1213Milton Friedman na ndihmon të kuptojmë se “E vetmja mënyrë që është zbuluar deri më sot për të pasur shumë njerëz që kooperojnë me njëri-tjetrin në mënyrë të vullnetshme është përmes tregut të lirë”. Ky është vendi ku realizohet maksimalisht liria e njeriut. Kjo nuk do të thotë se tregu nuk ka dështime ose imperfeksione.

Ka mjaft raste të tilla. Dikush mund të ketë një informacion të brendshëm që të tjerët nuk e kanë, kur e përdor krijon një avantazh të paligjshëm. Mund të ndodhë që ka shumë pak lojtarë në treg, që i lejon ata të luajnë dhe manipulojnë me çmimet. Ligjet, rregullat dhe institucionet mbikëqyrëse të tregut që krijohen nga qeveritë janë mjeti i vetëm që kemi, dhe që mbështesim, për të garantuar kushte loje të barabarta në treg, dhe mbrojtje të individit nga individë të tjerë apo nga monopolet.

Problemi qëndron tek ato ligje dhe rregullime të tregut që tentojnë të përcaktojnë vendimmarrjen e individit dhe sipërmarrjes përtej këtyre ligjeve dhe rregullave universale të garantimit të lojës së barabartë në tregun e lirë. Rreziku nga mbirregullimi për shkak të monopolit të ligjit që kanë shtetet, qeveritë, qëndron pikërisht këtu.

Po pse qeveritë tentojnë të rregullojnë edhe më tregun? Rothbard observon se: në shumë mënyra historia e njerëzimit është një garë mes një qeverie sa më të madhe kundër një tregu sa më të lirë. Në këtë garë qeveritë zgjerohen përmes rregullimit. Kthimit të filozofisë politike të secilës prej tyre në ligje, në rregulla. Po, çfarë është rregullimi?

Së pari: Rregullimi është akt ligjor që ndalon, ose detyron individin apo sipërmarrjen të bëjë një gjë të caktuar. Rregullimi është pushtet mbi të rregulluarin. Ai është akti paternalist i qeverisë dhe burokratëve mbi individin, tregun, sipërmarrjen. Ndërkaq nuk duhet të harrojmë se burokracitë njësoj si individët u shërbejnë interesave të tyre. Kujdesi për të mirën publike dhe dalja nga emergjencat janë justifikimet e përhershme për shtimin e këtij pushteti. Sikundër kemi parë të ndodhë më shpesh në këto vitet e fundit në Shqipëri. Shteti imponon rregullime, taksa, dhe subvencione si një mjet për të realizuar rishpërndarjen e të ardhurave, në mënyrë që të korrigjojë atë çka më shumë politikisht sesa racionalisht e quan imperfeksion të tregut. Nga këto lloj ndërhyrjesh pothuajse gjithmonë shohim të zvogëlohet ekonomia e tregut në favor të zgjerimit të fushës së veprimit të qeverisë. Kjo metodë e zgjerimit të qeverisë, – siç observon Hayek, – çon pashmangshmërisht drejt tiranisë.

Së dyti: Rregullimet përveç rasteve kur janë taksa eksplicite, janë kryesisht taksa të fshehura. Rregullimet kanë kosto si për individin ashtu dhe biznesin, por në fund me gjasë është konsumatori i fundit ai që i mban në kurriz këto kosto. Po e ilustroj këtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në vitin 2013 legjislacionit ekzistues iu shtuan edhe 26,417 faqe me legjislacion të ri. Sipas Shoqatës Kombëtare të Prodhuesve Amerikanë, kostoja vjetore e rregullimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vërtitet rreth 2 trilionë dollarë, para e cila nuk shkon si investim në ekonomi. Kostoja vjetore që rrjedh nga këto taksa të fshehura rregullatore për familje amerikane është rreth 14 980 dollarë ose 23 për qind e të ardhurës mesatare prej 65 596 dollarësh.

E mora shembullin nga Amerika, sepse në Shqipëri nuk i kemi bërë ndonjëherë këto matje. Kemi miratuar ligje pa fund, por asnjëherë nuk kemi arritur të themi nëse këto ligje na kanë sjellë përfitimet e premtuara apo jo, kanë rritur eficiencën apo jo? Sa paguajmë ne për ligjet e secilës qeveri? I ndryshojmë rregullat shpesh. Me shpejtësi, pa transparencë. Ligji për procedurat tatimore është ndryshuar dhjetëra herë. Imagjinoni fluktuacionet e kostove dhe kohës që i duhet biznesit të jetë në rregull me kërkesat që ndryshojnë. Nuk është bërë ndonjë Vlerësim i Impaktit Rregullator (RIA) dhe ndoshta është koha të bëhet për të kuptuar a bëjnë ligjet tona dhe kostot kumulative që ato kanë në kurriz të qytetarit.

Megjithëkëtë, do duhet një ndryshim rrënjësor në mënyrën sesi njerëzit e shohin shtetin. Duhet që njerëzit të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre – kjo është liria. E drejta për të dështuar, njësoj si e drejta për sukses është e drejtë themelore. Deri në pranimin e kësaj, çfarëdo zgjidhje në favor të tregut të lirë, vështirë se mund të merret parasysh. Trashëgimia paternaliste osmano-komuniste që kemi në Shqipëri bën që shumica e njerëzve ta shohin shtetin si bamirës, edhe pse ineficient, që na ka për zemër dhe kujdeset për ne. Nga ana tjetër, jemi mosbesues ndaj tregut të lirë, dhe nuk pranojmë që zgjidhjet janë atje, dhe jo tek rregullimet.

Është e dukshme se rregullimet u shërbejnë më shumë qeverive sesa tregut. Qeveritë u premtojnë njerëzve sigurinë përmes rregullimeve bazuar, më së shumti, në paragjykimin e moralitetit, ndërsa tregu i lirë garanton efiçiencën e shpërndarjes së burimeve përmes konkurrencës së çmimeve. Që prej dorës së padukshme, rregullit spontan, apo shkatërrimit krijues është provuar se tregu ka aftësinë të vetërregullohet. Tregjet e lira operojnë sipas rregullave që ne mund t’i njohim dhe parashikojmë. Kur rriten çmimet, ulet kërkesa. Nëse një sipërmarrje do që të ketë fitim, ajo nuk mund të sillet si ia ka qejfi. Dëshira për fitim rregullon sjelljen e të gjitha firmave në mënyra që t’u shërbejnë konsumatorëve duke zgjeruar dhe diversifikuar produktet dhe ulur çmimet. Kur ka shumë fitim në një industri të dhënë, do ketë gjithnjë hyrje të reja.

A ka rreziqe në tregun e lirë. Natyrisht që ka. Milton Friedman shpjegon se:

“Rreziku më i madh për konsumatorin është monopoli – qoftë ky privat apo qeveritar. Mbrojtja më efektive për konsumatorin është konkurrenca e lirë brenda vendit dhe tregtia e lirë në të gjithë botën. Konsumatori mbrohet prej shfrytëzimit të një shitësi nga ekzistenca e një tjetër shitësi nga i cili mund të blejë, dhe ku ky i fundit mezi pret t’i shesë atij”

Burimet e ndryshme të ofertës e mbrojnë atë më me efektivitet se çdo rregullim qeveritar. Sot, kur koha që merr një ide për t’u realizuar në treg është shkurtuar shumë, kur kostot e fillimit të një biznesi janë ulur pa masë, kur kemi ardhur nga industria me avull tek printerat tredimensionalë, kjo gjë është shumë më e lehtë. Kështu, jeta e monopoleve është shkurtuar shumë. Mjafton një ide për t’i rrëzuar ato. Për t’i bërë inefiçiente. Në fakt shumica e monopoleve janë në sektorin publik dhe jo atë privat. Janë qeveritë që i mbajnë ato në jetë, i ruajnë ato me xhelozi, duke u bërë kështu shkaktarët kryesorë të çrregullimeve në treg.

“Më shumë ligje, më pak drejtësi!” “Sa më i korruptuar shteti, aq më shumë ligje prodhon!” “Çdo dëshirë për shpëtuar njerëzimin, është thuajse gjithmonë një fasadë e corruption2pasionit për të sunduar”. “Qeveritë deklarojnë kaq shumë gjëra si krim, sa është e pamundur të jetosh pa e thyer ligjin.” “Nëse ke 10 000 rregullime, shkatërron çdo respekt për ligjin!” Që nga Ciceroni, deri te Churchill, njerëzimi është paralajmëruar që, më se shumti, rregullimet nuk janë nevojë e tregut, por e qeverive. Dhe kur shteti dominon tregun, aq më shumë rritet korrupsioni, diskrecioni, mungesa e llogaridhënies, oligarkia, monopolet, aq më shumë rritet mjegulla dhe mundësia që paraja të blejë lirinë e tregut dhe të robërojë individin.

A ka treg të lirë sot në botë? Përgjigjja është, JO! Mijëra rregullime qeveritare përpiqen të sigurojnë që tregu të mos jetë i lirë. Çfarë është zgjidhja? Derregullim. Sa më shumë dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Kujdes veç! Derregullim nuk do të thotë mungesë rregullash, por është vendosja e një rregulli që thjeshton/zvogëlon rregullimet ekzistuese dhe që zmadhon hapësirën e tregut të lirë kundrejt shtetit, duke e bërë shpërndarjen më me drejtësi të burimeve, në mënyre më efiçiente, duke rritur inovacionin, produktivitetin, investimet dhe konkurrueshmërinë.

One Response to Rregullimi – nevojë e shtetit apo e tregut?

  1. A M says:

    Shumë i drejtë dhe i vlefshëm shkrimi. E vetmja vërejtje është se do të duheshin ca terma të tjera në shqip për ‘regulation’ (ndoshta norma në vend të rregullime) dhe ‘deregulation’ (liberalizim në vend të derregullim).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.