A do të kthehet (in)formaliteti në rritje ekonomike?

Colombia Growth ConceptTë ardhurat e gjeneruara nga ekonomia informale zakonisht nuk regjistrohen për qëllime tatimore dhe shpesh nuk përfshihen në llogaritjen që bëhet për Produktin e Brendshëm Bruto. Format e informalitetit të bizneseve mund të jenë të ndryshme dhe përfshijnë edhe rastet e dështimit për të qenë në përputhje me kërkesat dhe detyrimet për regjistrimin e biznesit, ose rregullat dhe rregulloret që kanë të bëjnë me sistemin tatimor, atë të punës, shëndetin dhe sigurinë në punë, sigurinë e produktit, të drejtat e pronësisë intelektuale, legjislacioni për mbrojtjen e mjedisit, legjislacioni për mbrojtjen e konsumatorit, ose ndonjë sektori specifik tjetër.

Informaliteti mund të jetë i plotë (kur subjekti nuk është i regjistruar) ose i pjesshëm (nuk deklaron të gjitha të ardhurat), pra praktika njeh edhe raste ku disa biznese mund të veprojnë në përputhje të pjesshme me ligjin, për shembull duke faturuar dhe duke paguar detyrimet tatimore në disa transaksione financiare por jo vetëm, por ndërkohë duke lejuar transaksione të tjera të pafaturuara. Studiues të ndryshëm janë të shqetësuar lidhur me faktin nëse bizneset informale ndikojnë negativisht në një ekonomi, duke qenë se këto biznese janë zakonisht më pak produktive se bizneset formale.

Firmat joformale, duke mos zbatuar rregullat e ndryshme ekonomike ose duke mos i përmbushur detyrimet e tyre tatimore, janë në gjendje për të zgjeruar dhe për të marrë pjesë të tregut nga firmat formale, madje edhe kur ato janë më pak të suksesshme.

Eksploruesi Hernando de Soto i sheh bizneset informale si një burim i pashfrytëzuar i energjisë dhe nismës sipërmarrëse, e prapambetur pikërisht si pasojë e rregullave qeveritare. Nëse do të krijohej mundësia që të shpërthente kjo energji nëpërmjet reduktimit të barrierave hyrëse, atëherë do të nxitej rritja dhe zhvillimi ekonomik. Levy ka një këndvështrim më cinik duke theksuar avantazhet që përftojnë si ndërmarrjet informale edhe punëtorët nëpërmjet shmangies së pagimit të detyrimeve tatimore.

Studime të tjera i përshkruajnë ndërmarrjet informale si parazitë që konkurrojnë në mënyrë të padrejtë dhe nëpërmjet mosrespektimit të rregullave në fuqi dhe nisur nga ky këndvështrim infomaliteti është një dukuri e cila duhet luftuar dhe jo të lihet e lirë të lulëzojë.

Të tjerë studiues si Lewis (1954), Harris dhe Todaro (1970), dhe kohët e fundit Rauch (1991) e shohin informalitetin si një efekt anësor të varfërisë në botë, dhe parë nga ky këndvështrim ndërmarrjet formale dhe informale janë krejtësisht të ndryshme.

Ndërmarrjet informale ndikojnë negativisht në ekonominë e një vendi sepse ato zakonisht janë më pak produktive si dhe nuk janë të prira për t’u përditësuar me teknologjinë e fundit, me ofrimin e shërbimeve qeveritare, si dhe janë të paafta për të tërhequr një forcë produktive dhe inteligjente të punës.

Ka një sërë studimesh mbi madhësinë e ekonomisë informale në Shqipëri, por bazuar mbi metodologjinë e diferencave të llogarive kombëtare, sektori informal në Shqipëri për periudhën 1996-2012 llogaritet në 36% të Produktit të Brendshëm Bruto, me një trend rënës nga viti 2007 (42% e PBB-së) deri në rreth 32.7% në vitin 2013.

Kuadri ligjor në fushën e konkurrencës zakonisht ka juridiksion mbi të gjithë aktivitetin ekonomik – duke përfshirë edhe aktivitetin e ndërmarrjeve informale. Megjithatë, ka vështirësi praktike në zbatimin e ligjit të konkurrencës në lidhje me ndërmarrjet informale. Prania e sektorit informal krijon probleme për përcaktimin e tregut përkatës dhe llogaritjen e pjesëve të tregut. Autoritetet e Konkurrencës mund të luajnë rol të dobishëm në evidentimin e shkaqeve të informalitetit duke bërë thirrje për iniciativa më të gjera qeveritare që kanë për qëllim përmirësimin e një kuadri rregullativ që ndikojnë në aktivitetin e ndërmarrjeve dhe konkurrencën në treg.

Konkurrenca e ushtruar nga ndërmarrjet informale dëmton ato formale në mënyra të ndryshme. Ndërmarrjet informale të cilat nuk ushtrojnë aktivitetin e tyre ekonomik konform kuadrit rregullativ ekonomik-ligjor në fuqi, ose të cilat nuk përmbushin detyrimet e tyre tatimore, janë të afta të zgjerojnë dhe të marrin pjesë të tregut nga ndërmarrjet formale, madje edhe kur ato janë më pak efikase në përgjithësi.

Shumë vende kanë shprehur shqetësime në lidhje me konkurrencën e pandershme nga sektori informal. Ndërmarrjet informale, jo në pak raste dëmtojnë seriozisht ecurinë dhe veprimtarinë ekonomike të ndërmarrjeve formale, duke shtrembëruar konkurrencën në treg.

Pavarësisht fushës së gjerë të zbatimit të ligjit të konkurrencës, ka vështirësi praktike në zbatimin e tij në lidhje me ndërmarrjet informale. I pakundërshtueshëm është edhe fakti se ndërmarrjet informale sigurojnë jetesën për miliarda njerëz dhe roli i tyre në zhvillimin ekonomik ngelet i padiskutueshëm.

Fakt i pakundërshtueshëm është dukuria që pothuajse të gjithë vendet hasin, sektorin informal brenda ekonomisë së tyre, i cili përbën një pjesë të konsiderueshme të GDP-së. Tregtia midis ndërmarrjeve formale dhe joformale mund të jetë e rëndësishme dhe konkurrenca ndërmjet ndërmarrjeve formale dhe joformale mund të zvogëlojë fuqinë e tregut të disa firmave në sektorin formal.

Kur firmat joformale nuk arrijnë të paguajnë taksat, kjo mund të çojë në një rreth vicioz të rënies së të ardhurave tatimore dhe një barrë tatimore në rritje në firmat e mbetura. Normat e larta të taksave mund të dëmtojnë produktivitetin e firmave të mëdha formale, si dhe nxitjen e tyre për të investuar.

Madhësia e ekonomisë informale varet nga disa faktorë: efektivitetin e përpjekjeve të zbatimit të qeverisë për të nxitur firmat të ushtrojnë aktivitetin e tyre ekonomik në përputhje me ligjet dhe rregullat, kostoja totale ekonomike që një firmë duhet të përballojë në mënyrë që të ushtrojë aktivitet në përputhje me ligjin dhe, përfitimet ekonomike që rriten për firmat që respektojnë kuadrin ligjor.

Për këtë arsye, nismat kundër formalitetit vlerësohen si përmirësuese të klimës së përgjithshme për zhvillimin e aktivitetit të sipërmarrjes dhe forcim të konkurrencës në tregun e brendshëm dhe konkurrueshmërisë me ekonomitë e rajonit, BE dhe më gjerë.

Fushata ndaj informalitetit dhe efektet në rritjen ekonomike

Të dhënat e raportit të FMN (IMF, Country Report No. 16/61, February 2016) paraqesin rritjen reale të Produktit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë krahasuar me vendet e rajonit nga ku rezulton se trendi i rritjes së ekonomisë sonë është një mesatare e rritjes së rajonit.

Sipas Fondit, ndërkohë rritja potenciale e Shqipërisë mbetet mbi rritjen reale dhe për këtë arsye, qeveria shqiptare që nga fillimi i vjeshtës së vitit 2015 është përfshirë në një fushatë shumëdimensionale në drejtim të formalizimit të ekonomisë gri me synimin kryesor rritjen e të ardhurave buxhetore dhe për pasojë rritjen ekonomike të Produktit të Brendshëm Bruto.

rritaj-reale-e-pbb

“Qeveria filloi një fushatë për rritjen e ndërgjegjësimit publik, zvogëloi gjobat ndaj bizneseve që formalizoheshin totalisht përpara fundit të 2015-s, si dhe krijoi një lotari kombëtare, që të motivonte klientët të pajiseshin me kuponin tatimor, raporton FMN.

Duke folur për ndryshimet ligjore, FMN thekson se ligji i Procedurave Tatimore u ndryshua në nëntor 2015, me synimin për të vendosur gjoba më të rënda për mospagimin e detyrimeve tatimore. “Për të rritur përforcimin edhe më tej, 500 inspektorë të rinj tatimorë janë punësuar. Një task forcë e drejtuar nga Kryeministri monitoron përpjekjen dhe rezultatet mbi baza javore dhe promovon bashkëpunim më të ngushtë mes administratorëve të taksave dhe doganave”, citon raporti.

Rezultatet paraprake të fushatës informalitet tregojnë një rritje impresionuese në numrin e punonjësve të regjistruar dhe formalizimit të bizneseve të vogla. Ndërmjet gushtit dhe shtatorit 2015, numri i punonjësve dhe të vetëpunësuarve të regjistruar u rrit me mbi 70,000, një rritje prej 14% krahasuar me fundin e 2014-s. Numri i bizneseve të regjistruar u rrit me më shumë se 33,000 gjatë së njëjtës periudhë, një rritje prej 35% krahasuar me fundin e 2014.

Gjithashtu, përdorimi i kasave fiskale dhe lëshimi i faturave tatimore përkatëse është rritur dukshëm. Për shkak të një monitorimi më të mirë të xhiros vjetore, administrata taksore ka riklasifikuar rreth 3,600 biznese në nivele më të larta taksimi. Sipas llogaritjeve të FMN-së, të ardhurat nga kontributet sociale nga punonjësit e rinj të regjistruar përllogariten të rriten deri në 0.25% e GDP-së në 2016.

“Përfitimet e tjera janë më pak të sigurta në këtë fazë. Shumica e bizneseve të reja klasifikohen ende si biznese të vogla me një ndikim të kufizuar në nivelin e të ardhurave. Në mënyrë virtuale nuk ka pasur asnjë rritje në deklarimet e xhiros vjetore nën regjimin e TVSH-së”, shkruante raporti i FMN-së.

FMN nënvizonte se në mënyrë virtuale nuk ka pasur asnjë rritje në deklarimet e xhiros vjetore nën regjimin e TVSH-së, por në kohën e raportit nuk ishin publikuar statistikat fiskale, të cilat tregojnë qartësisht se për periudhën janar 2015-janar 2016: (i) totali i të ardhurave është rritur me 25% nga të cilat: (a) rritja nga të ardhurat tatimore 29.7% dhe rritja nga TVSH 7.5%.

Shifrat e janarit janë inkurajuese

FMN rekomandon se për një rritje domethënëse të të ardhurave, autoritetet duhet të ndjekin në mënyrë më rigoroze një legjislacion modern për menaxhimin e riskut të zbatimit si pjesë e një strategjie të gjerë për të përmirësuar zbatimin. Kjo është një përpjekje afatmesme që kërkon identifikimin e riskut të zbatimit dhe auditimin e ndërmarrjeve mbi bazën e riskut. Të dhënat fillestare kanë filluar tashmë. Ndërsa rritja e të ardhurave si pasojë e kësaj përpjekjeje do të kërkonte më shumë kohë që të materializohej, implementimi i kësaj strategjie është shumë i rëndësishëm për të arritur një rritje të qëndrueshme të të ardhurave.

RREGJISTRIMI-I-TAKSAPAGUESEVE

Mjedisi i biznesit si burim i rritjes ekonomike

Tashmë është gjerësisht e pranuar se sektori privat, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, zë rreth 85% të PBB-së. Ndaj dhe në mënyrë proporcionale, rritja ekonomike e PBB-së vjen nga sektori privat në 85% të saj dhe 15% nga sektori publik. Struktura e ekonomisë shqiptare ka përcaktuar si potenciale të rëndësishme për një zhvillim të qëndrueshëm sektorët e shërbimeve, kryesisht turizmit, bujqësinë, industrinë energjetike dhe ndërtimin sipas peshës specifike që kanë në PBB.

Përpjekjet për përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe klimës së investimeve në vend janë në zhvillim. Në të njëjtën kohë, të dhënat nga sondazhet e kohëve të fundit, përfshirë dhe Sondazhin e Performancës së Mjedisit të Biznesit dhe Ndërmarrjeve të BERZH-it/Bankës Botërore (BEEPS), theksojnë vështirësitë e vazhdueshme për bizneset lidhur me konkurrencën e padrejtë nga sektori i madh informal dhe korrupsioni – të gjitha çështje të cilat vijnë si rezultat i dështimeve më të gjera qeveritare, si dhe fenomene të rrënjosura që janë në krye të përpjekjeve të qeverisë aktuale për reforma.

Dobësia në sistemin gjyqësor, mungesë e qartë e të drejtave të pronësisë, si dhe korrupsioni dhe konkurrenca e padrejtë nga sektori informal janë pengesat kryesore për zhvillimin e biznesit sipas raportit të BERZH për Shqipërinë të muajit janar 2016.

BERZH e lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë mbështetjen e zhvillimit të një sektori privat me bërjen e tregut më konkurrues dhe merr shembujt e sektorit të energjisë elektrike, ku rritja e konkurrencës nga sektori privat si në prodhim dhe në furnizimin me pakicë të energjisë.

Risi në politikat ekonomike të Shqipërisë, sipas BERZH, është rritja e komercializimit, konkurrencës dhe përfshirjes së sektorit privat në infrastrukturë, përgjatë projekteve të synuara në sektorin publik. Më konkretisht, sektori i hekurudhave ka njohur për herë të parë hyrjen e sektorit privat, ndërsa sektorë të tjerë të ekonomisë janë nën maninë e Partneritetit Publik-Privat (PPP) disa tashmë si marrëveshje të konsoliduara me ligj ose vendim të Këshillit të Ministrave dhe disa të tjera në proces. Qeveria ka njoftuar FMN se po harton një regjistër për koncesionet dhe sektorët e ekonomisë ku janë më prezente PPP janë transporti (ajror dhe detar), energjia(prodhimi hidro), shëndetësia, shërbimet fiskale(skanimi në dogana dhe platforma për TVSH), etj.

Si konkluzion ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes informalitetit dhe konkurrencës në treg dhe rritjes ekonomike. Formalizimi i ekonomisë sjell rritje të presionit konkurrues mes firmave në treg, por mund të sjellë pasoja në rritjen e çmimeve dhe përkeqësimin e situatës konsumatorëve, si pasojë e rritjes së kostove për bizneset që kalojnë nga informaliteti në formalitet.

Për shkak të nivelit relativisht të lartë të ekonomisë shqiptare në 20 vitet e fundit (me një mesatare rreth 37% të PBB-së), fushata kundër informalitetit që filloi në vjeshtën e vitit 2015 dha disa efekte kryesisht në rritjen e numrit të punonjësve të deklaruar, rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, përdorimit të kasave fiskale por nuk ka të dhëna të konfirmuara mbi ndikimin në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) dhe rritjen ekonomike.

Autoritetet shqiptare shprehen se rritja e të ardhurave në buxhet dhe PBB-së pasojë e fushatës antiinformalitet do të kërkonte më shumë kohë që të materializohej, por gjithsesi FMN inkurajon qeverinë se implementimi i kësaj strategjie është shumë i rëndësishëm për të arritur një rritje të qëndrueshme të të ardhurave.

Përtej formalizimit, mjedisi për biznes në kushtet e rritjes së presionit të vendeve fqinje nëpërmjet uljes së taksave, kërkon përmirësime thelbësore sipas BERZH, në raportin e fundit për Shqipërinë për vitin 2016, ndërkohë që risi janë marrëveshjet e Partneritetit Publik Privat, jo vetëm në sektorët klasikë, si energjia apo infrastruktura rrugore ku shfrytëzohet kapitali dhe teknologjia e sektorit privat, por edhe në sektorë të shërbimeve.

Të dhënat e janarit 2016 janë inkurajuese se efektet e luftës ndaj ekonomisë informale janë formalizuar në më shumë të ardhura në buxhet dhe për këto arsye nëse vijon ky trend efekti në Produktin e Brendshëm Bruto, nëpërmjet investimeve publike do të rritej dhe shifra e parashikuar e rritjes ekonomike duhet të korrigjohet për një rritje më të fortë.

Leave a Reply