452111-antiterrorism-1350360580-657-640x480Për shumë njerëz, politikanë dhe gazetarë, diskutimi mbi impaktin ekonomik, akoma më pak mbi bursat financiare, i sulmit të 13 Nëntorit në Paris, konsiderohet sa një punë e vështirë aq dhe një humbje kohe. Por një prej objektivave të terrorizmit, terroristëve dhe terrorit të tyre është pikërisht dobësimi ekonomik dhe dëmi financiar i perëndimit. Për këtë mjafton të kujtoni sulmet në Wall Street më 11 shtator apo dhe sulmet mbi turistët në Tunizi pak kohë më parë.

Në një vështrim të shpejtë dhe sipërfaqësor të bursave financiare kryesore të botës, duket se efekti i sulmeve ka qenë i kontrolluar dhe i përmbajtur. Bursa e Parisit dhe e Milanos kanë regjistruar një rënie më të ulët se 1%, një shifër e pranueshme po të konsiderojmë se pas sulmit në Madrid në vitin 2004 dhe në Londër në vitin 2005, këto bursa ranë respektivisht me 2.1% dhe 1.4%. Por cila është arsyeja e kësaj rënie të përmbajtur? Pse financa sillet ndryshe nga frika?

Pavarësisht disa parashikimeve të zymta në fundjavë, tregjet në mbarë botën janë shfaqur më se “gjakësore” pas tragjedisë së fundit. Një ndër arsyet lidhet me faktin se investitorët, privatë apo shtetërorë, kanë nisur të mësojnë nga e kaluara. Nëse kujtojmë ngjarjet e 11 shtatorit në SHBA mund të shohim se rritja ekonomike amerikane e atij viti u ul me 0.5%, një shifër serioze kur flitet për rritjen e një shteti. Por në Korrik të vitit 2005, pas bombave në Londër, ekonomia britanike u rrit me 0.8% në të njëjtin vit. Pse pas sulmeve të 11 shtatorit sulmet terroriste fatmirësisht nuk shkaktojnë agoni financiare? Sepse popujt dhe bankat kanë kuptuar se nënshtrimi ndaj frikës është një spirale e pandalshme dhe e vetmja mënyrë për të mposhtur agresorët e qytetërimeve moderne është konsiderata kundrejt ekonomisë sikur të ishte emocion. Dhe në fakt i tillë është. Sa më frikë në shpenzime, aq më pak të ardhura.

Sulmet terroriste shkaktojnë çrregullim të përkohshëm të jetës ekonomike pasi njerëzit vendosin të mos vizitojnë qendrat tregtare dheimages objektet kulturore për disa ditë. Por ky fakt thjesht zhvendos në kohë shpenzimet dhe konsumin e tyre dhe nuk i asgjëson ato. Aktiviteti ekonomik thjesht spostohet nga një periudhë në tjetrën. Një shembull për këtë, e lidhur me rastin e sulmeve në Paris, janë këto fjalë të njërit prej grupeve më të rëndësishme financiare të globit, CITIGROUP:“Parashikimet për rritjen 1.4% të Francës në vitin 2016 duket se janë shumë pak të prekura nga ngjarja. Në anën tjetër pritet që besimi konsumator të ulet dhe patjetër që do të humbasim disa ditë shitje-blerjesh. Por në këndvështrimin e PBB (GDP) pritet rritje e shpenzimeve me qëllim policimin, sigurinë private dhe pajisjet ushtarake në muajt dhe tremujorët e ardhshëm. Ne besojmë se Komisioni Europian, prej ngjarjes së Parisit, do të miratojë rritjen e paketës së zgjerimit fiskal e për pasojë do të shpenzojë më shumë.”

Përfundimi: Impakti ekonomik do të jetë më se modest! Dhe ky është një lajm i mirë në këtë përshtjellim shkatërrues dhe depresiv. Gjithsesi ekzistojnë tre raste kur terrorizmi shkatërron edhe ekonominë.

Fillimisht kjo ndodh në raste dhe vende ku turizmi natyror, dhe jo ai kulturor, është mbështetës i zhvillimit dhe rritjes. Në rastin e Tunizisë dhe Egjiptit, terrorizmi shkaktoi rënien me mbi 28% të rritjes ekonomike që kishte regjistruar më parë. Por në rastin e SHBA-ve, edhe pse vdesin më shumë se 11.500 njerëz në vit nga armët dhe plumbat, turizmi lulëzon pasi është kryesisht kulturor.

Një tjetër rast kur terrorizmi shkatërron ekonominë është kur masat e marra në mbrojtje janë të ekzagjeruara. Imagjinoni sikur pas sulmeve të Parisit, Bashkimi Europian të anullojë lëvizjen e lirë Schengen dhe të rikthejë kufijtë shtetërorë. Rezultati do të jenë rradhë të gjata në kufijtë Franko-Belgë  apo Franko-Gjerman. Dëmtimi ekonomik do të ishte madhështor pasi kostot e tepërta dhe aktvitetet e shtuara të policisë, mbikqyrjes dhe kontrollit do të ngadalësonin rritjen, një tip ngadalësimi që nuk i duhet aspak Europës së plakur.

Rasti i tretë në të cilin impakti i terrorizmit do të ishte shkatërrues është kur fushata do të kthehej në organizim dhe nuk do të mbetej sporadike. Problemet e Irlandës së Veriut me sulmet e organizatës terroriste IRA zgjatën 30 vjet. Rezultati ishte rënie me 40% e punësimit në sektorin privat si dhe ulje drastike e të ardhurave nga turizmi.

Është pikërisht frika nga terrorizmi dhe tkurrja si pasojë e saj të cilat duhet të njihen si rrezik edhe më i madh se vetë terroristët. Duke e konsideruar ekonominë si një emocion duhet të kuptojmë se ndjesia është ajo që na shtyn të shpenzojmë dhe të fitojmë, nuk janë statistikat apo deklaratat. Në një shkrim për New York Times, ekonomisti Paul Krugman shkruan:

“Qëllimi i terroristëve është të implementojnë frikën pasi ky është maksimumi që mund të arrijnë. Dhe përgjigja më e mirë e shoqërive perëndimore është të mos i nënshtrohen frikës. Terrorizmi është vetëm një nga rreziqet e planetit dhe nuk duhet lejuar të marrë më shumë vëmëndje se sa meriton. Kur presidenti Obama deklaron se ngrohja globale është më e rrezikshme se terrorizmi, ai ka të drejtë!”

Reagimi modest dhe i përmbajtur i tregjeve financiare ndaj frikës së terrorizmit tregon se investitorët kanë besim se Paris 2015 do të jetë një pikë tjetër në listën e ngjarjeve makabre, ashtu si New York 2001, Madrid 2004 apo Londër 2005. Të tmerrshme por fatmirësisht të rralla.

Tagged with:
 

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.