thedifferencebetweenbillsnotesandbonds

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare rregullon dhe mbikëqyr veprimtarinë e subjekteve të licensuara prej tij, e aktivitetit të tregut të sigurimeve dhe operatorëve të tij, e aktivitetit të tregut të letrave me vlerë dhe operatorëve të tij, e aktivitetit të tregut të fondeve të pensioneve vullnetare dhe operatorëve të tij e veprimtarive të tjera financiare jobankare etj.

Kujdes me platformat online, verifikoni nëse janë të licensuara

Të gjitha subjektet e tjera, që ushtrojnë veprimtari pa licensë, e cila nevojitet të miratohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, kryejnë veprimtari të paligjshme. Në këto kushte, subjektet e palicensuara, të cilat veprojnë në shkelje të ligjit, nuk janë nën juridiksionin e AMF-së, dhe për këtë arsye nuk janë subjekt i monitorimit dhe i mbikëqyrjes nga ana e Autoritetit, por AMF informon institucionet. Ushtrimi i palicensuar i veprimtarive të rregulluara dhe të mbikëqyrura nga AMF i nënshtrohet zbatimit të legjislacionit penal.

Sipas informacioneve, nga organet kompetente veprojnë disa platforma të tjera të palicensuara, për të cilat vijohet puna nga organet e rendit, organe që licensojnë dhe mbikëqyrin faqet e internetit. AMF-ja ka komunikuar zyrtarisht me institucionet ligjzbatuese dhe ka pasur shkëmbim informacioni me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në lidhje me subjekte që kryejnë aktivitet pa licensë. Gjithashtu Qendra Kombëtare e Biznesit i është drejtuar me shkresë zyrtare në mënyrë që të ketë edhe një shkëmbim informacioni midis dy institucioneve përpara se të kryhej regjistrimi si biznes i këtyre shoqërive.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nuk mundet në çdo rast  të ndalojë veprimtarinë e  platformave të palicensuara dhe dëmet financiare që ato shkaktojnë tek investitorët, por në kuadër të misionit themelor të tij, mbrojtjes së konsumatorit, Autoriteti synon vazhdimisht të ndërgjegjësojë publikun, se një veprimtari e palicensuar dhe e pambikëqyrur i ekspozon investitorët ndaj kostove të fshehura dhe detyrimeve të tjera, të cilat, në mungesë të transparencës së nevojshme nga ana e subjektit ndërmjetësues, mund të jenë të mëdha. Aktualisht janë vetëm dy shoqëri brokerimi me licensë nga AMF-ja. Në faqen zyrtare të saj gjendet lista e të gjitha subjekteve të licensuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për të gjitha tregjet në mbikëqyrje, ku përfshihen edhe subjektet që veprojnë si agjentë të platformave të investimit online.

Përpara regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, një shoqëri duhet të ketë të miratuar më parë aktin e themelimit dhe statutin e saj. Shoqëria EasyInvest gjatë periudhës së veprimtarisë së saj ka ushtruar edhe veprimtari financiare, të cilat nuk janë nën juridiksionin e AMF-së dhe për të cilat nuk kërkohet më parë një miratim i akteve të shoqërisë përpara regjistrimit të saj në QKB. Kështu shoqëria EasyInvest mund të jetë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit për ato veprimtari, të cilat nuk janë objekt i licensimit nga AMF.

Investimi në platformat online kërkon që çdo investitor të ketë njohuri të larta për tregjet apo instrumentet financiare, ku ai synon të investojë si dhe të jetë njohur paraprakisht me risqet me të cilat mund të shoqërohen këto investime. Investitori duhet të ketë lexuar dhe kuptuar më parë të gjitha informacionet që jepen në lidhje me platformën dhe karakteristikat e saj, dhe sidomos të lexojë paralajmërimet e riskut. Pra, ai duhet të ndërgjegjësohet për investimin, që po kryen, si dhe të përshtasë këtë investim me njohuritë e tij. Roli i agjentit është i rëndësishëm për të shpjeguar se si mund të përdoret platforma si dhe teknikat e ndryshme të tregtimit. Termi “siguri” është i lidhur ngushtë me faktin se kush subjekt e ofron mundësinë e investimit për investitorët dhe a është i licensuar dhe monitoruar ky subjekt. Fakti që një subjekt të jetë i licensuar nuk do të thotë se investimi është pa risk; e rëndësishme është që subjekti të njihet nga autoritetet rregullatore, rregullat të jenë të njëjta dhe transparente për të gjithë investitorët dhe sidomos të jenë të ndërgjegjësuar për riskun e investimit.

Fondet e investimit, asistencë teknike për rritjen e kapaciteteve mbikëqyrëse

Në kushtet e rënies së normave të interesit në depozitat bankare, qytetarët janë të interesuar në alternativa të tjera investimi, të cilat u ofrojnë atyre norma më të larta kthimi se depozitat apo investimet në letrat me vlerë të qeverisë. Këto alternativa investimi në Shqipëri janë më të kufizuara në krahasim me vendet me tregje kapitali më të zhvilluar. Përveç investimeve në letra me vlerë të qeverisë (bono dhe obligacione thesari) dhe në depozita me afat, ekziston edhe mundësia e pjesëmarrjes në fondet e investimeve apo të pensioneve. Në tregun shqiptar aktualisht ushtrojnë aktivitetin e tyre tre fonde investimi dhe tre fonde pensioni.

Industria e fondeve të investimeve në Shqipëri nisi aktivitetin e saj në fillim të vitit 2012, duke përjetuar një zhvillim mjaft të shpejtë të këtij sektori. Gjatë këtyre viteve ky sektor ka kaluar përmes ndryshimeve të rëndësishme strukturore, duke përbërë kështu një hap pozitiv përpara drejt zhvillimit të tregut të kapitaleve në Shqipëri dhe mbështetjes së tregut financiar në përgjithësi. Rritja e vazhdueshme e tregut të fondeve të investimit dhe fondeve të pensionit tregon që investitorët shqiptarë janë të interesuar në forma të84f6dc2c-2d22-4a49-93d0-c0ce9dfc2451image2 tjera investimi.

Gjatë vitit 2016, në tregun e fondeve të investimeve ushtruan aktivitetin e tyre tre fonde investimi, përkatësisht fondi i investimeve “Raiffeisen Prestigj”, fondi i investimeve “Raiffeisen Invest Euro”, të cilat administrohen nga shoqëria “Raiffeisen Invest” dhe fondi i investimeve “Credins Premium”, nën administrimin e shoqërisë administruese “Credins Invest”.

Sipas analizës së të dhënave për tregun e fondeve të investimeve, më 31 dhjetor 2016, vlera neto e aseteve të fondeve, më 31 dhjetor 2016, arriti mbi 65,43 miliardë lekë, me një ulje prej 1,56 miliard lekë ose 2,33%,  krahasuar me 31 dhjetor 2015. Ky treg dominohet kryesisht nga investimet në obligacione qeveritare, të cilat përbëjnë 64,37% të aseteve të fondeve, me një ulje prej 10,44%, krahasuar me 31 dhjetor 2015. Ndërkohë, numri i anëtarëve që kanë investuar në fondet e investimit më 31 dhjetor 2016 është 29 267, me një ulje prej 8,96% krahasuar me 31 dhjetor 2015. Rreth 99,99% e anëtarëve në fond janë investitorë individualë.

AMF po zbaton transhin e dytë të projektit “Forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare: Fokusi te zhvillimi i tregut të kapitaleve”. Ky projekt financohet nga Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe mbështetet nga Banka Botërore. Faza e dytë e projektit, e cila ka filluar më 30 janar 2017,  ka për fokus shqyrtimin dhe zhvillimin e legjislacionit dhe të kuadrit mbikëqyrës për tregun e fondeve të investimeve e të letrave me vlerë.

Synimi i projektit është hartimi dhe zhvillimi i metodologjisë së mbikëqyrjes së tregut të fondeve të investimeve, duke përfshirë edhe përgatitjen e manualeve dhe mjeteve të tjera të nevojshme për mbikëqyrje; përgatitja e amendimeve apo akteve të tjera ligjore që do të shoqërojnë metodologjinë e re mbikëqyrëse; përmirësimi i aftësisë për menaxhimin e skenarëve të krizave si dhe rishikimi i kuadrit rregullator e mbikëqyrës për emetimin e obligacioneve të shoqërive e të qeverive lokale, si edhe rekomandimi i ndryshimeve të nevojshme.

Duhet zhvillim i tregut për të tejkaluar problemet e industrisë së sigurimeve

Për të dhënë dimensionin e tregut të sigurimeve në Shqipëri, të dhënat e përpunuara nga Autoriteti i Mblikëqyrjes Financiare tregojnë se i gjithë tregu ka shënuar të ardhura nga primet e shkruara bruto të sigurimit për vitin 2016 në vlerën rreth 15 miliardë e 466 milionë lekë, ose rreth 115 milionë euro.

Ritmi i zgjerimit të tregu ishte 9,64%, krahasuar me vitin 2015, por tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar te sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93,13% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6,33% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0,54%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zunë 38,10% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zunë 61,90% të totalit të tregut. Gjatë vitit 2016, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve arritën në rreth 4 miliardë e 276 milionë lekë, ose 17,54% më shumë se vitin 2015.

Ritmi i rritjes është thelluar për muajin janar 2017 kur të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit kapën vlerën mbi 1 miliardë e 292 milionë lekë, ose 26.51% më shumë se në muajin janar 2016. Gjatë muajit janar 2017, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 83,564 me një rritje prej 15.85% krahasuar me muajin janar 2016.

Duke u nisur nga funksioni i tij rregullator dhe mbikëqyrës, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e ka pasur gjithnjë nën kujdes ecurinë dhe luhatjet e sigurimit të detyrueshëm motorik. Në fund të muajit gusht 2016, produkti TPL pësoi rritje mesatare prej rreth 20%.

InsurancePër këtë çështje është e rëndësishme të theksohet që prej muajit gusht 2011, me miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë të Ligjit nr. 10455 “Për disa ndryshime në Ligjin nr. 10076, datë 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit””, përcaktimi i çmimeve për policat e sigurimit është liberalizuar. Pra, janë vetë shoqëritë e sigurimit ato që përcaktojnë tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut. Në përcaktimin e çmimeve, shoqëritë e sigurimit marrin parasysh një sërë faktorësh. Ndër faktorët përcaktues të çmimit të sigurimit të detyrueshëm motorik janë primi i rrezikut, shpenzimet për pagesat e dëmeve, shpenzimet e tjera operative të shoqërisë, fitimi i shoqërisë, si edhe aspektet e tjera fiskale që konsiderohen nga shoqëria. Bazuar në kuadrin ligjor e rregullativ, AMF miraton rregullat për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm si dhe nivelin e provigjoneve teknike, që përfaqësojnë përgjegjësitë aktuale dhe të pritshme që rrjedhin nga kontratat e sigurimit.

Ndër elementët që ndikojnë në përcaktimin nga shoqëritë të primeve të sigurimit të detyrueshëm motorik, AMF përcakton nivelin e primit të rrezikut, i cili luan rolin e një primi orientues për rrezikun, të mjaftueshëm vetëm për mbulimin e pagesës së dëmeve dhe shpenzimeve operative. Primet e rrezikut për vitin 2016 janë përcaktuar nga Bordi me Vendimin Nr. 34, datë 24.03.2016 “Për miratimin e tabelës së primit të rrezikut për përllogaritjen e provigjoneve teknike për sigurimin e detyrueshëm të përgjegjësisë së pronarit të mjetit motorik për dëmet që u shkaktohen palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti”.

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare e ka trajtuar çështjen me profesionalizëm dhe ka marrë vendimet përkatëse me masa administrative ndaj të gjitha shoqërive të sigurimit për aq sa i takon AMF-së, sipas parashikimeve të legjislacionit të përgjithshëm, që rregullon tregjet e sigurimit, dhe atij të posaçëm, që rregullon sigurimin e detyrueshëm motorik.

 Është e vërtetë që tregu dominohet nga sigurimet e detyrueshme të mjeteve motorike ndaj dhe fokusi i Komitetit Këshillimor, që u ngrit nga Bordi dhe hartoi dokumentin mbi zhvillimin e sektorit, kishte fokus kryesor zhvillimin e tregut, përsa i përket sigurimeve vullnetare, për të shmangur risqet financiare nga ngjarjet që nuk janë në dorë as të bizneseve, as të shtetit dhe as të shtetasve të tij. Ngjarjet ndodhin, por nuk duhet të kujtohemi për sigurimin e tyre pasi ndodhin, por më përpara, për të siguruar shëndetin dhe financat e biznesit, të konsumatorëve dhe, pse jo, edhe të sektorit publik.

Zgjidhja e vetme e vendosjes së një primi të drejtë për çdo përdorues të mjetit mbetet sistemi Bonus-Malus. Ky sistem prezanton një skemë universale të vlerësimit të tarifës për policat e sigurimit të detyrueshëm motorik, ku për çdo rinovim të policës së sigurimit, për cilindo të siguruar, në varësi të dëmeve të ndodhura gjatë periudhës së mëparshme të sigurimit, përllogaritet koeficienti që do të aplikohet mbi tarifën bazë të sigurimit. Ky koeficient do të ndikojë në rritjen ose uljen e vlerës së tarifës së sigurimit, respektivisht nëse i siguruari ka bërë dëme ose jo gjatë periudhës së siguruar.

Sistemi Bonus-Malus përfaqëson një sistem eficient tarifimi, i cili pasqyron profilin e riskut, duke individualizuar tarifat e primeve. Kjo nënkupton,  nëse i siguruari përfshihet në një nga klasat e Bonusit, primi do të zvogëlohet, dhe e kundërta do të ndodhë  nëse përfshihet në klasat e Malusit, në varësi të historikut të  dëmeve, që i siguruari do të ketë për një periudhë të caktuar.

Zbatimi i sistemit Bonus-Malus nga ana e të siguruarve do të hyjë në fuqi me miratimin e ndryshimeve të Ligjit nr. 10076, datë 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i ndryshuar, ku parashikohet edhe përfshirja në ligj i aplikimit të këtij sistemi në mënyrë të detyruar nga shoqëritë e sigurimeve në përllogaritjen e tarifave të primeve. Për këtë arsye inkurajoj Ministrinë e Financavë të përshpejtojë procesin e miratimit në Këshillin e Ministrave dhe dërgimin në Kuvend të ndryshimeve të propozuara për të filluar sa më shpejt zbatimin e sistemit Bonus-Malus.

Natyrisht, shoqëritë e sigurimit, në kuadër të veprimtarisë në një treg të liberalizuar, inkurajohen të shqyrtojnë mundësitë për aplikimin e faktorëve të tjerë, në mënyrë që të arrijnë në vlerat e duhura të primit të siguruar, të aplikuar në përputhje me rrezikun që mbart çdo i siguruar. Në këtë kuadër sistemi Bonus-Malus është vetëm një nga faktorët e rrezikut që përdoren në sigurimin e detyrueshëm të përgjegjësive ndaj palëve të treta nga përdorimi i mjeteve motorike.

 Kompanitë dhe individët t’i shohin si mundësi investimi dhe sigurie pensionet private

Nëse do të analizonim tregun e pensioneve, do të vinim re se gjatë nëntëmujorit të vitit 2016, në tregun e pensioneve private vullnetare ushtruan aktivitetin e tyre tre fonde pensioni. Analiza e të dhënave për tregun e pensioneve private vullnetare, më 30 shtator 2016, tregon një total asetesh neto prej 1 miliard e 195 milionë lekë dhe me një rritje prej afro 266,36 milionë lekë (ose 28,68%), krahasuar me fundin e vitit 2015. E shprehur në euro, totali i aseteve neto është 8,70 milionë euro. Numri i anëtarëve në fondet e pensioneve, më 30 shtator 2016, ishte 15,957 anëtarë, duke shënuar rritje prej 27,06% krahasuar me fundin e vitit 2015.

Vështruar nga ritmi i rritjes, 28,8%, premisat janë pozitive pasi është e vështirë të gjesh tregje me këtë normë rritjeje vjetore, por duhet të kemi parasysh se baza e nisjes ka qenë në nivele shumë të ulëta.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e ka konsideruar tregun e pensioneve private si një treg me potencial të madh zhvillimi. AMF ka zhvilluar një projekt të mbështetur nga Banka Botërore dhe Nisma për Forcimin dhe Reformën në Sektorin Financiar (FIRST). Projekti “Mbikëqyrja dhe zgjerimi i tregut të pensioneve”, që u mbyll në vitin 2016, mbështeti AMF-në në forcimin e rregullimit dhe mbikëqyrjes së tregut të fondeve të pensioneve vullnetare private. Gjithashtu, Autoriteti kontribuoi në zgjerimin e mbulimit të tregut të pensioneve për të pasur një sistem pensionesh më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe më të efektshëm.

Nga studimet e kryera në këtë kuadër, si faktorë mbështetës për ndërtimin e planit të pensionit, identifikohen nevoja për të bërë të qëndrueshme forcën e punës në një ndërmarrje, rritja e shkallës së besnikërisë së punonjësve ndaj ndërmarrjes, dhënie mesazhi për punonjësit se ndërmarrja ka një angazhim afatgjatë për ta, si dhe nxitja e kursimeve nga ana e punonjësve. Më pak i konsiderueshëm, por gjithsesi i rëndësishëm, është faktori që lidhet me koston, pra përfitimi i lehtësive tatimore.

Si faktorë pengues rezultojnë faktorët e kostos. Kështu, plani i pensionit konsiderohet si shumë i kushtueshëm për t’u ndërtuar dhe se nuk sjell përfitim për ndërmarrjen. Por ndikim më pak të rëndësishëm kanë faktorët që vetë punonjësit nuk janë ende gati të përfshihen nga skema të tilla, sepse ata përfitojnë nga forma të tjera shpërblimi.

Faktorët e grupit të tretë ndikues janë ata që lidhen me besimin në institucionet financiare që ofrojnë dhe mbikëqyrin të tilla produkte, që perceptohen në nivele nën mesatare dhe me shkallë të ulët njohjeje të këtyre institucioneve.

 

 

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.