stadiumi-701x524Një nga aksiomat kryesore të ekonomisë thotë se “nuk ka drekë falas” – pra, nuk mund të përfitosh nga diçka pa paguar gjithashtu një kosto.

Megjithatë, qeveria jonë duket e vendosur ta sfidojë këtë aksiomë. Për të disatën herë ajo ka deklaruar mbështetjen e saj për partneritetet publike-private ekzistuese dhe për zgjerimin e tyre duke mbuluar gjithnjë e më shumë shërbime. E gjitha kjo ndodh nën premtimin e përsëritur disa herë se PPP-të nuk janë një barrë për borxhin publik. Por, a është i vërtet ky argument?

Në fakt, PPP-të janë plotësisht një barrë mbi pasurinë publike, por duke u mbështetur në rregulla pak më kreative të kontabilitetit ato nuk shfaqen menjëherë si shpenzime publike.

Shembuj: Stadiumi i ri Kombëtar dhe koncesionet e shëndetësisë

Për të ilustruar këtë pikë më qartë, le të marrim si shembull një skemë shumë të dyshimtë PPP-je që po përdoret aktualisht nga autoritetet publike: ndërtimi i Stadiumit të ri Kombëtar. Megjithëse detajet e kontratës nuk janë bërë ende publike, qeveria ka deklaruar se duke lejuar investitorët privatë të ndërtojnë në njërin kënd të stadiumit një kullë shërbimesh dhe banimi, mbi një tokë publike, do të mbulohen dhe kostot e ndërtimit të stadiumit. Kësisoj, qeveria nuk do të detyrohet të marrë borxh për të ndërtuar stadiumin dhe borxhi publik nuk do të rritet.

Por duke lejuar ndërtimin e kësaj kulle nga investitorët privatë, qeveria shmang jo vetëm shpenzimet aktuale, por edhe të ardhurat në të ardhmen. Pra, çdo lloj aseti apo pasurie që privatët përfitojnë nga skemat e PPP-ve përfshijnë të ardhura dhe asete që mund të kishin qenë në pronësi të publikut në një të ardhme të afërt.

Atëherë, pse duhet qeveria të heqë dorë nga këto të ardhura në të ardhmen? Një prej argumenteve më të përdorur për të justifikuar PPP-të është se qeveria është e kufizuar për momentin. Me pak fjalë, qeveria dëshiron të bëjë investime publike të mëtejshme, por kjo nuk është e mundur për shkak të kostove dhe nivelit të lartë të borxhit publik. Në favor të këtij argumenti është përdorur dhe marrveshja e qeverisë me FMN-në ku ka një zotim për të ulur nivelin e borxhit në vitet e ardhshme. 

Por, sërish, ky argument nuk qëndron!

Aktualisht, qeveria mund të marrë borxh me normën më të ulët të interesit historikisht (kjo edhe për shkak se investitorët privatë janë ende të frikësuar për të investuar)! Kjo duket fare qartë nga ecuria e grafikut të mëposhtëm që tregon normën e interesit që pagon qeveria mbi instrumentin kryesor në marrjen e borxhit, bonon 12-mujore. Nëse ka një moment të denjë për të investuar në projekte publike fitimprurëse, është pikërisht ky! Përderisa investitorët privatë janë të gatshëm dhe po përfshihen në to, projektet duket se janë vërtetë rentabël dhe me të ardhura të sigurta! 

pasted-image-at-2016_12_01-05_44-pm

Burimi: Banka e Shqipërisë

A vlen kjo dhe për skema të tjera PPP-je që nuk përfshijnë ndërtimin e aseteve rentabël në të ardhmen?  Absolutisht që po, thjesht logjika ndryshon sadopak. Për ta ilustruar këtë, le të marrim si shembull koncesionin e kontrollit shëndetësor falas të popullsisë për moshën 40 – 65 vjeç, i njohur si check-up, për të cilën Ministria e Shëndetësisë është kritikuar shpesh. Këto skema përfshijnë shpenzime publike të garantuara në të ardhmen: qeveria do të paguajë një shumë të caktuar çdo vit (miliona euro) në mënyrë që kompania private të vazhdojë ta ofrojë shërbimin. Këto pagesa ndaj privatit janë në fakt shpenzime të garantuara për vitet e ardhshme, por për shkak se nuk konsumohen menjëherë nuk shfaqen në statistikat e borxhit publik aktual.

Kjo është dhe një ndër pikat që Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) e ka theksuar shpeshherë, kur është shprehur se qeveria është angazhuar në shpenzime që do të përbëjnë kërcënim për financat publike në të ardhmen e afërt.

Atëherë, përse duhet të mundohet kaq shumë qeveria për të krijuar këto skema? A nuk do ishte më transparente që qeveria të ndërmerrte këto investime në mënyrën e zakonshme, duke marrë borxh e duke krijuar investime publike?

Siç e pamë në rastin e fundit, këto skema mund të jenë një mënyrë e mirë për të fshehur borxhin publik.

E nëse ky është një shpenzim publik fitimprurës, pse duhet të jemi të shqetësuar, veçanërisht në një kohë kur tregu është i gatshëm t’i ofrojë kredi qeverisë më norma shumë të ulëta?

Përgjigja, siç e tregoi rasti i stadiumit kombëtar, është se përmes këtyre skemave qeveria heq dorë nga të ardhura publike në të ardhmen duke i transferuar këto në duart e privatëve. Duke u angazhuar në PPP, qeveria në thelb përfundon në privatizime të fshehta duke u mbështetur në skema jo transparente.

PPP-të nuk janë më efiçente; ato thjesht krijojnë monopole

Dikush, me të drejtë, mund të pyesë: a nuk përdoren skemat e PPP-ve edhe nga shtetet më demokratike dhe transparente? Patjetër që po, por argumenti që ekonomistët klasikë ofronin nuk ishte kurrë i bazuar mbi mënjanimin e kostove publike. Ekonomistët kanë qenë përherë të vetëdijshëm se këto projekte përfshijnë kosto dhe se këto skema nuk ishin një “drekë falas” thjesht meqë nuk shfaqen menjëherë si pjesë e borxhit publik.

Argumentit që ekonomistët ndiqnin për të mbrojtur PPP-të ishte efiçenca – sektori privat supozohet të jetë më i aftë për të përballuar lloje të caktuara shërbimesh e transaksionesh, veçanërisht në një mjedis konkurrues. Por a është ky rasti i Shqipërisë? Sigurisht që jo!

Në vend të nxitjes së një mjedisi konkurrues, PPP-të tona kanë krijuar më shumë monopole në sektorë të veçantë të ekonomisë. Ato kanë krijuar fitime të larta për disa individë, por kosto të lartë për pjesën tjetër të shoqërisë. Skemat tona të PPP-ve nuk janë përdorur për të nxitur konkurrencën dhe inovacionin në sektorin e veçantë, por thjesht i kanë eliminuar ato.

Herën tjetër që dëgjoni dikë të thotë se PPP-të janë “një drekë falas”, mos i besoni! Ne si pjesë e publikut, do përballemi me një kosto për këtë “drekë” në të ardhmen. Në vend të krijimit të një sektori privat dinamik, partneritetet publike private po përdoren për mbylljen e saj.

 

[1] PPP, ose njohur shpesh me termin “konçesion”

Tagged with:
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.