Viti i zhvillimit apo i rrënimit?

7968410-young-businessman-looking-at-his-declining-share-bad-business-economy-in-recession-300x202Siç e do tradita dhe ligji, me urimet e fundvitit bizneset bëjnë dhe bilancin e vitit të sapolënë pas, jo vetëm sepse është i detyrueshëm, por mbi të gjitha se, duke parë e studiuar të kaluarën është mënyra më e mirë për të parashikuar dhe përmirësuar të ardhmen. Për këtë arsye, edhe qeveria aktuale duhet ta bëjë këtë gjë. Në këtë mënyrë ajo do të jetë në gjendje të lokalizojë energjitë në problemet e pazgjidhura dhe rezultatet e arritura për të programuar më mirë të ardhmen.

Nëse do të shohim vitin që sapo kaloi mund të themi me bindje se u karakterizua nga një krizë e fortë ekonomike, me një impakt relativisht negativ për gjithë territorin shqiptar. Për shumë arsye, kjo krizë ekonomike që nuk po e përjeton vetëm Shqipëria, ka pasur pasoja shumë të rënda për shumë familje që po jetojnë në kushte dramatike nga mungesa e të ardhurave. Sigurisht, ky rezultat nuk është vetëm falë impaktit pozitiv apo negativ të reformave të ndërmarra vitin e fundit në Shqipëri, pasi shkaqet janë nga më të ndryshmet.

Shkaku i parë është kriza ekonomike ndërkombëtare, që u përhap në mënyrë eksponenciale edhe në vendin tonë.

Reformat e ndërmarra nga qeveria, edhe pse ishin të nevojshme dhe të paevitueshme, së bashku me krizën ekonomike, midis shumë pasojave, patën edhe efektin psikologjik të pasigurisë për të nesërmen. Në Shqipëri, përgjatë vitit 2015 u vu re rritje e depozitave në banka, zbehje të rritjes së kreditimit dhe tkurrje të konsumit të përgjithshëm. Kjo dukuri ndodh kryesisht nga perspektiva që kanë konsumatorët dhe investitorët për të nesërmen.

Për sa i përket ekonomisë në tërësi, 2015-a do mbahet mend për arritjet në energjetikë. Aksioni për mbledhjen e borxheve të prapambetura dhe evidentimin e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike ka qenë një ndër aksionet më pozitive të vitit të kaluar, edhe pse ka shumë hapësira për debat, si p.sh për dënimet e të varfërve dhe jo të bizneseve, pra për mungesë pabarazie. Në kompleks, ky aksion konsiderohet sukses i mirëfilltë, pasi u vu re se ekziston shteti.

2015-ta po ashtu do të mbahet mend për “luftën” ndaj informalitetit. Ky operacion mund të konsiderohet pjesërisht i suksesshëm, edhe pse me shumë probleme për shkak të shtrirjes së tij kryesisht ndaj biznesit të vogël apo arrogancës dhe paaftësisë së shfaqur jo rrallëherë nga grupet e kontrollit në terren. Në kompleks, ky aksion pati si rezultat final një rritje me rreth 30% të regjistrimit të bizneseve të reja që më parë ishin informalë.

Lufta ndaj informalitetit është pozitive sigurisht, por fokusi duhet të ishte te kontribuuesit kryesorë, siç është biznesi i madh dhe duhet të ishte pak më graduale, megjithatë në tërësi për ekonominë shqiptare do të mbahet mend për mirë.page-9

Normalisht, në konsumin e përgjithshëm këto dy aksione patën impakt negativ për faktin se vetëm nga aksioni ndaj informalitetit u prekën rreth 90 mijë familje shqiptare që evitonin taksat. Ky aksion dëmtoi në mënyrë direkte të ardhurat e tyre e si pasojë dëmtoi mirëqenien e tyre, por një shtet i mirëfilltë funksionon jo në kaos dhe informalitet. Po ashtu, ky aksion ndikoi gjithashtu, edhe në mbylljen e shumë bizneseve joefikase që, deri para aksionit “mbijetonin” se nuk paguanin asgjë.

2015-ta do mbahet mend gjithashtu për “luftën apo gërricjen” e qeverisë me biznesin. Kontrollet e vazhdueshme në të gjitha bizneset e vogla e të mesme nga inspektoratet qendrore i ka bërë bizneset të “flasin me vete” se kërkojnë me qindra dokumentacione brenda ditës. Kjo jo pa arsye kuptohet, por duke qenë se shteti ka ekzistuar pak ose aspak për vite me radhë, intensifikimi i kontrolleve të inspektorateve në tremujorin e fundit detyroi që shumë biznese ose të falimentonin, ose të gjobiteshin rëndë, duke shkaktuar jo pak vështirësi për vazhdimësinë e tyre.

Nuk duhet harruar fakti se bizneset për qeverinë janë si klientët për biznesin; po u solle keq me klientin me siguri do tkurrësh xhiron dhe fitimet e tua. Kjo gjë vërehet dhe nga arritjet në financat publike të 2015-s. Vihet re mungesë në realizimin e të ardhurave me natyrë tatimore në dhjetë muajt e para me mbi 10 miliardë lekë dhe që me siguri është thelluar në dy muajt e fundit. Po ashtu, u vu re se disa tatime edhe pse kaluan nga 10% në 15% ose më saktë patën një rritje me 50%, të ardhurat buxhetore nga këto tatime kishin një rritje të “lehtë”. Kjo tregon se ekonomia nuk performuar mirë, fitimi i bizneseve ka qenë i ulët dhe se problemi nuk ka qenë te baza tatimore.

Gjithashtu, rritja ekonomike që për 2015 supozohej të ishte 3% u rishikua në 3-mujorin e tretë dhe pritej të rezultonte 2.7%, por duke parë ecurinë ekonomike të muajve të fundit të vitit që sapo lam pas, me shumë gjasa rritja ekonomike reale për vitin 2015 do të jetë rreth 2.5%.

Viti 2015 po ashtu do mbahet mend për shtimin e numrit të koncesioneve të dhëna nga shteti apo më saktë nga Ministria e Shëndetësisë, ku vetëm procesi i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale nëpër spitalet e vendit dhe shërbimi i dializës do t’i kushtojnë shtetit rreth 18 milionë dollarë në vit. Në një vend në zhvillim që ka si objektiv primar zhvillimin ekonomik me anë të thithjes së investimeve të huaja dhe “riaktivizimin” e investimeve private, ndërmarrjet në treg kanë nevojë për burime financiare për investime në teknologji, për modernizim të prodhimit, për impiante të reja në procesin prodhues, për financimin e ideve të reja inovative, e mbi të gjitha, për rritjen e konkurrencës në treg. Me siguri, rritja e konkurrencës në treg nuk vjen aspak me rritjen e koncesioneve në formën e monopoleve.

Sipas një studimi të kryer nga BIRN, koncesionet e dhëna nga qeveritë shqiptare në të kaluarën kanë pasur një xhiro vjetore rreth 285 milionë euro. E këto të ardhura mund t’i merrte shumë mirë vetë shteti, nëse do të optimizonte investimet. Pse duhet të paguajnë shqiptarët 6 milionë euro në vit për pulla fiskale, kur kostoja e tyre, nëse do ekzistonte konkurrenca apo do t’i prodhonte shteti, do të kushtonin disa herë më pak; pse paguan 170 milionë euro për pasaportat dhe kartat biometrike kur investimi në raport me fitimin ishte i papërfillshëm edhe kjo e ardhur mund t’i kalonte shtetit, nëse do ta bënte vetë; pse duhet të paguajnë shqiptarët për markimin e karburantit, kur realisht nuk ofrohet si shërbim apo edhe nëse bëhet markimi mund ta bënte shumë mirë vetë shteti, sepse investimi fillestar ishte qesharak? Pse të tilla janë të shumta.

Shumica e koncesioneve të dhëna në Shqipëri kanë treguar se nuk rritet në proporcion të drejtë cilësia në shërbim, në raport me çmimin e paguar. Nuk rriten investimet se firmosen koncesionet, prandaj shteti duhet të heqë dorë nga “formula magjike” koncesion.

Për sa i përket vitit 2016 është e vështirë të bëhen parashikime reale, kur siç parashtrova, në Shqipëri shpesh nuk dalin parashikimet e kryera. Megjithatë, mund të themi që, nëse situatat nuk na lejojnë të bëjmë parashikime të besueshme gjithsesi është e nevojshme të arsyetohet mbi faktin se si ndryshimet e sotme mund të influencojnë me një probabilitet të konsiderueshëm ngjarjet e së nesërmes.

Nga këndvështrimi i zhvillimit ekonomik, viti që sapo lamë pas pati një rritje ekonomike botërore që do shkojë te 3-3.5% ku për vendet e industrializuara do mbyllet me 2% dhe në ato në zhvillim ku bëjmë pjesë edhe ne do të shkojë rreth 4%.

Për 2016-n, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë të paktën 1% më tepër nga sa ishte në vitin 2015, ose më saktë do të ketë një rritje me rreth 350 milionë euro më tepër. Ky skenar duket normal për t’u realizuar, megjithatë duhet parë realisht se çfarë do të ndodhë e sa prej tyre që do të ndodhin ishin të paparashikuara; duke nisur që nga çmimi i naftës ku vendi ynë konsumon rreth 600 mijë tonë në vit dhe eksporton rreth 1 milion tonë në vit. Rënia apo rritja e çmimit të naftës në të ardhmen do të ndikojë pozitivisht ose negativisht në shpërndarjen e të ardhurave, në koston e prodhimit të shumë produkteve apo shërbimeve dhe në eksportet e vendit.

Po ashtu, rritja ekonomike ndikon në rritjen e bazës tatimore dhe në rritjen e xhiros, që ndikojnë në rritjen e të ardhurave nga taksat që shkojnë më vonë në rritjen e shpenzimeve publike apo aq më mirë në rritjen e pagave që ndikojnë pozitivisht në rritjen e konsumit, në rritjen e të ardhurave për buxhetin e shtetit, më vonë në rritjen e investimeve dhe në rritjen vendeve të reja të punës.

Mbi të gjitha, duhet stimuluar rritja e prodhimit vendas, pasi zhvillimi ekonomik i një vendi vjen pikërisht nga brenda, nga prodhimi vendas dhe jo nga jashtë. Të huajt kërkojnë shfrytëzim të një vendi jo zhvillimin e tij. Pra, qeveria duhet të inkurajojë me masa konkrete nxitjen e prodhimit vendas në çdo sektor të ekonomisë, duhet stimuluar turizmi, por jo vetëm me fjalë e jo duke rritur taksat, por duke i ulur ato për këtë sektor.

Për të konkluduar mund të them se duke pasur parasysh paketën fiskale dhe projektbuxhetin për 2016, qeveria nga një anë ka vendosur të ulë shpenzimet e veta me qëllim uljen e borxhit, por nga ana tjetër duhet të stimuloje rritjen e rrogave dhe stimulimin e investimeve në prodhim me qëllim rritjen e bazës së tatueshme dhe rritjen e punësimit. Për të realizuar këtë mision, sa të vështirë po aq edhe kompleks, nevojitet një mirëfunksionim i administratës dhe i strukturave të pushtetit qendror dhe vendor për të ulur shpërdorimet dhe për të rritur efikasitetin.

Leave a Reply