Offshore_Tax_Evasion_1_.54d100778feac-660x330Në një ekonomi komplekse si kjo aktuale, zhvillimi dhe konkurrueshmëria e një sistemi territorial, ndërtohen kryesisht nëpërmjet aftësisë së bashkëpunimit dhe krijimit të rrjeteve ndërmjet subjekteve të ndryshme private dhe publike. Studimet empirike tregojnë se në vendet në zhvillim, edhe pse politikat publike mund të jenë perfekte në çdo aspekt, mungesa e kapitalit human të kualifikuar në administratën publike asgjëson suksesin dhe pengon mundësinë e krijimit të një rruge drejt progresit. Me pak fjalë, zhvillimi ekonomik i një vendi është i lidhur ngushtë me cilësinë e kapitalit human.

Për ta bërë më të qartë këtë lidhje po e nis me zhvillimin ekonomik, pra mënyrën me të cilën qeveria vendos të investojë burimet publike për të tentuar rritjen e konkurrueshmërisë dhe vendeve të punës në një territor të caktuar. Një gabim që bëhet shpesh e që duhet nënvizuar është fakti se shpesh jepet si e mirëqenë mjaftueshmëria e një investimi të rëndësishëm në infrastrukturë për ta transformuar në mënyrë autonome në një impakt pozitiv, në zhvillim ekonomik lokal. Apo është shumë e përhapur në ambientet politike, akademike dhe atë të biznesit, se një reformë rrënjësore do të zgjidhte problemet ekonomike të vendit.

Një reformë është e rëndësishme si për fillim, apo është një kusht i nevojshëm por kurrsesi nuk është e mjaftueshme për të arritur zhvillim të qëndrueshëm. Për të stimuluar konsumin i cili do të çonte më vonë në një rritje të prodhimit, të rritjes së shitjeve dhe të rritjes së punësimit, do ishte e mjaftueshme edhe një rritje e ndjeshme e investimeve publike.

Për të realizuar investime të rëndësishme publike nevojitet, midis të tjerave, edhe rritja e të ardhurave kombëtare e cila arrihet edhe falë uljes së informalitetit dhe pagesës së rregullt të taksave. Kjo është arsyeja pse në disa vende evazioni fiskal konsiderohet një tumor që vret vendin dhe dëmton të gjithë. Ndërsa në disa të tjerë evazioni konsiderohet si një luks që një vend u jep disa individëve për mos të paguar taksat, pasi ky luks i dhënë transformohet në një avantazh kur ka fushata elektorale.

Sipas disa vlerësimeve të kryera mbi bazën e të dhënave të publikuara nga INSTAT, evazioni fiskal llogaritet të shkojë në rreth 40%, ndërsa puna në të zezë apo punëtorët e paregjistruar, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, shkon rreth 30%. Kjo e fundit shkon edhe më tej duke qenë se edhe pse një pjesë e të punësuarve paguajnë sigurimet shoqërore, shpesh ata deklarojnë një rrogë minimale dhe jo rrogën reale që marrin në të vërtetë. Duke vazhduar me shifrat, sipas disa llogaritjeve paraprake, mund të themi se evazioni fiskal shkon diçka më tepër se 1 miliard dollarë.

Nëse të ardhurat e shtetit do të rriteshin me këto 1 miliard, me siguri jo vetëm që do kishim një ulje të taksave për të gjithë, por edhe një rritje të ndjeshme të investimeve publike, të cilat do të ndikonin pozitivisht në një rritje të mirëqenies, të punësimit dhe në rritje të konsumit e të gjitha këto bashkë do të ndikonin ndjeshëm në rritjen e PBB-së. Pra, në aparencë mund të vihet re se zhdukja e evazionit fiskal do ishte zgjidhja e pjesës dërmuese të problemeve të qeverisë së sotme.

Por si luftohet evazioni fiskal?

 E para, duhet dëshirë politike për ta luftuar realisht pasi dihet se evazorët votojnë, dhe ata e dinë shumë mirë se kush do t’i lejonte të vazhdonin të bënin evazion. Nuk duhet harruar që ne jemi vendi me më shumë makina luksoze sesa me të pasur të deklaruar që mund t’i mbajnë këto makina. Jemi po ashtu vendi që kemi koncesione me dhjetëra milionë dollarë xhiro vjetore, por që deklarojnë se punojnë për bamirësi pasi nuk kanë fitime të mjaftueshme për të paguar edhe taksa.

E dyta, mund të evitohet evazioni me anë të rekrutimit të profesionistëve. Mundësitë për evazion rriten pasi në shumicën e rasteve inspektorët tatimorë apo shpeshherë edhe drejtuesit më të lartë tatimorë janë më pak të aftë se kontabilistët e ndërmarrjeve që operojnë në tregun shqiptar. Nëse kontrolluesi është më pak i aftë se i kontrolluari, atëherë në fund dihet se kush fiton ndërmjet atij që ruan interesat e shtetit apo atij që ruan interesat e privatit.

E treta, duke bërë të “nevojshëm” kuponin tatimor për blerësin, bëhet evazion, pasi qytetarit nuk i intereson aspak që të marrë kuponin tatimor. Nëse ai do të kishte një avantazh të “prekshëm” monetar, ai do të ishte i interesuar që t’ia kërkonte shitësit gjithmonë. Për shembull, një rast i tillë mund të jetë gjetja e TVSH-së; shpesh punonjësit tatimorë janë të paaftë të gjejnë se ku përfundon një pjesë e TVSH-së. Nëse individëve do t’ju kthehej pas nga ana e shtetit një pjesë e TVSH-së, atëherë ata do ishin të predispozuar të akumulonin kuponët tatimorë e t’i dorëzonin në shtet për të marrë mbrapsht një pjesë të tatimit. Në të tilla kushte, shteti do ta kishte më të thjeshtë të monitoronte vlerën reale të shkëmbimeve tregtare. Nëse shteti do rikuperonte të gjithë TVSH-në, ai do akumulonte më tepër të ardhura edhe sikur nga 20% që është kjo e fundit, ai të arkëtonte 18% dhe 2% t’ia rikthente konsumatorit final në formë primi. E nëse këto masa janë të pamjaftueshme, atëherë dënimi me burg për evazion fiskal do ishte një zgjidhje që do jepte një kontribut pozitiv në këtë aspekt.

 Në fakt, sipas një studimi të universitetit të Lozanës në 2013-n, mesatarja e të burgosurve në Bashkimin Europian që vuajnë një dënim për krim ekonomik dhe fiskal është 4.1%. Kjo përqindje rritet ndjeshëm në vendet ku evazioni fiskal është i ulët si për shembull në Finlandë 6.1%, në Gjermani 14.4% apo në Angli në 18.2%. Ndërsa në vende me evazion të lartë kjo mesatare ulet ndjeshëm, në Greqi shkon 1%, ndërsa në Itali 0.4% dhe në Rumani 0.2%.

 

Pra, që lufta ndaj informalitetit dhe evazionit fiskal të ketë sukses ka nevojë mbi të gjitha që qeveria në këtë “luftë” të rekrutojë “strategë të mirë”, njerëz të aftë dhe me eksperiencë, duke pasur parasysh se një pjesë e stafit aktual dështuan në dy vitet e para të qeverisjes, apo shfaqën një konfuzion total në hapat e para njëlloj sikur të shkonin në luftë pa ditur se çfarë do të bënin me “armiqtë”. Po ashtu, duhet që kjo luftë ndaj informalitetit të jetë po aq e ashpër edhe me mëkatarët e mëdhenj; nuk duhet pritur që të masakrohet biznesi i vogël që ky i fundit t’i kërkojë të madhit faturat tatimore. Janë mëkatarët VIP ata që shkaktojnë rreth 70% të evazionit fiskal.

Ndërsa për të luftuar punësimin në të zezë nevojiten kontrolle të vazhdueshme e masa shumë të rrepta për të gjithë ata që mbajnë punëtorë në të zezë. Qeveria, nga njëra anë, dhe sipërmarrësit nga ana tjetër, duhet të kuptojnë që punësimi me kontratë të rregullt transformohet në të ardhmen në më tepër siguri e në rritje konsumi, i cili çon në rritjen e shitjeve dhe në rritjen e prodhimit. Nëse individët kanë një punë të sigurt, ata janë të predispozuar të shpenzojnë paratë e tyre në blerjen e një shtëpie dhe në mbushjen me orendi të saj. Deklarimi i rrogave reale do t’u jepte më tepër shanse këtyre të punësuarve për të marrë një kredi në bankë për plotësimin e nevojave të ngutshme për likuiditete.

Për të konkluduar mund të them se lufta ndaj informalitetit është shumë pozitive, po ajo duhet të shoqërohet me disa masa plotësuese, për të mos shpenzuar energji kot dhe për të mos dështuar. Qeveria, po ashtu, duhet të marrë masa për të gjithë ata drejtues tatimorë që në këto dy vite kishin lënë me dhjetëra e mijëra biznese të operonin në informalitet të plotë. E për të gjithë ata të tjerë që deklaronin pak ose aspak. Duhen shpërblyer të aftët e ndëshkuar të paaftët. Ka ardhur koha që administrata publike të mos transformohet në strofull të paaftësh.

Do ishte interesant një ligj që jo vetëm do të dënonte të gjithë ata që kanë shpërdoruar paratë publike, por mbi të gjitha t’i detyronte këta persona të kthenin paratë mbrapsht, së bashku me interesat.

 

Tagged with:
 

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.