Loan conceptHuatë me probleme përbëjnë sot një prej çështjeve të sistemit financiar, drejt të cilës ka një vëmendje të shtuar dhe të vazhdueshme, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon e në gjithë botën. Nga ana tjetër, kjo çështje përbën shenjën më të qartë të pasojave të krizës më të fundit ekonomiko-financiare globale si dhe të nivelit zhvillimit tejet anemik të zhvillimit të ekonomisë botërore dhe asaj të rajonit, por jo vetëm.

Sigurisht që nuk përbën rastësi që një çështje e tillë ka një rëndësi të tillë, veçanërisht për veprimtarinë bankare, pasi një nivel i lartë i këtyre huave nënkupton: (1) shkallë më e ulët përfitueshmërie, (2) kosto e vazhdueshme operacionale, (3) kosto më e lartë për fonde të reja, (4) shkallë më e lartë e mbulimit të rreziqeve dhe (5) vështirësi për likuditet në të ardhmen.

Edhe Shqipëria nuk bën përjashtim nga problematika e këtyre lloj huave, të cilat që pas shpërthimit të krizës financiare globale kanë shënuar vetëm rritje, të paktën deri në fund të tremujorit të katërt të vitit 2014 (shihni tabelën1). Sigurisht që në totalin e huave me probleme, kontribuesi më i madh është komponenti i huave për biznes (korporatat jofinanciare) dhe më pak ai i huave për individë. Gjithashtu, nësë shihet ecuria e cilësisë së huave, është fakt që huat për biznes rezultojnë me një cilësi më të ulët, në krahasim me ato për individë.

Grafiku 1

11210092_10153207576518911_1974327843_n   Burimi: Banka e Shqipërisë

Nëse e shohim situatën në rrafsh rajonal, mund të konstatohet se Shqipëria ka një rritje relativisht më të shpejtë të huave me probleme në të gjithë rajonin, pavarësisht nga fakti se ky është një problem i kudondodhur në rajon. Teknikisht, vetëm në fund të vitit 2014 në Shqipëri shënohet një ulje e këtyre huave me probleme, në vlerën 22.8% ndaj stokut të huave.

  Grafiku 2

11212486_10153207576523911_1571062273_n

  Burimi: Banka e Shqipërisë

Adresimi aktual i huave me probleme dhe nevoja për një qasje të re

Kjo rritje e madhe e huave me probleme dhe ulja shumë e ngadaltë e tyre ne vijim ka ardhur për një sërë arsyesh dhe shkaqesh, ndër të cilat mund të përmenden: (1) Procedurat e zgjatura ligjore dhe ineficianca e sistmit gjyqësor, lidhur me ekzekutimin e kolateralit, (2) mungesa e një tregu sekondar për këto hua dhe e procesit të titullizimit, paqartësitë ligjore dhe mungsa e nxitësve fiskalë për të mundësuar fshirjen e këryre huave nga bilancet, (4) sistem tatimor “ jo i drejtë”, deri pak kohë më parë, në drejtim të njohjes së provizioneve si shpenzime të zbritshme dhe (5) mungesa shërbimit përmbarimor në formatin e një faktoringu të plotë.

Deri më sot, Banka e Shqipërisë është angazhuar në trajtimin më të mirë të këtij problemi në vijim, në kuadër të Nismës së Vjenës dhe FinSAC-ut. Konretisht, Banka e Shqipërisë ka hartuar një platformë specifike, që në tetor 2012, qëllimi i së cilës është analiza dhe trajtimi i huamarrësve me probleme, ose atyre që kanë filluar të shfaqin probleme në portofolet e bankave të veçanta.

Vlen të theksohet se kjo platformë synon një angazhim më të madh të bankave në procesin e risktrukturimit të huave, por ajo funksionon në një qark të mbyllur banka – Banka e Shqipërisë, dhe nuk përfshin edhe grupe të tjera interesi, që gjykohen të përshtatshme dhe nevojshme për t’u përfshirë në të.

Në këtë kuadër, gjykohet me shumë rëndësi që platforma aktuale e Bankës së Shqipërisë të ridimensionohet sipas Modelit “Podgorica”, për zgjidhjen e huave me probleme, si një platformë që ofron një qasje më “revolucionare”, në drejtim të trajtimit më me thellësi dhe me efekte më të ndjeshme në tregun e huamarrjes. Teknikisht, modeli “Podgorica”, është një qasje shumëpalëshe, që përfshin disa grupe intersi, si: bankat, bankën qendrore, qeverinë dhe biznesin që është në vështirësi. Ky model mbështetet në disa shtylla të rëndësishme, si: (1) ristrukturimi financiar dhe operacional i biznesit, mbi baza vullnetare (pra me pëlqimin e vet biznesit), (2) miratimi i Lex Specialis, si një marrëveshje shumëpalëshe mes qeverisë, bankës qendrore dhe bankave, sipas të cilit të gjithë këto grupe interesi bëjnë lëshimet, apo “sakrificat” respektive në këtë drejtim (qeveria jep nxitësa fiskalë, banka qendrore zbaton klasa klasifikimi më të larta për këto hua që ristrukturohen dhe bankat “fshijnë” një pjesë të normës së interesit, ulin normat e interesit, si dhe të zgjasin periudhën e shlyerjes së huas), dhe (4) procesi i ristrukturimit kryhet krejtësisht jashtë gjykatës, si një proces i pastër ndërmjetësimi, ku një rol kuç merr dhe Shoqata e Bankave. Thelbi i këtij modeli qëndron në mbajtjen në jetë të atyre bizneseve, që kanë probleme në shlyerjen e huave, por që mund të rifuten në biznes dhe rrjedhën normale të ripagimit të huave dhe taksave, nëse u ofrohet një qasje e ndryshme nga ajo aktuale në adresimin e huave me probleme.

Zbatimi i Modelit “Podgorica” në rastin e Shqipërisë do të rezultonte në një zgjidhje me përfitim shumëpalësh, ku:

  • Bankat, do të arkëtonin më shumë fonde në vijim, duke mos i fshirë huat nga bilanci, e për më tepër, duke paguar më pak provizione,
  • Qeveria, përfiton më shumë tatime në të ardhmen nga biznese që vijojnë të mbeten në ekonomi dhe që nuk mbyllen apo falimentojnë, si pasojë e paaftësisë paguese,
  • Banka qendrore, përmbush më së miri objektivin e saj të stabilitetit financiar afatgjatë,
  • Bizneset, vijojnë të mbeten në qarkullimin ekonomik, duke krijuar përfitime për pronarët e tyre, punësim dhe vlerë të shtuar në ekonomi.

Në përfundim duhet theksuar se çështja e huave me probleme nuk është një çështje thjesht bankare apo e sistemit bankar, por ajo është një çështje e rëndësishme për të gjithë ekonominë, financat publike dhe stabilitetin financiar.

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.