123Më së fundi “Statistika të Sigurimeve Shoqërore  Viti 2015”, u botuan. Publikimi  i tyre mbetej një kërshëri, për ekonomistët, si për faktin se publikimi  Statistika të Sigurimeve Shoqërore, Janar -Shtator 2014, nuk u përsërit për vitin 2015, por dhe për faktin se publikimi i Statistikave Fiskale Dhjetor e për gjithë vitin 2015 nuk është bërë ende nga Ministria e Financave. Por kjo nuk ishte arsyeja  e vetme. Kërshëria për to kishte dhe ka të bëjë para së gjithash e mbi të gjitha, me faktin se ndërsa treguesit fiskal  të të ardhurave të buxhetit të konsoliduar të buxhetit të shtetit gjatë gjithë vitit 2015 mbetën shumë të ulëta krahasuar me buxhetin e programuar, me arritjet e vitit 2014 dhe ritmin e rritjes krahasuar me vitin paraardhës, në të njëjtën kohë  flitej dhe flitet se punësimi (ose më saktë punonjësit e formalizuar) gjatë viteve të kësaj maxhorance ka qënë jo pak, por në nivelet e 170 mijë vetë!? Ndërkohë ky tregues  jo vetëm që është pritur me skepticizëm nga mjaft studiues e gazetarë,  por nuk  ishte dhe nuk është konfirmuar nga INSTAT, nga të dhënat e publikimit tre mujor ”Punësimi sipas burimeve administrative dhe sektori bujqësor”. Sipas këtij burimi shtesa e të punësuarve në sektorin jo bujqësor, në tremujorin e katërt të 2015, ndaj tremujorit të tretë të vitit 2013, është 106847 vetë, ndërsa  ndaj atij të tremujorit të dytë  2013 është 113193 vetë. Për rrjedhojë interesi për to, për të kuptuar më saktë sa çfarë po ndodh me ekonominë shqiptare, ishte dhe mbetet mjaft i lartë.

I

Referuar publikimeve të mësipërme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe pikërisht tabelës “Kontribues të sigurimeve shoqërore në vite”, rezulton se, krahasuar me Shtatorin 2013, numri i mësipërm i të punësuarve, referuar subjekteve publike, private dhe të vetpunësuar, pra sektorëve jo bujqësorë, që kanë paguar dhe kontributet e sigurimeve shoqërore (ose më saktë punonjësve të formalizuar) rezulton të jetë shtuar me 148 564 vetë. Ndërsa  krahasuar me Qershorin 2013  rezulton që shtesa për subjektet e mësipërme, ka qenë 166715 vetë. Pra mund të thuhet se në tërësi  numri  i të punësuarve-punonjësve të formalizuar, pas zgjedhjeve të Qershorit 2013  i shpallur dhe reklamuar  nga Qeveria, në tërësi konfirmohet.  Për më tepër edhe nga më skeptikët mund të pranohet se ka një shtesë dhe ritëm rritje të punonjësve të formalizuar në sektorët jo bujqësorë mbresëlënëse dhe të paimagjinueshme nga shumë kush disa vite më parë. Mjafton të shihet se  numri i të punësuarve që kanë paguar sigurimet shoqërore në sektorin privat në fund të gjashtëmujorit të parë 2013, ishte 183772 vetë, ndërsa në fund të vitit 2015 arriti 321 023 vetë ose një rritje prej 74.7 %. Këto të dhëna ndërkohë shprehin një ndër aspektet e  rezultateve të Qeverisë aktuale, në aksionin për formalizimin e ekonomisë sonë.  Po të kemi parasysh se pas këtyre shifrave, janë punonjës që më parë nuk ishin të siguruar, ndërsa tani janë të siguruar, kjo është një arritje, që ja vlen të mbahet parasysh në vazhdimësi, krahas me shqetësimet për ngërçet e problematikat e ekonomisë sonë.

II

Por ajo që tërheq vëmendje, të dhënat e Statistikave të Sigurimeve Shoqërore viti 2015, është fakti që ka të bëjë me vetë thelbin e këtyre statistikave të sigurimeve shoqërore, rezultatet e reformës së pensioneve që është realizuar në këtë fushë, por sidomos të pritshmërisë së pensionistëve për nivelin dhe masën e pensioneve. Pavarësisht nga rritja mbresëlënëse e numrit të kontribuesve të sigurimeve shoqërore në zonën jo rurale, sidomos në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2015, pavarësisht nga rritja e të ardhurave të sigurimeve shoqërore,  duhet thënë se dhe pas reformës së pensioneve, sipas të dhënave të tabelës “Të ardhura nga kontributet e drejtpërdrejta të sigurimeve shoqërore në vite” dhe “Shpenzimet e sigurimeve shoqërore në vite” të këtij publikimi, rezultojnë disa dukuri problematike. Ndërsa ritmi i rritjes të të ardhurave të sigurimeve shoqërore  në tërësi në vitin 2015 krahasuar me vitet paraardhës, 2014, 2013, 2012 ka që diçka më i lartë  se ritmi i rritjes së shpenzimeve të sigurimeve shoqërore, në terma absolut shtesa e këtyre të fundit  është në tërësi respektivisht mjaft më i lartë se ajo e të ardhurave të sigurimeve shoqërore. Shtesa e të ardhurave për vitin 2015 krahasuar me vitin 2014, është 3297 milion lekë ajo e shpenzimeve rezulton 5626 milion lekë, krahasuar me vitin 2013 këtë tregues janë respektivisht 8328  e 11610 milion lekë, ndërsa krahasuar me vitin 2012, 10462 dhe 17536  milion leke.  Për rrjedhojë, edhe pas zbatimit të reformës të pensioneve gjatë vitit 2015, defiçiti i sigurimeve shoqërore ka vazhduar të thellohet.  Pra politikat konkrete  të kësaj reforme  gjatë realizimit paskan probleme jo të vogla.

Parë sidomos nga këndvështrimi pragmatist i pensionisteve kjo do të thotë se në kushtet kur ky defiçit po thellohet qoftë edhe pas një rritje spektakolare të punonjësve të formalizuar në sektorët privat jo bujqësor, me politikën e ndjekur në dhe për sigurimet shoqërore, nuk ekziston ende një bazë e qëndrueshme financiare, për rritjen e nivelit dhe masës së pensioneve në mënyrë të qëndrueshme dhe në ato përmasa që e kërkon niveli relativisht i ulët i tyre.

Për këto problematika flet qartë dhe fakti se rritja e pensioneve me vendim të Këshillit të Ministrave gjatë viteve 2014-2015, ka qenë thuajse në përmasat e nivelit të inflacionit, por edhe nga ecuria e ritmit të rritjes dhe shtesës së masës mesatare të pensioneve në  fakt në vite dhe sidomos atyre urbane ka qenë i ulët. Nga shqyrtimi i të dhënave të  tabelës “Masa mesatare e pensioneve në vite “ rezulton jo vetëm se ritmi i rritjes së tyre, por dhe masa e pensioneve urbane  për vitin 2015 është minimal vetëm 0.5%, nga rreth 5% që ka qënë në vitet 2009-2013 ose në terma absolute vetëm 67 lek nga rreth 600 lek, që ka qenë kjo shtesë në vitet paraardhëse.

Duke evidentuar sa më sipër, personalisht nuk përjashtoj, por mendoj se statistikisht raporti midis të ardhurave nga sigurimet shoqërore me shpenzimet e tyre  të paktën për 8 mujorin  Janar-Gusht 2016, do të jetë në dobi të të ardhurave, për shkak të shtesës mjaft të madhe të punonjësve të punësuar gjatë katër mujorit të fundit të 2015, gjatë aksionit të formalizimit. Por kjo nuk ka për të përmbysur problematikën reale të sistemit të sigurimeve shoqërore, por vetëm lejon e  presupozon që rritja e nivelit të pensioneve për vitin 2016, të jetë ose më saktë të bëhet në një nivel më të lartë se sa ai i inflacionit.

III

Thellimi i defiçitit të sigurimeve shoqërore lidhet para së gjithash dhe mbi të gjitha me faktin se  realizimi i të ardhurave nga kontributet e drejtpërdrejta të sigurimeve shoqërore, nga të vetpunësuarit në bujqësi në vitin 2015, ishte në një nga nivelet më të ulëta gjatë gjithë periudhës 2009-2015, ose sa 86.5 % e atij të vitit 2009. Kjo nuk është e papritur. Dihet se formalizimi i ekonomisë nuk u shtri edhe për fermerët, edhe në bujqësi. Në këto kushte numri i kontribuesve që kanë paguar sigurimet shoqërore në bujqësi ka qenë 89527 vetë nga 127728 vetë në vitin 2014 dhe 109 279 vetë në vitin 2009. Këtu ja vlen të mbahet parasysh se ndërsa numuri i fermerëve që kanë paguar sigurimet shoqërore për vitin 2015 ishte 89527 vetë nga 448370 vetë që deklarohen të punësuar sipas INSTAT. Kjo do të thotë se në këtë sektor paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore vetëm 20 % ose 1 në  5.  Këto të dhëna dëshmojnë qartë se konsolidimi i sistemit të sigurimeve shoqërore nuk mund të arrihet nëse reforma e pensioneve nuk shtrihet e nuk përfshin bujqësinë. Ndërkohë  nuk ka përse të  mos mbahet parasysh se në  programin e Qeverisë aktuale  midis të  tjerash nënvizohet

”Të dhënat vërtetojnë pohimin e pakundërshtueshëm se në Shqipëri janë 1 milion të papunë. Sipas të dhënave zyrtare në Shqipërinë e 2013 ka më  shumë se 51 mijë vetë më pak të punësuar se në vitin 2008. Rritja ekonomike relativisht e qëndrueshme e periudhës 2000-2008 nuk u shoqërua  me rritje të punësimit, zvogëlim të ekonomisë joformale, dhe zhvillim të kapitalit njerëzor. Qeveria e re do ta ndryshojë këtë tablo…Angazhohemi të krijojmë 300 vende të reja pune…155 mijë në aktivitetet e lidhura me bujqësinë e blegtorinë”

Rrjedha e ngjarjeve, edhe sipas programit të Qeverisë, është pakësimi i ekonomisë  informale dhe rritja e punonjësve të formalizuar edhe në  sektorët e bujqësisë . Por sipas të  dhënave  të  ISSH, kjo jo vetëm që nuk ka ndodhur por është  përkeqësuar, pra është ecur kundër rrjedhës. Por ashtu si shqiponja që nuk mund të fluturojë  me një krah,  ashtu dhe sistemi i sigurimeve shoqërore nuk mund të  konsolidohet nëse nuk përfshin edhe sektorin rural, krahas arritjeve në sektorin privat jo rural.

Për çdo  ekonomist të  arsyeshëm e fermer të  zakonshëm  mbetet e qartë se rrjedha e këtij proçesi është ajo e vendeve të zhvilluara, formalizimi dhe pagimi i sigurimeve shoqërore edhe nga fermerët, duke qenë  të vetëdijshëm se për kushtet konkrete të  bujqësisë sonë  kjo nuk është një  detyrë e lehtë që  mund të  zgjidhet me deklarata apo keqpërdorim të  metodave të  shkopit dhe karrotës. Që në  vitet 80-të  në  bujqësinë  shqiptare u shtrua sfida se bujku me punën dhe produktivitetin e vet, duhej të  realizonte një vlerë një të ardhur që  jo vetëm mbulonte të  ardhurat e siguruara nga paga, burimet e nevojshme për investime për zhvillim, por të paktën edhe ato  të ardhura për mbulimin e kontributit të sigurimeve shoqërore, për të  mbuluar rritjen e  shpenzimet kreshendo të  tyre, për shkak të rritjes së numrit të pensionistëve. Këtë  sfidë  nuk e përballoi bujqësia shqiptare eUnemployment asaj kohe. Në vend të  rritjes së  produktivitet, rendimentit, ndodhi e kundërta,  stanjacioni dhe rënie e produktivitet qoftë  edhe në  kushtet e rritjes se prodhimit bujqësor.  Por ekonomistët e arsyeshëm me këmbë në tokë, janë të vetëdijshëm se realizimi i një produktiviteti pune për fermerët që të mundësojë  një pagë, të ardhura normale për vete e familjen e tyre, por të paktën edhe pagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore  ishte edhe mbetet një sfidë jo e lehtë,  qoftë me kalimin  në  ekonominë  e tregut. Përballimi  i  kësaj sfide që u shtrua që në ditët e para të lindjes së ekonomisë së tregut në vendin tonë 25 vjet më parë, mbetet ende  rrjedha e e natyrshme e ecurisë së proçeseve social-ekonomike të së sotmes  dhe  së ardhmes.

Për fat të  keq  deri më  sot nuk është  dëgjuar ndonjë  Ministër Bujqësie, as që  të  flasë  për këtë  çështje dhe jo më  të  angazhohet për zgjidhjen e saj. Kjo po ndodh edhe kur programet e mbështetjes së fermerëve si IPARD, SARED, kërkojnë qartë se çdo fermer mund të sigurojë  mbështetjen financiare vetëm nëse është i formalizuar dhe për rrjedhojë është i pajisur me kartën e fermerit (ashtu siç po ndodh me kartën e shëndetit në shëndetësi, pas të cilës ndodhet një informacion i tërë për pacientin), të ketë paguar kontributet për sigurimet shoqërore (sigurimet për pension dhe sigurimet shëndetësorë) e detyrimet e tjera financiare ndaj shtetit, të  provojë  pronësinë  e tokës dhe ose ndërtesës ku ushtrohet aktiviteti bujqësor me dokumentet e lëshuar në përputhje me legjislacionin. Ndërsa për të  matur efektshmërinë  e përdorimit të  fondeve të  dhëna, nga taksapaguesit e tyre, mbas një niveli të caktuar të grantit prej 1400000 lek kanë kërkuar të  përdoren treguesit ekonomike financiar si ai Normës së  Brendshme të  Kthimit (IRR) dhe Vlera aktuale Neto (NPV) çka presupozon që  formalizimi i fermerëve duhet të  mos kufizohet tek  NIPT-i karta formale  e fermerit, por të  shtrihet deri tek plotësimi i pasqyrave financiare, që  mundësojnë  përllogaritjen e saktë  të  tyre e garantojnë sidomos përdorimin efiçent të këtyre fondeve si në dobi të fermerit, por dhe mbarë shoqërisë. Pa këto pasqyra, hapet drita jeshile për mitmarrje e korrupsion gjatë shpërndarjes së këtyre fondeve. Vetë NIPT-i, mund e pritet të kontribuojë në qartësimin se cili fshatar, e përdor ekonominë e tij për mbijetesë dhe se cili mund të konsiderohet fermer dhe ja vlen të mbështetet në përmasa më të mëdha për të zhvilluar, zgjeruar e rritur veprimtarinë e vet e produktivitetin e punë. Bujqësia ka nevojë të formalizohet, ndryshe  kjo situatë  do kthehet në bumerang, si për vet atë, ashtu dhe për sigurimet shoqërore

Kjo transparencë, kriteret ekonomike-financiare, kontrolli i duhur ex-post, monitorimi dhe llogaridhënia për përdorimin e efektshëm të granteve të dhëna, mungojnë dhe janë hequr në  procesin e shpërndarjes së fondeve grant që  iu jepen fermerëve nga burimet e Qeverisë  shqiptare, duke u bërë  burim jo vetëm mungese efiçence, por dhe abuzimi dhe pse jo blerje vote. Sipas Udhëzimit Nr 2 dt 17.2.2016 “Për proçedurat dhe mënyrat e administrimit të fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimit rural”, të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, ndërsa Kriteret e Përfitimit janë pro rrjedhës të formalizimit të bujqësisë dhe konsolidimit të sigurimeve shoqërore dhe ne sektorin rural,  tek Kriteret Konkurruese, iu vihet  brryli,  kritereve të transparencës, kritereve ekonomike-financiare  të dhënies të granteve për kryerjen e investimeve në bujqësi brenda dhe jashtë fermës.

Ndërsa pritej  që  deri në   fund të  Qershorit të  këtij viti të përfundojë  kudo në  Shqipëri, pajisja e fermerëve me çertifikatën e pronësisë  mbi tokën, aq më  tepër që  është  shpallur se bëhet pa pagesë, kjo rrjedhë  e qartë zëvendësohet nga deklarata të bujshme se “Një  bujqësi që  eksporton është  një  bujqësi konkurruese” apo se sezoni bujqësor kërkon zgjidhje urgjente:-“E drejta për të kryer shitblerje me para në dorë deri 100 000 lek për fermerët shqiptar në pikat e grumbullimit…!?”

Nuk është e pamundur, ndonëse jo aq e lehtë të shihet se në këto qëndrime dhe politika nuk mbahet parasysh se pasojat afatgjata të marrjes së vendimeve duhet të jenë përcaktuese në zgjedhjen e realizimin e tyre, duke shmangur çdo sjellje të pakujdesshme. Por le të shohim njërën prej tyre. Jo vetëm në deklaratat e Ministrit të Bujqësisë, por dhe në pamjen e parë për këdo, një bujqësi që eksporton duket në pamje të parë konkurruese. Në këtë kuadër janë vërtet mbresëlënëse rritjet e eksporteve të produkteve bujqësore këto vitet e fundit dhe sidomos përsa i përket grupit Produkte vegjetale, që janë 2.4 fishuar në vitin 2015, krahasuar me 2011. Por nga sondazhet e drejtpërdrejta të bëra në zonat nga më eksportuese të vendit si ato të Xarës dhe Goriçanit, rezulton se jo gjithë anëtarët e familjes fermere që prodhojnë për eksport i paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore. Natyrisht nuk është shumë vështirë në fund të fundit të rritësh eksportet kur mungojnë tatim taksat në bujqësi (përveç taksës për tokën) dhe nuk paguhen sigurimet shoqërore. Por kjo nuk flet për avantazhe reale të qëndrueshme konkurruese të fermerëve dhe bujqësisë shqiptare, por për avantazhe artificiale të përkohshme afatshkurta që shkakton në të njëtën kohë rritje të deficitit të sistemit të sigurimeve shoqërore dhe buxhetit të shtetit por dhe borxhit të tij. Sfida aktuale është që t rritja e eksportit të prodhimeve bujqësore të mundësohet kur të gjithë fermerët e familjes fermere që eksporton në të njëjtën kohë i kanë paguar dhe i paguajnë sigurimet shoqërore. Vetëm atëherë, bujqësia shqiptare që eksporton do të shndërrohet në konkurruese.

IV

Një faktor tjetër i rëndësishëm që ka kontribuar dhe kontribuon në rritjen e defiçitit të sigurimeve shoqërore, përveç mosformalizimit të bujqësisë është rritja kreshendo e numrit të pensionistëve vitet e fundit. Nëse numri i pensioneve të pleqërisë në vitin 2002 ka qenë 285 226 vetë, dhe në vitin 2010, kishte mbetur 285 630 vetë, sidomos pas vitit 2012  numri i tyre ka mësuar rritje kreshendo për të arritur në nivelin e 345314 vete në vitin 2015, me një shtesë prej më 12 mijë vetë  mesatarit në vitet e fundit. Pra efekti demografik po shfaqet me gjithë forcën e vet në vendin tonë. Ai do të vazhdojë me intensitet dhe 8-10 vitet në vijim, po të kemi parasysh strukturën e popullsisë në moshën 55-66 vjeç. Kjo dukuri mund të lehtësohet e zbutet diçka nga rritja graduale e moshës se daljes në pension të grave çdo dy muaj në vit. Në këtë rrafsh propozimi i forcave politike se kur të vijnë në pushtet do e zhbëjnë ligjin për rritjen e moshës se daljes së grave në pension, shkon jo thjesht kundër rrjedhës dhe kërkesave të dukurive demografike, por është më shumë se sa një përrallë dimri. Por ajo dëshmon se sa të bazuara janë premtimet elektorale të partive politike në vendin tonë. Mjafton të mbahet parasysh se sipas statistikave të ISSH, ndërsa periudha mesatare kontributeve për pensionet e plota të reja gjate vitit 2015, ishte për gratë 38.2 vjet, koha mesatare e gëzimit të pensioneve të mbyllura për gratë ka qenë 25.3 vjet. Me një raport të tillë midis kohës së punuar dhe kohës kur gëzohet pensioni zor se mund të sigurohet konsolidimi fiskal i sistemit të sigurimeve shoqërore. Në këtë kuadër, nuk mund të mos të bëjë përshtypje se në vendin tonë ka një rritje me ritme të larta të pensioneve të invaliditetit, numri i të cilëve është rritur nga 27290 vetë ne vitin 2002, në 48 402 vetë në vitin 2010, dhe 62101vetë në vitin 2015, kur popullsia, nuk është rritur por ka mbetur në vend duke filluar të ulet vitet e fundit.

V

Një faktor tjetër që ka ndikuar në rritjen e defiçitit të sigurimeve shoqërore edhe në kushtet e rritjes jo të vogël të numrit të kontribuuesve të sigurimeve shoqërore, me efekte sidomos në masën dhe nivelin e  pensioneve e dinamikën e tyre, është edhe niveli i masës së kontributit të kontribuuesve të rinj shtesë dhe pagës mbi të cilën llogariten kontributet.

Ky nivel ka ndikuar në uljen e nivelit mesatar  të të ardhurave nga kontributet  e drejtpërdrejta të sigurimeve shoqërore, për çdo kontribues. Nëse i referohemi raportit midis të ardhurave nga kontributet e drejtpërdrejta,  të personave fizikë e juridike dhe numrit mesatar të tyre, përjashtuar ata në bujqësi, rezulton se ai është ulur nga mesatarisht 111701.6 lek në vitin 2013 për çdo kontribues në 109014,5 lek në vitin 2014 dhe 98684.9 lek në vitin 2015. Në kushtet kur norma e kontributit te sigurimeve shoqërore nuk ka ndryshuar vitet e fundit, kjo ulje e ka bazën në nivelin  mesatar të ulët, të pagës së punonjësve të formalizuar në sektorin privat. Ndryshimet e strukturës së kontribuesve në dobi të rritjes së peshës specifike të sektorit privat dhe fakti se niveli mesatar i pagave në sektorin privat është mjaft më i ulët se sa ai në sektorin publik, pavarësisht se masa mujore e kontributit për të vetpunësuarit ka vazhduar të rritet vitet e fundit, ka qenë faktori përcaktues që të ulet niveli mesatar i kontributit në sektorin jo rural gjatë viteteve të fundit. Mjafton të mbahet parasysh se sipas publikimit të INSTAT, Tregu i Punës, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë sipas pronësisë së ndërmarrjes, në ndërmmarrjet private shqiptare, për vitin 2015, ka qenë 3369 lek në muaj,  ndërsa në ndërmarrjet shtetërorë 54205 lek në muaj, ose në administratën publike mesatarisht 54825 lek në muaj Kjo do të thotë se sfide e madhe e ekonomisë shqiptare është rritja reale e produktivitetit të punës si në sektorin rural ashtu dhe ato jo rural, privat. Kjo rritje sidomos në periudha afatmesme dhe afatgjatë nuk mund të vijë nga ndryshimet dhe rritja në nivelin e tatim taksave siç ka ndodhur vitet e fundit, por nga rritja reale e produktivitet në sektorët privat si atë rural ashtu dhe jo rural dhe faktorët që e përcaktojnë atë. Rritja e produktivitetit  në bujqësi varet nga shitblerja dhe përqendrimi i tokës, që mundësohet nga përcaktimi i qartë i pronësisë së tokës, për rrjedhojë nga shpërndarja përfundimtare e çertifikatave për to. Ndërsa formalizimi varet shumë nga shteti, rritja e produktivitet të punës varet para së gjithash nga privati, bizneset, aftësia e punonjësve, cilësia e Universiteteve etj Kryesorja mendoj se është ajo që nënvizonte  John F.Kenedi “Pëpërparimi ynë si komb nuk mund të jetë më i shpejtë se sa përparimi ynë në edukim. Mendja e njeriut është burimi ynë themelor”. Le të shpresojmë se hartimi i politikave ekonomike dhe konkurrimi i alternativave politike që po ndodh në prag të vitit të ardhshëm elektoral, do të bazohet në të dhënat e realitet ekonomik dhe jo në premtime  kallpë që shkojnë kundër rrjedhës së zhvillimeve sociale ekonomike të vendit.

Tagged with:
 

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.