informalityPër gjithkënd duhet të jete e qartë se, formalizimi i ekonomisë është një sistem i domosdoshëm reformash, jo pak të dhimbshme e komplekse, veçanërisht në kushtet e ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare, por ai nuk mund të reduktohet dhe identifikohet thjesht me një aksion taksidarësh, që prodhon më shumë të ardhura fiskale dhe xhiro të faturuar

Gjatë tremujorit të fundit të vitit 2015, anti – informaliteti u kthye jo vetëm në fjalën e ditës, por dhe në aksionin e ditës, duke u vendosur në qendër të gjithë debateve dhe diskutimeve profesionale, sociale dhe politike. Sigurisht që, jo vetëm në rastin e Shqipërisë, por gjithkund, aksione dhe sipërmarrje të tilla vlerësohen, gjykohen dhe paragjykohen, sipas grupeve të ndryshme të interesit. Pavarësisht nga kjo, shumëfishi më i vogël i përbashkët i gjithë kësaj sipërmarrje të guximshme qeveritare mbetet nevoja për një shkallë më të lartë formalizimi të ekonomisë kombëtare, ndërkohë që mbetet gjithnjë i hapur diskutimi mbi qasjen e ndjekur në zbatimin e një aksioni të tillë.

 

Mbetet një fakt i jetës që, bankat tregtare në Shqipëri, kanë qenë në krye dhe në mbështetje të çdo lloj përpjekjeje dhe sipërmarrjeje, me objekt veprimtarinë ekonomike formale dhe vet formalitetin ekonomik e financiar. Këtu duhet të theksohet fakti se, bankave në Shqipëri, që në ditën e parë të punës u është dashur të përballen me një pragmatizëm dhe paradoks ekstrem: rritje dhe zgjerim të portofolit të huas dhe ruajtje të standardeve të huadhënies, duke filluar nga zero, drejt një ekonomie fillestare kapitaliste dhe sipërmarrjeje, pa asnjë lloj kulture të trashëguar biznesi, financiare dhe fiskale, në kushtet e një formati të ri qeverisjeje, për të cilën kjo e fundit duhej të paguante tashmë detyrime tatimore. Në këtë mozaik zhvillimi ekonomik, politik e social të 25 viteve të fundit, është punuar fort nga të gjithë, që informaliteti të mos jetë më shumë rregull sesa përjashtim, ku bankat kanë qenë padyshim faktori dhe mekanizmi kyç në një tranzicion të tillë, përmes “pushtetit të butë” të rregullsisë së dokumenteve dhe përmbushjes sa më të mirë të standardeve të huadhënies. Patjetër që këtu jo të gjitha betejat janë fituar, si nga qeveria, ashtu dhe nga bankat, por e sigurt është se “lufta” është e gjatë, për të mos thënë e vazhdueshme e pa afat, pasi parimi i saj është thjesht i drejtë dhe sfida tashmë duhet të jetë kalimi nga koncepti i formalizimit të ekonomisë si fjalë e ditës te ai i rregullit të ditës, pra ekonomi dhe biznese formale si pjesë e rregullit dhe veprimtarisë së përditshme.

 

Në këtë kontekst, askush më shumë se bankat nuk e kanë pritur me interesim aksionin anti – informalitet të qeverisë shqiptare, por si vendim-marrëse të ftohta ato duan të kenë përballë klientë të qetë, të motivuar, të qartë, me shpirt të fortë sipërmarrës, e gjithashtu, të edukuar me njohuri të përshtatshme financiare dhe fiskale. Bankat do vijojnë të japin kontributin e tyre të çmuar dhe të pakushtëzuar, jo vetëm në këtë betejë, por në gjithë luftën për formalizim, në rolin e tyre unik si partner i baraslarguar nga qeveria dhe biznesi. Megjithatë, për gjithkënd duhet të qartë se, formalizimi i ekonomisë është një sistem i domosdoshëm reformash, jo pak të dhimbshme e komplekse, veçanërisht në kushtet e ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare, por ai nuk mund të reduktohet dhe identifikohet thjesht me një aksion taksidarësh, që prodhon më shumë të ardhura fiskale dhe xhiro të faturuar. Kjo e fundit është vetëm njëra nga betejat e kësaj lufte të gjatë, por realisht jo e vetmja e jo ndër më të rëndësishmet, kur vendoset përkrah betejave ndaj papunësisë, varfërisë, rritjes ekonomike dhe konsumit, konkurrueshmërisë së ekonomisë dhe mirëqenies së kombit, si pjesë të formalizimit të ekonomisë kombëtare dhe zhvillimit të saj mbi themele solide dhe të qëndrueshme. Kjo është një rrugë e gjatë dhe të gjithë duhet ta pranojmë se Roma non fuit una die condita (Roma nuk u ndërtua për një ditë)!!!

Tagged with:
 

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.