debt_ceiling_word_cloud1Në shtetet demokratike është normale te supozosh që një qeveri te jetë dashamirëse, ose të paktën të mos shkaktojë vuajtje të panevojshme, ndaj popullit sovran. Gjithashtu vlen edhe të supozosh që një qeveri dëshiron të fitojë zgjedhjet e ardhshme.

Suksesi ose dështimi i një qeverie të tillë shpesh matet me aftesinë e saj për të rritur mirëqënien ekonomike të zgjedhësve. Prandaj pritet që qeveritë të formulojnë politika ekonomike të tilla që synojnë të maksimizojnë mirëqënien e qytetarëve duke shfrytëzuar resurset (e kufizuara) në dispozicion.

Meqë resurset e qeverive, që burojne nga taksat e qytetareve, shpesh nuk mjaftojnë për të përmbushur qëllimet e politikave atëhere qeveritë marrin borxh (publik). Të marrësh borxh nuk është një vendim financiar i gabuar nëse resurset punësohen në projekte të cilat japin përfitime për ekonominë më të larta se interesi që paguhet mbi borxhin.

Përtej një niveli të caktuar, borxhi fillon të bëhet burim jo i dëshirueshëm për të financuar deficitet e qeverisë pasi interesat që investitorët kërkojnë për borxhin e ri bëhen aq të larta saqë vendosin financat e shtetit në një trajektore të paqëndrueshme. Kjo mund të rrëzikojë aftësinë e qeverisë për t’ju paguar investitorëve principalet dhe interesat në afatet e caktuara dhe mund të shkaktojë një krize borxhesh ose falimentim të qeverisë.

Prandaj në ketë pikë qeveritë duhet të ndërmarrin reforma që ndihmojne ekonominë të rritet nderkohë që financat publike duhen mbajtur jashtë trajektores së paqëndrueshmërise. Nga urgjenca për të shmangur këtë trajektore shpesh qeveritë zbatojnë politika fiskale[1] shtrënguese si rritje taksash ose ulje shpenzimesh qeveritare ose një kombinim i të dyjave në mënyre që të krijohet një surplus primar që lejon uljen e nivelit të borxhit.

Gjithësesi praktika deshmon se politikat fiskale shtrënguese duhen përdorur me shumë kujdes pasi në vend që të ndihmojnë në uljen e borxhit mund ta rrisin dhe ta nxjerrin atë jashtë kontrollit, siç ndodhi me Greqinë vitët e fundit. Për të sqaruar me tëpër fjalinë e fundit po paraqës shkurtimisht një model të thjeshtëzuar (të përdorur gjeresisht nga akademikët dhe IMF) të dinamikave të borxhit publik. Faktorët më të rendësishëm që ndikojnë në ecurinë e borxhit të një vendi janë norma mesatare e interesit real që paguhet mbi borxhin (r), norma e rritjes së GDP (g), raporti i borxhit ekzistues (b) me GDP (b/GDP) dhe surplusi primar që gjeneron qeveria (s). Borxhi i një vendi ulet atëhere kur qeveria gjeneron një surplus që është më i madh se shumezimi i (r-g) me b/GDP[2]. Siç shihet sa më e vogël të jetë diferenca (r-g) aq më i vogel duhet të jetë surplusi i nevojshëm për të ulur borxhin dhe anasjelltas. Gjithashtu një g me i madh se r do të thotë që qeveria mund të ulë nivelin e borxhit pa patur nevojë që të gjenerojë një surplus.

Rreziku që sjellin politika fiskale shtrënguese është se në tentativë për të gjeneruar një surplus për të ulur borxhin ato mund të demtojnë rritjen ekonomike (zvogelimi i g[3]) që ana e saj mund të shkaktojë zmadhimin e nivelit te borxhit (b/GDP[4]) në atë masë sa surplusi nuk mjafton as për ta mbajtur atë në nivelin e mëparshëm. Këmbëngulja me një politike të tille tkurr ekonominë dhe thellon më tej problemin e borxhit.

Ekonomia e Shqipërisë duket se po bie pre e kësaj gracke. Me të ardhur në pushtet qeveria aktuale me të drejtë filloi sistemimin e financave publike por rruga që ndoqi i ngjan më shumë një politike fiskale shtrënguese që mesa shihet ka ulur rritjen ekonomike ndërkohë që borxhi po rritet.

Rritja e taksave, ku rasti më emblematik ishte akciza mbi hidrokarburet, dhe e çmimit të energjisë elektrike janë dëshmi e një politike shtrënguese me pasoja direkte mbi rritjen ekonomike. Duke marrë parasysh se ekonomia Shqipëtare në përgjithësi është jo-konkurruese dhe po vuante pasojat e krizës në Evropë atëhere rritja e menjëhershme e çmimit të faktorëve të domosdoshëm të prodhimit për çdo biznes nuk mund të ketë veçse efekt negativ mbi aktivitetin ekonomik të vendit. Gjithashtu këto politika dëmtuan në mënyrë direkte dhe të qëndrueshme konsumatorët gjë që ndikon në tkurrjen e mëtejshme të ekonomisë.

Rritja e taksave mbi faktorët e prodhimit ndërsa dëmton rritjen ekonomike nuk garanton rritjen e të ardhurave për qeverinë pasi përkthehet në kosto më të larta për bizneset. Kjo ka dy pasoja kryesore a) fitimet do të jenë më të ulëta si pasojë taksat mbi fitimet që do të mbledhë qeveria do të ulen dhe b) pritshmeritë për fitimet  në të ardhmen ulen dhe si pasojë investimet në ekonomi mund të pakësohen. Këtyre u shtohet edhe  mundësia që rritja e çmimit të ulë përdorimin e këtyre faktorëve[5] dhe kjo krijon të ardhura më të pakta se pritshmëritë për qeverinë dhe humbje efiçence dhe mirëqenieje për shoqërinë në tërësi.

Përveç këtyre rritja e taksave në një ekonomi informale mund të krijojë incentivë për të abuzuar, gjë që mund të zvogelojë akoma më shumë të ardhurat e qeverisë. Të dhënat e fundit nga ministria e financave tregojnë se të ardhurat janë shumë më të ulëta nga sa pritej.

Duket se qeveria për të stabilizuar financat është përqëndruar në anën e majtë të inekuacionit të përmendur më sipër, domethënë nëdownload gjenerimin e të ardhurave sa më të larta (një surplusi ose të paktën një deficiti sa me të vogel), duke mos marrë tërësisht parasysh pasojat negative mbi rritjen ekonomike (g më i ulet), anën e djathtë të inekuacionit. Dëshmi e re e kësaj qasjeje, e rritjes se të ardhurave me çdo kusht, duket të jetë edhe nisja e luftës kundër informalitëtit në një kohë kur ritmet e ekonomisë dhe pasiguria mbetet e lartë. Edhe në këtë rast megjithëse të ardhurat mund të rritën, impakti mbi ekonomine ne tëresi me shumë mundësi do të jetë negativ[6] (më pak fitime më pak investime në të ardhmen). Siç pamë më sipër një rritje e të ardhurave të buxhetit ne kurriz të rritjes ekonomike mund të përkeqësojë edhe më tëj financat publike.

Politikat ekonomike të qeverisë me shumë gjasa po minojnë qëllimin për të cilin u krijuan. Rritja e taksave dhe ulja e investimeve publike nuk po sjellin rritje të të ardhurave sipas planit dhe një stabilizim të financave por një nevojë për të rritur taksat edhe më tëj në të ardhmen. Ky cikel duhet ndërprerë para se të jetë teper vonë.

Zgjidhja e problemit të financave nuk duhet kërkuar në tranferimin (me anë të taksave) e kapitalit nga agjentët ekonomikë privatë në arkat e shtetit, i cili njihet si përdorues jo-efikas i resurseve, por në krijimin e kushteve që e bëjnë të leverdisshëm punësimin e kapitalit në vend, në rritjen e efikasitetit të përdorimit të fondeve publike dhe në reformimin e programeve të paqëndrueshme – siç është ‘’sistemi shëndetësor falas për të gjithë’’ që po krijon një gropë të madhe në buxhet[7] ndërsa nuk ofron shërbime më të mira se sistemi i mëparshëm.

Shqipëria është një vend që konsumon më shumë sesa prodhon. Deri tani ky sistëm është ushqyer kryesisht nga remitancat, borxhet dhe shitja e  resurseve natyrore në gjendje të papërpunuar (çmimi me i ulët i mundshëm) por të tri[8] këto burime janë në rënie të paktën në të ardhmen e afërt. Deficiti i madh dhe kronik tregtar i Shqipërisë i kombinuar me rënien e burimeve të financimit të tij është një përzierje që varfëron vendin.

Në këtë kontekst qeveria nuk mund të pretendojë një pjese gjithmonë e më të madhe të një torte qe po zvogëlohet. Perkundrazi, për të vazhduar metaforën, duhet të riorganizojë përdorimin e resurseve në mënyre që të kontribuojë në gatimin e një torte më të madhe.

Është mundësia e punësimit me leverdi i kapitalit nga agjentët privatë që krijon rritje ekonomike (g më i madh) që nga ana e saj ul nivelin e borxhit (b/GDP), rrit investimet dhe si rrjedhojë e rritjes së aktivitetit ekonomik edhe të ardhurat e qeverisë. Pra qeveria duhet të fokusohet në anën e djathtë të inekuacionit.

Për të arritur këtë duhet që në rradhë të parë qeveria të kaloje “Rubikonin” dhe të krijojë një sistem ligjor të pavarur që garanton të drejtat e pronësisë dhe që i krijon biznesit një ambjent më të sigurtë. Krijimi i një infrastrukture ligjore dhe fizike që bën më konkurrues prodhuesit dhe eksportuesit vendas është i domodoshem (dhe i mundshem). Gjithashtu është koha që qeveria ta marrë më seriozisht promovimin e turizmit dhe të gjejë një ekuiliber me të mire mes rregullimit të territorit dhe incentivizimit të sektorit të ndërtimit që përveç se po vuan pasojat e tregut është bërë edhe viktimë e mbirregullimit – që e ka bërë të paleverdishme të ndërtosh si ndërtësa që shërbejnë për biznes ashtu edhe shtëpi private.

Rritja e ekonomisë dhe e mirëqenies është pasojë e akumulimit të kapitalit. Kapitali lëviz nga ambjentet që e tkurrin ose e ngurtësojnë (siç po rrezikon të bëhet sot ekonomia jonë) në vendet ku ka kushte të përshtatshme për t‘u rritur.  Qeveria duhet të fokusohet më shumë në krijimin e kushteve që bizneset të dalin me bilanc pozitiv ne fund të vitit sesa të vjelë të ardhura në kurrizë të tyre. Ajo duhet të jetë në krah të kapitalit pasi, siç thoshte një profesor imi, ¨fiton ai që mban anën e kapitalit.¨

 

[1] Politikat fiskale jane mjeti  kryesor që qeveria mund te perdorë për të arritur qellimet e saj mbi ekonominë. Banka qendrore mund të mbeshtesë qeverinë në politikat e saj monetare por teorikisht duhet të mbesë e pavarur nga ajo.

[2] s > (r-g)*b/GDP. Ndërlidhja mes ketyre faktorëve ne realitet është më e nderlikuar por modeli ndihmon për të kuptuar forcat bazë që ndikojne në ecurinë e borxhit publik.

[3]Ndersa r mund të supozojme që nuk ndryshon.

[4] g ndikon direkt në emëruesin e raportit b/GDP, sa më i vogël g aq më i madh raporti.

[5] Megjithese këta faktore zakonisht konsiderohen te kenë kërkese thuajse inelastike (pra kërkesa ndryshon shumë pak kur cmimi ndryshon) por në një kohe kur cmimet rriten përtej një niveli dhe fuqia blerëse është ne rënie ateherë kërkësa mund të bëhët më elastike.

[6] Efekti statistikor gjithsesi mund te rezultojë pozitiv pasi shume biznese informale dhe të parregjistruara deri tani do të bëhen pjesë e statistikave të reja.

[7] Që po mbushet me të ardhura nga taksa që po keta qytetare paguajnë.

[8] Për të qene më real edhe te ardhurat (tani shume më të ulëta) nga eksporti I lëndeve narkotike kanë qenë një financues i rendesishem i deficitit tregtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.