cili eshte dembeli 2Pjesa I

Cili është dembeli?!
Vizioni i qeverisë për të orientuar arsimin drejt sektorëve me potencial për të tërhequr investimeve dhe për të rritur vlerën e shtuar ka munguar në vite dhe po vazhdon të mungojë, teksa rruga më e thjeshtë është gjetur duke “etiketuar” shqiptarët, të etur për dije e për të mësuar gjuhë të huaja, si “dembelë”.

Edhe sa kohë do të mbijetojnë dyqanet e vogla 

Hapja e një dyqani në lagje, me qira, apo në pronësi, ka qenë në vite një formë vetëpunësimi për pjesën më të madhe të shqiptarëve, që në mungesë të alternativave të tjera, i kanë dalë për zot vetes.
Sipas të dhënave të Anketës Strukturore të INSTAT, për vitin 2014, tregtia me pakicë ka numrin më të madh të të punësuarve në vend, me rreth 52 mijë, nga të cilët 30 mijë, apo 60% janë të vetëpunësuar, raporti më i lartë i të vetëpunësuarve nga të gjithë sektorët. Por, vitet e fundit, ky sektor nuk po arrin të gjenerojë më fitime të larta, për shkak të shtimit të konkurrencës nga qendrat tregtare dhe supermarketet dhe rënies së fuqisë blerëse. Presioni për t’u formalizuar nga ana tjetër po i nxjerr zbuluar shumë prej këtyre bizneseve të vogla, që po gjenden në dilemën nëse do të arrijnë të mbijetojnë në këtë mjedis të vështirë dhe shumë kanë filluar të mbyllen.

Shërbimi ushqimor (kryesisht restorante e bar-kafe) janë sektori tjetër që shumë familje kanë gjetur për të mbijetuar, por që dhe ai po vuan krizën e konsumit.

Kategoria “Shërbime të tjera” ka pasur ecurinë më të mirë në 2014-n, për hapjen e vendeve të reja të punës, i nxitur nga zgjerimi i aktiviteteve të call center.

Ndërtimi është sektori i katërt më i madh punësues në vend, edhe ai i gjendur nën presion, teksa është prej vitesh në fazë maturimi. Në tremujorin e parë të 2016-s, ndërtimi ndikoi ndjeshëm në uljen e besimit në ekonomi, duke paralajmëruar ditë të vështira për punësimin në të ardhmen. Shpresa e vetme e tij janë punët publike dhe gazsjellësi TAP.

grafiku 1

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Rrethi vicioz i punësimit – Nga do të vijë rritja

-Industria nxjerrëse është në vështirësi për shkak të rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare
-Tregtia me pakicë, që ka numrin më të madh të të (vetë)punësuarve në vend, po vuan konkurrencën nga qendrat tregtare, rënien e konsumit dhe presionin e formalizimit, duke bërë që shumë dyqane në shkojnë drejt mbylljes
-Bankat janë në stanjacion prej vitesh
-Sektori i telekomunikacioneve po e optimizon numrin e punonjësve
-Investimet e huaja, që do të sillnin kapital të freskët dhe vende të reja pune nuk po duken, teksa klima në vend, sipas deklaratave të tyre, mbetet e rënduar
-Biznesi nuk po shfrytëzon kapacitetet ekzistuese, jo më të investojë për t’i zgjeruar ato çka do të mundësonte hapjen e vendeve të reja të punës
– Mungon vizioni i qeverisë për të orientuar arsimin drejt sektorëve me potencial për të tërhequr investimeve dhe për të rritur vlerën e shtuar
-Shpresa mbetet te zhvillimi i mëtejshëm i call center, mbijetesa e fasonit, zgjerimi i shërbimeve dhe investimet e fundit në gazsjellësin TAP dhe hidrocentralin e Devollit.
-Shqipërisë i mungojnë punëdhënësit e mëdhenj privatë. Vetëm 50 sipërmarrje kanë më shumë se 300 punonjës.

Bizneset nuk investojnë, ulin shfrytëzimin e kapaciteteve, nuk pritet hapje e vendeve të reja punës

Bizneset kanë ulur më tej normën e shfrytëzimit të kapaciteteve gjatë tremujorit të parë të vitit. Në një anketim të fundit, Banka e Shqipërisë referon se normat e shfrytëzimit në katër sektorët kryesorë të ekonomisë kanë rënë shumë poshtë mesatares historike, duke lajmëruar kështu për një situatë jo të mbarë në rritjen afatmesme ekonomike dhe në eksportet e këtij viti.
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri shënoi vlerën 69.0% në tremujorin e parë, 2.9 pikë përqindje më e ulët se mesatarja historike. Banka e Shqipërisë tregon se, bizneset e industrisë i kanë shfrytëzuar më pak kapacitetet e tyre, në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2015 (me 4.6 pikë përqindje).

Kjo ecuri në sektorin e industrisë është shkak i çmimeve të ulëta të naftës në tregun ndërkombëtar, çka ka nxitur kompanitë Bankers Petroleum, Albpetrol dhe koncesionarët e tjerë të naftës të mbajnë prodhimin në nivele të ulëta.

Por situata duket se nuk është aspak optimiste edhe për sektorin e ndërtimit. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në këtë sektor gjatë tremujorit në analizë, vijoi rënien. Aktualisht kjo normë shënon nivelin 54.7% ose 9.5 pikë përqindje më pak se mesatarja historike e saj. Në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë, kjo normë është 2.5 pikë përqindje më e ulët. Ekspertët e tregut pohojnë se pas një përmirësimi në gjashtëmujorin e dytë të vitit, rritja e taksave në sektorin e ndërtimit (dyfishimi i taksës së ndikimit në infrastrukturë nga 4 në 8%, e cila vilet jo më mbi koston po mbi shitjen) ka përkeqësuar klimën e biznesit në sektor. Shumë objekte të nisura vitin që shkoi kanë pezulluar punimet për shkak të taksave të reja.

Gjithashtu, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve nga bizneset e shërbimeve rezultoi 68.0% në tremujorin e parë, duke shënuar një rënie të fortë prej 7.2 pikësh përqindjeje krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe prej 4.9 pikësh përqindjeje krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti shënoi rënie me 5.7 pikë përqindje, duke qëndruar në nivelin 73.5% në tremujorin e parë të vitit 2016. Bizneset rezultojnë të kenë shfrytëzuar kapacitetet e tyre me një normë 5.2 pikë përqindje më të ulët se norma mesatare historike dhe 2.3 pikë përqindje më të ulët se norma e së njëjtës periudhë një vit më parë.

Tregtia dhe shërbimet janë vënë në presionin e konsumit të dobët. Treguesi për herë të parë pas dy dekadash ra në nivele negative më 2015.

E teksa bizneset nuk shfrytëzojnë kapacitetet që kanë, është vështirë që ata të investojnë për të ngritur të reja, çka nënkupton më pak vende të reja pune në të ardhmen.

grafiku 2

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

grafiku 3

 

Tagged with:
 

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.