Nën këndvështrimin e modeleve bashkëkohore të zhvillimit ekonomik dhe evidencave të vendeve në zhvillim, kompozimi aktual i sektorëve të ekonomisë Shqiptare dhe i politikave aktuale të fokusuara në sektor si bujqësia apo shërbimet dhe zhvillimi i kapaciteteve institucionale dhe njerëzore- sugjeron për një rritje të ngadaltë dhe të ulët ekonomike. Dështimet në dekadat e fundit të disa vendeve në zhvillim ka ritheksuar tezën se strategjia e vetme drejt zhvillimit të qëndrueshëm është nëpërmjet industrializimit të eksporteve.

Por një fenomen tjetër që bie ndesh me rritjen ekonomike është de-industrializimi i parakohshëm që po ndodh në vendet në zhvillim. Shqipëria nuk ka pasur një valë industrializimi afatgjatë dhe ka kaluar në sektorët e shërbimit pa arritur më parë një nivel të ardhurash të larta. Ky zhvillim në rradhë të parë nuk mundëson asimilimin e gjerë të forcës punëtore (problemi jonë më i madh, papunësia) pasi kryesisht këto sektor kërkojnë punëtor me aftësi specifike, mesatare apo të larta. Së dyti, sektorët e shërbimit nuk kanë të njëjtën shtysë rritje ekonomike si ato të industrisë e cila mund të asimiloj shumë punëtor me aftësi të ulët.

Figura .1 Ndarja sektoriale, Shqipëri

123

Burimi: INSTAT, Ndërmarrjet aktive të huaja e të përbashkëta (Shqiptarë + Të huaj) sipas aktivitetit ekonomik dhe madhësisë, 2015

Ekzistojnë dy rryma që shpjegojnë zhvillimin ekonomik. Nga njëra anë janë modelet e ekonomisë së dyfishtë si tek Lewis (1954) dhe nga ana tjetër janë modelet neoklasike si tek Solow (1956). Modelet e ekonomisë së dyfishtë e konsiderojnë ekonominë si të ndarë midis sektorëve tradicional (agricultural) dhe modern (industrial) apo midis sektorit informal dhe atij formal. Në një ekonomi të dyfishtë zhvillimi ndodh kur faktorët e prodhimit(kryesisht punëtorët) zhvendosen nga sektori tradicional(agrikultura/ informal) në atë modern (industria/formal). Në modelet neoklasike rritja ndodh nga incentivat për të kursyer, akumulimi i kapitalit fizik dhe human.

Të dy këto modele parashikojnë konvergim të vendeve me të ardhur të ulëta; për modelet e ekonomisë së dyfishtë mjafton të zhvendosësh punëtorët nga sektori tradicional tek ai modern dhe për modelet neoklasike, hendeku në nivelin e kapitalit dhe produktiviteti ofron të ardhura të larta nga shtimi i kapitalit industrial.

Por parashikimet për konvergim i të dy modeleve nuk ka qenë plotësisht i saktë (Rodrik 2011). Dështimi i tyre ka mundësuar Rodrik (2013) të sintetizojë të dy modelet duke analizuar “transformimin strukturor” (si të sigurojmë që faktorët e prodhimit kalojnë në sektorët me produktivitet të lartë) dhe “zhvillimin e kapaciteteve” (si të akumulojmë aftësitë dhe të ndërtojmë institucione për të gjeneruar produktivitet të lartë e të qëndrueshëm në të gjithë ekonominë) si dy boshte që përcaktojnë rritjen ekonomike.

Rodrik (2013) ka ndërtuar një matricë 2×2 (Figura 2) ku paraqet rastet e mundshme të rritjes ekonomike nga kombinimi i transformimit strukturor dhe i zhvillimit të kapaciteteve. Një vend mund të arrijë rritje ekonomike të shpejt duke promovuar direkt industrinë, në vend që ta bëj atë në mënyrë indirekte nëpërmjet kapitalit human dhe institucioneve me shpresën se ato do zvhillojnë industrinë. Është e mundur të zhvillosh me shpejtësi industrinë pa investuar në kapital human, si rasti i vendeve të Azisë Lindore. Është e mundur gjithashtu të investosh në kapital human pa korrur rritje ekonomike të shpejt. Rasti i Amerikës Latine tregon se pavarësisht arritjes së stabilitetit makroekonomik, ndryshimi strukturor është shoqëruar me rritje të vogël ekonomike. Manifaktura humbi punëtorët të cilët u zhvendosën në sektorin informal dhe në sektor me produktivitet të ulët.

foto 4

Transformimi strukturor mund të krijojë rritje ekonomike në vetvete por nëse nuk shoqërohet më tej me investime në kapacitete, rritja ekonomike ulet dhe mbetet më pas rastësore. Zhvillimi i kapaciteteve nga ana tjetër kërkon kohë dhe kosto dhe prodhon rritje të qëndrueshme por të vogël. Kështu që rritja ekonomike e qëndrueshme ndodh kur transformimi strukturor shoqërohet më pas me zhvillimin e kapaciteteve.

Matrica e paraqitur në  figurën 2 shpjegon evidencat e rritjes ekonomike mes vendeve.  Zhvillimi institucional dhe ai i kapitalit human ka korrelacion me nivelin e të ardhurave por përmirësimet e kapitalit human nuk janë parashikues të mirë të rritjes ekonomike. Vetëm vendet që investojnë vazhdueshëm në kapacitetet e tyre bëhen të pasura, por investimi në këto kapacitete nuk është rruga më e shpejtë, sidomos në fazat e para të zhvillimit. Në fillimet e zhvillimit, është industrializimi i shpejt që sjell rritje ekonomike dhe këto politika mund të jenë të ndryshme nga ato konvencionalet për rritjen e kapaciteteve.

Një dekadë më parë ekonomistët ekstrapolonin rritjet ekonomike të vendet në zhvillim si Brazili, Rusia, India dhe Kina(BRICS) deri në nivele ku barazonin apo tejkalonin të ardhurat për frymë të Anglisë dhe Shteteve të Bashkuara. Por aktualisht rritja e tyre ekonomike rezulton shumë e ulët në krahasim me dekada më parë.

Kur vëzhgon tiparet e rritjes së tyre ekonomike vëren se rritja e tyre e lartë nuk ishte si pasojë e transformimeve produktive por si pasojë e rritjes së kërkesës së brendshme, e cila u stimulua nga rritje e çmimeve të mallrave që këto vende eksportojnë dhe nga rritja e nivelit të borxhit publik dhe privat. Po ti krahasojmë këto vende me ato që tashmë kanë konverguar në vende të zhvilluara si Koreja e Jugut, Tajvani dhe Singapori, do shohim se këto të fundit u rritën si pasojë e zhvillimit të shpejtë industrial. Kur popullsia rurale e Tajvanit u bënë punonjës fabrikash, ekonomia e tyre u transformua. Vendet e Azisë Lindore kanë ndjekur një industrializim masiv për disa dekada të kombinuar me rritje graduale të institucioneve dhe edukimit. Vendet në zhvillim të cilave ju kanë munguar eksportet (industrial) janë mbështetur te forcimi i institucioneve dhe i edukimit. Këto gjenerojnë rritje ekonomike, por në krahasim me rritjen ekonomike të vendeve të Azisë Lindore prej 7-8% këto vende kanë rezultuar me një rritje ekonomike prej 2-3%.

Një problematikë tjetër aktuale që po karakterizon vendet në zhvillim e evidentuar nga Rodrik (2015) është de-industrializimi i parakohshëm. Ndërkohë që vende si USA dhe Anglia filluan procesin e de-industrializimit kur të ardhurat e tyre për frymë ishin në nivele të larta, vendet në zhvillim po e fillojnë këtë proces në nivele më të ulëta të të ardhurave për frymë. Në terma të rritjes ekonomike kjo nënkupton ulje të rritjes ekonomike dhe ulje të ritmit të konvergjencës.

Në Shqipëri pjesa më e madhe e kompanive tashmë janë në sektorin e shërbimeve (figura 3). Ekonomia shqiptare është e dyzuar midis sektorit tradicional-agrikulturës dhe atij modern-industrisë; midis informalitetit dhe formalitetit; ku sektori tradicional dhe ai informal zë pjesën më të madhe.

Figura 3. Aktiviteti Ekonomik, Shqipëri

1

Burimi: INSTAT, Ndërmarrjet aktive të huaja e të përbashkëta (Shqiptarë + Të huaj) sipas aktivitetit ekonomik dhe madhësisë, 2015

Në një situatë të de-industrializimit të parakohshëm, arritja e produktivitetit të lartë në të gjithë ekonominë bëhet shumë e vështirë për vendet me të ardhur për frymë të ulëta si Shqipëria. Shërbimet nuk janë aq të tregtueshme saç janë produktet e manufakturës dhe nuk shfaqin të njejtën dinamizëm teknologjik. Si të tillë, shërbimet janë një zëvendësues i keq i industrializimit drejt eksporteve.

Politikat aktuale në Shqipëri të fokusuara në ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe njerëzore dhe të fokusuara në sektor tradicional dhe në shërbime nuk arrijnë dot të çlirojnë potencialin ekonomik të vendit. Ato shërbejnë vetëm në mbajtjen e qëndrueshme të rritjes ekonomikë që vjen vetëm nëpërmjet industrializimit të eksporteve.

Në nivel politikash, vendet që kanë rezultuar të suksesshme kanë ndjekur këto politika gjatë fillimeve të rritjes:

  • Mbrojtja e tregut të brendshëm, sidomos firmat e sapokrijuara;
  • Subvencionim të eksporteve;
  • Valutë e kontrolluar;,
  • Kushtëzimi i përdorimit të inputeve lokale për firmat e huaja.

 

Referenca:

  • Lewis, W. A. (1954) “Economic Development with Unlimited Supplies of Labour”, The Manchester School , vol. 22,  no. 2, pp. 139-191.
  • Rodrik, Dani. (2011) “The Future of Economic Convergence,” NBER Working Paper No. 17400.
  • Rodrik, Dani. (2013)  “The Past, Present, and Future of Economic Growth,” Global Citizen Foundation Working Paper 1.
  • Rodrik, Dani. (2015)  “Premature Deinsdustrialization”, Institute of Advanced Studies, Economic Working Papers, Paper Number 10.
  • Rodrik, D., McMillan, M. (2011) “Globalization, Structural Change, and Productivity Growth”, NBER Working Paper No. 17143.
  • Solow, Rober.M, (1956) “A Contribution to the Theory of Economic Growth, The Quarterly Journal of Economics, Vol. 70, No. 1.  pp. 65-94.

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.