growthhacking1-300x199Pas rishikimit të rritjes së Shqipërisë nga ana e Bankës Botërore ka ardhur dhe publikimi i rradhës i Institutit të Statistikave. Ekonomia jonë, në tremujorin e tretë të vitit të kaluar duket se ka kapërcyer përkohwsisht pritshmëritë dhe ndjesinë negative të vështruar prej muajsh. Gjatë periudhës Korrik-Shtator të 2015-ës ekonomia është rritur me 2.98% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2014. Fillimisht duhet të pranojmë se vlerësimet në këtë publikim janë të bazuara në të dhënat e disponueshme deri në Dhjetor të vitit 2015. Dhe gjithashtu se këto seri paraprake publikimesh janë gjithmonë subjekt i revizionimeve të ardhshme, gjë e cila lidhet me përmirësimin apo përkeqësimin e informacionit që kemi aktualisht.

Për sa i përket shifrave dhe mbi të gjitha arsyes pse jemi rritur me pothuajse 3% është e domosdsoshme që të analizojmë secilin tregues për të kuptuar, cili na ndihmoi e cili na pengoi për tu rritur kaq. Aktiviteti Bujqësisë, Pyjeve dhe Pëshkimit në tremujorin e tretë të vitit 2015 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë pati një rënie prej 1,40 %. Kjo rënie vjen në një kohë kur trumpetohet mbështetja e bujqësisë nëpërmjet lehtësimit të kërkesave për faturim të prodhimeve, kur qeveria shqiptare mbi 50% të projekteve të shpallura por jo të realizuara i ka të drejtuara nga degët e bujqësisë, kur monitorimi me qëllim hartimin e ndërhyrjes strategjike për rigjallërimin e sektorit të peshkimit është trumpetuar nga ministria dhe kur i vetmi produkt me të cilin mund të konkurojmë aktualisht në tregjet botërore janë ato ushqimore.

Grupi i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati rritje me 1,08% në tremujorin e tretë të vitit 2015 ku ndikimin kryesor në këtë rritje e ka dhënë nën grupi, Industria Përpunuese e cila në vetvete shënoi një rritje me 7,01 %. Duket se janë fabrikat dhe ndërmarrjet fasone të cilat kanë ushqyer rritjen e këtij sektori. Dhe kjo shifër do të ishte më e madhe nëse ekzekutivi do të kishte zbatuar të plotë dhe jo të pjesshëm premtin e saj në lidhje me eliminimin e tatim fitimit nëse investon në makineri, rikthimin e 5% të tatimit për ta përdorur në formë investimi, rregullimin e TVSH-së me nënkontraktorët si dhe rimbursimin e saj.

Aktiviteti i Ndërtimit në tremujorin e tretë të vitit 2015 pati rritje prej 16,54% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2014. Nëse pomoney-growth-feature pyesni si është e mundur kjo shifër ndërkohë që vazhdojnë të jenë mbi 5000 apartamente të pashitura e për pasojë shumë pak ndërtime rezidenciale, duhet të vlerësoni pjesë të tjera të sektorit. Arsyeja pse ndërtimi është mbështetësi dhe mundësuesi kryesor i rritjes lidhet me veprat inxhinierike të lidhura pjesërisht me investimet publike dhe pjesërisht me ato private. Në rastet që kanë ndikuar pozitivisht janë investimet, edhe pse ende të vogla, të gazsjellësit TAP si dhe ndërhyrjet në kaskadën e Devollit. Këtu sigurisht nuk mund të harrojmë dhe punët publike të cilat kanë ndihmuar disa kompani të raportojnë aktivitet të lartë në këtë periudhë.

Grupi i degëve Tregti, Hotele, Restorante dhe Transport pati një rritje prej 1,52%. Këto tre muaj mbi të cilët bazohet ku publikim janë ato të sezonit veror dhe një rritje e tillë tregon se turizmi shqiptar mbetet kaotik. Me pak aktorë profesionist të cilët penalizohen vazhdimisht nga mos funksionimi i mjedisit burokratik dhe ai i kapaciteteve njerëzore. Mendoj se edhe përgjysmimi i TVSH-së për turizmin, kërkesë e vazhdueshme e përfaqësuesve të sektorit nuk do të rregullonte situatën pasi ende sot nuk kemi parë turistë që të ankohen për çmimin por kemi parë shumë të cilët ankohen për kushtet.

Grupi i degëve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me një rritje prej 7,37%. Janë dy arsyet e kësaj mbështetje të ekonomisë shqiptare për tremujorin e tretë. E para është përfshirja në treg e T mobile në fund të muajit Korrik, ndërsa e dyta lidhet me kompanitë e tjera celulare të cilat vazhdojnë të raportojnë fitime të shtuara gjatë sezoneve verore ku dhe publikojnë pjesën më të madhe të ofertave.

 Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rënie prej 2,63% në tremujorin e tretë të vitit 2015 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Kjo shifër negative, ndërkohë që aktiviteti i bankave është zgjeruar me mbi 3% lidhet me sigurimet ku dominimi për 20 vjet me mbi 60% i tregut të sigurimit të detyrueshëm motorrik përballë sigurimit të pronës dhe jetës të cilat parimisht janë më të rëndësishme se makinat.

Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 5,29% në tremujorin e tretë të vitit 2015 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Thjeshtësisht arsyeja janë emigrantët shqiptarë të cilët parapëlqejnë të investojnë në prona të paluajtshme gjatë qendrimit në Shqipëri dhe akomë më shumë në sezonin e pushimeve.

Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rritje prej 10,34% në tremujorin e tretë të vitit 2015 përkundrejt tremujorit të tretë të vitit 2014. Ekzistojnë dy arsye pse ky grup është i dyti më i madh për nga mbështetja që i ka dhënë rritjes. Së pari është raportimi i rritjes së aktivitetit nga 3 kompanitë më të mëdha Call Center të cilat operojnë në vendin tonë. E dyta lidhet me kulturën administrative dhe burokratike e cila në Shqipëri po merr formë ashtu si në Europë dhe ku shërbimet e komisonuara dominojnë mbi sekserët dhe miqësitë.

Këta janë treguesit kryesor të cilët dhanë rritjen por ka dhe një tregues që pas dy tremujorëve me rënie më në fund dha shenja pozitive. Është konsumi i cili u rrit me 1.9%. Por nuk është lajm i mirë totalisht po të kujtojmë se është periudha më e nxehtë e parasë së ardhur nga jashtë. Si përfundim duhet të themi se kjo shifër prej 2.98% rritje në tremujorin e tretë është më e ulët se parashikimet fillestare për një rritje ekonomike vjetore prej 3%, por pak më e lartë se projeksionet e rishikuara së fundmi. Pak javë më pare Banka Botërore parashikonte një rritje të ekonomisë shqiptare me 2.7% për vitin 2015.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.