economic-growth2-938x535Mungesa e ndryshimeve esenciale në politikën fiskale, në drejtim të stimulit fiskal, do të nënkuptojë një pritshmëri jo të lartë lidhur me rritjen thelbësore të vëllimit të sipërmarrjes private në ekonominë kombëtare, tha Elvin Meka, Zv/Rektor për Procesin Akademik në UET. Sipas tij, sipërmarrja private do të vijojë edhe këtë vit të mos marrë përsipër investime thelbësore, duke mos siguruar kështu një shtesë të dukshme në punësim dhe konsum. Meka, në një parashikim të posaçëm për zhvillimet e 2017-s shton se, Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë t’i kthehen punës që krijon vlerë të shtuar, në kuptimin e vlerës dhe jo atë mekanik, që pashmangshmërisht akumulohet vetëm në fare pak individë. 

Si i parashikoni zhvillimet ekonomike të vitit 2017?

Viti 2017 do të jetë një vit specifik për ekonominë kombëtare dhe kjo për shumë arsye, që lidhen thelbësisht, si me zhvillimet e brendshme, ashtu dhe me zhvillimet në arenën ndërkombëtare. E sigurt është që ky do jetë një vit pak i ndryshëm dhe i veçantë nga gjithë të tjerët, pikërisht për ngjarjet që priten të ndodhin gjatë tij në Shqipëri. Kryefjala mbeten zgjedhjet e përgjithshme dhe disi më pak zgjedhja e Presidentit të Republikës. Megjithatë, sfida edhe për këtë vit mbetet po ajo e viteve të kaluara: sigurimi i një rritje ekonomike mbi nivelin 3%, por që sfidë brenda sfidës mbetet që kjo rritje të prodhojë mirëqenie. Kjo ka qenë dhe është pjesa më e vështirë, jo vetëm për këtë vit, por gjithnjë dhe në çdo kohë, pasi ky ritëm rritjeje ekonomike nën 6% mbetet gjithnjë problematik në drejtim të krijimit të mirëqenies (pra mund të kemi rritje ekonomike pozitive, por jo rritje të mirëqenies). Nga ana tjetër, për herë të parë këtë vit do të fillojnë të japin efekt masat dhe politikat e marra gjatë vitit 2013 (duke llogaritur një distancë kohore prej 2-3 vjetësh nga fillimi deri në konkretizimin e shenjave të para të tyre). Duhet shtuar se, mungesa e ndryshimeve esenciale në politikën fiskale, në drejtim të stimulit fiskal, do të nënkuptojë një pritshmëri jo të lartë lidhur me rritjen thelbësore të vëllimit të sipërmarrjes private në ekonominë kombëtare. Me fjalë të tjera, sipërmarrja private do të vijojë edhe këtë vit të mos marrë përsipër investime thelbësore, duke mos siguruar kështu një shtesë të dukshme në punësim dhe konsum. Ky fakt përforcohet më shumë dhe nga realiteti se kredia për ekonominë vijon të rritet në mënyrë modeste dhe kjo shpjegimin kryesor ka pikërisht mungesën e një kërkese të fortë për kredimarrje nga sipërmarrja private. Kjo prirje e rritjes në këto nivele të huamarrjes pritet të vijojë edhe gjatë vitit 2017. Nga ana tjetër, edhe stimulit monetar duket se po i vjen fundi, pra mbeten gjithnjë dhe më pak hapësira për të konsideruar ulje të normës bazë të interesit.

Si do të ndikojnë zgjedhjet e përgjithshme elektorale në performancën ekonomike në tërësi?

Vitet zgjedhore janë gjithnjë vite komplekse dhe të vështira për ekonominë shqiptare, e jo vetëm, si në drejtim të sigurimit të rritjes së synuar ekonomike, ashtu edhe në drejtim të realizimit praktik të programit fiskal të qeverisë, kryesisht në drejtim të realizimit të të ardhurave tatimore, si dhe thithjes së investimeve të huaja dhe realizmit të atyre të brendshme (private). Pashmangshmërisht mund të ketë një pritshmëri më të lartë për realizim të investimeve publike, por vitale në zhvillimin ekonomik mbeten ato private, nga vetë biznesi (privat) shqiptar. Ky i fundit përtej mjedisit të plogët sipërmarrës, në të cilin ka vite që operon, e kjo për shumë arsye objektive e subjektive, në mënyrë të natyrshme pritet të aplikojë një “vetëfrenim” të zbatimit të tyre, të paktën deri në fund të gjysmës së parë të vitit 2017. Ndoshta pas gjysmës së dytë të vitit mund të projektohen prej tij investime me një horizont kohor më të gjatë në vite. Për sa i përket kostos së parasë, mendoj se do të ketë një trysni rritëse mbi normat e interesit të borxhit të qeverisë, prirje kjo që ka filluar faktikisht që gjatë tremujorit të fundit të 2016-s.

Çfarë politikash u sugjeroni palëve konkurrente për qeverisjen për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit në afatgjatë?

Partitë politike duhet, pikësëpari, të bien dakord me një fakt madhor që vendi ka nevojë për një strategji konsensuale të zhvillimit ekonomik afatgjatë, përtej militantizmit, bindjeve “partizane, ultraliberale apo populiste dhe militantizmit partiak, interesave të ngushta, apo “vested interests” dhe objektivave afatshkurtra. Gjithkush, pavarësisht nga krahu politik, duhet të kuptojë se rendja thjesht pas rritjes ekonomike, pa krijuar mirëqenie (që nuk është vetëm punësim dhe pagë, por shumë më tepër), marrjes së masave apo politikave të ndryshme me karakter fiskal (që ndryshojnë përqindjet por jo filozofinë e taksimit) pa ndryshuar rrënjësisht shtyllat themelore të të bërit biznes në vend, në drejtim të një qasjeje revolucionare ndaj pronësisë së tokës dhe zbatueshmërisë së kontratës, do të mbeten thjesht përpjekje të mundimshme për të shtyrë përpara makinën e ekonomisë, por jo për t’i dhënë asaj moment dhe shpejtësi lëvizje. Nëse duam të ecim më shpejt sesa niveli 3-4% i rritjes ekonomike, do të na duhet të vetëndërgjegjësohemi për mundësitë që ka Shqipëria në të gjithë drejtimet dhe burimet që disponohen, të tregohemi seriozë në ngritjen dhe funksionimin e institucioneve publike dhe private, si dhe rregullatorëve efikasë dhe ligjzbatues deri në shkronjën e fundit të ligjit, të largohemi sa më shumë dhe shpejt nga modeli “kënetor” i ekonomisë së shërbimeve pa shërbime (që shpërndan minimalisht produktin e brendshëm por masivisht atë të importuar), që shton aspak vlerë për shoqërinë. Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë t’i kthehen punës që krijon vlerë të shtuar, në kuptimin e vlerës dhe jo atë mekanik, që pashmangshmërisht akumulohet vetëm në fare pak individë. Shqipëria ka nevojë për një model zhvillimi që në bazë dhe qendër të tij ka PUNËN dhe jo, BAR-KAFE, BINGO, apo QIRANË dhe QIRADHËNËSIN!!!

________

Publikuar në Monitor.al  

Tagged with:
 

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.