Screen Shot 2012-11-08 at 2.59.56 PMNë Tetor 2013 nga faqet e MAPOs i parashtroja Ministrit të financave tri ide, jo shumë origjinale, “për ca dollarë më shumë”. Ishte koha kur qeveria shqiptare, e sapo dekretuar, me anë të një Akti Normativ rishikoi në rritje defiçitin buxhetor. Shkaku ishte një rënie e të ardhurave të programuara prej 38,7 miliardë lekësh që e detyroi qeverinë të shtrëngonte rripin dhe të kërkonte burime të tjera financiare, kryesisht FMN-ja, Banka Botërore si dhe rinegocimi i një Eurobondi. Sot ndodhemi sërish në një situatë të ngjashme.

Të ardhurat nga doganat dhe tatimet për periudhën janar-qershor 2015 janë rreth 8,7 miliardë leke më pak se ato të programuara. Por fishekët që ka në dispozicion qeveria janë më të pakët në numër. Huamarrja në tregun e brendshëm është përjashtuar a-priori si mundësi financimi për shkak të efektit përjashtues që ajo ka mbi investimet private. Marrëveshje të reja me FMN-në ose një Eurobond tjetër janë edhe më pak të mundshme. Shitja e aseteve shtetërore duke i privatizuar ato po ashtu nuk është me një alternativë pasi asetet janë gjithmonë e më të pakta. Nuk mbetet rrugë tjetër veç asaj të nxjerrjes në dritë të një pjese të mirë të ekonomisë e cila i ka shpëtuar ndër vite çdo lloj takse a tatimi: pra luftë e hapur ndaj ekonomisë informale ose gri dhe evazionit fiskal. Ky është fronti i ri i luftës së qeverisë ndaj informalitetit. Ka shumë mënyra se si kjo luftë mund të luftohet. Ky ishte dhe thelbi i artikullit tim të 2013. Tri ide se si mund të luftohej evazioni fiskal duke u ndaluar, për nga rëndësia, tek evazioni i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar ose TVSH-së.

Ideja e parë bazohej në praktikën e policisë financiare italiane (Guardia di Finanza). Financierët atashohen pranë subjektit që duan të kontrollojnë përgjatë orarit të hapjes duke “e detyruar” subjektin të lëshojë kuponin tatimor për çdo shitblerje. Në këtë mënyrë, në fund të ditës, krijohet një ide mbi xhiron “reale” të asaj dite e cila, duke qënë e përzgjedhur rastësisht, mund të përdoret si vlerë krahasuese për të kontrolluar deklarimet e kaluar dhe të ardhshme të subjektit. Nëse ato janë ose do të jenë shumë të ndryshme nga kjo xhiro e matur, atëherë ndaj subjektit vendosen masa ndëshkimore ose kontrolle më të imta. Në njëfarë mënyre, kjo është një rrugë që po ndiqet gjithmonë e më shumë nga Inspektoriati Tatimor. Kam qënë sëfundmi dëshmitar i një kontrolli të tillë në një nga lokalet më në zë të Tiranës së natës: për disa orë inspektorët tatimorë, me durim shembullor për shkak të muzikës shurdhuese, qëndruan pranë kasës fiskale duke i detyruar kamarierët e shumtë të shtypnin kuponin për çdo pije që shërbyen.

Ideja e dytë ishte lufta ndaj ekonomisë së parasë në dorë. Duke vënë një tavan për pagesat me para në dorë (le të themi 10.000 leke) një pjesë më e madhe eekon transaksioneve tregtare do të kalonte nëpërmjet sistemit bankar të pagesave elektronike ku mbeten gjurmët. Një kontroll i dyfishtë mbi pagesat elektronike dhe fluksin e deklaruar të kasës fiskale do ta bënte më të vështirë  evazionin: është më e rrezikshme për një subjekt tregtar ti kërkojë klientit të paguajë me para në dorë një shumë prej, le të themi, 12.000 lekësh kur limiti ligjor është 10.000 lekë, me qëllimin e vetëm të mos lëshimit  të faturës ose kuponit tatimor. Dy shkelje të ligjit do të mbartnin në vetvete një rrezik të lartë ndëshkimi ndaj subjektit dhe ndaj klientit, i cili, në rast pranimi, do të bëhej palë në një shkelje të ligjit.

Dy idetë e mësipërme ja vënë barrën e zbatueshmërise së ligjit administratës tatimore dhe kanë një karakter shtrëngues. Blerësi nuk ka asnjë shtysë ta kërkojë kuponin, përpos frikës së një kontrolli të beftë të tatimorëve, dhe shpesh herë mund te bëhet palë me shitësin në një aleancë (të panatyrshme, por reale) kundër shtetit të cilin si popull e perceptojmë më shumë si armik se sa si shërbëtorin tonë. Shumicës së blerësve as që u shkon ndërmend që mos leshimi i kuponit është premisa e mos pagimit të taksave. Kjo ka të bëjë dhe me kulturën tonë të dobët shtetformuese si dhe me faktin që norma shoqërore mbizotëruese është mos kërkimi  i kuponit pavarësisht ftesës së çdo shitoreje “për të mos u larguar pa marrë kuponin tatimor”.

Ideja e tretë, pra e hidhte topin në anën e blerësve duke e shndërruar kuponin në diçka të vlefshme, së paku psikologjikisht. Një nga parimet bazë të ekonomisë thotë që njerëzit reagojnë ndaj nxitjeve. Dhe nxitësi më i fortë për këdo është interesi vetjak, në këtë rast xhepi. Ideja pra është të bëhet tërheqja e kuponit tatimor fitimprurëse për blerësin me anë të një llotarie. Me pak fjalë çdo kupon shndërrohet në një biletë llotarie. Në këtë rast, në një vend si i yni ku kuponi shpesh nuk lëshohet vullnetarisht nga shitësi, kërkesa e tij nga blerësi jo domosdoshmërisht do të tregonte mosbesim dhe dyshim ndaj shitësit dhe do ta hiqte blerësin nga sikleti i të kërkuarit të një copë letre e cila nuk i duhet atij aspak dhe shërben vetëm për t’i “prishur punë” shitësit.

Krijimi pra i një shtyse psikologjike është roli kryesor i llotarisë së kuponit tatimor. Dhe shembujt e mirë nuk mungojnë. Në Maltë kjo ide ka marrë jetë që në vitin 1997. Aktualisht shorti hidhet çdo muaj dhe ka rreth 30 kupona fitues. Njerëzit mbledhin kuponat tatimorë gjatë tërë muajit kalendarik dhe i dërgojnë pranë Llotarisë Kombëtare ku përzgjidhen dhe kuponat fitues. Vlera e fituar është 100 fishi i vlerës së kuponit. Në Tajvan llotaria e parë e TVSH-së u ideua që në vitet 1950. Çmimet ishin në shuma të vogla, por më të shpeshtë dhe tashmë fituesi përzgjidhet nga sistemi në kohë reale në momentin e lëshimit të kuponit.

Për më tepër, edhe shitësi merr një çmim në mënyrë që shtysa për lëshimin e tij të jetë e dyanshme. Në Sllovaki kjo ide u vu në zbatim në vitin 2013, kurse në Portugali një vit më pas. Në muajin Prill 2014 Qeveria Portugeze i shpalli lufte evazionit fiskal duke ndërmarrë një sërë masash mes të cilave dhe llotaria. Aktualisht rreth 60 portugezë fatlumë janë pronarët e një AUDI A4 ose A6 fringo te re. Sipas statistikave zyrtare të ardhurat nga TVSH-ja u rritën me 4% në një kohë kur konsumi u rrit me 2%. Praktika të ngjashme mendohet të vihen në jetë në Rumani dhe Greqi.

Lufta ndaj evazionit është e veshtirë, por jo e pamundur. Megjithatë ajo nuk mund të fitohet kurrë pa ndihmën tonë si qytetarë. Por, për ta patur ndihmën tonë qeveria më shumë se shpirtit tonë qytetar, duhet ti drejtohet vetëkënaqësisë dhe përfitimeve tona.

One Response to Kërko kuponin dhe fito një AUDI!

  1. INXHINIERJA says:

    SHUME E RENDESISHME!
    qYTETARI DUHET TE KETE FITIM TE DREJTPERDREJTE NE XHEPIN E TIJ QE TE RRITE NDJESHMERINE MBI FORMALIZIMIN E EKONOMISE AQ ME TEPER KUR PREJ SHUME VITESH KA HUMBUR BESIMI NE TE BERIT SHTET.

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.