Loan approvalNjësitë e reja të qeverisjes vendore duhet të kuptojnë se fondet që do marrin hua duhet t’i transformojnë në një vlerë të shtuar afatgjatë për komunitetin të cilit i shërbejnë, nga i cili janë zgjedhur, e kundrejt të cilit janë plotësisht përgjegjës dhe të përgjegjshëm.

 

“Ndërtimi i qyteteve të qëndrueshme – dhe i një të ardhmeje të qëndrueshme – shtron nevojën për hapjen e një dialogu midis gjithë niveleve të qeverisë qendrore, rajonale e vendore. Gjithashtu, ajo do të kërkojë angazhimin e gjithë grupeve të interesit – përfshirë sektorin privat dhe shoqërinë civile, veçanërisht të varfrit dhe shtresat e margjinalizuara”. Kjo shprehje e Z. Ban Ki-moon në “Ditët e qyteteve të qëndrueshme”, organizuar nga OKB-ja në 2013-ën, vijëzon sfidën madhore, me të cilën përballen qytetet dhe zonat urbane në të ardhmen, sfidë kjo edhe për Shqipërinë, që ka nevojë të trajtohet me vëmendje dhe ashtu siç duhet.

 

Në këtë kuadër, reforma e re administrativo-territoriale mund të konsiderohet si një gur kilometrik, për menaxhimin dhe administrimin më të mirë të territorit. Ndoshta, kjo nuk është përpjekja e parë për hartimin e një kuadri ligjor funksional për pushtetin vendor, por është e sigurt që kjo reformë i ka të gjitha mundësitë të bëhet sipërmarrja e parë madhore, në drejtim të vënies së qeverisë vendore në shina qeverisjeje moderne e mirë-funksionale. Për shumë vite me radhë, kemi qenë dëshmitarë të një numri të madh ndryshimesh dhe shtesash në kuadrin ligjor të qeverisjes vendore, të cilat janë përdorur zakonisht si një kalë beteje në politikën e përditshme dhe rrallë për sigurimin e një ecurie më të mirë dhe fuqizimin e njësive të qeverisjes vendore, në drejtim të ofrimit të shërbimeve më të mira, përmes buxheteve të qëndrueshme dhe të balancuara.

 

loan-cartoonËshtë fakt që, i munguari i madh në këtë teatër të qeverisjes vendore ishte niveli gjithmonë i ulët i decentralizimit fiskal, kurse pjesëmarrës i përhershëm ishte atomiciteti i njësive të qeverisjes vendore. Kjo e fundit tashmë i përket të kaluarës, ndërsa autonomia ka nevojë të vendoset e jetësohet, duke konsideruar praktikat më të mira, që aplikojnë qeveritë lokale moderne. Sigurisht, decentralizimi i vërtetë do të kërkojë një ndërhyrje të guximshme dhe profesionale në kuadrin ligjor të huamarrjes vendore. Këtu vjen dhe pjesa e bankave, pikërisht në rolin që ato duhet të luajnë siç duhet.

Bankat në Shqipëri e kanë mbështetur huamarrjen vendore, që nga fillimi i saj në 2008-ën, si dhe do jenë tejet të interesuara e të gatshme të hyjnë në këtë treg, sapo kuadri i saj ligjor dhe emetuesit të përmbushin e të plotësojnë pritshmëritë dhe analizat e tyre teknike. Sigurisht, përpara qeverisjes vendore dhe bankave e institucioneve të tjera financiare shpaloset një mundësi e dyanshme në drejtim të zhvillimit dhe përdorimit të tregut të letrave me vlerë të pushtetit vendor, përveç huamarrjes bankare për të. Bankat mund të përfitojnë nga kjo mundësi në të ardhmen, pasi ato kanë burime njerëzore të kualifikuara, kapacitete institucionale, financiare dhe analitike për të administruar dhe financuar të gjithë procesin, që nga huamarrja deri te nënshkrimi dhe tregtimi i letrave me vlerë.

 

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, njësitë e reja të qeverisjes vendore duhet të veprojë në mënyrë shumë të kujdesshme, kur të vendosin të përdorin tregun financiar dhe atë të letrave me vlerë për instrumentet dhe letrat me vlerë të pushtetit vendor, me qëllim shfrytëzimin optimal të mundësive që u ofron aktualisht reforma administrativo-territoriale, ndërkohë që duhet të jenë të përgjegjshëm për fondet që do grumbullojnë në të ardhmen. Ato duhet të kuptojnë se fondet që do marrin hua duhet t’i transformojnë në një vlerë të shtuar afatgjatë për komunitetin të cilit i shërbejnë, nga i cili janë zgjedhur, e kundrejt të cilit janë plotësisht përgjegjës dhe të përgjegjshëm. Ndoshta është koha të rikujtojnë thënien ikonë të Z. Benjamin Franklin: “Nëse doni të dini vlerën e parave, shkoni dhe merrni një hua!”

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.