34ytpag“Shumë, shumë kohë më parë, në ngjizje të kësaj bote, NJERIU gëzonte një fuqi hyjnore.  Me kalimin e kohës, njeriu, si krijesë jo-perfekte, filloi të abuzojë me fuqinë e vet hyjnore saqë njerzimi po shkonte drejt një vetëshkatërrimi. Mblidhet Krijuesi me Engjëjt e vet dhe po kuvendonin për heqjen dhe fshehjen e kësaj shkëndije hyjnore që njeriu dispononte:
– të fshehim fuqinë hyjnore të njeriut në një pus shumë të thellë – tha i pari,
– do të vijë një ditë që njeriu do të gërmoje shumë thellë e do ta gjejnë – iu përgjigj Krijuesi;

– të fshehim fuqinë hyjnore të njeriut në fund të oqeanin më të thellë – tha i dyti,
– do të vijë një ditë që njeriu do të eksplorojë thellësitë e oqeaneve – iu përgjigj Krijuesi;

– të fshehim fuqinë hyjnore të njeriut në Hënë – propozoi i treti,
– do të vijë një ditë që njeriu do të shkelë edhe në Hënë – iu përgjigj Krijuesi;

S’paska vend që s’arrin njeriu – mërmëriti një tjetër me lehtësi !
Duhet diku, diku që njeriut nuk i shkon mendja – tha Krijuesi – fuqinë hyjnore të njeriut do ta fshehim në …THELLËSI TE VET NJERIUT… “           kështu rrëfen një gojëdhënë antike induiste.

Elon Musk, me SpaceX-in e tij po punon bindshëm të “pushtojë” jo Hënën, por Marsin, duke bërë të mundur arritjen dhe qëndrimin atje, në “kampingje” marsiane. Të gjithë kemi ndjesinë që mijëvjeçari i saponisur me revolucionin dixhital në akt, impaktin më të madh, veç thjeshtëzimit të proçeseve të ndërveprimit të gjithçkaje në kohë dhe hapësirë, e ka edhe në modelet e reja dhe teknikat e të të menduarit njerëzor. Sot ne treg, më shumë se kurrë, presupozohet i suksesshëm një produkt ose një shërbim i caktuar, nevoja e të cilit nuk ekzistonte ende në vetëdijen tonë, d.m.th. dikushi po mendon e prodhon dicka përtej imagjinatës sonë.

Mirë se erdhe, Ekonomi e Dijes !

Po çfare është Dija ?

Në papërsosmërinë e të të menduarit, mund të themi që dija është organizimi dhe përdorimi i njohurive, të testuara nga koha ose ne pritje testimi dhe këto njohuri shtrihen në tre shtresa nënpërfshirëse, detyrimisht ndërvepruese brenda llojit dhe niveleve, rend sipas forcës mbizotruese te ligjësive dhe madhësisë, përkatësisht:

  • Bota fizike me ligjësitë universale përkatëse, prej miliarda vjetësh;
  • Bota biologjike planetare me karakteristikat përkatëse, prej miliona vjetësh;
  • Bota njerëzore, dalë më vonë, nën varësinë e dy të parave, në papërsosmërinë evolutive të ligjësive të saj e në kërkim të njohjes të së vërtetës së tre niveleve.

Thashë gjithçka dhe asgjë, thjesht për tu orientuar në një hapësirë pa fund dijeje.

Ku mund të gjendet Dija?

Veç formimit akademik dhe të të urtëve në kontakt, dija e vërtetë qëndron në distancë të barabartë për të gjithë, me një ‘click’ mund të lexojmë librat, shkrimet apo videot e mendjeve më të ndritura të planetit, ngelet  vetëm të zgjedhim si dhe çfarë të mësohet. Dikush thotë që gjenijtë e ardhshëm do “mbijnë” diku nga fshatrat e panjohura të Indisë apo Azisë, falë kësaj qasje të hapur globale të erës dixhitale të informacionit. “Nyjet arrijnë në krehër”, në fazën e konkretizimit të dijes në praktikë, konkretizim në një projekt ekonomik ose në një START UP të suksesshëm, sepse veç tekniciteteve profesionale, karakterit të farkëtuar për të marr përsipër risk dhe traditës demonizuese të sipërmarrjes që trashëgojmë,  sfida e përditshme është  shumë e vështirë dhe me shumë të panjohura.

Shkrimi ka si bashkëbisedues Individin, në moshë relativisht të re, pa i ulur rëndësinë tregut, institucioneve dhe aktorëve të tjerë. Individin, sepse çdo ide dhe veprim, në mirë apo keq, nis me individin e më pas mund të marrë përmasa shoqërore apo globale, moshën e re sepse është kurajoze dhe në kohë me u ripërtërirë edhe më e aftë, nga tentativat fillestare me probabilitet të lartë jo-suksesi. Nuk po kërkohet për të dhënë receta e për të bërë interesantin, po tentohet vetëm për të vënë në lëvizje mekanizmat racionalë dhe emotivë brenda Unit, për të arritur një status kreativiteti, si zanafillë e ADN-së së gjithçkaje të suksesshme. Duke u nisur nga individi po tentohet nxitja e kulturës se ‘startup’-ve inovative dhe tradicionale, si një status simbol i lartë shoqëror e meritokratik, si shpresë dhe fidanishte e ekonomisë së të ardhmes, si konkretizim i ‘know-how’ të një vendi, që po kërkon të ripërtërihet nga gjymtimi i tunelit 500 vjeçar.

Ankesat mbi problemet/vështirësitë sistemike/shoqërore nuk pranohen, përkundrazi ata janë ‘lënda e parë’ shtysë-mundësi që presin zgjidhjet tona efikase, kreative e shpërblyese, shpërblyese në mirënjohje sociale dhe në portofol, si pasojë e krijimit të vlerës së shtuar për shoqërinë, e cila dekreton vërtetësinë e suksesit, shpesh edhe pas vdekjes. Këtu po flasim vetëm për cilësinë e një fidani, përtej cilësisë së diskutueshme të terrenit.

Po flasim për një jetë sipërmarrësi autentik, atë që organizon kapital, punë, mjete e dije në respekt të normave në fuqi, nuk po flasim për “ishuj qetësie parazitësh me para”, por për “kapitenë në det të hapur dhe të trazuar”, heronjtë e vërtetë të kësaj epoke. Heronj, sepse janë ata që kanë kurajo të marrin risk mbi vete, janë “kuajt që tërheqin karron” dhe amortizatorë të cikleve ekonomike negative, janë ata që i japin sistemit soliditet ndërthurrës. Gjithashtu, ata kanë qenë dhe janë kapitenët kurajozë që prekin horizonte të panjohura në hapësirë dhe dije, atje ku politika dhe juridiksioni janë një hap pas e nguten t’i arrijnë.

Kurrë më parë në historinë njerëzore bota ka qenë kaq e prekshme nga të gjithë dhe Ju kurrë nuk mund të dini potencialin që përcillni, nëse nuk e vini në provë !

Pse mos besoni që idea e produktit ose shërbimit Tuaj  cilësor on/off line mund të jetë potencialisht i suksesshëm, madje global?  Pse mos besoni që Mesdheu mund të rikthehet në një hapësirë kyçe Lindje-Perëndim-Afrikë si para 500 vjetësh? Pse mos të jemi brezi i kthesës dhe i mundësive të mëdha?

Me racionalitet, Ju qetësisht mund të arrini nga pika A në pikën B, ndërsa me shkëndijën e  imagjinatës mund të prekni çdo horizont.

Ёndërroni, mundësisht ditën, me krahë të përveshur,  ndërsa natën … shtrihuni me fjet me një problem për zgjidhje e shpesh mund të zgjoheni me një “llambushkë jeshile” zgjidhjeje, sepse truri punon edhe kur flemë.

Ndoshta këtë kishte në mendje në vargjet e veta, Naimi (ai i Rilindjes së Parë) ?

Tagged with:
 

One Response to Kapitenët kurajozë

  1. Paola says:

    Artikull i goditur 🙂

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.