cili eshte dembeli 2Mungojnë profesionistët apo bizneset nuk po hapin vende pune. Cilët janë “fajtorët” e rritjes së papunësisë. Si ekonomia, edhe pas 25 vitesh tranzicion, është ende e mbështetur te vetëpunësimi, kryesisht në tregti e shërbime. Ulja e produktivitetit dhe mbizotërimi i sektorëve me vlerë të shtuar të ulët, po kërcënojnë konkurrueshmërinë në afatin e gjatë, ndërsa po mungon vizioni i qeverisë për të orientuar arsimin e lartë drejt sektorëve që do t’u jepet prioritet në të ardhmen. Biznesi nuk po shfrytëzon kapacitetet ekzistuese, jo më të investojë për t’i zgjeruar ato çka do të mundësonte hapjen e vendeve të reja të punës. Ja lista e 100 punëdhënësve më të mëdhenj.

Punonjësit e Digicom, një kompani e specializuar në fibrat optike, kanë mbetur të befasuar nga niveli i aplikantëve në Panairin e Punës 2016, që u zhvillua në data 28-30 prill. Ndërsa kishin pasur aplikime nga persona me përvojë mbi 15-vjeçare dhe të arsimuar në informatikë e shkenca të tjera ekzakte, shprehën keqardhjen që nuk mund të plotësonin kërkesat e të gjithëve.

Një përfaqësuese italiane e kompanisë së konsulencës telefonike, “Consulcesi”, është e habitur nga aftësia e shqiptarëve për të folur gjuhë të huaja. “Kërkojmë 6 punonjës telefonikë dhe një IT”, thotë ajo.

Kompanitë e qendrave telefonike janë kthyer për momentin në burimin më të madh të punësimit në vend. “Teleperformace”, edhe ajo pjesëmarrëse në panair, kërkon 500 punonjës të rinj, pasi planifikon të hapë një qendër të re shërbimesh. Punonjës që nuk do t’i ketë shumë të vështirë t’i gjejë, madje edhe me arsim të lartë, teksa çdo vit i shtohen tregut të punës rreth 40 mijë të diplomuar, sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit.

Shifrat e INSTAT-it flasin për gati 174 mijë studentë në total, që ndiqnin arsimin e lartë në vitin akademik 2013/2024, 80% e të cilëve në universitetet publike. Duke lënë mënjanë cilësinë e arsimit, të paktën në shifra, të rinjtë shqiptarë janë të etur për dije. Sipas krahasimeve ndërkombëtare, “grupmoshat përfshirë në arsim”, Shqipëria e ka këtë tregues për arsimin e lartë 67%, më mirë se Anglia, Rumania, Franca, Italia, Gjermania e Zvicra dhe më ulët se vendet skandinave si Norvegjia, Suedia etj.

Krahasime ndërkombëtare: Grupmoshat përfshirë në arsim/arsimi i lartë (%)

Por, kësaj prurjeje të madhe (ofertës) të studentëve të diplomuar i përgjigjet në kahun tjetër një kërkesë e cunguar dhe e parakorduar me dijet, që pjesa më e madhe e tyre kanë marrë në 3-5 vitet e shkollës. Ndaj është e pashmangshme që shumë studentë, ka të ngjarë të zhgënjehen kur të mbrojnë arsimin, teksa do të duhet të përballen me një të vërtetë të hidhur: sektorët kryesorë që po gjenerojnë vende pune janë ata që kanë një vlerë të shtuar dhe produktivitet të ulët, si rrjedhojë dhe pagesa jo të larta, që nuk i justifikojnë vitet e shpenzuara për sigurimin e dijeve specifike. Dhe jo të gjithë arrijnë të gjejnë punë. Shkalla e papunësisë në fund të vitit 2015, sipas ankesës së forcave të punës së INSTAT, për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 33,2%, (32,3% për meshkujt dhe 34,7% për femrat). Krahasuar me vitin pararendës, shkalla e papunësisë së të rinjve pësoi një rritje prej 0,7 pikë përqindje.

Në total, papunësia në fund të 2015-s arriti në 17.7%, me një rritje të lehtë radhazi në tremujorin e tretë dhe të katërt.

Si për ironi, papunësia u rrit ndjeshëm në 2015-n tek kategoria me arsim të lartë, që “konkurron” me të papunët me arsim të mesëm.

papunesia-sipas-grupmoshave 1

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

shkalla-papunesise 2

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Sektorët, që po hapin vende pune dhe ata që po i tkurrin

Të dhënat e 100 punëdhënësve më të mëdhenj për 2014-n (të fundit të disponueshme) tregojnë se dy sektorët kryesorë që po gjenerojnë vende pune vitet e fundit janë fasoni dhe call center, të dy që kanë si avantazh shfrytëzimin e kostos së lirë të fuqisë punëtore, në raport me vendet e zhvilluara (shiko tabelën Tabela: Renditja e 100 kompanive më të mëdha, sipas numrit të të punësuarve).

Call center është ende në periudhë lulëzimi dhe do të ruajë avantazhin krahasues të kostos së lirë të fuqisë punëtore dhe njohurisë së gjuhëve të huaja edhe për një kohë të gjatë. Ndërsa e ardhmja e sektorit fason mbetet e paqartë, teksa avantazhi i punës së lirë po zbehet për shkak të shtimit të barrës fiskale dhe rritjes së vazhdueshme të pagës minimale.

Kompani të tjera të mëdha private, të fokusuara në industrinë e rëndë, si Albpetrol, Bankers Petroleum, Simmons Edeco Limited, që ishin punëdhënës të mëdhenj në 2014-n, nuk pritet të jenë agresivë për shkak të koniunkturës së pafavorshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Sipërmarrje të tjera të industrisë së rëndë kanë falimentuar tashmë, si p.sh. Kurum, që kishte në 2014-n rreth 700 punonjës, apo ARMO (praktikisht i pezulluar), që ishte punëdhënësi i shtatë më i madh në vend në 2014-n dhe numëronte mbi 1200 të punësuar.

Bankat, që mbeten vendi më interesat dhe i lakmuar i punës, për këdo që ka mbaruar arsim të lartë, sidomos ekonomik, prej vitesh nuk po tregohen agresive në zgjerimin e aktivitetit e si rrjedhojë kanë një rritje minimale të numrit të të punësuarve, duke arritur në rreth 6900 në fund të vitit 2015.

punesimi-sistemi-bankar 3

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Sipërmarrjet e telekomunikacionit janë gjithashtu në fazë stanjacioni, teksa rritja e të ardhurave është ngadalësuar ndjeshëm. Vodafone p.sh., kishte 414 të punësuar në 2014-n, nga 410 një vit më parë. Albanian Mobile Communication e ka reduktuar numrin e punonjësve në 2014-n, në 438, nga 471 në 2013-n. Albtelecom, pasi është bashkuar me Eagle Mobile dhe ka optimizuar shpenzimet, i ka reduktuar punonjësit nga 1931 në vitin 2013, në 979 në vitin 2014.

Pozitivisht në punësimin e mjekëve vitet e fundit ka ndikuar zhvillimi i spitaleve private.

Nga 100 punëdhënësit më të mëdhenj në vend në 2014-n, 51 prej tyre janë sipërmarrje private (dy prej të cilëve janë të falimentuar aktualisht). Pra janë vetëm rreth 50 kompani private në vend, që kanë mbi 300 të punësuar. Sipërmarrjet e mëdha janë ato që kanë potencial më të lartë investues, janë më konkurrues për shkak të ekonomisë së shkallës dhe më rezistente ndaj goditjeve ciklike të krizës. Dhe të tilla tek ne numërohen me gishta.

Sot, ndërmarrjet më të mëdha për sa u përket të punësuarve janë ato shtetërore, si OSHEE, KESH, apo drejtoritë arsimore.

Vizioni për të ardhmen, i kujt është faji që oferta nuk përputhet me kërkesën

Një kërkesë e “Monitor”, drejtuar Ministrisë së Arsimit, pak javë më parë, se si ata po planifikonin të përshtasnin kurrikulat e universiteteve me sektorët që shiheshin me prioritet për të ardhmen, apo tërheqjen e investimeve të huaja potenciale, nuk mori përgjigje. Pyetja u konsiderua e vështirë dhe na adresuan te Ministria e Punës, që është angazhuar së fundmi në një fushatë për zhvillimin e arsimit profesional, por kryesisht atij të mesëm.

Ndërkohë, një sërë investitorësh të huaj kanë shfaqur interes për të hyrë në tregun shqiptar, por planet e tyre janë prishur edhe nga mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar. CapCon, Johnson Control dhe Lear kanë studiuar tre vitet e fundit tregun shqiptar për të hapur linjat e tyre të prodhimit, në kërkim të kostove më të lira të fuqisë punëtore. Tani të tre kompanitë në fjalë kanë hapur aktivitetet në Maqedoni, duke punësuar mijëra persona.

Andronaq Londo, dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, pohon se Shqipëria e ka humbur konkurrueshmërinë në burimet njerëzore, që duhen për të përballuar kërkesat e gjigantëve botërorë të industrisë. Londo pohoi se aktualisht, sistemi arsimor i lartë, konkretisht inxhinieria mekanike, i ka mundësitë e kufizuara për shkak të mungesës së theksuar të infrastrukturës dhe laboratorëve. Një inxhinier i mirë nuk mund të mjaftohet vetëm në aspektin teorik, tha Dekani. Ai pohoi se universiteti përpiqet t’u shkojë pas prioriteteve të qeverisë. Në këtë periudhë është parë se, ekonomia po orientohet drejt prodhimit dhe zgjerimit të tregut të energjisë, ndaj edhe studentët janë këshilluar të diplomohen në degë të inxhinierisë elektrike. Londo tha se qeveria duhet të ketë një prioritet të qartë dhe shumëvjeçar në mënyrë që edhe sistemi arsimor universitar t’u përgjigjet nevojave reale të tregut. Por profesori pohon se, është shumë e rëndësishme që qeveria të orientojë arsimin e mesëm profesional, si hallka kryesore për të formuar krahun e kualifikuar të punës për të cilin ekonomia në këto momente ka shumë nevojë.

Teknologjia e informacionit është një tjetër sektor që mund të tërhiqte investime me vlerë të shtuar në vend. Dekania e Fakultetit të Informacionit dhe të Teknologjisë, Rozeta Miho, tha se këto dy vitet e fundit, shumë kompani të huaja janë interesuar pranë fakultetit për të kontraktuar në punë programues. Dekania tha se në Shqipëri, tregu i punës nuk ofron rroga stimuluese për burimet njerëzore shumë të kualifikuara. Duke qenë se Europa është afër gjeografikisht me Shqipërinë, gjithnjë e më shumë studentët e mirë zgjedhin të punojnë jashtë Shqipërisë. Ajo tregoi se kapaciteti vjetor i diplomave është rreth 180 studentë në vit për të tre degët e TIK-ut.

Mungesa e infrastrukturës në universitete që nga sallat e mësimdhënies dhe laboratorët e kufizojnë fakultetin të prodhojë punonjës IT, nëse nga ana tjetër do të kishte një kërkesë gjithnjë e në rritje. Politikat qeveritare duhet të jenë stimuluese edhe në këtë drejtim pohoi ajo.

Miho tha se modeli turk i universiteteve është për t’u marrë në konsideratë. Atje universitetet e IT kanë pronësi toka, ku ftojnë kompanitë të zhvillojnë aktivitetin. Në këtë mënyrë, edhe kompania merr shërbime me kosto të lirë dhe studentëve u mundësohet praktika më e mirë e mundshme.

Diana Leka, kryetarja e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve, thotë se bizneset e call center, që janë zhvilluar shumë vitet e fundit, mund të shërbejnë shumë mirë si urë për të zhvilluar më tej ngritjen e bizneseve me bazë të IT-së në vend. “Infrastruktura dhe rrjeti në këtë drejtim tashmë është ngritur dhe mundësitë për të trajnuar të rinjtë, që do të jenë edhe forca e punës në këtë fushë, janë shumë të mira. Mendoj që Shqipëria e ka një shans në këtë drejtim çka garanton një rritje jo vetëm të investimeve të huaja por edhe të të ardhurave për të punësuarit në këtë sektor. Qeveria mund të nxisë në këtë drejtim, duke ofruar incentiva të ndryshme në lehtësim fiskal apo mbështetje për punësimet e reja dhe trajnimet e stafit. Ndërkohë duhet të bëhet edhe lidhja me sistemin arsimor, i cili të përgatisë profesionistë cilësorë në sektorin e IT-së ku të mundësohet lidhja me bizneset dhe ofrimi i praktikave të punës”, rekomandon znj. Leka.

Dhe në fakt, një vizion i tillë i qeverisë për të orientuar arsimin drejt sektorëve me potencial për të tërhequr investimeve dhe për të rritur vlerën e shtuar ka munguar në vite dhe po vazhdon të mungojë, teksa rruga më e thjeshtë është gjetur duke “fajësuar” shqiptarët, të etur për dije e për të mësuar gjuhë të huaja, si “dembelë”.

Tagged with:
 

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.