????????????????????????????????????????Në zyra, kafene, rrugë, shtëpi, në qytet apo dhe në fshat, fjala më e përdorur e 5 viteve të fundit është “Punë”. Njëkohësisht ky term me të gjithë elementët që përfshin është dhe shqetësimi më i rëndësishëm për familjet, individët, kompanitë dhe politikbërësit. Por përtej shqetësimit, termi në vetvete duhet të analizohet për të qenë pjesë integrale e rrugës drejt rritjes së punësimit e mbi të gjitha drejt rritjes së cilësisë së punës.

Shqipëria, pas prezantimit të raportit të INSTAT mbi kostot e punës, rezultoi përsëri në vend të fundit në kontinentin Europian. Në vendin tonë kosto mesatare e punës është 2.2 euro në orë. Shifër jashtëzakonisht e ulët kur e krahasojmë me Serbinë ku niveli është mbi dyfishin me 5.1 euro. Më tej nëse kthejmë sytë e më pas kokën në vende të tjera shohim se në Kroaci një orë punë kushton 9.5 euro, në Angli 21.8 euro, në Gjermani 31.6 euro, në Belgjikë 38.1 euro dhe në Zvicër 52.3 euro. Shumica e komenteve të analistëve do të rrekeshin menjëherë të deklaronin se kosto e ulët e punës sjell investitorë të huaj në Shqipëri pasi kosto e kapitalit të tyre do të ishte më e ulët e për pasojë më e frytshme. Ndonjë koment tjetër dritëshkurtër do të bazohej në faktin se puna e lirë është tregues i konkurencës mes kompanive për të siguruar kushte eficence në operacionet e përditshme. A janë këto analiza dhe komente të duhura? A janë këto pikënisjet e zgjuara të një politike publike konkrete drejt punësimit?

Në fakt jo. Aspak. E vërteta e hidhur është se Shqipëria është konkuruese për ato biznese që ofrojnë punën më të lirë dhe më të nënpaguar që ekziston. Pa dashur të jem i ashpër, por duke dashur të ngre një këmbanë alarmi, e kam fjalën për fasonët, call center apo të ngjashmit e tyre. Pavarësisht numrit të lartë të punonjësve që mbajnë pranë vetes, kompanitë me këtë tipologji të punës së lirë nuk mund dhe nuk duhet të jenë lokomotivat e fjalimeve dhe statistikave. Pavarësisht se mund të strehojnë ekonomikisht shumë të rinj dhe femra, si dy kategoritë më të ndjeshme viktima të papunësisë, ato ofrojnë paga vetëm për nivelin minimal të një jetese larg pritshmërive. Ndoshta në një vend të madh me mbi 50 milionë banorë ato janë zgjidhja emergjente dhe e shumëpritur për të shmangur rradhë të gjata të papunësh në rrugë. Por në Shqipëri, ku sipas INSTAT, më 1 janar 2015 popullsia arriti në 2.893.005 banorë, mundësi për të afruar industri dhe kompani që kërkojnë punë cilësore, me kosto pune më të lartë dhe paga më të larta, sigurisht që ekziston. Ndonjë koment i pamenduar kundër kësaj teze do të zgjohej nga letergjia dhe do të thoshte se forca mesatare e punës në Shqipëri nuk është e përgatitur për punë cilësore. Në fakt jo. Por kjo nuk është pengesë.

“Një ndër anekdotat më të njohura në botën e biznesit është ndërmjet dy menaxherëve të cilët duhet të jobs2vendosnin nëse do të investonin në trajnime apo jo. I pari kundërshtues i investimit ngre këtë pyetje: Po sikur ti trajnojmë dhe më pas punonjësit të largohen? Tjetri ngre diametrikisht pyetjen e kundërt: Po sikur mos ti trajnojmë dhe të qendrojnë?”

Në Shqipëri mobiliteti i punës, pra tendenca e punonjësve për të ndryshuar punë, është ndër më të ultat dhe lidhet drejtë me natyrën e shqiptarëve për të gjetur stabilitet si pasojë e kohëve jo të lehta që kemi kaluar në këto 25 vjet. Për pasojë, shqetësimit të mësipërm nëse kompanitë duhet të investojnë në trajnime dhe përgatitje profesionale i jepet thjeshtësisht përgjigje. Në drejtim të punës cilësore, e cila jo medoemos lidhet me profesionet e larta akademike, ndodhet dhe tendenca, e nisur nga qeveria dhe e përqafuar nga familjet dhe të rinjtë, për të fuqizuar dhe frekuentuar shkollat profesionale. Në anën tjetër në vitin 2013, sipas studimit të realizuar nga Deloitte International, kompanitë e mëdha kanë investuar mesatarisht 1.169 dollarë për punonjës, ndërkohë që kjo shifër pritet të ketë arritur në 1.234 dollarë në vitin që lamë pas 2014. Nisur nga këto fakte është e qartë se një kombinim ndërmjet aftësimit profesional të përgjithshëm që vjen nga arsimimi dhe përgatitjes konkrete teknike që vjen nga burimet e kompanisë, do të sillnin një rezultat fitues drejt punës cilësore.

Për të mbështetur faktin se puna e lirë, me kosto të ulët dhe me cilësi të dobët është një mallkim për Shqipërinë e vitit 2015, në ndihmë vjen dhe raporti i Bankës Botërore mbi llojet e tregut të punës. Vetëpunësimi i pavullnetshëm, si degradimi përfundimtar i punës jo cilësore, është elementi kryesor në këtë raport. Sipas BB, të vetëpunësuarit e pavullnetshëm dhe ata që punojnë me pagesa sporadike përbëjnë 58% të totalit të punësuarve. Shifër shumë e lartë krahasuar me rajonin ku Serbia këtë nivel e ka 29%, Maqedonia 24% dhe Bosnje Hercegovina 25%. Nëse në vendin tonë rreth 60% e të punësuarve përbën të ardhura të papërfillshme si pasojë e cilësisë së ulët të përgatitjes profesionale, atëherë alarmi ka rënë dhe ndërhyrja është emergjente.

Politikat qeveritare të punësimit, të llojit të dëshiruar të investimeve të huaja dhe legjenda e suksesist të “krahut të lirë të punës” duhet të ndryshojnë. Kategorizimi demografik, mosha mesatare e popullsisë ende e re, dëshira për stabilitet në vendin e punës dhe fuqizimi i shkollave profesionale janë tregues të bindshëm se potenciali për të rritur cilësinë e punës së ofruar në Shqipëri ekziston bindshëm.

Pyetjet që të gjithë ne duhet ti ngremë vetes janë: A ja vlen të jem i papërgatitur dhe kërkoj punë të nën paguar? Deri sa mund të zgjasë me një rrogë minimale? A mund të mbaj familjen me një rrogë mesatarisht 40 mijë lek? Cilat kompani mbështesin aktualisht trajnimin e punonjësve? Cilat kompani që dëshirojnë të futen në tregun shqiptar i përkasin industrisë dhe teknologjisë mesatare e të lartë? A mund të punoj gjatë në Call Center apo në rrobaqepësi bazike? Cilat janë të ardhurat që siguroj pas përgatitjes profesionale në shkollë?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë qartësisht kundër suksesit kakofonik të “ofertës së krahut të lirë të punës”.

2 Responses to Kur puna e lirë shkatërron Shqipërinë

  1. E.MALAJ says:

    Nuk i hiqet asnje presje duke filluar nga titulli. Jam kurioze te di keshilltaret prane KM a jane te afte ta kuptojne kete fenomen, dhe nese jane a jane te guximshem mjaftueshem sa ta artikulojne qarte dhe zeshem?
    Urime autorit

  2. Landi says:

    Per sa kohe ne Shqiperi sindikatat do jene politike keto kushte do te vazhdojne.
    Ne bote rritjen e pagave e kane diktuar gjithmone sindikatat dhe grevat. Te jete per politiken mund dhe te punohej falas pa asnje lloj benefiti.
    Pa presion, sidomos kjo lloj klase politikanesh qe kemi ne, nuk ka per te bere asgje ne kete aspekt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.