41bYPl+XubL._SX331_BO1,204,203,200_Book Review

Inovacioni dhe armiqtë e tij” – Libër nga Profesor Calestous Juma, Universiteti i Harvardit

Teknologjitë e reja dhe transformuese po paraqiten sot me ritme të përshpejtuara, duke nxitur opozitën që pengon inovacionin e nevojshëm për të përmbushur sfida të thella si, për shembull, ndryshimi klimatik apo varfëria dhe uria në botë, thotë një studim i ri nga Universiteti i Harvardit.

Inovacioni dhe armiqtë e tij: Pse njerëzit i rezistojnë teknologjive të reja”, nga Prof. Calestous Juma jep një kronikë historike të opozitës për inovacion duke dhënë shembuj si përdorimi i traktorëve, i shtypshkronjës, i kafesë apo edhe i margarinës. Libri shpjegon arsyet themelore të opozitës për inovacion dhe rekomandon zgjidhje, një pranim më të mirë të ideve dhe teknologjive të reja.

Libri argumenton se është e rëndësishme të njohësh dhe të kuptosh historinë për futjen dhe miratimin e risive teknologjike të nevojshme për të përballuar sfidat më të rënda ekonomike dhe mjedisore të njerëzimit sot e kësaj dite.

Botuar si libër nga Oxford University Press, studimi 16-vjeçar thotë se frika dhe perceptimet per mundësinë e humbjes së punësimit, identitetit apo edhe prodhimit energjitik tradicional, krijojnë një pengesë të madhe për risinë dhe inovacionin. Libri përshkruan zgjerimin e hendekut mes ritmit të përparimit teknologjik dhe ritmit të ngadalshëm në të cilën shoqëria e pranon teknologjinë.

Prof. Juma thotë: “Për të plotësuar nevojat e një popullsie botërore në rritje në një planet që ngrohet si pasojë e ndyshimit klimatik, shpresat e njerëzimit janë të mbërthyera në futjen e teknologjive transformuese, por një progres i mbarë mund të pengohet nga faktorë te paarsyeshëm kundër inovacionit”.

Studimi pranon që ekzistojnë probleme shëndetësore dhe mjedisore që lidhen me pranimin apo jo të produkteve dhe teknologjive të reja. Për pranimin e inovacionit është shumë e rëndësishme transparenca dhe gjithëpërfshirja në mënyrën se si trajtohet pasiguria shkencore për të krijuar besimin e plotë të publikut.

Libri përshkruan masat e jashtëzakonshme të ndërmarra nga kundërshtarët e inovacionit dhë këmbënguljen e ndërmarrësve dhe teknologëve që të mposhtin këtë kundërshtim gjatë shekujve.

Duke u mbështetur në polemikat e gati 600 viteve, libri paraqet në thellësi studimin e rasteve të kundërshtimit të inovacionit, duke përfshirë publikimin e Kuranit, duke ndaluar frigoriferët apo ngrirjen e ushqimeve, muzikën e regjistruar dhe, së fundi, polemika të lidhura me robotikën, inteligjencien artificiale dhe bioteknologjinë bujqësore.

Për shembull, si kafeja ashtu edhe traktorët, kanë prodhuar shumë opozitë nëpërmjet fushatave të shpifjeve. Taktika të tjera për kundërshtim përfshinin demonizimin, thashethemet, përpjekjet për të kufizuar përdorimin përmes legjislacionit etj.

Ngjashmëritë paralele gjatë historisë janë të habitshme. Drithërat e modifikuara gjenetikisht janë quajtur “Franken-Drithera”. Në shekullin e 17-të në Itali, kafeja quhej “Pija e Satanit” dhe në shekullin e 20-të në Indinë Jugore quhej “Alkool për te Rinjtë”. Në Angli, Francë e Gjermani thuhej se kafeja shkaktonte sterilitet.

Të thuash për produketet e mbajtura në frigorifer, “ushqime të balsamosura” kishte një efekt frenues mbi konsumatorët e frigoriferëve. Suedezët e quanin telefonin “instrument i djallit.” Margarina ishte përqeshur si “gjalpi i demave” në Amerikë dhe akuzohej si shkaktues rakitizmi, steriliteti, dhe rënie flokësh te meshkujt.

“E përbashkëta e të gjitha rasteve është frika që u lind njerëzve se mund të ngelin jashtë përfitimeve që sjell produkti apo teknologjia e re”  thotë prof. Juma.

Libri u lançua në 6 korrik në Konferencën e 16-të Ndërkombëtare të Shoqërisë Joseph Schumpeter në Montreal. Dr. Schumpeter është ekonomist austriak i fillimshekullit të 20-të që bëri popullore idenë e “shkatërrimit krijues” dhe ishte po aq i shqetësuar në lidhje me rezistencat për ndryshim dhe inovacion.

Libri shpjegon që kritikat shoqërore mbi risinë dhe inovacionin ndahen në katër kategori: intuitive, interesat vetjake, argumente intelektuale dhe faktorët psikologjikë.

  • Përgjigjet intuitive, të tejshprehura në neveritje, pasqyrojnë modelet e sjelljes që mbështeten në rrënjët e thella të zhvillimit njerëzor në frikën dhe fobitë tona. Për shembull, ushqimet e reja mund të shihen si kërcënim për shëndetin e njeriut.

  • Interesat vetjake janë ilustruar me një shembull të njohur të Luddites, punëtorët britanike të tekstilit në shekullin e 19-të që portretizohen gjerësisht si shkatërrimtarë të makinerive qe i kundërviheshin ndryshimit. Por, në fakt, realiteti ishte një përplasje konkurruese e pikëpamje ekonomike dhe vlerave morale të asaj kohe.

  • Sfida intelektuale ndaj teknologjive të reja përfshin kundërshtime filozofike për manipulimin e natyrës ose për përdorimin e robotikës në prodhim konsiderohet nga disa si “çnjerëzore” dhe ndryshon mënyren se si e shohim ne veten si njerëz.

  • Së fundi, modelet e biznesit që kanë për qëllim të ndryshojnë psikologjinë e zgjedhjeve që bejmë për shëndetin apo për të ushqyerit përballen me opozitë të fortë.

“Inovacioni dhe armiqtë e tij” mbron më shumë vlerësimet shkencore për përfitimet dhe rreziqet e teknologjive të reja, rregullimin e shpejtë të institucioneve sociale për të mbajtur ritmin me avancimin teknologjik dhe vetëdije më të madhe të publikut qe sjell angazhimin qytetar.

Kjo nënkupton përfshirje më të madhe të institucioneve publike për të ofruar trajnime në fushat e reja, krijimi i ndërmarrjeve të përbashkëta, menaxhim të barabartë të të drejtave të pronësisë intelektuale, segmentimit të tregjeve për të mundësuar një teknologji që do të përdoret për produktet jokonkurruese, dhe përmirësimin e mjedisit të politikave për të mbështetur gjatë partneritetet teknologjike afatgjatë.

Ndërtimi i aftësive lokale dhe nxitja e angazhimit publik në zhvillimin e teknologjisë janë të rëndësishme. Mungesa e strategjive gjithëpërfshirëse të çon në debate të forta mbi çështjet e drejtësisë, barazisë, kontrollin e korporatave dhe sfidat në sistemin e pronësisë intelektuale.

Gjithashtu kemi nevojë për vendimarrës dhe udhëheqës të cilët janë sipërmarrës të fortë që mund të përdorin dijen që egiston për të vlerësuar situatën, që mund të marrin masa ekzekutive në kohën e duhur dhe të mund të monitorojnë përparimet teknologjike dhe ndikimet që këto kanë. Liderët duhet të jenë në gjendje të mbeshteten në keshillat nga profesorë shkencorë dhe institucione këshillimore në zyrat e ekzekutivit.

Për të përfunduar, arsimimi publik është i rëndësishëm për të përcaktuar ritmin dhe modelet e pranimit të teknologjive te reja nga shoqëria.  Existojnë programe arsimimi që e armiqësojnë publikun duke supozuar se është injoranca ajo që shkakton armiqësinë shoqërore mbi teknologjinë e re. Përkundrazi, shqetesimet zakonisht vijnë nga pjesë të mirinformuara të popullsisë. Edukimi i publikut duhet të ketë për qëllim legjitimitetin dhe cilësinë e proceseve të vlerësimit të rrezikut. Në fund të fundit,  qëllimi është manaxhimi i perceptimit të rrezikut dhe nxitja e besimit.

“Njerëzit i pranojnë më mirë teknologjitë e reja nëse kanë marrë pjesë ne vendimarrjen  se si do të përdoren këto teknologji”,  thotë autori.

Calestous Juma është profesor i Praktikës së Zhvillimit Ndërkombetar në Universitetin e Harvardit, në Qendrën Belfer për Shkencë dhe Lidhje Ndërkombëtare. Ai është drejtor i projektit që shkolla ka për shkencën, teknologjinë dhe globalizimin. Është autor i librit The New Harvest: Agricultural Innovation in Africa (Oxford University Press, 2011, 2015), i publikuar dy herë nga Universiteti I Oksfordit më 2011 dhe 2015.

Tagged with:
 

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.