• Qeveria po pretendon se vendet e punës janë shtuar, por nuk ka punëtorë të kualifikuar për ta përballuar kërkesën.
  • Ky argument ka lindur pasi pretendimet e deritanishme për rritje të punësimit po kundërshtohen nga faktorë të tjerë, si kontributet në fondin e pensioneve apo rritja ekonomike e plogësht.
  • Pagat janë indikatori kryesor për të kuptuar nëse mungojnë punëtorët e kualifikuar apo vendet e punës.
  • Ligji i kërkesë-ofertës na tregon se një ekonomi ku pagat rriten pak ose aspak nuk ka kërkesë për punëtorë të rinj, por ka mungesë vendesh pune, duke hedhur poshtë pretendimin e Qeverisë.
Poster reklamues i paguar nga Qeveria për të sensibilizuar opinionin publik rreth teorisë sa saj ekonomike.

Poster reklamues i paguar nga Qeveria për të sensibilizuar opinionin publik rreth teorisë sa saj ekonomike.

Prej disa kohësh tashmë, Kryeministri i vendit dhe kabineti i tij janë angazhuar në krijimin e një teorie të mirëfilltë ekonomiko-sociale për të shpjeguar problemet e vendit. Sipas kësaj teorie, problemet tona shpjegohen qartë e thjeshtë nga një deformim i thellë kulturoro-psikologjik i yni, pasi me sa duket jemi thjesht një popull dembel. Akoma më tej, Kryeministri ka thënë diçka me të vërtetë thelbësore – në Shqipëri ka punë, por nuk ka punëtorë!

Ky shpjegim i radhës nuk është i rastësishëm. Komentatorë të informuar mbi çështjet ekonomike, sidomos në portalin Reporter.al, kanë vënë re prej kohësh disa anomali statistikore në të dhënat e tregut të punës në vend. Kryesori ndër to është fakti që megjithëse pretendohet se është rritur numri i të punësuarve në vend, nuk është vërejtur një rritje analoge e kontributeve në fondin e pensioneve, ose siç njihet ndryshe fondi i sigurimeve shoqërore.

Mund të shkojmë akoma më tej duke vënë re një dukuri tjetër të çuditshme në vend. Megjithëse pretendohet se është rritur punësimi, shifrat e rritjes ekonomike janë mjaft anemike gjatë viteve përkatëse. Teoria ekonomike, në fakt, na mëson se rritja e punësimit është një tregues që ndjek rritjen ekonomike. Sipas pretendimit të Kryeminstrit, Shqipëria po bëhet një rast i rrallë ku punësimi e paraprin rritjen ekonomike. Akoma më tej, kjo rritje në punësim po ndodh me punëtorë jo-produktiv që nuk arrijnë të kontribuojnë vlerë të shtuar në ekonomi.

Në teorinë ekonomike, ligji që studion marrëdhënien ndërmjet tregut të punës dhe rritjes ekonomike njihet si Ligji i Okunit, në nder të ekonomistit Arthur Okun. Në vija të përgjithshme, ky ligj vërehet si në ekonomitë e zhvilluara si në ato në zhvillim. 

Mbase edhe për të gjetur një përgjigje ndaj këtyre fakteve të pakëndshme statistikore, prej disa kohësh tashmë Qeveria po orvatet të argumentojë se në vendin tonë ka vende pune, se bizneset duan të punësojnë njerëz të tjerë, por se fatkeqësisht shqiptarët janë ose dembelë, ose të pakualifikuar. Jo vetëm Kryeministri, por edhe ministra të kabinetit janë rreshtuar pas këtij pretendimi.

A mundet teoria ekonomike të na ofrojë një zgjidhje në lidhje me këtë dilemë? A kemi vërtetë vende pune të hapura, për aq kohë sa shqiptarët të jenë të gatshëm të punojnë?

k-o grafNë fakt, përgjigja është shumë e thjeshtë dhe vjen nëpërmjet modelit më bazik që studiohet në ekonomi, kërkesë-ofertës të cilin edhe nxënësit e gjimnazit e kanë hasur. Grafiku në krah e shpjegon më konkretisht se për çfarë bëhet fjalë.

Nëse punën e konsiderojmë si një mall të zakonshëm, rritja e kërkesës  për punonjës (si pasojë e vendeve të punës që janë hapur sipas Qeverisë) dhe mbajtja e ofertës konstante duhet të sjellë një pasojë shumë të thjeshtë: rritjen e çmimit të punës. Ose e thënë ndryshe, rritje të pagave. Ashtu si për çdo mall tjetër që ekziston në treg, nëse punëdhënësit do ishin duke konkurruar të tërhiqnin në bizneset e tyre punëtorët e pakët të kualifikuar dhe jo-dembelë, por edhe të shumëkërkuar tashmë që ekonomia qenka në ekspansion, do të ndodhte vetëm nëpërmjet një rritje të pagës. Në fakt, ky fenomen vihet re sa herë që ekonomitë janë në ekspansion, ku rritja e punësimit paraprihet nga një rritje pagash që tërheq individët e papunë në treg.

A mund të gjejmë nëse kemi parë rritje pagash në tërë ekonominë apo në sektorë të veçantë në Shqipëri?

pagat

Burimi: INSTAT

Për këtë pyetje na vjen në ndihmë INSTAT i cili ka disa të dhëna rreth ecurisë së pagave. Përgjigja e shkurtër është se në Shqipëri rritja e pagave është e pakët ose inekzistente, duke hedhur poshtë teorinë se në treg ka vende pune që po presin punëtorë të rinj të kualifikuar.

Më konkretisht, të dhënat tregojnë se pas një rritje të ndjeshme në mesin e dekadës së shkuar, sidomos në sektorin e ndërtimit, në vitet e fundit pagat karakterizohen nga tendenca rënëse. Normat e ndryshimit variojnë nga sektori në sektor, por është e qartë dhe nga grafiku në krah se ecuria  e pagave ka një trend të përbashkët. Ajo çka e vështirëson këtë analizë është fakti se INSTAT ka të dhëna të pjesshme për 2014 dhe akoma të papublikuara për 2015 në sektorin privat.

Fatmirësisht, një tregues përafrues është paga e sektorit shtetëror, për të cilën INSTAT ka publikuar të dhëna edhe për 6-mujorin e parë të vitit 2015. Megjithëse pagat shtetërore përcaktohen nga vendime administrative, në çdo ekonomi ekziston një lidhje e fortë ndërmjet atyre dhe pagave private. Ashtu siç e vumë re dhe në grafikun e mësipërm, niveli i pagave në një ekonomi ndjek një trend të përbashkët. E kundërta do të sillte një zhvendosje të madhe të forcës punëtore nga sektori me paga më të ulëta drejt atij me paga më të mëdha. Gjatë viteve të shkuara, korrelacioni ndërmjet pagave private dhe shtetërore arrin edhe vlerën 90%, duke na provuar se zhvillimet ekonomike prekin në mënyrë gati të njëtrajtshme nivelin total, ose agregat, të pagës në vend. Gjatë vitit 2015 pagat në sektorin shtetëror janë rritur mesatarisht me një normë anemike prej 2.17%. Duke marrë parasysh një normë inflacioni prej thuajse 2% gjatë vitit 2015, mund të thuhet se në terma reale pagat nuk janë rritur aspak.

Mungesa e rritjes së pagave, qoftë në sektorin privat e qoftë në atë shtetëror, është treguesi kryesor se ekonomia jonë nuk po vuan nga mungesa e punëtorëve të kualifikuar, ndërkohë që bizneset janë gati të zgjerojnë aktivitetin e tyre e kësisoj po kërkojnë intensivisht punëtorë të rinj. Përkundrazi, ekonomia jonë dukshëm po vuan nga mungesa e vendeve të punës. Treguesit e kredisë bankare, po ashtu, vazhdojnë të jenë anemik, duke na treguar se bizneset nuk janë aspak në një fazë ekspansive siç pretendohet. Duke përdorur vetëm të dhënat zyrtare të ekonomisë tonë dhe pak intuitë ekonomike, është e qartë se pretendimi i Kryeministrit dhe pjesëtarëve të tjerë të Qeverisë për një treg pune “të uritur” për punëtorë nuk është aspak i vërtetë.

Nga ana tjetër, me përjashtimin e disa portaleve të pavarura të cilat janë shfaqur gjatë viteve të fundit, analiza ekonomike në vend lë mjaft për të dëshiruar, për aq sa një argument i tillë mund të vazhdojë të mbijetojë për muaj të tërë. Akoma më keq, ky argument tani po zë vend dhe në studiot televizive duke u marrë gati si i mirëqenë.

Tagged with:
 

2 Responses to Dembelë apo të papunë?

  1. Gerti says:

    Nje artikull shume i mire, urime autorit!

  2. […] Një version më teknik i artikullit rreth pagave dhe teorisë ekonomike gjendet këtu […]

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.