photos12Ndërkohë që vitit tim në Londër si bursant Chevening i qeverisë britanike po i avitet fundit, puna kërkimore për dizertacionin në Bibliotekën e Hammersmith-it vijon pareshtur me një intensitet konstant. Biblioteka e ndodhur disa hapa larg shtëpisë ku banojmë, të mirëpret në hyrjen e saj me dy skulptura të menduara të korifenjve William Shakespeare dhe John Milton, ndërsa e gjithë salla e studimit është e rrethuar me vitrazhe që portretizojnë dijetarët më të ndritur të njerëzimit në kohëra, në qendër të të cilëve qëndron “Erasmus”. Por mbi të tjera, ky vend është shumë inspirues, sepse ndërtimi dhe vënia në shërbim të komunitetit londinez në vitin 1905 u financua tërësisht nga Andrew Carnegie.

Andrew Carnegie, skocezo-amerikani manjat, një ndër më të pasurit individë në histori, e vetëngriti perandorinë financiare mbështetur në rritjen e industrisë së hekurit në fillimvitet e shekullit të 20.  Megjithëse në pozitat e një burri-shtet, ai vendosi të shiste monopolin e tij të hekurit të ngritur gjatë viteve të ethshme të revolucionit industrial, për t’ia dedikuar pjesën e mbetur të jetës dhe pasurinë marramendëse filantropisë. Donacioni i tij prej më shumë se 90 për qind të pasurisë personale, që sot do të përllogaritej në një vlerë prej 225 miliardë dollarësh, u përqendrua kryesisht në ngritjen e bibliotekave publike në Shtetet e Bashkuara e Britaninë e Madhe, nxitjen e kërkimit shkencor dhe ruajtjen e paqes botërore.

Nga frymëzimi i thellë që të nxit jeta e një individi vizionar e të përkushtuar në shërbim të njerëzimit, mendja të shkon në rëndësinë që do të kishte për zhvillimin kulturor dhe ekonomiko-social të vendit tonë ngritja e traditës së filantropisë, si një mekanizëm shoqëror për të krijuar mundësi dhe perspektiva për të disavantazhuarit dhe të pabarabartët në një shoqëri ku nën rendjen dhe ndikimin e trendit botëror, pabarazia po rritet. E në fakt, janë jo të pakta në numër historitë me filantropistë në Shqipërinë e pavarur në gjysmën e parë të shekullit të 20, kur në vend  filluan të ngrihen institucionet dhe qytetarët kontribues ishin pjesë thelbësore e formësimit të tyre.

E parë si vullnet i të suksesshmëve për të lehtësuar krijimin e mundësive të munguara në mjedisin që u dha atyre suksesin, filantropia e zhvilluar në Shqipëri do të kontribuonte në disa aspekte të rëndësishme: Në aspektin ekonomiko-social, kultura e filantropisë do të shërbente për të zbutur tensionet shoqërore që krijohen jo rrallë si pasojë e rritjes së pabarazisë sociale, tashmë fenomen i  prekshëm edhe në vendin tonë. E shprehur ndryshe, kjo do të konkretizohej në shanse të rritura për bursa shkollimi për të rinjtë e talentuar në pamundësi financiare për të ndjekur ëndrrat dhe ambiciet e tyre, më shumë vëmendje ndaj përmbushjes së nevojave bazike për familjet në nevojë. Më tepër resurse për qendrat kërkimore në vend, misioni i të cilave ka impakt direkt në cilësinë e jetës shqiptare, rikthim i vëmendjes drejt artit dhe kulturës, që duket sikur janë ndikuar nga një tranzicion i stërzgjatur e ngarkesa jopozitive që e gjithë situata socio-ekonomike ka krijuar në vite.

Në këndvështrimin politik, filantropia në vend mund të ndihmonte në lehtësimin e përçimit të politikave sociale, të cilat në disa raste kufizohen nga pamjaftueshmëria e kapaciteteve të financave publike. Një bashkërendim i politikave sociale dhe zhvillimore me iniciativat filantropike të motivuara nga përkushtimi për të kontribuar pozitivisht në ndryshimin e mjedisit shoqëror dhe atij ekonomik do të mund të shërbente si një platformë e qëndrueshme për të sinergjizuar impaktin e politikave publike.

“The giving pledge” është një angazhim i individëve më të pasur të planetit, që të japin për bamirësi mbi 80 për qind të pasurisë së tyre personale për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë njerëzore, me qëllim që shkenca dhe inovacioni t’i paraprijnë krijimit të një mjedisi mundësues për brezat e ardhshëm. E frymëzuar nga shembulli i Andrew Carnegie dhe vërsnikët e tij përgjatë dekadave në koncept, kjo iniciativë tregon më së miri përgjegjshmërinë e individit në raport me shoqërinë dhe mjedisin ekonomik në të cilin njohën suksesin.

Më impresionoi historia e Ramazan Hoxhës, një shqiptar që jeton në Amerikë, i cili gjatë vizitës së fundit në fshatin e tij të lindjes dhuroi 2000 dollarë për të rikthyer në funksionim Urën e Cerrmicës. Ndoshta kjo shumë e dhuruar mund të mos ishte domethënëse për të në vlerë, por ajo që më bëri përshtypje ishte përgjegjshmëria e tij ndaj komunitetit, e manifestuar në një frymë perëndimore atje, diku, kur dikush kishte nevojë.

Një sfidë e madhe që Shqipëria ka sot është edukimi i “zengjinëve të rinj” me kulturën e filantropisë, ndërgjegjësimi i tyre me faktin se materialja është e përkohshme dhe se zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik e shoqëror është i epërm në raport me individualen e për të, çdokush duhet të marrë mbi supe përgjegjësinë që i takon. E harmonizuar me incentivat shtetërore, potenciali transformues që kultura e filantropisë mund të sjellë në shoqërinë tonë është një çështje që meriton vëmendje.

Tagged with:
 

One Response to Filantropia si inspirim

  1. Pjer Thomas says:

    Ate qe e kam thene para shum vitesh, tani po e thote Ekonali. Shyqyr qe u zgjuat. He mos u merzisni, se te gjithe aty do vini, tek mendimet e mia te shprehura para shum vitesh.

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.