GettyImages-490885039Ditët e sotme shihet një vëmendje e shtuar dhe diskutim energjik, në rrafsh global, lidhur me edukimin financiar, ndikimin e tij të thellë në mirëqenien e njerëzve dhe rrugëve që duhen ndjekur, apo mekanizmave që duhen përdorur, për të siguruar një nivel të kënaqshëm të kësaj dijeje. Kjo vëmendje u bë më e theksuar pas krizës së viteve 2007 – 2008, ku bota dhe ne shqiptarët mësuam edhe më shumë mbi një fakt të thjeshtë: nuk mund të jetojmë për një kohë të gjatë përtej mundësive dhe burimeve tona financiare.

Pse ka kaq vlerë edukimi financiar dhe pse kjo dije mbi paranë dhe financat nuk duhet të mbetet pronë e një pjese të qytetarëve dhe publikut? Para se të formulohet një përgjigje vlen të theksohet se, në një analizë vrojtuese të SallieMae në SHBA, në janar 2016, me studentët e kolegjeve të ndryshme të biznesit, u arrit në përfundimin që ata në një pjesë të madhe nuk kishin një kuptim të plotë dhe të qartë mbi mekanizmin e funksionimit të produkteve financiare. Konkretisht, vetëm 31% e tyre iu përgjigjën korrekt tre pyetjeve të bëra nga SallieMae, lidhur me huat, pagesën e interesave dhe vlerën në kohë të parasë. Gjithashtu, sipas një studimi të Standard &Poor’s Ratings Group, SHBA në vitin 2015 klasifikohej e 14ta  në botë, me një normë dijesh financiare prej 57%. Nga këto të dhëna mund të pohohet thjesht që edukimi dhe dija financiare nuk mund të jetë një e mirë private, apo e një grupi të caktuar, por duhet të jetë një e mirë për të gjithë, pra një e mirë publike. Vetëm duke u trajtuar si e tillë ajo do ketë mundësi të jetë e arritshme nga shumica apo pjesa dërrmuese e popullatës dhe më e rëndësishmja, do të jetë një kontribuese e drejtpërdrejtë dhe afatgjatë në mirëqenien e njerëzve.

Një qytetar i mirë-edukuar nga pikëpamja financiare rrit shanset për të pasur nesër dhe gjithë kohës nëpër sportelet e bankave më pak klientë të këqij dhe lehtësi më të madhe për të kuptuar dhe ofruar shërbimet e produktet e tyre.

Përpos këtyre përfitimeve, shoqëria do të përjetojë më pak probleme sociale, pasi qytetarët e saj do të jenë në gjendje të marrin vendime më të përgjegjshme dhe më të menduara financiarisht. Gjithsesi, këto përfitime që sjell edukimi financiar dhe sukseset e rezultateve të tij, për fat të keq nuk janë të garantuar, por  kërkojnë shumë kohë, investime dhe mjaft përkushtim, jo vetëm nga bankat. Thënë ndryshe, edukimi financiar nuk mund të jetë thjesht një çështje e bankave, e në kushte të tilla bankat nuk mund të jenë as aktorët dhe as përfituesit e vetëm të tij. Duhet të jetë e qartë se, jo çdo gjë arrihet me para’ apo bëhet për para’, e për më tepër, të gjithë grupet e interesit duhet të jenë të gatshëm të marrin përsipër kostot respektive, që jo gjithnjë janë të një natyre monetare. Në finale, të gjithë jemi të interesuar për të vjelë gjithë kohës sa më shumë rezultate pozitive nga edukimi financiar, por për të arritur këto duhet rikujtuar çdo ditë dhe në çdo hap aksioma: “Ç’TË MBJELLËSH DO TË KORRËSH!”. Kjo, pasi siç thekson dhe Prof. Annamaria Lusardi e George Washington University: “Të kesh njohuri rreth menaxhimit të parave, buxhetimit dhe financave nuk përbën garanci për sukses në jetë, por injoranca në lidhje me koncepte të tilla shpesh ka një kosto të madhe!”

Tagged with:
 

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.