MW-FP915_bitcoi_20170709184707_ZHQë nga lashtësia, ku njerëzit paguanin mallin me mall, paraja ka ndryshuar në koncept dhe formë. Paraja lindi si nevojë për të njësuar këmbimin, por që nga ajo kohë, koncepti i parasë ka evoluar aq shumë, saqë shumë e parashikojnë të afërt fundin e monedhave dhe kartëmonedhave…
Historia e evoluimit të parasë (mjetit të këmbimit), nga guaskat, te monedhat, letrat me shenjë, apo të dhënat elektronike e kanë zhvendosur gradualisht paranë nga origjina e saj, duke arritur deri në monedhën virtuale, një kod kompjuteri, që nuk ekziston fizikisht dhe që nuk kontrollohet prej bankave qendrore, si Bitcoin.

Bitcoin, që funksionon si një kriptomonedhë dhe si një sistem dixhital pagese, i shpikur nga një programues i panjohur, u përhap për herë të parë nga një softuer me të dhëna të hapura në vitin 2009, ku vlera e një Bitcoin ishte 0.05 dollarë.
Sot, në tregjet ndërkombëtare, vlera e një Bitcoin-i ka arritur shifra të larta mbi 2000 dollarë. Por si çdo investim me kthim të lartë, rreziqet shkojnë në përpjesëtim të drejtë.
Kriptomonedha, e cila megjithëse ekziston prej 2009-s në treg, por vetëm kohët e fundit ka bërë bujë në tregjet ndërkombëtare, ka filluar që të tërheqë dhe investitorë nga Shqipëria.

Si po funksionon Bitcoin në Shqipëri?

Në Shqipëri është krijuar grupi i investimit në Bitcoin, me të cilët mund të vihesh në kontakt fare lehtë nëpërmjet rrjeteve sociale. Të interesuar për të investuar në Bitcoin, personi që administron grupin na jep dy mundësi operimi, përkundrejt pagesës cash ose duke bërë blerje direkte në internet.

Sipas shpjegimit të tij, në Bitcoin ka dy lloje investimesh, pasiv dhe aktiv. Investimi si investitor pasiv, kishte të bënte me blerjen e kriptomonedhave Bitcoin dhe më pas i rishisje në një moment të dytë kur çmimi rritej në tregjet ndërkombëtare.
Investimi aktiv në Bitcoin kryhet duke blerë një paketë, ku vlera më e vogël e një pakete ishte 500 dollarë dhe 99 dollarë anëtarësia. Më pas hardueri, në të cilin bëhesh pjesë pas blerjes së paketës, bën përllogaritjet e të gjitha transaksioneve që kryhen.

Sipas administratorit, në rast se do të blije një paketë, çdo ditë do të ktheheshin një shumë x BTC nga ajo që kishe investuar fillimisht.
Personi pas faqes Bitcoin Albania dërgon edhe video informuese për të shpjeguar mënyrën e funksionimit të kriptomonedhës.
Në rast se do të operosh me cash, administratori të mundëson takim me një nga përfaqësuesit në Shqipëri, të cilit i jep shumën që ke vendosur për të investuar.
I pyetur se çfarë sigurie ka investimi në Bitcoin, administratori përgjigjet se edhe ai vetë nuk ka siguri për investimin që ka kryer.

A është Bitcoin flluska e radhës?!

Administratori i Bitcoin Club Albania thotë se nuk kanë licencë operimi në Shqipëri, por vetëm në Zvicër, madje nuk kanë as zyra, por herë pas here organizojnë takime informuese. Takimi i radhës pritet të mbahet në muajin që do të vijë. Në Shqipëri, thotë ai, vijnë për t’iu dhënë mbështetje njerëzve me diçka të re.
Cili është përfitimi i tyre?! Përfitimet rriten bazuar me një sistem pikësh dhe përqindjesh, të cilat ti i merr duke bërë pjesë sa më shumë investitorë të rinj në Bitcoin.

Banka e Shqipërisë dhe AMF, nuk kemi asnjë kompani të licencuar

E kontaktuar nga Monitor, Banka e Shqipërisë bën të ditur se nuk ekziston asnjë subjekt financiar i licencuar për tregtimin e monedhës virtuale Bitcoin në Shqipëri. Kuadri rregullator i Bankës së Shqipërisë nuk e parashikon kryerjen e një veprimtarie të tillë në Shqipëri.

Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar të zbatojë me rigorozitet funksionin e saj mbikëqyrës për subjektet financiare të licencuara prej saj, në zbatim të ligjit për Bankën e Shqipërisë dhe ligjit “Për bankat” në Republikën e Shqipërisë.
Edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare informon se nuk ka pasur asnjë kompani të licencuar për tregtimin e Bitcoin në Shqipëri.

Çfarë janë monedhat virtuale?

Sipas Autoritetit Bankar Europian, një monedhë virtuale është një formë e parregulluar e parave dixhitale, e paemetuar dhe e pa garantuar nga një bankë qendrore, e cila mund të veprojë si mjet pagese. Monedhat virtuale janë krijuar në shumë forma, duke filluar si monedha brenda mjedisit të lojërave online kompjuterike dhe rrjeteve sociale, dhe duke u zhvilluar në mjete të pagesës të pranuar ‘offline’ ose në ‘jetën reale’. Tashmë është gjithnjë e më shumë e mundur që të përdoren monedhat virtuale si një mjet për të paguar mallra dhe shërbime me tregtuesit me pakicë, restorante dhe vende argëtuese. Shpesh këto transaksione nuk kanë ndonjë tarifë ose pagesë, dhe nuk përfshijnë ndonjë bankë.
Kohët e fundit, monedha virtuale “Bitcoin” ka vendosur bazën për një gjeneratë të re të monedhave virtuale të decentralizuara – shpesh referuar edhe si kripto-monedha.

Monedha virtuale mund të blihet në një platformë këmbimi duke përdorur monedhën konvencionale. Ata transferohen më pas në një llogari të personalizuar të njohur si ‘portofol dixhital’. Duke përdorur këtë portofol, konsumatorët mund t’i dërgojnë monedhat virtuale në internet tek të gjithë të tjerët, që janë të gatshëm për t’i pranuar ata, ose të bëjnë konvertimin e tyre përsëri në një monedhë konvencionale (të tilla si Euro, Paund apo Dollar).

Si funksionon Bitcoin

Në fakt, në themel të saj, Bitcoin ka decentralizmin. Nuk ka asnjë bankë qendrore apo qendër ku Bitcoin emetohet. Monedha është tërësisht dixhitale dhe nuk ekziston në asnjë lloj forme fizikisht.
Duke qenë se portofoli i Bitcoin nuk është asgjë tjetër veçse një kod me të dhëna në kompjuter, vjedhjet apo manipulimet janë të predispozuara që të ndodhin në rast se përdoruesi nuk merr masat e duhura.

Më 27 qershor, një virus trojan u përhap në internet, duke sulmuar portofolin me monedhat virtuale të përdoruesve. Edhe në vitin 2011 u hakuan rreth 478 llogari të ndryshme, nga të cilat u vodhën rreth 25 mijë monedha BTC me vlerë 8.7 milionë dollarë. Pas sulmit kibernetik në atë kohë, vlera e një Bitcoin ra nga 19 dollarë në 0.01 $ brenda 1 ore.

Rreziqet nga investimi në Bitcoin

  1. E pagjurmueshme

Kjo veti e Bitcoin ka tërhequr edhe krimin. Njerëzit mund të blejnë dhe shesin drogë, apo mallra të tjerë të jashtëligjshëm pa rrezikuar që të gjurmohen nga autoritetet. Në këtë aspekt është i ngjashëm me paranë cash, që njeh përdorim të gjerë nga kriminelët.

2. E lehtë për t’u humbur

Nëse karta e kreditit vidhet apo hakohet, bankat bllokojnë llogaritë dhe rregullojnë balancat. Madje mund të rimarrësh paratë në rast se policia vepron me shpejtësi. Por në rast se humbisni Bitcoin, humbja është e pakthyeshme. Mënyra më e mirë për t’i ruajtur Bitcoin është në një disk të shkëputur nga interneti.

3. E vështirë për t’u tregtuar

Nuk mund të përdorësh kartën e kreditit për të blerë lehtësisht Bitcoin për arsyet e lartpërmendura. Nuk ka një mënyrë të lehtë për t’i shitur dhe për t’i blerë. Ka shumë pika këmbimi të cilat ofrojnë shërbimin në mënyra të ndryshme, por ende nuk është si transferimi i parave me PayPal.

4. Ende shumë e re

Bitcoin ka shumë pak vite në treg. Ka mundësi që konkurrente të kësaj monedhe të bëhen më të suksesshme se Bitcoin apo t’i gjenden të meta të mëdha.

5. Nuk mund ta blesh

Nuk ka shumë vende ku Bitcoin pranohet si pagesë. Kjo ka gjasa që të ndryshojë në të ardhmen, por në ditët e sotme, pjesa më e madhe e njerëzve blejnë Bitcoin si një mënyrë investimi.

6. Shumë e paqëndrueshme

Aktualisht çmimet e Bitcoin po rriten çmendurisht. Këto ndryshime kaq të mëdha në çmim nuk janë të përshtatshme për tregun. Dyqanet online duhet të rregullojnë çmimet e produkteve thuajse çdo ditë.

Avantazhet që e bënë Bitcoin popullor

Së pari, përdoruesit e Bitcoin nuk preken nga inflacioni. Një nga problemet më të mëdha me dollarin dhe monedhat e tjera është inflacioni. Gjatë gjithë kohës, monedhat e humbasin fuqinë e tyre blerëse me disa pikë përqindje çdo vit, pasi bankat qendrore vazhdojnë dhe emetojnë gjithnjë më shumë para. Përdoruesit e Bitcoin nuk e kanë këtë problem, pasi sistemi është programuar në mënyrë të tillë që kriptomonedhat Bitcoin do të kenë një limit. Vetëm 21 milionë Bitcoin do të emetohen. Emetimi i kriptomonedhave të reja është ngadalësuar dhe do të përfundojë plotësisht brenda disa dekadave. Deri në 2050-n (vit që përkon me emetimin e Bitcoin-it të fundit) popullsia në botë përllogaritet se do të jetë rreth 10 miliardë njerëz. Do të ketë 1 Bitcoin për çdo 500 individë.

Së dyti, është rreziku i ulët nga falimentimi i ekonomive. Monedhat e zakonshme varen nga qeveritë, të cilat mund të falimentojnë. Të tilla ngjarje shkaktojnë hiperinflacion ose kolaps total të monedhës, dhe kursimet e një jete mund të zhbëhen brenda një dite. Fakti që Bitcoin nuk është i rregulluar nga asnjë qeveri e bën atë një monedhë virtuale globale.

Së treti, pagjurmueshmëria është njëkohësisht avantazh dhe dizavantazh për kriptomonedhën. Asnjë organizatë nuk mund të gjurmojë burimin e fondeve. Kjo veti nxit përdorimin e Bitcoin nga njerëz, të cilët mendojnë se qeveritë “po Bitcoinfusin duart” në kursimet e tyre.

Së katërti, monedhat virtuale transportohen lehtësisht. Mund të mbash me vete Bitcoin me vlerë miliona dollarë në formën e një çipi në xhep. Këtë nuk ta mundëson as paraja cash dhe as ari.

Banka e Kosovës paralajmëron qytetarët e saj për Bitcoin, askush nuk ju rimburson po humbët

Banka i referohet paralajmërimeve të mëparshme të Autoritetit Bankar Europian. Ja cilat janë rreziqet

Në fillim të muajit qershor, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka publikuar një deklaratë, ku ka paralajmëruar qytetarët lidhur me përdorimin e mundshëm të parave virtuale në Republikën e Kosovës.
Sipas bankës Qendrore të Kosovës, përdorimi i parave virtuale, siç është për shembull Bitcoin, nuk është i rregulluar ligjërisht dhe përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare. Të gjithë përdoruesit e mundshëm të parasë virtuale njoftohen se në Republikën e Kosovës nuk ka asnjë institucion që garanton rimbursimin e parave të humbura.
Banka i referohet në njoftimin e saj informacionit që është publikuar nga Autoritetit Bankar Europian (EBA).

Paralajmërimet e Autoritetit Bankar Europian

Në faqen e Autoritetit Bankar Europian (EBA) gjenden informacione të shumta mbi monedhat virtuale.
EBA ka lëshuar herë pas herë paralajmërime mbi rreziqet me të cilat mund të përballen individët që përdorin monedhat virtuale, siç është Bitcoin. EBA paralajmëron se klientët nuk janë të mbrojtur nga rregullatorët, kur përdorin monedhat virtuale si një mjet pagese dhe mund të përballen me rrezikun e humbjes së parave. EBA gjithashtu ka shtuar se nuk ka asnjë garanci mbi qëndrueshmërinë e monedhës virtuale. Paralajmërimi është lëshuar pasi Autoriteti ka vlerësuar të gjitha aspektet e lidhura me monedhat virtuale, në mënyrë që të identifikojë nëse monedhat virtuale mund të rregullohen dhe mbikëqyren.

Sipas Autoritetit Bankar Europian, ndërsa monedhat virtuale vazhdojnë të rrisin popullaritetin e tyre, klientët duhet të bëjnë kujdes dhe të jenë të ndërgjegjshëm lidhur me rreziqet që lidhen me përdorimin e tyre. Në veçanti, klientët duhet të bëjnë kujdes me platformat e këmbimit, pasi në përgjithësi janë të mbikëqyrura dhe nuk janë si bankat që të mbajnë monedhën e tyre virtuale si një depozitë. Aktualisht, nuk ekziston asnjë rregullator mbrojtës në Bashkimin Europian që të mbrojë konsumatorin nga humbjet financiare, nëse ndonjëra nga këto platformat online, që merren me këmbimin dhe me depozitimin e monedhave virtuale, falimenton apo dështon.

EBA shton në njoftimin e saj se portofolat dixhitalë që mbajnë monedhat virtuale të klientëve të ruajtur në kompjuterë, laptopë apo smartphone, nuk janë të paprekshëm nga hakerët. Sipas EBA janë raportuar raste të humbjeve të mëdha në monedhën virtuale, pa perspektivë kthimi mbrapsht të shumës së humbur. Gjithashtu, në rastet e përdorimit të monedhës virtuale si mjet për transaksionet tregtare, nuk ka asnjë ligj në Bashkimin Europian që mbron klientët.

Autoriteti Bankar Europian gjithashtu rikujton se transaksionet në monedhë virtuale mundësojnë një shkallë të lartë anonimiteti, që mund të përdoret për aktivitete kriminale, përfshirë dhe pastrimin e parave. Ky shpërdorim mund të bëjë që agjencitë ligj-zbatuese të mbyllin platformat e këmbimit dhe të ndalojë që klientët të kenë akses apo të marrin mbrapsht fondet që mund të kenë në këto platforma.
Klientët duhet të jenë të vetëdijshëm se përdorimi i monedhave virtuale mund të ketë pasoja tatimore dhe duhet të sigurohen nëse në shtetin e tyre aplikohet taksë në rastin e përdorimet të monedhave virtuale.
Në fund, Autoriteti Bankar Europian rekomandon konsumatorët kur ata blejnë monedhë virtuale duhet të kuptojnë karakteristikat e tyre specifike dhe të mos përdorin sasi parash të vërteta që nuk mund t’i përballojnë që t’i humbasin.

______________________________________________

Ky shkrim është publikuar në Monitor.al

 

Tagged with:
 

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.