Human-Capital-BETH-BANKS-COHNQë nga rihapja e tij, bankingu tregtar në Shqipëri ka qenë gjithmonë i vlerësuar si vendi më i mirë për të punuar dhe bankieri ka qenë dhe vijon të jetë profesioni më i kërkuar mes personave të diplomuar. Profesioni i bankierit në Shqipëri e ka fituar prej kohësh pozicionin e një status simboli në shoqëri dhe kjo për shumë arsye. Bankingu perceptohet si një profesion elitar dhe tërheqës, profesional, plotësisht formal, me të ardhura financiare mbi mesataren dhe si një vend i mirë për të përparuar në karrierë, në krahasim me profesionet e tjera në sipërmarrjen private në Shqipëri. Nga ana tjetër, bankat në Shqipëri kanë pasur luksin për të marrë ajkën e profesionistëve dhe studentëve më të talentuar, jo vetëm për shkak të arsyeve të sipërpërmendura, të cilat kanë qenë dhe ende janë një fakt i jetës në tregun e punës në Shqipëri, por dhe për shkak të nevojave reale të tyre për të punësuar staf të aftë dhe eficient, për të kryer dhe përmbushur detyrat dhe kërkesat profesionale, ashtu siç ato kërkohen dhe përmbushen në vendet e origjinës së këtyre bankave. Deri më tani, industria bankare i ka përmbushur pritshmëritë e përgjithshme të personave që janë punësuar, apo ende aspirojnë dhe kërkojnë të punësohen pranë bankave në të ardhmen. Megjithëse industria bankare në rrafsh global, u godit fort në krenarinë dhe statusin e saj elitar, për shkak të tronditjeve dhe goditjeve që krizat e fundit globale financiare dhe ekonomike të vitit 2008 shkaktuan në ekonomi, veprimtarinë e biznesit dhe financat personale, si në nivel global, kombëtar dhe lokal, bankat në Shqipëri ia dolën të mbeten thuajse të padëmtuara nga rreziku i reputacionit. Ato mbeten ende një nga vendet më të mira për të punuar dhe profesioni i bankierit ende është profesioni më i kërkuar midis studentëve dhe jo vetëm.
 
Megjithatë, bankingu po ndryshon dhe po ndryshon shpejt, në sajë të Revolucionit të Katërt Industrial, apo digjitizimit dhe digjitalizimit. Kjo erë e ndryshimit po fryn edhe në Shqipëri dhe bankat po e ndjejnë nevojën urgjente për t’u përshtatur ndaj epokës së revolucionit digjital dhe teknologjisë. Një studim i fundit i McKinsey-t në vitin 2016, tregoi se
 
teknologjitë e sotme në përdorim mund të automatizojnë rreth 45 për qind të veprimtarive njerëzore të pagueshme dhe se mbi 60 për qind e të gjitha profesioneve mund të përjetojnë një automatizim 30 për qind ose më shumë të veprimtarive të tyre përbërëse, gjithnjë me teknologjitë që janë sot në përdorim.
Thënë kjo, si dhe duke pasur parasysh faktet që bankat veprojnë në mjedise me norma shumë të ulëta interesi e me rritje modeste ekonomike, një mënyrë që ato të minimizojnë këto efekte jo-pozitive është përmbushja e objektivave rigoroze të uljes së kostove, d.m.th. shfrytëzimi i mundësive për automatizim gjithnjë e më të madh të punës, mbyllja e vendeve të punës, mbyllja e degëve, etj. Sigurisht, bankingu nuk do të vdesë, por teknologjia dhe konkurrenca e jashtme do të kërkojë një ri-formatim thuajse total të punës në bankë. Këtu do të jenë të nevojshme aftësi të reja, për të zhvilluar dhe mirëmbajtur teknologjitë e reja. Bankat do të duhet të rishikojnë organizimin e tyre të përgjithshëm, të ri-trajnojnë dhe ri-shpërndajnë stafin në pjesë të tjera të organizatës dhe të përpiqen të krijojnë një fuqi punëtore të së ardhmes, mbi bazën e pritshmërive të një brezi të ri të bankierësh dhe konsumatorësh, të armatosur fort me teknologji.
 
Me fjalë të thjeshta, tashmë ka ardhur koha që bankat në Shqipëri t’i bashkohen me detyrim biznesit të ri-formatimit të stafit të tyre!
Tagged with:
 

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.