar tortën por dhe duke e rikonfiguruar atë e si pasojë nga ky shok lindin fituesit dhe humbësit. Fituesit, ata të cilët marrin rezikun përsipër duke krijuar këtë gjëndje shkatërimi krijues, përftojnë nga një pozicion monopolistik provizor duke marrë fitime të larta. Me kohën, të tërhequr nga ky treg shumë përftues, sipërmarrësit e tjerë do të hynë duke rivendosur tregun në një gjëndje konkurence e si pasojë duke ulur çmimet dhe fitimin për aktorët ekzistues.

Në këtë mënyrë krijohet një trajektore afatgjatë ku fituesit janë shumica e agjentëve dhe përfitimet e tyre tejkalojnë humbjet e minorancës provizore duke thyer rezistencën për të ndryshuar dhe frikën nga e reja.

Roli i rregulluesit për të lejuar këtë gjendje konkurencë të vazhdueshme duhet të jetë si roli i një tekniku i cili bën rregullimet e nevojshme që motori të punojë në kapacitet maksimal duke mos e rënduar atë apo duke ndërhyrë për mosndryshimin e tij kur është e qartë se kërkohet një model i ri pasi makinat e tjera po ecin shumë më shpejtt.

Në kërkim të rolit optimal të rregulluesit mbi treg

Në terma ekonomik roli i rregulluesit duhet të jetë ai i promovuesit të konkurencës dhe si pasojë të risive dhe vlerave të shtuara. Për këtë arsye është e rëndësishme që të mbrohen të drejtat e fituara nga kontrata dhe të mbrohet pronësia intelektuale.  Kjo siguron sipërmarrësit që risku që ai ndërmerr nuk do të mund të jetë lehtësisht i kopjueshëm nga të tjerët apo se aftësia e tij për tu ndërlidhur me sipërmarrës të tjerë duke krijuar një zinxhir vlerash të mos rëmbehet nga një agjent tjetër i cili mund të ketë fuqi kontraktuese më të lartë.

Nga ana tjetër, rregulluesi duhet të sigurojë që një treg të mos mbizotërohet nga një grup aktorësh të cilët koordinojnë veprimet duke penguar konkurencën. Kjo ndërhyrje bëhet dhe më e rëndësishme në ato tregje të cilat kërkojnë investimet të larta dhe ku aksesushmëria në infrastrukture është vitale për një konkurencë të shëndetshme, siç janë ato tregje të cilat mund të përcaktohen si monopole natyrore.

Në këndvështrimin tim linja subtile midis rregullimit dhe deregullimit nuk mund jetë një teologji. Ajo përcaktohet nga karakteristikat që paraqet secili treg në drejtim të barrierave, ato të nevojshme për të promovuar risitë duke shpërblyer për nivelin e riskut të ndërmarrë dhe nga ana tjetër nga ndërhyrjet e nevojshme kur këto barriera pengojnë konkurencën afatgjatë.

Nësë sipërmarrësit nuk do të mund të përfitonin ekonomikisht nga risitë e sukseshme si elektriciteti, automjetet apo kompjuterat nuk do të mund të ekzistonin pasi askush nuk do të kishte investuar mbi realizimin e tyre. Nga ana tjetër, nësë në periudha të ndryshme historike rregullatorët nuk do të ndërmernim vendime për thyerjen e barrierave këto të  mira nuk do të ishin të aksesueshme nga publiku i gjerë.

Siç thotë dhe lord Keynes-i, kapitalizmi është besimi i jashtëzakonshëm se sistemi, ku njerëzit më të këqinj të motivuar nga stimujt më negative, do të funksionojë në një mënyre apo një për të mirën e të gjithëvë.

Për të arritur në këtë rezultante është e domosdoshme konkurenca dhe për këtë rregullatori duhet të marrë një rol neutral duke mos ndikuar në luftën midis sipërmarrjeve por të fokusohet tek interesi i përgjithshëm publik i cili mund të arrihet vetëm duke promovuar barazinë e mundësive si elementi bazik i ekonomisë së tregut dhe sistemit të lirive.

Niveli i konkurueshmërisë në Shqipëri

Për sa i përket Shqipërisë ajo ka mungesë thelbësorë të barazive në oportunitete e cila sjell që dhe pas 25 viteve tranzicion niveli i konkurueshmërisë së ekonomisë të mbetet shumë i ulët ku zëmë vëndin e 97 nga 144 sipas Indeksit të Konkurueshmërisë të World Economic Forum me një pikëzim 3.8 nga 7.

Problematikat për këtë rezultante janë të ndryshme por doja të theksoja 3 prej tyre:

Së pari, problematikat të cilat kanë të bëjnë me mbrojtjen e kontratave dhe ato të titullit të pronësisë janë pengesa të cilat deformojnë rregullat bazë të konkurencës. Ludwig Von Mises përcakton të drejtën e pronës si bazike që kapitali të hy në transaksione lirisht. Ndërsa De Soto e shpjegon si arsyen kryesore pse sistemi Kapitalist ka funksionuar në perëndim si një motor zhvillimi ndërsa në pjesën tjetër të botës nuk ka dhënë të njëjtat rezultate.

Së dyti, mungesa e aksesit në infrastrukturë dhe cilësia e arsimit të cilat shkojnë deri në mungesë të plotë në rajonet më të varfëra të shoqërisë është një tjetër frenues i rëndësishëm i barazisë në mundësi dhe si pasojë i konkurrencës.

Së treti, procedurat e shumta dhe ineficente të cilat pengojnë në përfshirjen e ekonomisë kombëtare në tregun global dhe në profilizimin e angjetëve në bazë të avantazheve konkuruese. Në fund të fundit siç thotë dhe babai i kapitalizmit, Adam Smith, sido që të jetë gjëndja ekonomike e një vendi, sido që të jenë kapacitetet intelektuale e rëndësishme për zhvillimin e afatgjatë është raporti midis individëve të cilët kryejnë punë për të cilat kanë aftësi specifike dhe sa prej tyre jo. Burokracitë ndaj tregëtisë janë një deformues i fortë i kësaj balance.

Paafësia për të targetuar këto problematika tregon dështimin e shoqërisë sonë për të krijuar institucione të cilat luajnë rolin e promovuesit të konkurencës. Nëse i 2013-09-05-09-07-02-am
referohemi Indeksit të Konkurueshmërisë Globale, në pyetësorin e saj se cilat janë problematikat kryesore të cilat pengojnë të bërit biznes shqiptarët i përgjigjen, Korrupsioni (22%) dhe burokracitë ineficente shtetërore (13.8%). Në analizën e Fondit Monetar Ndërkombëtar thuhet se reformat strukturore të cilat do të sillnin konvergimin e këtij rajoni kanë mbetur aty në mesin e viteve 2000 dhe një nga faktorët kryesor janë interesat vetjake të klasave politike për të mos i ndërmarë ato.

Si duke iu referuar opinionit të qytetarëve shqiptarë ashtu dhe në këndvështrimin e partnerëve insitucional, rregullatorët nuk kanë luajtur rolin e promovuesit të konkurencës por janë bërë lojtar duke deformuar atë, si dhe duke përzgjedhur ata dhe jo tregu fituesit dhe humbësit. Pra më shumë se numri i rregullave të lojës problematika ka qënë tek mozbatimi i tyre ku kryesorja mes të cilave është neutraliteti i rregullatorit.

Kjo sepse roli i insituticonet në letër mund të jetë neutral ndërsa funksionari është individ dhe si i tillë i stimuluar nga interesat vetjak. Për më tepër, me kohëzgjatjen e qëndrimin të tij në një pozicion publik, rregullat e lojës nuk interpretohen sipas frymës që janë shkruar por sipas dëshirës. Ky fenomen së bashku me një shoqëri jo mirë të arsimuar e si pasojë dritshkurtër e cila sheh në deformimin e rregullave të lojës zhvillimin individual janë faktorë të cilët sjellin që ekonomia të ndodhet në gjëndjen e sotme, ku pas rënies së remitancave të pas vitit 2008 nga 12% në 7%  ka rënë në një gjumë letargjik.

Për të dalë nga kjo situatë mendoj se duhet të heqim dorë nga ëndërrat se regullatori dhe jo puna mund të na përmisojnë jëtesën dhe të shohim realitetin kthjelltësisht duke prerë këtë koordon umbilical frenues të zhvillimit.

Nga ana tjetër është i rëndësishme frenimi i pushtetit të personave në krye të institucioneve duke limituar mandatet e tyre dhe duke kërkuar që objektivat për secilin të jenë pranë realitetit, të matshme dhe të monitorueshme pasi çdo individ në mungesë të kontrollit dhe balancës sado i virtytshëm qoftë ai do të tentoj të përthyej rregullat në interesin e tij, personave pranë tij apo atyre që sponzorizojnë pushtetin e tij.

Përmirsimi i të mirës së përgjithshme mund të arrihet vetëm nësë kryefjala e të ardhmes do të jetë ofrimi i mundësive të barabarta për të konkuruar në të treja nivelet: individ, sipërmarrje dhe rregullator.

Tagged with:
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.