Bank-Guarantee-Funding-BankSa vlerësohet sot madhësia e likuidetit të tepërt në sistemin bankar shqiptar?

Teprica e likuidetit në treg mund të gjykohet duke parë raportin Kredi/Depozitë të sistemit bankar si dhe veçanërisht ecurinë e këtij raporti gjatë vitit të fundit (31 dhjetor 2013 – 31 dhjetor 2014). Vlera aktuale e ulët ashtu si tendenca rënëse e këtij raporti tregon në mënyrë të qartë likuiditetin e tepërt në treg, që manifestohet me një rritjeje të depozitave të klientëve të pashoqëruar në të njëjtën masë nga rritja e kredive. Nëse do të shkonim pak me thellë dhe të vlerësonim të njëjtin raport, por tashmë të ndarë për monedhë vendase dhe atë të huaj, do të kishim një situatë më kritike për monedhën e huaj.

Cilat janë premisat dhe pse jemi sot në një situatë që karakterizohet nga likuiditeti i tepërt në sistemin bankar?

Siç e përmendëm likuiditeti i tepërt parcaktohet nga ecuria e dy faktorëve: nga rritja e portofolit të depozitave si dhe mos rritja apo rënia e kredidhënies. Nëse do të donim të njiheshim me faktorët që ndikojnë në ecurinë e secilit prej tyre do të mund të përmendnim:

Rritja e depozitave:

Pavarësisht normave të interesit që sot janë në nivelet më të ulëta historike, në veçanti ato në EURO (gati zero) në vijim të normave të interesit të përcaktuara nga Banka Qëndrore Evropiane, përseri ka një tendencë në rritje të depozitave që mund të ketë ardhur si rezultat i disa faktorëve nga të cilat mund të përmendim:

  1. treguesi në rënie i besimit të konsumatorit i cili shprehet në prirjen e konsumatorëve kundrejt reduktimit të shpenzimeve dhe rritjes së kursimeve,
  2. Shlyerja nga ana e qeverisë e detyrimeve të prapambetura ndaj bizneseve dhe palëve të treta gjatë pjesës së dytë të vitit 2014
  3. Rritja e besimit ndaj sistemit bankar si dhe një tendencë në rritje (ndonëse me hapa të ngadalta) e formalizimit të ekonomisë vendase (nga cash në jo-cash)
  4. Transferimi i kursimeve të emigrantëve nga Greqia në Shqipëri

Mos rritja apo rënia e kredisë:

  1. Kërkesa e dobët për kredi nga ana e klientëve që lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me ritmet e ulta të rritjes ekonomike, është një ndër faktorët me domethënës
  2. përqasja përgjithësisht më ortodokse nga ana e bankave në dhënien e kredive si pasojë e ndërgjegjësimit për nevojën e aplikimit të standarteve të duhura të kreditimit, veçanërisht për bizneset, si rezultat i një ekperience në menaxhimin e nivelit relativisht të lartë të kredive me probleme. Mungesa e aplikimit të zgjeruar të standarteve të kontabilitetit, audimi i pasqyrave financiare, situata në rregullim e sipër e sektorëve të ndryshëm e liçencave specifike si dhe problemet me pasuritë e paluajshme vështirësojnë vendim-marrjen e shpejtë dhe të qartë në lidhje me kredidhënien.
  3. Korigjimi jodomethënës i nivelit të kredive të këqia të sistemit bankar pavarësisht masave ligjore të marra dhe pagesave të detyrime të prapambetura nga ana e qeverisë. Një faktor që e vështirëson rikuperimin janë edhe masat e marra nga entet shtetërore për grumbullimin e tatimeve, ndaj të njëjtëve debitorë.
  4. Rënia e besimit të konsumatorit si dhe çmimet e larta të pasurive të paluajtshme, kanë dhënë efekt në uljen e kërkesës për blerje banesash, duke u pasqyruar në rënien e kërkesës për kredi për shtëpi.

Një faktor i tretë përveç rritjes së depozitave dhe mos ecurisë së kredive mund të jetë dhe nevoja e bankave për të rritur kapitalin, si rrjedhojë e nivelit të lartë të kredive të këqija apo kuadrit rregullativ shtrëngues gjë që është përkthyer në  likuiditet të shtuar në sistemin bankar.

Pse nuk është shumë e dobishme ekzistenca e një shkalle të lartë likuiditeti?

Një shkallë e lartë likuiditeti, pavarësisht efekteve pozitive që në parim çojnë në stimulimin e kredidhënies me norma konkurruese, ka efeketet e veta negative duke qenë se krijon një presion të lartë me efekte negative në përfitueshmëri në aktivitetin e bankave si ndërmjetës financiar. Ky likuiditet për më shumë na vjen i theksuar në monedhë të huaj ku skenari i normave të interesit në tregjet ndërkombëtare është totalisht i pafavorshëm në lidhje me investimet alternative të kredidhënies. Ndërkohë vlen tëBag-of-Money përmendet që investimet alternative në monedhën vendase vazhdojnë të jenë të mundësuara nga blerja e letrave me vlerë të emetuara nga qeveria shqiptare pavarësisht kufizimeve të veta si rrjedhojë e limiteve të brendshme të secilës bankë që tentojnë të mbajnë nën kontroll ekspozimin kundrejt qeverisë shqiptare në kuadrin e rreziqeve të përqëndrimit. Megjithatë mund të pohohet që edhe kjo dritare po fillon të mbyllet për sa kohë qeveria planifikon ulje të borxhit të brendshëm.

Me pak fjalë nëse bankat likuiditetin e mbledhur nga depozituesit nuk arrijnë ta investojnë në kredi në tregun e brendshëm ndërkohë që investimet alternative janë më të kufizuara se më parë qoftë si rezultat i kërkesave shtrënguese nga autoritetet mbikqyrëse apo dhe normave të ulta ose negative në tregun ndërkombëtar, atëherë e gjithë kjo do ndikojë negativisht në performancën e tyre.

Si vlerësohet kjo shkallë likuiditeti i tepërt, në kontekstin e kërkesave rregullatore ndaj bankave dhe si ndikojnë këto masa dhe standard rregullatore në rritjen e likuiditetit të tepërt?

Siç u përmend edhe më lart, kërkesa e brendshme për kredi vazhdon të mbetet e dobët në përgjithësi dhe në monedhë të huaj në veçanti. Ndërkohë, me ndryshimet më të fundit në kuadrin rregullator, një kredi e dhënë në monedhë të huaj kërkon mbulim në një masë më të lartë me kapital se sa një kredi në monedhë vendase gjë që do t’i vendoste bankat në një pozitë të vështirë nëse do të ishin shumë afër limitit të detyruar të mjaftueshmërisë së kapitalit. Nga ana tjetër po kuadri rregullativ detyron bankat të ulin investimet e tyre afatgjata në monedhë të huaj jashtë Shqipërisë dhe në veçanti me disa nga bankat mëma, duke shtuar kështu edhe më shumë sasinë e tepërt të likuiditetit. Kjo sasi likuiditeti që tashmë diktohet për të qëndruar brenda vendit ka një mundësi më të ulët investimi në letra të qeverisë shqiptare, për shkak të peshës së lartë të rriskut që ju caktohet këtyre të fundit.

Bankat e huaja që operojnë në Shqipëri përveç kufizimeve të diktuara nga kuadri rregullator shqiptar, i nënshtrohen edhe kuadrit rregullator të vendit të bankës mëmë dhe Eurozonës të cilat vitet e fundit janë bërë me konservatore kundrejt rrezikut dhe treguesve kryesorë të performancës së institucioneve financiare, mes të cilëve edhe treguesve të likuiditetit.

Çfarë do t’i ndihmonte bankat, në afatmesëm dhe afatgjatë, për të përballuar sfidën e këtij likuiditeti të tepërt?

Përmirësimi i treguesit të kredive me probleme nga njëra anë, dhe përmirësimi i kuadrit ligjor së bashku me zbatueshmërinë nga ana tjetër, do të ndihmonte në rigjallërimin e aktivitetit kreditues nga bankat se bashku me një skenar më optimist në lidhje me rritjen ekonomike. Ndërkohë për sa i përket depozitave, veçanërisht atyre në monedhë të huaj, ka ardhur koha që depozituesit shqiptarë t’i drejtohen investimeve alternative përveç depozitës, sjellje e cila vihet re për Lekun ku kemi rritje të vazhdueshme të pjesëmarrjes së individëve në investimet në letrat me vlerë të qeverisë shqiptare. Në këtë mënyrë do të pakësohej likuiditeti i tepërt në sistemin bankar, i cili momentalisht është gati i pamundur të ekuilibrohet në një periudhë afatshkurtër nga aktiviteti kreditues.

Tagged with:
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.