trump_obama_meeting_026-701x479

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë fuqia më e madhe ekonomike në botë falë një rritje të qëndrueshme ekonomike prej rreth 2%, përgjatë më shumë se dy shekujsh. SHBA-të e kanë arritur këtë në sajë të institucioneve të tyre politike – të njëjtat institucione që sollën në Shtëpinë e Bardhë Donald Trump, duke alarmuar pjesën tjetër të botës.

Zgjedhja e Donald Trump mund të jetë shkak për tu shqetësuar për shumë njerëz apo vende partnere të SHBA, por është gjithashtu e rëndësishme të përpiqemi të kuptojmë çfarë e çoi atë atje. Ndoshta kështu mund të kuptojmë se e ardhmja, përtej rezultatit surprizues, nuk është aspak pesimiste.

Institucionet demokratike

Rritja e Shteteve të Bashkuara në një fuqi botërore ka ndikuar shumë ngjarje të rëndësishme të botës, sidomos gjatë shekullit të kaluar. Rritja e SHBA-ve nuk ka ardhur si rezultat i ndonjë fati të paracaktuar, por si rezultati i një sërë zgjedhjesh të mira që janë ndërmarrë gjatë historisë së tyre.

Trembëdhjetë kolonitë fillestare që përbënin SHBA-të nuk gëzonin ndonjë avantazh të veçantë natyror. Në fakt ato u kolonizuan pikërisht sepse britanikët ju futën vonë aventurave koloniale, ndërkohë që spanjollët kishin marrë nën kontroll zonat më të pasura të kontinentit amerikan. Por ishin pikërisht këto rrethana që detyruan krijimin e disa prej institucioneve më demokratike të kohës si mënyra e vetme që banorët e tyre të vazhdonin të investonin në një tokë të ftohtë e jo shumë pjellore që përbënte pjesën më të madhe të territori të 13 kolonive.Këto institucione kanë lejuar që SHBA-të të kenë 45 presidentë, të cilët të gjithë kanë transferuar pushtetin në mënyrë paqësore tek njëri-tjetri. Do të ishte një pretendim i fortë të thuhet që të gjithë këta 45 drejtues që hynë në Shtëpinë e Bardhë ishin gjithmonë zgjedhja më e mirë për atë pozicion. Me shumë gjasa, shumë prej tyre nuk ishin.

E megjithatë, nëse hedhim një vështrim të shpejtë mbi zhvillimin ekonomik përgjatë 150 viteve të fundit të historisë së SHBA-ve, e matur nëpërmjet të dhënave të prodhimit të brendshëm bruto, do shohim se sa pak efekt ka pasur ndërrimi i presidentëve.

pasted-image-at-2016_11_14-07_51-pm

Burimi: Madison Project Database

pasted-image-at-2016_11_14-07_52-pm

Burimi: Llogaritje të autorit

Grafikët e mësipërm tregojnë ecurinë e PBB-së amerikane nga viti 1870 e më pas. Meqë rritja ekonomike arrin një formë eksponenciale për periudha të gjata kohore, siç duket në Figurën 1, ekonomistët shpesh preferojnë ta paraqesin këtë të dhënë në trajtë logaritmike.

Figura 2 tregon qartë se sa e qëndrueshme ka qenë rritja ekonomike amerikane, ku përjashtimi i vetëm është periudha e Depresionit të Madh në vitet 1930 si dhe rimëkëmbja që erdhi më pas. Grafikët tregojnë qartë që ndyshimi i figurave politike nuk ka sjellë asnjë ndryshim.

…dhe ripërtëritja e tyre

Kjo nuk është aspak e çuditshme. Themeluesit e shtetit amerikan debatuan gjatë për llojin e institucioneve që do të donin të ndërtonin. Ata, 240 vjet më parë, ishin vazhdimisht të shqetësuar për dy probleme të mëdha: mundësia që një pushtet tirania të zinte vend në shtetin e sapokrijuar dhe mundësia që vendimet politike të kontrolloheshin nga interesat financiare.

Qëllimisht ata ngritën një sistem që decentralizon pushtetin në shumë qendra pushteti, federal dhe lokale, në të gjithë vendin e ku mundësia për të kontrolluar të tërë vendimmarrjen të ishte e limituar. Deri më tani koha ka treguar se një sistem i tillë ka funksionuar shumë mirë.

Përgjatë historisë, shumë oligarkë të pasur janë përpjekur dhe deri diku ia kanë arritur pjesërisht të kontrollojnë degë të ndryshme të pushtetit politik.  Por të gjithë e kanë humbur pushtetin e tyre me rritjen e lëvizjeve populiste nga ato qoshe të sistemit që ata i konsideronin të parëndësishme. Si e dimë ne këtë? Sepse duke parë tregun e aksioneve ku listohen kompanitë më të mëdha amerikane, sot nuk ka një kompani të vetme mes dhjetë të parave që të ketë ekzistuar përpara 40-50 vjetësh. Kompanitë e mëdha të së shkuarës janë tejkaluar nga kompanitë më konkuruese dhe inovatore të së tashmes. Ato e kanë humbur statusin e tyre sepse politikanët nuk kanë patur mundësin t’i mbrojnë përgjithmonë.

Një vështrim nga vetja

Shqiptarët me siguri mund të tronditen që një politikan amator dhe me fjalor banal mund të bëhet President i SHBA-ve. Padyshim që kishte shumë urretje në retorikën e përdorur gjatë fushatës nga ana e z. Trump. Por duhet gjithashtu të theksohet se veprimet politike, dhe jo fjalët, formësojnë të ardhmen e një shteti.

Duke fituar zgjedhjet presidenciale, Donald Trump i dha fund ambicieve politike të dy dinastive (Klinton dhe Bush), mundi elitat politiket të të dy partive kryesore dhe e arriti këtë gjë me shumë më pak para se sa rivalët e tij. Donald Trump do të jetë në një pozicion strategjik për të sfiduar interesat e kompanive të fuqishme që kanë sunduar politikat amerikane për 30 vitet e fundit. Kësisoj ai do ketë mundësinë të lejojë hapje të konkurrencës në tregje të kontrolluara nga kompanitë me mbështetje politike. Nëse ai dështon, gjë që me shumë gjasa mund të ndodhë, nuk është aspak i vështirë të zëvendësohet, ashtu siç ka treguar historia.

Nga ana tjetër, shqiptarët duhet të shohin gjallërinë e sistemit politik të SHBA-ve dhe të kuptojnë se suksesi amerikan është arritur vetëm me anë të ndryshimit të vazhdueshëm të politikanëve dhe drejtuesve të vendit. Janë të shumta raporte, studimet apo investigimet që prej kohësh përmendin pozitën e fortë që kanë disa monopolet në treg. Megjithë zhurmën e shpeshtë mediatike, pozitat e këtyre monopole nuk cënohen asnjëhere. Nuk është e vështirë të kuptohet pse. Nëse  të njëjtët njerëz drejtojnë një vend për periudha të gjata, ata do t’i shërbejnë të njëjtave biznese dhe individë që i kanë mbështetur përgjatë karrierës së tyre politike, duke bllokuar kësisoj konkurrencën për biznese të reja që mund të kërkojnë të hyjnë në treg. Pabarazia në rritje e Shqipërisë, e shoqëruar me një rritje ekonomike gjithmonë e më e të ngadaltë, është prova e qartë se është përmirësimi i sistemit tonë politik, e jo ai amerikan, ajo që duhet të na shqetësojë.

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.