klodian-mucoEshtë i njohur gjerësisht fakti se është cilësia e kapitalit institucional ajo që përcakton në pjesën më të madhe të rasteve performancën ekonomike në vende të ndryshme, edhe në qoftë se ato janë të karakterizuara nga shpërndarje të ngjashme të kapitalit fizik dhe kapitalit human. Pa i hequr asnjë presje rëndësisë së faktorëve gjeografiko-natyror  apo socio-kulturor, është më se i verifikueshëm fakti që aseti institucional i një vendi është sot një element që më shumë se çdo gjë tjetër shpjegon cilësinë dhe intensitetin e procesit të zhvillimit të një komuniteti të caktuar.

Kur flas për institucione e kam fjalën si për ato politike, po ashtu edhe për ato ekonomike. Në rastin e parë, shembulli më i spikatur është ai i modelit të demokracisë që ekziston në një vend, i cili mund të jetë i tipit: votuese-konkurruese, populiste dhe komunitare apo deliberiste. Ndërsa institucionet ekonomike kanë të bëjnë me atë grup të rregullave që garantojnë si të drejtën e pronësisë, pa të cilat një ekonomi tregu nuk mund të ekzistonte, po ashtu edhe rregullat e hyrjes në lojën ekonomike për qytetarët. Ekonomi tregu do të thotë që konsumatori voton në mënyrë demokratike me anë të portofolit të vet për të zgjedhur produktin më të mirë në treg.

Por, shpeshherë konsumatori e ka të pamundur të votojë direkt për ato rregulla që ndalojnë apo e vështirësojnë, duke e bërë shumë të kushtueshme sipërmarrjen apo mbarëvajtjen e një aktiviteti ekonomik. Mendoni për shembull kostot e larta pa asnjë sens logjik të kredive dhe kostove të transaksioneve në Shqipëri; për penalizimet që vënë bankat këtu edhe kur dëshiron të mbyllësh kredinë para kohe, apo për burokracinë dhe kostot koncesionare që shpesh ofrojnë shërbime skarco dhe me kosto të lartë. Të gjitha këto vështirësi janë disa nga të shumtat që pengojnë zhvillimin.

Tashmë nënkuptohet se performanca ekonomike e një vendi në një periudhë të caktuar dhe shpërndarja e të ardhurave midis agjentëve ekonomikë kontribuojnë në ndryshimin e strukturës së institucioneve politike në të ardhmen. Por shpejtësia e ndryshimit nuk është e njëjtë, ajo e institucioneve politike ndryshon më ngadalë se ajo e institucioneve ekonomike. Nga çfarë u tha më sipër kuptohet qartë se një demokraci e mirëfilltë do të mbështeste institucionet ekonomike, të cilat do të jepnin norma të larta rritjeje dhe po ashtu të shtonin mundësitë e zgjedhjeve për qytetarët, duke i bërë ata gjithmonë e më të lirë në zgjedhjet e tyre.

Nobelisti në ekonomi, A.Sen, thotë se zhvillimi në vetvete është liri. Në Shqipëri në 25 vitet e fundit kemi pasur një demokraci teorike të tipit votuese-konkurruese, e cila ka si karakteristikë bazë: seleksionimin e një elite ekspertësh që të marrë vendime të çmuara në momente të caktuara. Pra, duhet të zgjedhë persona të aftë për të drejtuar; karakteristika e dytë e kësaj demokracie është të pengojë teprimet e pushtetit të lidershipit politik për të evituar abuzimet; karakteristika e tretë është të orientojë politikat ekonomike nga rritja dhe zhvillimi i shoqërisë.

Pra, njëlloj si në një treg, ku rregullat e konkurrencës ekonomike shërbejnë për të garantuar eficiencë në shpërndarjen e burimeve e si konsekuencë një normë më të lartë rritjeje dhe zhvillimi ekonomik. Ndryshe këto karakteristika mund t’i përmbledhim në një të vetme, duke thënë se baza e një demokracie të tillë është që ndërmarrjet të menaxhojnë tregjet, ndërsa qeveria përcakton rregullat e lojës për bizneset duke evituar më çdo kusht burokracinë e tepërt dhe të panevojshme.

Për shumicën e vendeve europiane, por jo vetëm, globalizimi dhe anëtarësimi në organizmat ndërkombëtare ka zbehur lidhjen e fortë që ekzistonte ndërmjet demokracisë dhe institucioneve demokratike dhe tani të gjithë e dimë se një shtet nuk është prodhuesi i vetëm i normave juridike, ku këto norma mund të prodhohen edhe nga BE-ja që ka marrë kompetenca edhe mbi ato kombëtare. Po ashtu, edhe organizma si OBT apo G8, edhe pse nuk kanë një legjimitet demokratik të tipit votues-konkurrues, ato mund të marrin vendime të rëndësishme për vende të ndryshme që shpeshherë mund të dëmtojnë edhe mirëqenien e individëve.

Për ta kuptuar më qartë mjafton të shihni se masat austerity, që në shumicën e rasteve njësohen si rritje e taksave, sesa si shkurtim i shpenzimeve publike që sugjerohen kryesisht nga institucionet ndërkombëtare, të cilat s’kanë asnjë lidhjeje direkte apo indirekte me popullin që i paguan ato. Një formë tjetër demokracie që po kthehet në modë vitet e fundit është ajo e tipit populist ku, sipas së cilës, politika nuk duhet të drejtojë popullin, por duhet që vetë ajo të jetë e orientuar nga preferencat e popullit.

Kjo formë është pa shumë baza, nëse do të mendojmë që populli thotë atë që do sot dhe jo atë që duhet nesër, e shpesh lobet e fuqishme “influencojnë” në mënyrë indirekte popullin për interesat e tyre dhe kjo, në fakt, është edhe miopia më e lartë që po vuajnë sot pjesa më e madhe e zgjedhjeve politike. Ato shpeshherë nuk hartojnë plane afatgjata por ndryshojnë në mënyrë radikale, “ndryshojnë gjithçka duke pasur si rezultat final mosndryshimin e asgjëje”.

Koha ka treguar se ndryshimet e shpeshta dhe radikale nuk sjellin zhvillim të qëndrueshëm. Ndërsa demokracia deliberiste, apo siç quhet ndryshe demokracia diskutuese apo pjesëmarrëse, është vullneti i popullit, i cili nuk shprehet vetëm me atë të zgjedhjes së përfaqësuesve të tyre, por direkt nga populli dhe nëpërmjet një procesi të bazuar në diskutimin publik ndërmjet individëve. Profesorë të ndryshëm thonë se thelbi i kësaj demokracie nuk konsiston në numërimin e votave për të zgjedhur një shumicë të caktuar.

Ideja e kësaj forme të demokracisë është parimi i diskutimit në bazë të argumenteve dhe reflektimeve i të gjithë atyre që preken në mënyrë direkte apo indirekte, nga marrja e një vendimi të caktuar. Pra, baza e kësaj demokracie është konfrontimi i hapur me të gjithë ata që kanë interesa direkt apo indirekt me një ligj të caktuar. Demokracia deliberiste duket se për momentin është demokracia më e denjë për situatat që ne jetojmë. Në këtë formë demokracie të varfrit nuk ndihmohen me anë të asistencave sociale, por kërkohet futja e tyre në proceset prodhuese.

Politikat sociale kanë në thelb faktin që procesi i krijimit të vlerës duhet të vijë nga të gjithë individët, po ashtu edhe axhenda politike hartohet në emër të “publikut”, pra në emër të qytetarëve. Kjo gjë bën të mundur shpesh uljen e diferencave ekonomike ndërmjet të pasurve dhe të varfërve. Pasi pamë cilat janë modelet kryesore të demokracisë, le të shohim në vijim realitetin shqiptar. Nëse në Shqipëri ka një prostitucion të legalizuar, ajo me siguri është politika, ku karriera nuk krijohet me merita, por me anë të lidhjeve politike dhe çdo vendim që merret për përfitime të individëve të caktuar bëhet në emër të demokracisë.

Të rinjtë që në hapa të para të jetës së tyre nga një anë bombardohen me fjalët se pa demokraci, nuk ka vendi të ardhme, por që e ardhmja e tyre varet përsëri nga miqësia, pasi me miqësi dhe jo me zotësi merren postet drejtuese. Në ato poste mendohet vetëm për mirëqenien financiare personale pa asnjë vrarje të ndërgjegjes, për atë të cilën populli i ka votuar realisht. Ligjet bëhen vetëm për të varfrit dhe të dobëtit, se të fortët kanë gjithë të drejtën që t’i shkelin ato. Vullneti i popullit shitet për garantimin e privilegjeve të lidershipit që zgjidhet.

Kjo demokraci nuk ka asnjë lidhje me lirinë e zgjedhjes dhe meritokracinë. Demokracia në 25 vitet e fundit te ne është një variant soft i komunizmit, i cili vështirëson jetën e qytetarëve me anë të fuqisë qeveritare. Për të konkluduar mund të themi se, nëse do të duam një demokraci të mirëfilltë, nuk kemi nevojë për parti të reja, por për një rishikim komplet të rregullave të lojës.

Tagged with:
 

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.