taxclockTatimi progresiv nuk është një shpikje e qeverisë shqiptare. Përkundrazi, shumica e ideve mbi taksimin pas krizës financiare të vitit 2008 dhe pas statistikave më të fundit që konfirmojnë se pabarazia po thellohet dhe se një grup gjithnjë e më i vogël kontrollon personash kontrollon gjithnjë e më shumë pjesë të pasurisë botërore.

Studimet e fundit të cituara në numrin e fundit të “The economist” tregojnë se 0.1% e amerikanë që zotëronin rreth 7% të pasurisë së vendit në vitin 1979 zotërojnë 3 herë më shumë ose 22% në vitin 2012. I pari që e konsideroi “sfidën e kohës tonë” rritjen e pabarazisë ishte presidenti amerikan Barak Obama dhe disa muaj më vonë ekonomisti shkollës së Parisit Thomas Piketty do të kthehej shpejt në best-seller me librin e tij mbi pabarazinë.

Një taksë e re, botërore dhe progresive mbi pasurinë po diskutohet gjithnjë e më shumë në qarqet e ekonomistëve dhe sigurisht duke marrë parasysh se ekonomia nuk hyn te shkencat ekzakte edhe intepretimet variojnë sipas kaheve politike. Ideja e kësaj takse është hedhur nga Thomas Piketty por analizat tregojnë se impakti I saj në mënyrë suprizë pritet të jetë i vogël. Madje të dhënat tregojnë se që kur taksa progresive u përhap vazhdimisht pabarazia është rritur dhe për këtë arsye po kërkohen instrumenta të rinj për të “rregulluar” rishpërndarjen.

Në kohën kur borxhet e shteteve po rriten ndjeshëm, gjithmonë diskutohet ideja se kush do taksohet më shumë pasi ana tjetër e medaljes, ulja e shpenzimeve rrudh kërkesën e brendshme dhe rrjedhimisht ul ritmin e rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto(të ardhurat kombëtare). A duhet të taksohen më shumë në mënyrë progresive të pasurit është pyetja që merr përgjigje në varësi të qasjes politike të qeverive në mbarë botën.

Taksa mbi të pasurit që ndryshe njihet si taksa “Piketty” propozohet të jetë progresive duke shtruar pyetjen dhe sa shumë do taksohen të pasurit? Sipas teorisë së Piketti barra fiskale mbi të pasurit duhet të jetë më shumë se 75 % dhe nëse e krahasojmë me këtë shifër propozimi I tij për taksën e re mbi pasurinë e të pasurve duket modest. Në librin e tij Piketty sugjeron taksimin progresiv dhe për më të “varfërit” e të pasurve që fitojnë më pak se 1 milionë euro taksa do të jetë 0(si në rastin e tatimit mbi pagat në Shqipëri ku për fashën 0-30 mijë lekë nuk paguhet tatim!), 1 % për ata që fitojnë 1-5 milionë euro në vit dhe 2 për qind për ata që fitojnë më shumë se 5 milionë euro në vit.

Çështja është se cili vend do të ishte i pari që do të zbatonte një taksë të re mbi të pasurit?! Meqënëse SHBA është kryesisht disa hapa përpara vendeve të tjera dhe meqënëse ishte presidenti amerikan që e konsideroi si ‘sfidën e kohës tonë” rritjen e pabarazisë, shumëkush mendon se taksa do të fillonte nga SHBA. Por prestigjozja “The economist” thotë se kjo do ishte e pamundur. Kongresi I supozuar se kontrollohet nga republikanët që njihen si miq të biznesit(business-friendly) janë si gjithmonë për një sistem të sheshuar taksash dhe për t’i ulur ato. Shtëpia e Bardhë e kontrolluar nga demokratët, dëshirojnë të hapin një reformë për taksat sa kohë kanë dhe veton e presidentit dhe ndoshta reforma do të prodhojë një taksë mbi pasurinë si zgjidhje kompromisi.

tax_the_richPor, për taksën e pasurisë ka dhe spekulime se mund të mbështetet nga të djathtët si një formë e thjeshtimit të sistemit të taksimit madje që mund të çojë edhe në uljen e nivelit të përgjithshëm të tatimit. Ekonomisti Ronald McKinnon thotë se konservatorët amerikanë do ta mbështesnin një taksë mbi pasurinë në këmbim të uljes së taksave të tjera por është I bindur se taksat e larta krijojnë incentiva të varfra për punonjësit produktivë por kompromisi mund të arrihej nëse demokratët ofrojnë një taksë më progresive në këmbim të konsensusit.

Nga ana tjetër teoritë ekonomike sugjerojnë se taksat mbi pasurinë kanë efekte negative për rritjen sa kohë dekurajojnë kursimet dhe investimet. Por të dhënat tregojnë se efektet janë në miniaturë pasi një studim i Asa Hansson nga Universiteti Lund në Suedi llogarit se një rritje 1 pikë përqindje në taksën mbi pasurinë do të ketë një efekt në reduktimin e rritjes ekonomike nga 0.02 në 0.04 pikë përqindje.

Për të ardhur në rastin e Shqipërisë, pabarazia në rishpërndarjen e të ardhurave ndjehet në mënyrë progresive ku shifrat zyrtare tregojnë se 1 % e kursimtarëve në Shqipëri kanë mbi 40 % të depozitave ose mbi 4 miliardë dollarë nga 1 079 miliardë lekë që janë në total kursimet e shqiptarëve.

Për sa kohë ekonomia nuk është shkencë ekzakte teoritë ekonomike interpretohen sipas qasjeve politike, i vetmi konsensus që mund të arrihet është se një reformë për taksat është e domosdoshme për ta bërë sistemin fiskal më të thjeshtë, më të qartë e në krye të herës më të drejtë e më të ndershëm.

Pastaj cilin model zgjedhim dhe sa liberal apo konservator, sa i majtë apo i djathtë, taksë e sheshtë apo progresive, shtojmë një taksë të re mbi pasurinë dhe ulim tatimin mbi vlerën e shtuar apo tatim fitimit, kjo mbetet për t’u analizuar nga ekspertë dhe për t’u votuar sipas vullnetit të zgjedhësve që reflektohet në numrat në Kuvend.

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.