Lotaria promocionale e kuponit tatimor përfundoi disa javë më parë me fazën e hedhjes së shortit. Jo vetëm si qytetar dhe konsumator i ndërgjegjësuar mbi rëndësinë e formalizmit të ekonomisë, por edhe si një mbështetës aktiv i kësaj mënyre ndërgjegjësimi qytetar, e prita me interes të madh datën 15 janar kur dhe do hidhej shorti. Dihet, sa më të larta pritshmëritë, aq më i madh është dhe zhgënjimi dhe shija e hidhur që më la “spektakli” në mbrëmjen e të Premtes 15 Janar në televizionin Top Channel. Ka kaluar pak kohë tashmë, mendja është më e kthjellët dhe ashtu si një detektiv i afrohet “skenës se krimit” unë po sjell përshtypjet dhe gjetjet e analizës time. Po e nis pikërisht nga televizioni që u përzgjodh për fazën sensibilizuese – promocionale dhe finale. Top Channel është një sipërmarrje private dhe rrjedhimisht, ma do mendja, është paguar nga Ministria e Financave për tërë reklamat që i bëri lotarisë. Është e turpshme që reklama fliste për vlerën e çmimeve në lekë të vjetra për ti fryrë artificialisht. Ves i vjetër i Top Channel-it, i cili dhe një nga programet e veta më të suksesshme e ka me lekë të vjetra (100 milionët e Enos). Mbrëmjen e 15 janarit, pra, shumë familje shqiptare, të paktën 28 mije syresh aq sa dhe zarfet e dërguar në adresën e Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë që menaxhoi mbledhjen e tyre, prisnin me padurim të mësonin nëse do të ishin fitues. Top Channel shiti një numër të mirë reklamash, qe në “prime time” janë më të kushtueshme.

Pyetja nr.1: Pse Ministria e Financave nuk përzgjodhi Televizioni publik Shqiptar TVSH si media zyrtare për të promovuar këtë lotari, por pagoi një medium privat? Duke qenë që çdo familje shqiptare paguan 1.200 lekë në vit pikërisht për financimin e TVSH-së, a nuk do ishte më me kuptim që ti kërkohej TVSH-së që t’i bënte reklamë, madje pa pagesë, kësaj fushate të Ministrisë së Financave?

Dhe a nuk do kishte qenë ndoshta më mirë që ekskluziviteti i shitjes së reklamave gjatë mbrëmjes finale ti jepej po këtij televizioni si shpërblim për fushatën që do kishte bërë falas? Dhe meqë jemi te mbrëmja finale, sinqerisht mbeta i shokuar nga mënyra e organizmit. U tha që ishte drejtpërsëdrejti, por në fakt ishte regjistruar një ditë më parë, pra u gënjye publiku. U lexuan emrat e 11 fituesve të dy kategorive të para dhe pastaj një “teknik” shtypi një buton tek lap-topi i tij, u bë sikur u hodh një short me përzgjedhje rastësore qe nga ekrani nuk u kuptua fare sesi u bë dhe prezantuesja na uroi natën e mirë. Sinqerisht prisja shumë më tepër: ndoshta një diskutim mbi arritjet e kësaj fushate, një analizë të rezultateve në lidhje me pritshmëritë, një reportazh që tregonte njerëz të angazhuar në mbledhjen e faturave, ose ditën e fundit në radhë për ti dërguar, diçka. Asgjë prej gjëje. Anëtaret e jurisë dukeshin si figurantët e një talk-show, komplet të lënë jashtë loje. Mund të ishin pyetur edhe ata, meqenëse ishin funksionare të lartë të tatimeve, përfaqësues të shoqatave te konsumatorëve. Dukej sikur të tërë mezi prisnin të iknin, gjë që i shton dyshimet mbi rezultatet ellotaria-e-kuponeve-524x315 paracaktuara. Një farsë me pak fjalë.

Por kthehemi pak te rezultatet. Çmimin prej 1 milion lekësh e fitoi një zonjë nga Shkodra e cila në periudhën 15 nëntor – 31 dhjetor 2015 ka shpenzuar plot 7,3 milionë lekë të reja (gati 54 mije euro me kursin e dhjetorit), afërsisht 160 mije lekë në ditë për 46 dite rresht. Një rekord i paimagjinueshëm, aq më tepër kur sheh qe kjo shifër u arrit me vetëm 130 kuponë, që do të thotë që afërsisht çdo kupon kishte një vlere prej 56 mijë lekësh. Nëse 160 mijë lekë në ditë është një shume e zakonshme për këtë zonje, atëherë mund të mendojmë qe zonja Lleshi shpenzon rreth 58 milion lekë në vit.

Pyetja nr. 2: A e ka bërë deklarimin e të ardhurave personale zonja Lleshi? Deklarimi është i detyrueshëm për këdo që ka të ardhura personale mbi 2 milionë lekë në vit. A rezulton ajo ne listën e tatimpaguesve? Cili është burimi i të ardhurave të kësaj zonje që shpenzon 7,3 milionë lekë në një muaj e gjysmë? Këto janë pyetje të cilat meritojnë një përgjigje për faktin që zonja Lleshi përfiton 1 milionë lekë nga paratë e taksapaguesve shqiptare.

Kategoria e dyte e çmimeve pati 10 fitues, secili me nga 100 mijë lekë. Dhe këtu kemi një rekord tjetër. Rekordmeni është Z. Donald Kravari nga Tirana, i cili me durim të madh arriti të mbledhë plot 3.442 fatura tatimore! Një mesatare prej 75 faturash në dite, 9 fatura në orë, 1 në çdo 7 minuta, për 8 orë rresht, për 46 dite me radhë. Të të shkojë mendja për keq është mëkat, thonë, por shpesh i afrohesh të vërtetës. Mos vallë Z. Kravari punon diku ku ka mundësinë të lëshojë fatura tatimore, të cilat pastaj i ka mbajtur për vete në vend që t’ia japë në dorë klientit? Shpresoja që ndonjë gazetar investigativ ta kërkonte këtë hero modern dhe ta pyeste se si ja arriti t’i mbledhë aq kuponë. Gjithsesi, kjo gjë është lehtësisht e vërtetueshme nga ana e organizatorëve të lotarisë. Sepse prej të dyjave njëra është e vërtetë: o ky person ka shpenzuar paratë e veta në shopping, gjë që është matematikisht e mundur, por e vështire për tu imagjinuar dhe atëherë drejtoria e tatimeve duhet te verifikoje deklarimin e pasurisë se këtij personi, ose, në të kundërt, ky person ka mbledhur kuponë që duhej ti kishin marre persona të tjerë dhe, rrjedhimisht, është në shkelje të ligjit. Ekziston në fakt dhe një mundësi e tretë: që familjarë, të afërm dhe miq i kanë dhuruar këtij personi kuponët e tyre gjë që nuk është kundër rregullores se lotarisë, por kundër frymës së saj.  Nëse qëllimi i Ministrisë se Financave ishte sensibilizimi i opinionit mbi rëndësinë e marrjes se kuponit dhe shpërblimi i qytetarit të thjeshtë me anë të shpërndarjes së çmimeve, kjo lotari shkoi në kahun e kundërt. Me një proces të komplikuar dhe një formulë të shpërndarjes së çmimeve kryesore që hapur promovoi pasanikët (kuponë me vlera të mëdha) ose abuzuesit (nr. absurd kuponësh). Personalisht arrita të mbledh rreth 100 kuponë dhe seleksionimi, numërimi dhe llogaritja e vlerës totale kërkoi durim të madh dhe një pjesë të mirë të së dielës përpara afatit të  dërgimit.

Pyetje nr. 3: Në momentin e konceptimit të formulës së mesatares së ponderuar, a e kishin menduar funksionaret e Ministrisë që kjo formulë do nxirrte fitues dikë që kishte mundësinë të shpenzonte shuma të mëdha? Gjë që nuk është e gabuar tout cour, por që lë vend për abuzime, siç dyshohet të ketë ndodhur realisht. Çmimet e kategorisë së tretë dhe të katërt u shpërndanë me anë të një përzgjedhjeje rastësore. Edhe këtu nuk munguan surprizat. Së pari në kategorinë e tretë kemi një fitues, i pari në listë, me Barcode RR147985699AA, i cili ka marrë pjesë në lotari me 54 kuponë me një vlerë totale prej 22 milionë lekësh.  Nëse do ishin lekë të reja, rezulton që mesatarja e një kuponi është afërsisht 411 mije leke ose 2,7 herë më e madhe se limiti maksimal ligjor prej 150 mijë lekësh për kupon. Mund të jetë dhe rasti i dikujt (fatkeqësisht janë shumica) që vazhdon të shkruajë dhe mendojë me lekë të vjetra. Kur ka kaluar një jave nga hedhja e shortit (artikulli u shkrua me 21 janar, shënimi im) pse nuk korrigjohen këto gabime dhe te s’kualifikohen këta fitues për deklarim të rremë? Dhe meqë jemi te gabimet, në kategorinë III rezultojnë tre fitues me më pak kuponë se nr. minimal për të marrë pjesë (50 kuponë), numër që shkon në 6 në Kategorinë IV.

Pyetje nr. 4: Noteri, i paguar medoemos nga Ministria e Financave, roli i të cilit është të çertifikojë që i tërë procesi është në përputhje me ligjet shqiptare dhe rregulloren e Lotarisë, çfarë ka bërë deri tani? Pse organizatorët nuk marrin masa që ta bëjnë procesin sa më transparent dhe të hapur ndaj publikut, duke korrigjuar në kohë edhe gabimet e mundshme, për të mos u lëne hapësire kritikave që natyrisht do vijnë? Nëse kjo lotari do vazhdojë, si mund të mendojë dikush që ajo do ketë sukses, kur procesi i sapo përfunduar u ngarkua me dyshime?

Për ta mbyllur, edhe disa fjale për fituesit e vërtetë të kësaj loje: Ministria e Financave dhe Posta Shqiptare. Po po, këta janë fituesit e vërtetë. E fillojmë me Posten Shqiptare. Posta dërgoi mbi 28 mije zarfe me një çmim prej 90 lekësh (vetëm pulla), që do të thotë të ardhura nga lotaria prej 2,5 milionë lekë të reja kundrejt një kostoje minimale. Shumica e zarfeve u dërguan nga Tirana dhe marrësi ishte një i vetëm, që do të thotë me disa ngarkesa ka mbaruar punë. loteria-bonurilor-fiscale-800x500_c

Le ti bëjmë tani llogaritë në xhep Qeverisë. Në kategorinë I pati një fitues të çmimit prej 1 milionë lekësh kundrejt një TVSH-je të paguar prej 1,2 milionë lekësh (Vlera e përgjithshme e kuponëve pjesëtuar me 6). Praktikisht qeveria ja ktheu TVSH-në mbrapsht Zonjës Lleshi. Në kategorinë II TVSH-ja e paguar në total është rreth 3,4 milionë lekë kurse vlera e çmimeve është 1 milionë lekë (vlera e çmimeve është 30% e TVSH-së, pra “fitimi” i qeverisë shkon në 2,4 milionë lekë). Vlera e TVSH-së së paguar nga fituesit në kategoritë III dhe IV (500 fitues gjithsej) kalon 20 milionë lekë prej të cilës u shpërndanë në formë çmimesh vetëm 6 milionë leke (pra “fitimi” i Qeverisë është rreth 14 milionë lekë vetëm nga fituesit). Nëse do bënim një llogari të thjeshtë duke përfshire të tërë pjesëmarrësit, atëherë në lojë morën pjesë 28 mijë vetë prej te cilëve 511 morën çmime. Sikur 27.500 jo fituesit të kenë marrë pjesë në lotari me vlerën minimale të kuponëve që ishte 5.000 lekë do të thotë që TVSH-ja e arkëtuar nga Qeveria është rreth 23 milionë lekë (27.500 x 5.000 : 6). Pra fitimi total i qeverisë nga lotaria është minimumi 40 milionë leke afërsisht (0,2 milion (kat I) + 2,4 milionë (kat II) + 11,4 milionë (kat III) + 2,7 milionë (kat IV) + 23 milionë jo fituesit) . Por nëse do merrnim për baze të llogarive mbi vlerën mesatare të kuponëve të jo-fituesve, mesataren e shkurtuar (pa 5 vlerat më të larta dhe 5 vlerat me te ulëta) të zarfeve të kategoris IV, që është baras me 9200 lekë, atëherë “fitimi” i supozuar i Qeverisë do të arrinte vlerën prej 66 milionë lekësh. Pra për sa i përket ndarjes, Qeveria u tregua shumë dorëlëshuar me të pasurit e çmimeve të para dhe dorë cunguar me qytetarët e thjeshtë.

Tagged with:
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.