zero_interest_rate (1)Ky nivel do të jetë momenti i të vërtetës, ku grupet e interesit deri tani spektatorë, do të kuptojnë se mekanizmi i normës së interesit e ka kryer plotësisht funksionin e tij, mandati ligjor dhe teknik i Bankës së Shqipërisë nuk mund të ndihmojë më shumë për stimulimin e huamarrjes, konsumit, investimeve e sipërmarrjes dhe se sfida e stimulimit të rritjes ekonomike del përfundimisht nga dera e Bankës së Shqipërisë dhe kalon në territorin e “spektatorëve”.

Norma bazë e interesit në nivele shumë të ulëta edhe në Shqipëri nuk përbën më lajm, të paktën që nga momenti kur ajo zbriti, për herë të parë, në 2%. Gjatë 3- viteve të fundit kemi qenë dëshmitarë të uljeve të njëpasnjëshme, të gjitha të niveleve “historike”, të normës bazë të intresit nga ana e Bankës së Shqipërisë, me synimin e qartë: nxitjen e konsumit dhe uljen e prirjes për kursim të publikut, si dhe stimulimin e kreditimit të ekonomisë.

 Sot në ekonominë kombëtare vihet re se kreditimi i ekonomisë, veçanërisht ai në monedhë kombëtare, po vijon thuajse pa ndërprerje, pavarësisht se efekti i tij thuajse neutralizohet nga ripagesat e huave te mëparshme, duke bërë që portofoli ekzistues i huave të qëndrojë thuajse i palëvizur, pa llogaritur këtu çështjen e mprehtë të huave me probleme. Asnjëherë më parë kosto e huas nuk ka qenë kaq e ulët, e ndikuar kjo thelbësisht nga uljet e shpeshta të normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, por problemi nuk është ky; problemi mbetet te struktura e huamarrjes, që fatkeqësisht po vrapon drejt asaj afatshkurtër, ndërkohë që rrallohet portofoli i huave afatgjata për investime. Gjithashtu, uljet e njëpasnjëshme historike të normës bazë të interesit nuk po arrijnë të nxisin konsumin dhe investimet prodhuese në ekonomi, dy elementë thelbësorë të PPB-së, e kjo për një mori arsyesh, që lidhen kryesisht me strukturën dhe modelin e derisotëm të tejkaluar ekonomik të vendit, klimën e biznesit dhe stadin fillestar, ose problematik të reformave strukturore në Shqipëri.

Sipërmarrja shqiptare po krijon gjithnjë e me më shumë vështirësi vlerë të shtuar e po sipërmerr më pak rrezik, ndërkohë që familjet shqiptare po konsumojnë gjithnjë e më uniformisht në vite, duke u përgatitur çdo vit për “ditët me shi” të së ardhmes.

Në kushte të tilla, duket se sipërmarrja, objektivisht apo subjektivisht nuk po ngrihet në lartësinë e emrit që ka; pra nuk po kryen sipërmarrje, që nënkupton se nuk po gjeneron punësim shtesë, pra qarkullim monetar shtesë dhe konsum shtesë. Nga ana tjetër, familjet dhe institucionet po garojnë për të blerë sa më shumë letra afatgjata me vlerë të qeverisë, çka ul edhe më shumë normën reale të interesit në ekonomi, duke “konsumuar” me shpejtësi të madhe alternativën thuajse të fundit të sigurimit të një kthimi racional nga investimi, pa sipërmarrë rrezik thelbësor përsipër.

Nëse kjo panoramë sjelljeje ekonomike, që kopjohet thuajse identikisht çdo vit, do të vazhdojë të ripërsërisë vetveten, atëherë të gjithë grupet e interesit do vijojnë të presin si spektatorë, derisa Banka e Shqipërisë të harxhojë të gjithë “municionin” e saj edhe me 4 – 5 ulje të tjera “historike”, duke ecur e sigurt dhe shpejt drejt normës bazë të interesit prej 0%. Ky nivel do të jetë momenti i të vërtetës, ku grupet e interesit deri tani spektatorë, do të kuptojnë se mekanizmi i normës së interesit e ka kryer plotësisht funksionin e tij, mandati ligjor dhe teknik i Bankës së Shqipërisë nuk mund të ndihmojë më shumë për stimulimin e huamarrjes, konsumit, investimeve e sipërmarrjes dhe se sfida e stimulimit të rritjes ekonomike del përfundimisht nga dera e Bankës së Shqipërisë dhe kalon në territorin e “spektatorëve”. Deri në mbërritjen e momentit të së vërtetës për ekonominë, sipërmarrjen dhe politikëbërësit shqiptarë, pra deri sa norma bazë e interesit të arrijë 0%, të gjithë duhet të kuptojnë më së miri dhe të jetësojnë filozofinë e fjalisë ikonike të Presidentit Ruzvelt në fjalimin e tij përurues si president i SHBA-së në vitin 1933: “…e vetmja gjë nga e cila duhet të kemi frikë është…vet frika…!” 

Tagged with:
 

One Response to Norma bazë e interesit 0%, ose momenti i të vërtetës për ekonominë, sipërmarrjen dhe politikëbërësit shqiptarë!

  1. gjon cima says:

    Po ju ofroj ate qe nuk degjohet kurre ne vendin tone, nga politikanet, ekonomistet, analistet, gazetaret etj. Modeli i shkelqyer eshte shume i thjeshte ne dukje te qarte ne Vendet Nordike dhe nuk eshte nevoja per ta imagjinuar por thjesht per tu marre ne dore me ndershmerine shqiptare.
    Vendet Baltike, qe dolen nga i njejti projekt i deshtuar komunist, sot jane ne rrugen drejt shkelqimit.
    Lituania, me te njejten popullsi me Shqiperine, krijon nje GDP vjetore prej 43 miliarde $ kundrejt vetem 12.2 miliarde $ te GDP shqiptar.
    Letonia, me vetem 2 milion banore, krijon nje GDP vjetor prej 28 miliarde $, dmth 2,5 here me shume se ne.
    Estonia, me vetem 1.3 milion banore, krijon nje GDP vjetor prej 23,847 miliarde $, dmth dy here me shume se ne.
    Singapori, nje qytet me vetem 719,1km2, qe e kam vizituar me admirim, krijon nje GDP vjetor prej 308 miliarde $, dmth 50% me shume se Greqia edhe pse me popullsi sa gjysma e Greqise.
    A ka njeri qe me jep shpjegimin per keto fakte?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.