Situata ekonomike shqiptare dhe numri i ulët i krizave ekonomike e ka ndihmuar sektorin bankar që mos këtë luhatje të forta në kapitalin rregullator dhe nevojë për përshtatjen e tij. Megjithatë, bankat tregtare dhe niveli i lartë i menaxhimit duhet të konsiderojë optimizimin e përdorimit të kapitalit bankar, e nga ana tjetër, banka qendrore duhet të konsiderojë evolucionin natyral të modeleve bankare, drejt ofrimit të mundësive të zbatimit të tyre.

Rreziku i kredise

Në 31 mars 2015, Banka e Shqipërisë miratoi rregulloren “Për Kapitalin Rregullator të Bankës”, duke përcaktuar strukturën me elementët përbërës dhe metodën e llogaritjes, së bashku me nivelin minimal të kapitalit rregullator të bankës, kapital ky që i kërkohet bankave për të mbuluar rreziqet e kredisë, të tregut dhe atë operacional. Kjo rregullore përfshihet në gamën e rregulloreve të mjaftueshmërisë së kapitalit, me qëllim ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar, e derivuar sigurisht nga kuadri rregullator i Bazelit. Në veçanti, Bazel II kërkon të trajtojë pikërisht problemin e destabilitetit sistematik si pasojë e falimentimit të bankave, duke i bërë kërkesat për kapital shumë më të ndjeshme ndaj rrezikut. Megjithëse i publikuar që në 2001, shumë praktiktues të rrezikut bankar (menaxher, rregullator, konsulent dhe profesor) nuk janë ende të bindur për arritjen e rezultateve nga ky kuadër rregullator.

Një nga problemet e shumë lakuar është pro-cikliteti. Në biznesin bankar rreziqet janë të lidhura dhe korreluara me ciklin e biznesit, duke përfshirë me të edhe ekspozimetak11 të peshuara me rrezikun. Në rastin e një rënieje ekonomike sasia e këtyre ekspozimeve do të rritet, duke ulur raportin e kapitalit rregullator të kërkuar. Kjo do të “detyrojë” bankat të rrisin kapitalin, ose të ulin sasinë e ekspozimeve të peshuara me rrezik. Duke qenë se në periudhën afatshkurtër rritja e kapitalit është e vështirë, bankat ose do të ulin huan për ekonominë, ose do u duhet të zëvendësojnë ekspozimet drejt atyre me rrezik më të ulët. Kështu, nëse një pjesë e bankave do të veprojnë në të njëjtën mënyrë atëherë huaja për ekonominë do të ulet, e si rrjedhojë, ky shtrëngim i kapitalit rregullator do të stimulojë edhe më shumë recesionin. Efekti i kundërt do të ndodhë në rastin e një bumi ekonomik, ku sasia e ekspozimeve të peshuara me rrezik do të ulet, duke rritur raportin e kapitalit, e si rrjedhojë, huadhënien bankare për ekonominë.

Në të dy rastet, kërkesat minimale të kapitalit dhe pro-cikliteti do të amplifikojnë ciklin e biznesit, respektivisht duke thelluar rënien gjatë recesionit dhe përforcuar rritjen gjatë zgjerimit të ekonomisë; me pak fjalë duke prodhuar efekte ekzaktësisht të kundërta me atë që kuadri rregullator i Bazel II kërkonte të arrinte. Gjithsesi, kjo është pikëpamja makroekonomike, ende e pakonfirmuar, si hipotezë e efekteve të Bazel II. Përparësitë efektive të këtyre rregulloreve preken në kuadrin mikroekonomik. Në formulën e përllogaritjes së kapitalit rregullator përfshihet kapitali i nivelit të parë dhe ai i nivelit të dytë, të raportuar me ekspozimet e peshuara me rrezikun. Pikërisht llogaritja e emëruesit të kësaj formule, që pasqyron profilin e portofolit të bankës në termat e rrezikut të huas, ofron mundësinë për ndryshimin e nivelit të kapitalit rregullator të kërkuar.

Ekspozimet e peshuara me rrezikun janë funksion i parametrave të brendshëm të rrezikut të besueshmërisë (kredisë). Në banka të ndryshme llogaritja e këtyre parametrave është e bazuar në modele të caktuar që marrin parasysh si karakteristikat e huamarrësit, ashtu edhe ato të transaksionit. Megjithatë, modelet që përgjithësisht dominojnë janë ato që konsiderojnë probabilitetin e mospagimit të huamarrësit, duke inkorporuar përqindjen e sasisë që banka do të humbasë, së bashku me sasinë që banka është e ekspozuar, në rast mospagimi. Të tre elementët së bashku (Probability of Default (PD), Loss Given Default (LGD) and Exposure At Default (EAD) përbëjnë thelbin e humbjes ekonomike (EL). Për llogaritjen e këtyre parametrave, komiteti i Bazelit ka ofruar dy metoda, tashmë të konsideruara nga shumë aktorë të tregut bankar (rregullatorët qendrorë dhe bankat e nivelit të dytë), si thembra e Akilit në objektivin për uljen e kapitalit rregullator: Metoda Standarde dhe ajo e Brendshme. Në metodën standarde parametrat për llogaritjen e ekspozimeve të peshuara me rrezikun llogariten në bazë të analizave të kryera nga institucione të jashtme të vlerësimit të kredisë dhe peshimi nga rregullatorët qendrorë. Të gjithë parametrat merren nga burime të jashtme për bankën.

Sipas metodës së modeleve të brendshme, parametrat për llogaritjen e ekspozimeve të peshuara me rrezikun janë të llogaritura nga modele/burime të brendshme të bankës. Metoda e modeleve të brendshme ndahet në dy nën-metoda: themeltare dhe të avancuar. Diferenca midis të dy metodave qëndron në mënyrën e përllogaritjes së parametrave të përmendur më sipër (PD, LGD, EAD). Në metodën themeltare të modeleve të brendshme, bankat mund të llogarisin me modelet e tyre vetëm një nga parametrat e rrezikut të huas, atë të probabilitetit të mospagimit të huamarrësit (PD). Parametrat e tjerë janë të standardizuar. Sipas metodës së avancuar të modeleve të brendshme, bankat mund llogarisin të tre parametrat (PD, LGD, EAD) nëpërmjet modeleve të brendshëm dhe t’i përdorin ato për të llogaritur ekspozimet e peshuara me rrezik.Nëse krahasojmë të tre metodologjitë, duke marrë parasysh nga njëra anë mangësinë e metodologjive – kompleksitetin e llogaritjes – dhe nga ana tjetër përparësinë – uljen e kapitalit të kërkuar – rezulton grafiku i mëposhtëm:

Figura 1: Tre metodologjitë për llogaritjen e kapitalit të rrezikut të besueshmërisë(kredisë)

ak22

Siç mund të kuptohet, metodat e llogaritjes së parametrave të rrezikut të kredisë nëpërmjet modeleve të brendshëm bazohen shumë në vlerësimet që vetë banka arrin të kryejë, për identifikimin e profilit të rrezikut për portofolin e klientelës së saj. Sigurisht, për të arritur në këto nivele pavarësie kërkohet eksperienca e duhur, si në terma teknike ashtu dhe ato kohore. Ajo që është interesante për t’u anlizuar, është përparësia dhe vlera e shtuar që këto metoda kanë për biznesin bankar. Konkretisht, mund të përmenden dy përparësi kryesore, si në vijim:

Së pari, ndjeshmëri më të lartë ndaj rrezikut. Nëpërmjet këtyre modeleve bankat arrijnë të identifikojnë, në mënyrën më të saktë, profilin e rrezikshmërisë së klientit. Kërkesat e kapitalit kur bazohen në këtë metodologji janë më të ndjeshme përkundrejt rrezikut të kredisë dhe ndaj humbjeve ekonomike në portofolin e bankës.

Së dyti, përmirësimi i sistemeve të brendshme të rrezikut. Bankat kur marrin miratimin për të përdorur metodologjitë e brendshme të përllogaritjes së parametrave të rrezikut, duhet të përfshijnë përdorimin e tyre në pjesën më të madhe të proceseve dhe procedurave bankare nga dhënia e kredisë, fuqitë deleguese, llogaritjen e ekspozimeve të ponderuara me rrezikun, menaxhimin e kapitalit, sistemet monitoruese, pozicionim strategjik, etj. Kjo përfshirje e parametrave të rrezikut në proceset e vendim-marrjes bankare jo vetëm do të përmirësojë sistemet e brendshme të rrezikut, por edhe do të bëjë të mundur përhapjen e një kulture të rrezikut në të gjitha nivelet e menaxhimit të bankës.

Në këtë panoramë, kuptohet qartë që të gjithë bankat do të dëshironin përdorimin e metodës së avancuar të modeleve të brendshme, me qëllim uljen e kapitalit të kërkuar. Gjithsesi, kjo nuk vjen pa kosto. Në mënyrë që bankat të arrijnë në këto nivele të pavarësisë të llogaritjes së parametrave, ato duhet të kërkojnë dhe marrin miratimin e bankës qendrore, dhe për ta bërë këtë, kërkohet angazhim maksimal dhe investime të konsiderueshme në jetësimin e strukturës së metodës/modeleve të brendshme të llogaritjes së parametrave të rrezikut të kredisë.

Në krahun tjetër, përdorimi i metodës standarde është pozitive, pasi kufizon efektin e pro-ciklitetit, duke qenë se llogaritja e jashtme e parametrave është më pak e ndjeshme, sesa llogaritja e brendshme, duke prodhuar peshim më të qëndrueshëm të rreziqeve. Gjithsesi, metoda standarde ofron nxitës që bizneset të kryejnë atë që quhet “rate shopping”, me qëllim uljen e kostove të borxhit, duke detyruar bankat të ofrojnë llogaritje të parametrave të rrezikut artificial (duke qënë se kanë parametra të jashtëm të llogaritjes), pa konsideruar saktësisht profilin e rrezikshmërisë së klientit.

Në përfundim, situata ekonomike shqiptare dhe numri i ulët i krizave ekonomike e ka ndihmuar sektorin bankar që mos këtë luhatje të forta në kapitalin rregullator dhe nevojë për përshtatjen e tij. Megjithatë, bankat tregtare dhe niveli i lartë i menaxhimit duhet të konsiderojë optimizimin e përdorimit të kapitalit bankar, e nga ana tjetër, banka qendrore duhet të konsiderojë evolucionin natyral të modeleve bankare, drejt ofrimit të mundësive të zbatimit të tyre.

Modelet e brendshme të rrezikut janë një “pasuri” e pashfrytëzuar ende nga tregu bankar shqiptar. Sigurisht, zbatimi i i kuadrit rregullator dhe jetësimit efektiv të tyre në banka kërkon kohën e duhur, si në varësi të eksperiencës së tregut, ashtu dhe të periudhës kohore të nevojshme për vënien në jetë të kësaj metodologjie. Gjithsesi, përparësitë e përdorimit të këtyre modeleve janë të konsiderueshme, pasi eksperiencat e fundit të vërejtura tregojnë se kalimi nga metodologjia standarde drejt modeleve të brendshme themeltare i ul bankës kapitalin rregullator me 10-20%, ndërsa kalimi nga metodologjia standarde drejt modeleve të brendshme të avancuar me respektivisht 20-30%.

Tagged with:
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.