f04da2db11221467b48634Bankingu hije nuk është “macja e zezë” për sistemin financiar, përkundrazi, ai mund të ndihmojë rritjen ekonomike të vendit, por ai shoqërohet, në mënyrë të pashmangshme, edhe me rreziqe.

Bankingu hije ka qenë një prej frazave më të lakuara në sistemin financiar botëror, mes profesionistëve të tregut financiar dhe brenda qarqeve akademike, sidomos pas shpërthimit të krizës së fundit financiare të 2007-2008-ës, nisur dhe roli i veçantë, që sistemi i “bankingut hije” luajti në gjenerimin e kësaj krize. Termi “banking hije”, i skalitur nga Z. Paul McCulley, ekonomisti amerikan dhe ish-drejtori i përgjithshëm i PIMCO, një nga firmat e mirënjohura për menaxhimin global të investimeve, përfshin shërbimet financiare dhe huadhënies ndaj klientëve, qoftë biznese apo individë, nëpërmjet kanaleve jo-tradicionalë dhe jo-bankarë, që ofrohen nga ente të cilat nuk janë subjekt i mbikëqyrjes, sikundër dhe veprimtaria financiare e ndërmjetësve të rregulluar, që nuk është subjekt i mbikëqyrjes dhe rregullimit. Megjithatë, ky përkufizim nuk është shterues, pasi sipas revistës GLOBAL FINANCE: “Bordi i Stabilitetit Financiar (FSB) jep përkufizim shumë të gjerë të bankingut hije, duke përfshirë këtu të gjitha llojet e ndërmjetësimit financiar jo-bankar”, ndërkohë që “e përkufizon atë si të Universi Monitorues i Ndërmjetësimit Financiar e Jo-bankë (MUNFI).

Në rastin e Shqipërisë, bankingu hije nuk përbën një fenomen të ri, edhe pse “bankingu hije” shqiptar, ka qenë në një formë tejet rudimentare dhe nuk kishte pothuajse asgjë të krahasueshme me përkufizimin standard të tij. Megjithatë, të gjithë i dimë shumë mirë pasojat dhe efektet e një veprimtarie të tillë, gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar. Tani ajo i takon të shkuarës dhe për fat të mirë ai nuk ishte i ndërlidhur me sistemin bankar. Për sa i përket të tashmes, situata është shumë më e ndryshme dhe pozitive, në çdo aspekt, si në atë rregullator, operacional, të qasjes publike dhe institucionale ndaj rrezikut dhe menaxhimit përkatës të tij, etj.

Nga ana tjetër, ajo çka shohim aktualisht është një rritje e huadhënies dhe huamarrjes informale dhe zëvendësimi i qetë i depozitave bankare me alternativa të tjera, që vijnë nga skemat e investimeve kolektive, një zgjedhje pragmatike kjo për individët, të cilët natyrshëm janë në kërkim të kthimeve më të larta, në një mjedis me norma interesi vazhdimisht të ulëta dhe shumë të ulëta. Ajo çka është specifike për një vend si  Shqipëria, është se bankingu hije  modern dhe standard po zhvillohet në mungesë totale të çdo forme të organizuar të tregut të letrave me vlerë, që do t’u mundësonte rregullatorëve mbledhjen e më shumë të dhënave dhe informacioneve lidhur me të, pa përmendur këtu faktin e mundësive që u krijohen këtyre për ta monitoruar, mbikëqyrur, rregulluar dhe disiplinuar atë, duke minimizuar dhe izoluar natyrën sistemike të rreziqeve, që shkakton dhe gjeneron një veprimtari të tillë.

Kështu, e ardhmja mund të sjellë sfida të shumta, jo vetëm për rregullatorët e sistemit financiar shqiptar, por edhe për bankat SHADOW-BANKINGtregtare, nëse kihet parasysh natyra sfiduese dhe rritja e qëndrueshme e bankingut hije, në një kohë kur bankat tregtare do të jenë shumë më pak të interesuara të japin hua afatgjata, për arsye rregullatore, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe revolucioni dixhital dhe teknologjitë  e reja, veçanërisht të dhënat masive dhe inteligjenca e biznesit, të cilat po e riorganizojnë  tërësisht peizazhin financiar, në rrafsh global.
Padiskutim që, bankingu hije nuk është “macja e zezë” për sistemin financiar, përkundrazi, ai mund të ndihmojë rritjen ekonomike të vendit, por ai shoqërohet, në mënyrë të pashmangshme, edhe me rreziqe. Kjo është arsyeja pse rregullatorët e sistemit dhe tregjeve financiare, duhet të ketë parasysh thënien e famshme të Desiderius Erasmus, humanistit të njohur holandez, se: “Është më mirë të parandalosh sesa të shërosh!!!”

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.