shanoEkonomia shqiptare vetëm mbijeton. Varfëria e triskës dhe tollonit nga ku vijmë ka qenë aq tmerrshme, e thellë, e gjithanshme, saqë sot çdo gjë na duket më mirë se ajo në të shkuarën. Por mjafton ta shkëpusësh vështrimin nga e shkuara dhe t’i hedhësh një sy vjedhurazi të tashmes dhe të ardhmes për të kuptuar se ekonomia shqiptare është vulnerabël. Ajo është si një anije druri mes një stuhie në det, dhe i ka velat të grisura dhe timonin të thyer. Kënga e qeverisë për suksese ekonomike është si ajo kënga e atij tipit që këndon në dush duke u fërkuar me sapun, por që nuk e dëgjon njeri.

Nga çdo anë që ta shohësh, ekspozimi, varësia dhe vulnerabiliteti i ekonomisë shqiptare në këtë nëntor të vitit 2016 është ulëritës. Mjafton një lajm i pakonfirmuar, se Italia do të miratojë një ligj populist dhe proteksionist për të famshmet “call centers” dhe njerëzit në Shqipëri, me të drejtë, të alarmohen. Për mundësinë e humbjes së vendeve të tjera të punës për mijëra të rinj shqiptarë që punojnë në to.

Nga ky lajm, shumica e shqiptarëve të mbetur në Shqipëri po thonë: sikur nuk na del e tepron qeveria, por dhe Italia na u desh tani! Pse është vulnerabël ekonomia shqiptare? Produkti vjetor i ekonomisë shqiptare, prej vitesh ka ngrirë në rreth 10 miliardë euro, ndërsa thuajse çdo vit gjatë gjithë këtyre 25 vjetëve, rreth 30% e këtyre parave largohet nga Shqipëria për t’u futur në ekonomitë e Italisë, Greqisë, Turqisë e Kinës. Edhe pse sot në kemi rreth 170.000 biznese të regjistruara, shumë më tepër se në vitin 1998, struktura e ekonomisë ka mbetur pa pësuar ndryshime të mëdha që atëherë. Vetëm 15% e bizneseve të tyre janë në sektorin e prodhimit.

Gati 58% e numrit total të bizneseve janë përqendruar në Tiranë dhe Durrës. Rreth 70% e këtyre biznese ka vetëm 1 të vetëpunësuar. Ne kemi një ekonomi të dominuar nga dyqane, kafene, restorante, lotosport, infrastruktura të paplota dhe bujqësi për mbijetesë. Produktiviteti dhe rinovimi teknologjik i ekonomisë shqiptare është nga më të ulëtit në rajon.

Ekonomia shqiptare për nga niveli i zhvillimit teknologjik, strukturës së prodhimit, dhe të pronësisë është e shtrirë njëherësh në disa shekuj dhe në disa rende zhvillimi – që nga rendi postfeudal i vitit 1800, i dominuar nga bujqësia, e deri në ditët e sotme në rendin kapitalist, i cili në Shqipëri shfaqet vetëm si një kombinim i crony-kapitalizmit dhe kapitalizmit oligarkik, me institucione të pasigurta të ekonomisë së tregut. Në këtë gjendje zhvillimi institucional dhe struktural, ekonomia shqiptare nuk mund të rrisë produktivitetin dhe inovacionin, të bëhet konkurruese, të gjenerojë punësim dhe të bëhet burim pasurie për Shqiptarët, dhe aq më pak të rrisë garancitë, sigurinë dhe optimizmin e shqiptarëve për të ardhmen.

Jo më kot evidentohet që së fundmi edhe lindjet kanë rënë me 29 për qind. Në fakt, mua nuk më pëlqen ekonomia që kemi. Besoj se nuk i pëlqen dhe nuk e duan edhe ata që ikin nga sytë këmbët. As atyre që me të drejtë janë shqetësuar nga lajmi se “call centers” mund të mbyllen. Ekonomia shqiptare duhet ndryshuar, duhet bërë nga e para, nga themeli. Që të na shërbejë. Krahasuar me ekonominë që kemi sot, edhe një i sëmurë me kancer ka më shumë shanse të jetojë.

Ndryshimi i ekonomisë shqiptare nuk është çështje kulture apo trashëgimie, dhe as vetëm çështje parash, investimesh. Ekonomia shqiptare ka tretur këto dy dekada rreth 50 miliardë euro – investime private e publike, borxhe shtetërore, remitanca, të ardhura nga aktivitete të ligjshme e të paligjshme etj. Ekonomia shqiptare sot nuk u shërben shqiptarëve, por i nis ata në emigracion për shkak së për këdo që ka qeverisur, balanca e vendimmarrjes, më shumë se të krijojë dhe nxisë fort zhvillimin, ka anuar nga ato “politikat e mira”, që i garantojnë votat dhe i sigurojnë pushtetin.

Në këtë mënyrë, politika nuk ka i forcuar institucionet e ekonomisë së tregut. Përkundrazi. Ajo ka ofruar më shumë zgjidhje afatshkurtra, duke iu larguar sa ka mundur zgjidhjeve dhe përfitimeve afatgjata. Të gjithë në Shqipëri kanë tendencën të mendojnë me stomak dhe jo me mendje. Dhe ja ku jemi. Sepse është çështje vullneti politik pse sot institucioni themelor i ekonomisë së tregut, prona private, në vend që të jetë një burim ekonomik, mbetet ende e paregjistruar dhe e pasigurt.

Sepse është vullneti politik që ka krijuar institucione ekonomike që krijojnë oligarkinë në Shqipëri, duke transferuar monopolet shtetërore në monopole private, si këto koncesionet që po gëlojnë sot në ekonominë shqiptare. Është vullneti politik ai që e ka bërë administratën tatimore e doganore të jetë selektive dhe partizane në trajtimin e biznesit, duke shkatërruar konkurrencën e lirë dhe të ndershme. Kështu edhe të gjitha institucionet e tjera rregullatore të tregut që vetëm emrin kanë të pavarura, porse janë ndërtuar si pazare dhe kuota politike.

Të gjithë ata që paguajnë sigurimin e makinës mund të dëshmojnë për këtë gjë. Të gjithë shqiptarët në këto vite, për shkak sa thamë më sipër, kanë parë se si më shumë fitohet duke vjedhur, fshehur, bërë kontrabandë, mbjellë e trafikuar drogë dhe njerëz, duke qenë i lidhur me pushtetin, duke iu shitur pushtetit, duke vjedhur dhe mos shkuar në burg, duke bërë krime dhe më pas deputet, sesa përmes punës dhe konkurrencës, me konkurrencë të lirë e të ndershme.

Që të ndryshojë ekonomia duhet të ndryshojë politika. Nuk mjafton një politikë e mirë fiskale për t’ia kthyer fletën asaj. T’i largohet populizmit dhe të menduarit me stomak dhe të mendojë me mendje. Të shohë larg. Vetëm me politika dhe politikanë të rinj mund ta kthejmë besimin tek ekonomia dhe te shqiptarët. Këtë duhet të kërkojnë shqiptarët. Dhe halli është jo se nuk e dimë këtë gjë. Të gjithë e dimë, dhe të gjithë s’e bëjmë. Pse? Se nuk kemi besim.

Po si do të krijohet besimi nëse ne nuk fillojmë të kemi kurajën ta bëjmë këtë gjë? Vetëm atëherë, miliardat që sot shkojnë për të pasuruar politikanët, do të shkojnë në ekonomi, tek inovacioni, teknologjia, arsimi, ekonomia dixhitale. Dhe ekonomia shqiptare do t’i japë garanci të ardhmes së çdo shqiptari e nuk do t’i dridhen leqet se Parlamenti italian mund të miratojë një ligj për mbylljen e “call centers” jashtë Italisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.