knots-reefSistemi bankar, në pamje të parë, ka shënuar një vit të mirë në 2016-n. Aktivet u zgjeruan me ritmet më të larta në pesë vjet, depozitat u rritën kënaqshëm, kreditimi dha sinjale gjallërimi, ndërsa huatë me probleme u ulën. Por, në brendësi, gjërat nuk janë aq mirë sa duket. Rritja e huadhënies erdhi pothuajse tërësisht nga kredia që po jepet jashtë vendit, ndërsa ajo brenda vendit është në rënie. Depozitat po rriten tërësisht nga kahu i valutës, duke bërë që Banka e Shqipërisë të japë alarmin për nivelin e lartë të euroizimit. Fitimet e sistemit u reduktuan dhe ato janë të përqendruara vetëm në pak banka. Reduktimi i kredive me probleme (NPL) erdhi tërësisht nga fshirja e huave që kanë më shumë se tre vjet që nuk u kthehen bankave, ndërsa sistemi vijoi të gjenerojë NPL të reja edhe si rrjedhojë e falimentimeve të mëdha.

Bankierët mbeten pesimistë në afatin e shkurtër, të ndikuar nga viti elektoral, por në afatgjatë ata presin që sistemi të rimëkëmbet.

Aktivet, bankat u kthehen letrave me vlerë

Totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1.4 trilionë lekë në fund të vitit 2016, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, duke u zgjeruar me 6.8%.
Këto janë ritmet më të larta të rritjes që nga viti 2011. Një vit më parë, zgjerimi i aktiveve ishte minimal, prej vetëm 1.9%.

Grafiku-1-Totali-i-aktiveve-te-sistemit-bankar

Aktivet e sistemit bankar tregojnë mënyrën se si bankat i investojnë fondet e tyre, që mbledhin nga depozituesit.
Në vitin 2016, forma e investimit që ka mbizotëruar ka qenë ajo e blerjes së letrave me vlerë të qeverisë, që ka ndikuar në gati 68% të rritjes së aktiveve, ndryshe nga viti i mëparshëm kur bankat preferuan t’i vendosnin paratë jashtë vendit “depozita në banka, institucione krediti dhe institucione të tjera financiare”. Zëri i fundit është rritur me vetëm 4% në 2016-n, nga 16% vitin e mëparshëm.

Pavarësisht se bankat janë të mbushura në valutë, normat e interesit ndëshkuese për vendosjen e parave jashtë vendit e kanë bërë këtë alternativë më pak të përdorshme në vitin 2016. Sidomos në tremujorin e fundit të vitit 2016, “Depozitat në banka, institucione krediti dhe institucione të tjera financiare” ranë me 29 miliardë lekë, apo 29%, duke arritur nivelin më të ulët që nga tremujori i parë i vitit 2015. Ministria e Financave nga ana e saj tentoi të përfitojë nga ky bollëk i valutës në banka, duke shitur disa herë letra me vlerë të nominuara në euro.
Kërkesa e lartë e bankave për letrat me vlerë të qeverisë bëri që yield-i (interesi) i bonove të thesarit në lekë të binte në nivele minimale rekord, për të arritur në 1.24% për bonot 12-mujore në korrik.

Në fund të 2016-s, pesha e zërit të “veprimeve me letra me vlerë” ndaj totalit të aktiveve arriti në 26%, nga 23.3% që ishte një vit më parë. Sjellja është e ndryshme nga viti i kaluar, kur veprimet me letrat me vlerë ranë, sidomos në tremujorin e fundit të 2015-s, pasi qeveria emetoi me sukses eurobondin prej 450 milionë eurosh, nga i cili 300 milionë euro shkoi për rifinancimin e eurobondit dhe 150 milionë u përdor për zëvendësimin e borxhit të brendshëm.
Zëri i veprimeve me klientët bruto u rrit me 3.4% apo gati 19 miliardë lekë. Ky zë tregon huanë që jepet për ekonominë, duke e zhveshur atë nga efekti i fshirjes së kredive nga bilancet e bankave. Ndonëse ka një përmirësim të dukshëm nga viti i mëparshëm, kur veprimet me klientët ranë me 1.4%, në 2016-n, rritja ka ardhur pothuajse tërësisht nga kredia e dhënë jashtë vendit (për jorezidentët), stoku i së cilës u rrit me 26 miliardë lekë për 2016-n, nga 19 miliardë lekë që ishte zgjerimi total, çka tregon se huaja në tregun e brendshëm realisht ra me rreth 7 miliardë lekë (pa efektin e fshirjes së huave që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen).

Grafiku-2-Ecuria-e-zerave-kryesore-te-aktiveve

Ngec huaja për ekonominë, rritje zero në 2016

Përpjekjet e vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë për të nxitur huadhënien në ekonomi, përmes bërjes më të lirë të kostos së parasë nuk kanë arritur të japin efekt.
Stoku i huasë për ekonominë, në fund të dhjetorit, ishte 546.7 miliardë lekë, nga 567.8 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Negativisht këtu ka ndikuar dhe fshirja e huave, një proces që intensifikohet gjithnjë në muajt e fundit të vitit. Rënia më e madhe e stokut ishte në dhjetor, me 5.6 miliardë lekë.
Janari ka vijuar me tkurrje dhe shkurti me një rritje të lehtë, teksa stoku ka zbritur në 545.8 miliardë lekë në fund të shkurtit.

Reduktimi i huasë rezulton të ketë ardhur tërësisht nga valuta, e cila është kryesisht në euro. Sipas statistikave, stoku i kredisë në valutë në janar 2017 ra me 6.3%, në 286 miliardë lekë.
Në të kundërt, huaja në lekë është gjallëruar si rrjedhojë e dy faktorëve. Interesat e huave në lekë kanë qenë më të favorshme, pasi ato kanë zbritur në 8-9% dhe nga ana tjetër, vetë bankat kanë orientuar kredinë në monedhën vendase, për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit.

Kredia në lekë është rritur me gati 9% me bazë vjetore në janar, për të arritur në 258.7 miliardë lekë.
Pesha e huasë në valutë ka rënë ndjeshëm, në 52.5% të totalit në janar 2017, nga 56.2% në të njëjtën periudhë dhe shumë larg prej 70% që ajo zinte në vitet e arta 2006-2008, kur huaja për ekonominë pa rritje me ritme dyshifrore, dhe ka pasur vite kur i kalonte dhe 50% zgjerim.

Rritja e vazhdueshme e kredive me probleme, që i bëri bankat më të kujdesshme, ngadalësimi i ekonomisë, maturimi i shumë sektorëve janë disa nga arsyet kryesore të ngërçit të kreditimit vitet e fundit. Në 2015, rritja vjetore e kredisë ishte negative prej -2.4%.

Grafiku-3-Totali-i-kredise-janar-2012-shkurt-2017

Grafiku-5-Pesha-e-kredise-ne-valute-ndaj-totalit

Zgjerohet kredia jashtë vendit

Teksa stoku i huasë për bizneset jashtë Shqipërisë (jo rezidentët) arriti në 98.2 miliardë lekë në janar të vitit 2017 (rreth 720 mln euro), duke u dyfishuar në vetëm dy vjet, bankierët kanë dhënë alarmin për këtë dukuri.
Bankierët, të kontaktuar nga “Monitor”, pohojnë se kjo hua po jepet kryesisht në Kosovë nga një apo dy banka. Ata shtojnë se kjo nuk është gjë e mirë për vendin, pasi paratë po shkojnë jashtë Shqipërisë dhe nuk po investohen këtu. Edhe ajo rritje prej 2-3% e huasë në total që u konstatua në 2016-n, ka ardhur kryesisht nga kreditimi për kompanitë jashtë vendit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se shtesa vjetore e stokut të kredisë për bizneset jashtë vendit,në janar 2017, ishte 27.5 miliardë lekë, ndërsa ajo për bizneset vendase (korporatat jofinanciare) ra me 3.6 miliardë lekë për të njëjtën periudhë.

Arsyet që po i nxisin bankat të japin hua jashtë lidhen kryesisht me faktin që kërkesa në tregun e brendshëm, kryesisht nga bizneset e mëdha, ka rënë, si dhe interesat më të larta të kredive në Kosovë. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, në janar, interesi i kredive të reja në euro ishte 7.7%. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se huaja e re në euro, në të njëjtën periudhë në Shqipëri, kishte një interes prej 4.6%, pra në Kosovë interesat janë 3 pikë përqindje më të larta, që nënkuptojnë më shumë fitime për bankat.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, huaja për jorezidentët u rrit me 40% me bazë vjetore në 2016-n. Zgjerimi vijoi i fortë dhe në janar, me 4% me bazë mujore për të arritur në 98.2 miliardë lekë. Rritja ka qenë e shpejtë, duke filluar nga mesi i 2014-s, për t’u përshpejtuar në 2016-n (shih grafikun). Stoku i huasë për jorezidentët ka arritur në 15% të totalit në janar 2017, nga 8.6% që ishte në dhjetor 2014.

Por, bankierët thonë se është e vështirë të merresh me huatë jashtë vendit, për shkak të mjedisit të panjohur, jo vetëm sa i përket biznesit, por dhe institucioneve të tjera, si p.sh., gjykatat.
Edhe më herët, ekspertë të departamentit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë kanë pohuar në takimet me mediat se huaja jashtë vendit po jepet nga pak banka dhe për një grusht kompanish. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë konfirmojnë se, këto investime paraqesin risk të lartë për monitorimin e cilësisë së portofolit, për shkak të procedurave të ndryshme rregullatore dhe ligjeve në Shqipëri dhe vendet ku ushtrojnë aktivitet kompanitë.
Në raportin e tremujorit të tretë të politikës monetare të vitit të kaluar, BSH theksonte se në përgjithësi, kredia për jorezidentët orientohet në afate më të gjata maturimi, me peshën kryesore në afatin e mesëm (52%). Gjatë vitit të fundit, vërehet zgjerim i peshës së kredisë afatmesme dhe ngushtim i asaj afatgjatë.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se cilësia e kredisë për subjektet jorezidente konsiderohet relativisht e mirë, pasi raporti “kredi me probleme ndaj tepricës së kredisë” shënon 5.5% dhe ka ardhur në rënie të vazhdueshme gjatë dy viteve të fundit.

Grafiku-6-Huaja-per-jorezidentet-janar-2009-janar-2017

Grafiku-7-Ndryshimi-vjetor-i-kredise-janar-2015-janar-2017

Depozitat në valutë, për herë të parë në histori më të larta se ato në lekë

Në vitin 2016, sistemi bankar shqiptar ka arritur të ketë më shumë depozita në euro, sesa në monedhën vendase, për herë të parë në historinë e tij. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në janar të vitit 2017, stoku i depozitave në valutë (kryesisht euro) arriti në 531 miliardë lekë, me një rritje prej 6.6% me bazë vjetore. Në vlerë absolute, kjo është rritja më e madhe e kursimeve vjetore në valutë, që prej vitit 2007.

Ndryshe nga valuta, kursimet në monedhën vendase ranë me gati 1% me bazë vjetore, duke arritur në 482 miliardë lekë. Tkurrja e depozitave në lekë është e ndikuar kryesisht nga ulja e normave të interesit, që për ato njëvjeçare arritën në më pak se 1%. Në një mjedis të tillë të pafavorshëm për të kursyer, individët kanë reduktuar depozitat me afat në lekë. Këto të fundit ranë në 11% në janar, me bazë vjetore, apo rreth 270 milionë euro që janë tërhequr dhe kanë kaluar në maturitete më afatgjata, janë investuar në letra me vlerë të qeverisë, apo dhe në alternativa të tjera, si platformat online.
Rritja e depozitave në valutë nuk arriti të kompensojë ato në lekë, dhe në janar, kursimet në ekonomi në total ranë me 300 milionë lekë me bazë mujore.

Për gjithë vitin 2016, kursimet në total u rritën me 2.9%, të udhëhequra tërësisht nga valuta.
Në një ekonomi, ku monedha kombëtare është leku, depozitat në valutë në janar arritën në 52.4% të totalit.
Por e gjithë kjo valutë në ekonomi nuk duket se do të sjellë vlerë të lartë të shtuar. Bankat e kanë frenuar kredidhënien në valutë, stoku i së cilës po bie vazhdimisht, duke arritur në 52.4% të totalit në janar 2017, nga rreth 70% që ishte vite më parë. Një pjesë e kredisë madje po shkon jashtë vendit. Normat e ruajtjes së fondeve jashtë vendit janë pothuajse zero dhe si rrjedhojë interesat që bankat ofrojnë te klienti janë afër zeros. Ajo që ka tentuar të përfitojë është qeveria, që shiti dy herë gjatë vitit të fundit letra me vlerë në euro.

Grafiku-9-Ecuria-e-depozitave-sipas-llojit-te-monedhes

Grafiku-8-Pesha-e-depozitave-ne-valute-ndaj-totalit

Frika nga euroizimi

Teksa kursimet në valutë janë më të larta se ato në lekë dhe stoku i kredisë së dhënë është gjysma në valutë, Banka e Shqipërisë e ka pohuar hapur rrezikun e euroizimit të vendit. Në një intervistë të mëparshme për “Monitor”, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka pohuar se përdorimi i lartë i monedhës së huaj mund të jetë pengesë në përpjekjet e autoriteteve për formalizimin e ekonomisë, zbatimin e politikave fiskale efektive, reformave të nevojshme për transparencën financiare dhe arsye të tjera. Institucioni monetar qendror, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, do të hartojnë një plan të përbashkët pune për të nxitur më shumë transaksionet në lekë me qëllim uljen e euroizimit në ekonomi. Guvernatori tha se Banka e Shqipërisë është duke punuar për të identifikuar disa masa, të cilat do të synojnë të rrisin koston e përdorimit të monedhës së huaj në transaksionet e sektorit bankar, të forcojnë rezistencën e sektorit bankar ndaj stresit të likuiditetit në valutë dhe të përmirësojnë më tej kërkesat për ndërgjegjësimin e huamarrësve në valutë ndaj rrezikut shoqërues të kursit të këmbimit.

Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka këshilluar autoritetet që duhet të vazhdojnë të ndjekin një de-euroizim gradual, duke pasur në konsideratë rreziqet e këtij procesi.
Por bankierët ndonëse e pohojnë se euroizimi është një problem, janë skeptikë nëse do të arrijë të ndalet ai, teksa euro është një monedhë shumë e preferuar, sidomos në kahun e kursimeve (lexo intervistat në vijim).

Kreditë me probleme ulen me ndihmë

Huaja me probleme në sistemin bankar shqiptar zbriti në 18.27% në dhjetor (në pothuajse të njëjtat nivele si një vit më parë) dhe më pas në 18.03% në fund të muajit shkurt 2017, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Tendenca rënëse po konstatohet për të katërtin muaj radhazi dhe më e fortë ishte në dhjetor, me gati 2 pikë përqindje, si rrjedhojë e fshirjes nga bilanci të huave të humbura. Përgjithësisht në fund të çdo viti, bankat fshijnë nga bilancet huatë që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen. Ato nuk figurojnë më statistikisht, ndonëse banka e vijon përpjekjen për mbledhjen e tyre.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2016, bankat kanë qenë më pak aktive ndaj procesit të fshirjes së kredive “të humbura” nga bilancet e tyre, duke larguar nga bilancet një portofol prej 14.6 miliardë lekësh, ndërsa në vitin 2015 u fshi një rekord prej 26.7 miliardë lekësh.
Në vlerë absolute, kreditë e pakthyera në afat në banka, në fund të muajit shkurt, ishin rreth 98 miliardë lekë, apo gati 715 milionë euro. Nëse i shtojmë dhe shumën e fshirë prej 41.3 miliardë lekësh në periudhën 2015-2016, stoku i huave të pakthyera do të ishte gati 140 miliardë lekë (mbi 1 miliard euro), apo rreth 25.6% e totalit të kredisë.

Si rrjedhojë, nëse huatë e pakthyera prej më shumë se tre vitesh nuk do të ishin fshirë nga bilancet e bankave, treguesi i NPL-ve do të ishte më i lartë se niveli rekord i arritur në korrik 2014 prej 24.88%. Të dhënat tregojnë se më shumë se rënie reale,reduktimi i treguesit të NPL-së ka qenë një veprim statistikor, i ndikuar nga fshirja e kredive të humbura.

Edhe në vitin 2015, huatë me probleme ranë në 18.2%, për t’u rritur më pas në 21.44% në gusht2016 dhe duke u kthyer sërish në nivelin e fundit të 2015-s në dhjetor të vitit të kaluar. Negativisht ndikuan në sistem vitin e kaluar disa falimentime të mëdha, ku më kryesori ishte kompania e prodhimit të çelikut Kurum, që kishte gati 42 euro kredi në bankat shqiptare.

Banka e Shqipërisë, në raportin e saj vjetor, thekson se viti 2016 shënoi progres të dukshëm në drejtim të zbatimit të Planit të Veprimit për uljen e huave me probleme. Krahas ndryshimeve në disa akte rregullative të Bankës së Shqipërisë, fundi i vitit solli edhe miratimin në Kuvend të disa përmirësimeve ligjore të rëndësishme, ku veçojmë ligjin “Për falimentimin” dhe ndryshimet në ligjin “Për zyrat e përmbarimit”. Banka e Shqipërisë vlerëson që këto përmirësime ligjore, do t’u japin bankave dhe aktorëve të tjerë që përfshihen në procesin e zgjidhjes së huamarrjes problematike, instrumente të rëndësishme për të përmirësuar efektivitetin e procesit dhe për të përshpejtuar uljen e huave me probleme në sektorin bankar.

Grafiku-10-Huate-me-probleme-bruto-ndaj-totalit-te-huave

Fitimi i bankave ra me 41% në 2016-n

Sistemi bankar nuk ka kaluar një vit të mbarë për sa i përket përfitueshmërisë. Sipas statistikave tremujore të Bankës së Shqipërisë, fitimi i sistemit për vitin 2016, i raportuar sipas standardeve lokale, ishte 9.27 miliardë lekë (rreth 67 milionë euro), me një rënie prej 41% në raport me vitin e mëparshëm.

Arsyeja kryesore që ka ndikuar në këtë rënie të fitimeve është rritja e fortë e shpenzimeve për provigjionime (fondet që bankat lënë mënjanë për të mbuluar huatë e pakthyera në afat), të cilat pothuajse u katërfishuan për të arritur në 18.4 miliardë lekë. Pas rënies të huave me probleme në 18.22% në fund të 2015-s, më pas filloi sërish rritja graduale, që kulmoi në gusht 2016, në 21.44%, për të rënë sërish në rreth 18.3% në fund të 2016-s, por kryesisht si rrjedhojë e fshirjes së huave që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen.
Një tjetër arsye që ka ndikuar në rënien e fitimeve është reduktimi i të ardhurave neto nga interesat, me rreth 1.8 miliardë lekë. Ndryshe nga viti 2015, ku bankat përfituan nga rënia më e shpejtë e interesave të depozitave (kostos së fondeve) në raport me normën e kredisë (të ardhurat e bankave), në 2016 ky efekt kishte përfunduar. Një pjesë të të ardhurave, bankat e rikuperuan përmes rritjes së ndjeshme të të ardhurave neto nga veprimtaria (me 9.7 miliardë lekë).

Në vitin 2015, sistemi bankar arriti një fitim rekord prej 15.7 miliardë lekësh, por ai ka rezultuar vetëm në letra, teksa tatimi i paguar ishte vetëm 2.3 miliardë lekë, nga 2.4 miliardë lekë që u paguan në 2016-n.
Sipas ekspertëve bankarë, fitimi i arritur në 2016-n vlerësohet i pakënaqshëm për sistemin. Norma e kthyeshmërisë ndaj kapitalit (fitimi/kapitali rregullator) duhet të jetë mesatarisht mbi 15%, që investimi të konsiderohet eficient, ndërsa për vitin 2016 ai llogaritet në 6.6%.

Të dhënat e Shoqatës së Bankave tregojnë se fitimi është i përqendruar në pak banka. Për vitin 2016, 6 nga 16 banka rezultuan me humbje, ndërsa vetëm dy banka, BKT dhe Intesa kishin fitimet më të larta, përkatësisht 7.4 dhe 2.3 miliardë lekë (sipas standardeve IFRS). Në bankat e tjera, fitimi varionte nga 37 deri në 420 milionë lekë.

Grafiku-11-Fitimi-i-bankave

________________________

Versionin origjinal e gjeni në Monitor.al

 

Tagged with:
 

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.