Borxhi publik dhe nevoja për të ristrukturuar ekonominë shqiptare

Bekuar qofshin të rinjtë se ata do trashëgojnë borxhin publik

– Herbert Hoover, Presidenti i 31-të i SHBA

 

I. Borxhi, i mirë apo i keq? I vogël apo i madh?

Askush nuk mund të përgjithësojë nëse borxhi është i mirë apo i keq. Borxhi është thjesht një simptomë. Shkaku i vërtetë i borxhit janë nevoja apo dëshira e qeverive për të shpenzuar me shumë se të ardhurat që “krijojnë” – janë shpenzimet që mund të vlerësohen si të mira apo të këqija. Borxhi është një shenjë besimi tek e ardhmja. Ai, individi apo qeveria, që kërkon borxh ka besim tek ideja që kërkon të financojë; ai që të jep borxh ka besim tek ideja jote dhe beson se do marrë paratë mbrapsht me interes. Fillimi i përdorimit të borxhit publik (kredimarrjes) në shekullin e 15 i dha hov ekonomisë botërore dhe zhvillimit të njerëzimit. Por, shpërdorimi i besimit mund të sjellë shkatërrim. Borxhi i marrë disa dekada rresht e falimentoi Greqinë në vitin 2015, me efekte mjaft të rënda tek qytetarët e çdo shtrese dhe moshe. Prandaj, jam dakord që ta përkufizoj borxhin si një forcë nukleare. Nëse përdoret siç duhet, bëhet një burim energjie për ekonominë dhe mirëqenien e njerëzve. Në të kundërten, shkreton ekonominë dhe njerëzit.

Sa i përket çështjes tjetër më të debatuar – madhësisë së borxhit – nuk besoj se ekziston një madhësi e duhur e borxhit, por kjo duhet parë dhe interpretuar vend pas vendi. Edhe kriteret e konvergjencës në BE, të njohura ndryshe si kriteret e Maastricht, që parashikonin një borxh publik jo më të lartë se 60% e GDP, e kanë humbur rreptësinë dhe kuptimin, pasi sot 16 vende të BE nuk e plotësojnë këtë kriter. Mes tyre janë Portugalia, Italia, Greqia, Spanja (PIGS) por edhe Franca e Gjermania, dy nga vendet që i japin tonin ekonomisë së BE-së. Por, pavarësisht nivelit të lartë të borxhit që ka si Gjermania ashtu dhe Greqia, apo Shqipëria, duket se njerëzit në Gjermani jetojnë më mirë dhe më të sigurtë se në Greqi, ndërsa shumë Shqiptarë do niseshin të rronin e të punonin në Gjermani në këtë sekondë. Pse ndodh kjo? Une besoj fort se gjëja e vetme e rëndësishme që duhet të shohim është se si dhe për çfarë përdoret borxhi publik. Me ç’duket, Gjermania e ka përdorur borxhin e vet – i ulur në 64% në 2017, nga 81% e GDP në 2010 – për të financuar prioritetet e duhura.

 

II. Borxhi ynë, përmasa dhe pesha e tij në ekonomi

Pikësëpari më duhet të bëj një fotografi të situatës së borxhit tonë publik. Në fund të vitit 2017 ne kishim 8.5 miliard Euro borxh, që do të thotë se sot çdo shqiptar, sapo lind ka 3000 EUR borxh. Sikur nga ky moment mos marrim më asnjë qindarkë hua, këtë borxh që kemi na duhet të shlyejmë brenda vitit 2040. Rreth 46% e borxhit tonë publik është borxh i jashtëm, ndërsa 54% është borxh i brendshëm. Kostoja e borxhit që kemi (interesa + ripagesa) përbën sot rreth 77 miliardë lek ose 15.5% të buxhetit të shtetit.

Borxhi publik i Shqipërisë për 2017 sipas qeverisë qëndron në 71.5 %, ndërsa sipas FMN është 71.8 % të GDP. Diferenca është e vogël, por ngjashmëria mes qeverisë dhe FMN-së në parashikimet e borxhit tonë publik mbaron këtu. Qeveria shqiptare parashikon që borxhi publik do ulet në 68.7% e GDP në vitin 2018, ndërsa FMN mendon se borxhi për këtë vit do rritet në 72.4% të GDP. Po kështu edhe për vitin 2019, qeveria parashikon që borxhi do ulet në 66.4% të GDP, ndërsa FMN mendon se ai do të jetë në nivelin 69.8%.

Të gjitha këto parashikime për borxhin zhvillohen në kontekstin e një rritjeje ekonomike të pretenduar në 3.9% për 2017 dhe 4.2%, e 4.3% respektivisht për 2018 dhe 2019 – më të larta se parashikimet e FMN, dhe një inflacioni të ulët, nën 3%.

Grafik 1: Ky grafik tregon rritjen e GDP-së dhe rritjen e borxhit. Ritmi i rritjes së borxhit është më i lartë se ritmi i rritjes së GDP-s.

 

III. Kujt i kemi borxh, ose kush na ka dhënë borxh

Siç e thamë më lart borxhi ynë publik është në masën 54% borxh i brendshëm dhe 46% borxh i jashtëm, duke shpërfaqur një tendencë në rritje për borxh të jashtëm, i cili në 2017 raportohet në 46.9% të totalit, përkundrejt vetëm 28.5% që ishte në vitin 2007.

Borxhi ynë i jashtëm zotërohet kryesisht nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare. Ato posedojnë rreth 60% të borxhit tonë të jashtëm që arrin në 3.93 miliard Euro. Banka Botërore përbën 46.3% të këtij grupi e pasuar nga FMN që mban 9% të borxhit tonë të jashtëm dhe Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim që zotëron rreth 5% të këtij borxhi. Borxhi i jashtem zotërohet në masën 18.4% të tij nga financues bilateralë ku spikasin Gjermania dhe Italia, ndërsa rreth 20.7% e totalit të borxhit të jashtëm zotërohet nga kreditorë privatë, ku Eurobondi përbën më shumë se gjysmën.

Pronarë të borxhit tonë brendshëm prej 4.61 miliard euro janë bankat e nivelit të dytë, në emër të publikut të gjerë. Raiffaisen, një bankë me origjinë nga BE, e cila më parë ishte Banka e Kursimeve ka qenë mbajtësja kryesore e borxhit të brendshëm, por pas krizes financiare ndërkombëtare dhe marrëveshjeve të Baselit për minimizimin e riskut që pasuan, pozicioni i saj si financuese e borxhit tonë publik është zvogëluar shumë. Sot, në vend të parë, si pronare e borxhit tonë të brendshëm shfaqet BKT, një banke turke, e pasuar nga bankat e tjera private, ku spikat edhe CREDINS, një bankë shqiptare që ka patur një politikë mjaft aktive në financimin e borxhit tonë të brendshëm që prej themelimit të saj.

Grafik 2: Ky grafik tregon kompozimin e borxhit publik në përqindje. Vihet re ulja e peshës së borxhit të brendshëm dhe rritja e atij të jashtëm, sidomos në vitet e fundit. 

 

IV. Çfarë borxhi kemi?

Sa më lart jep një pamje multidimensionale dhe perspektiven e borxhit publik të Shqipërisë, e cila edhe pse në 2017 ka një klasifikim sovran B+[1], renditet dobët si vend dhe si ekonomi në të gjitha klasifikimet apo vlerësimet e tjera ndërkombëtare[2]. Në opinionin tim, borxhi publik shqiptar është: 1) i madh, në nivele shqetësuese; 2) ka një përmasë të fshehur për shkak të detyrimeve të prapambetuara ndaj të tretëve, dhe programit të PPP që po kryen qeveria; 3) është i vështirë për t’u menaxhuar për shkak të maturiteteve afat shkurtra; dhe 4) me një tendencë të gabuar në favor të burimeve të jashtme të financimit kundrejt atyre të brendshme.

Në këtë prizëm mendoj se borxhi duhet të ribalancohet në favor të finacimit me burime të brendshme, për të eliminuar sa më shumë risqet nga kursi i këmbimit, dhe lejuar që fitimet e kreditorëve të mbeten në ekonominë shqiptare; dhe në esencë të fundit për të patur më tepër kontroll në manaxhimin e borxhit publik, pse jo edhe deri në zhvlerësimin e monedhës nëse do nevojitej. Në opinionin tim, kujdesi se mos huamarrja e brendshme zvogëlon hapësirën e kreditimit të sektorit privat nuk qëndron. Politikat e Bankës së Shqipërisë nuk kanë arritur të rrisin nivelin e besimit dhe kreditimi i ekonomisë nuk është rritur në 5 vitet e fundit. Nuk shoh ndonjë shenjë sesi kjo mund të ndryshojë në kushtet edhe të politikave fiskale të ndjekura deri më tani. Nuk është ndonjë surprizë që edhe uljet e rregullta të interesit bazë – tashmë 1% – nga Banka e Shqipërisë që kanë synuar rigjallërimin e kreditimit të ekonomisë nuk kanë dhënë ndonjë rezultat. Ne të kundërt, edhe pse niveli mesatar i interesave të kredisë në lek ka shënuar rënie – në 7.1 % për vitin 2017 nga rreth 13% në vitin 2013, ky nivel mbetet i lartë duke treguar masën e riskut në ekonomi që perceptojnë bankat e nivelit të dytë.

Sa i përket përmasës, mendoj se borxhi sot është më i lartë sesa parashikimet e qeverisë dhe FMN, brenda intervalit 73 – 80% e GDP, por nuk shfaqet për shkak të vonesave në kontabilizim të detyrimeve të prapambetura që i kalojnë 300 milionë EUR, dhe sidomos detyrimeve të konçesioneve dhe PPP të cilat vlerësohen sot të jenë rreth 6% e GDP dhe vetëm do përshpejtohen në të ardhmen. Nëse Qeveria do i qëndrojë politikës së saj për zgjerimin e PPP-ve, e njohur ndryshe si projekti 1 miliard EUR, atëhere borxhi publik shqiptar në afat mesem mund t’i afrohet edhe nivelit të 90% të GDP.

Është e qartë se kostot e shërbimit të këtij borxhi do rriten ndjeshëm dhe shpejt, duke rënduar në buxhet më shume sesa 4.6% e GDP që janë sot në vitin 2018, në një kohë që buxheti i arsimit për këtë vit është 2.5% të GDP, ose ai shëndetësisë në nivelin 2.9% të GDP. Në kushtet e vështirësive për mbledhjen e të ardhurave që vazhdojnë të karakterizojnë performancën buxhetore, kjo do të bëhet shqetësuese, edhe përkunder vlerësimit tim të vazhdueshëm, aspak popullor, se ekonomia shqiptare në këto vitet e fundit nuk ka rritje, pra është në stanjacion, pra s’ka se si të prodhojë të ardhura për buxhetin e shtetit. Po të heqësh efektin e investimeve TAP dhe Devollit në llogaritjen e GDP – të kontraktuara para 2013 – rritja ekonomike bëhet minimale, në mos inekzistente.

Shqetësimi im për rritjen e mëtejshme të borxhit publik bazohet më së shumti tek dobësitë e sotme strukturore të ekonomisë shqiptare, si nga pikëpamja e kompozimit sektorial të saj, ashtu dhe nga madhësia e firmës dhe fermës shqiptare, por edhe tek prioritetet që vazhdojmë financojmë me borxh, të cilat nuk garantojnë normat e larta të rritjes ekonomike që nevojiten për të përballuar shërbimin e borxhit apo borxh të ri pa shkaktuar kufizime serioze makrofiskale.

Grafik 3: Ky grafik tregon peshën e shërbimit të borxhit (interesa + principal) në buxhetin e shtetit.

 

V. Borxh i rritjes apo thjesht borxh i rritur?

Aleksandër Hamilton[3], një pararendës i Keynesit[4] – shenjtit më të dashur të gjithë politikanëve – e vlerësonte borxhin publik, mundësinë për të marrë borxh si një bekim për ekonominë. A ka qenë borxhi ynë një bekim, një borxh i rritjes, apo thjesht është rritur si borxh? Borxhi publik është njësoj si taksat, një transferim i detyruar i pasurisë së qytetarëve; si i tillë duhet doemos të prodhojë mirëqenie, zhvillim, siguri, dhe jo të krijojë shtrëngim fiskal, varfëri dhe premisa për trazira sociale. Duhet të mundësojë mbylljen e hendeqeve që ekzistojnë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror përkundër konkurruesve direkt, dhe pse jo të krijojë avantazhe të dukshme konkurruese.

Për një vend si Shqipëria, me zhvillim të ngadaltë, dhe me atraktivitet të dobët, pra me akses të ulët në burime të tjera ekonomike e financiare, është e qartë se marrja borxh nuk do të na ndahet edhe për një kohë të gjatë. Për momentin, askush nuk diskuton nëse kjo është gjë e mirë apo e keqe. Thjesht na mbetet ta pranojmë si alternativen e vetme në burime të nevojshme financiare. Por, duhet të jetë e qartë se borxh i mirë është ai që krijon rritje ekonomike, që rrit prosperitetin e shqiptarëve, që rrit konkurrueshmërinë, dhe që krijon bazamentin për një zhvillim të qëndrueshëm.

Nga kjo pikëpamje çfarë efektesh ka patur borxhi në Shqiperi? A ka sjellë ai rritje ekonomike? A ka çuar në uljen e taksave? A është më produktive Shqipëria sot? Më atraktive për investimet e huaja? A është struktura e ekonomisë shqiptare një garanci për zhvillim të qëndrueshëm? Le të përpiqemi t’i japim përgjigje këtyre çështjeve.

 

VI.  Çfarë ka poshtë rrobave të borxhit.

Investitorët, të brendshëm e të jashtëm, duket se nuk janë të shqetësuar nga niveli prej 73% e GDP i borxhit publik përderisa vazhdojnë ta financojnë atë, dhe interesat e këtij financimi janë ende të përballueshme – natyrisht në kurriz të nivelit të shpenzimeve në arsim, shëndetësi apo investime publike. Në fakt, raporti i borxhit me GDP, gjerësisht i përdorur nga ekonomistë dhe qeveritarë, është treguesi që jep një ide se sa vendi është në gjendje ta kthejë borxhin, e thënë ndryshe a mund të marrin akoma borxh qeveritë apo jo. Ky tregues, është justifikimi politik i borxhmarrjes publike, dhe të gjithë Keinesianët e botës vëtem për këtë flasin. Ky tregues, bashkë me vlerësimet e agjensive si Moody, Standard & Poor, apo të ngjashme, janë rrobat që çdo qeveri i vesh borxhit që ka, si dhe synimeve për të marrë akoma dhe më tepër borxh.

Që në fillim dua të them se GDP e Shqipërisë në 2 dekadat e fundit, nga viti 2000 në vitin 2017 është rritur 2.97 herë, ndërsa borxhi publik është rritur me 3.42 herë. Për fatin tonë të keq, është e dukshme se borxhi jo vetëm nuk po zvogëlohet për është rritur më shpejt se ekonomia. Po të shohim 4 vitet e fundit, nga 2013 në vitin 2017, verejmë se edhe borxhi privat (kredia për ekonominë) është rritur vetëm me 0.5%, ndërsa borxhi publik (huamarrja qeveritare) është rritur me 44%.

Ndërsa raporti borxh/GDP nuk tregon gjë më shumë sesa mundësinë që qeverisë t’i japin borxh, pra përmbush justifikimin politik të borxhmarrjes, është një tjetër raport që përmendet shumë pak, dhe shumë rrallë, ai që tregon rreziqet, që tregon shëndetin e ekonomisë, cilësinë e borxhit dhe justifikimin ekonomik të tij. Ky raport është Produktiviteti Marxhinal i Borxhit Publik, i cili matet si shtesa nominale e GDP mbi shtesen nominale te borxhit, pra tregon sa GDP e re krijohet nga 1 Lek borxh i ri. Sa herë që ky raport është mbi 3, aq më e justifikuar është marrja borxh për të financuar shpenzimet publike, të cilat arrijnë të nxisin ekonominë dhe punësimin në mënyrë të verifikueshme dhe të prekshme. Shqipëria, në 10 vitet e fundit ka regjistruar një raport mesatar prej 1.02 – për më shumë se gjysmën e kësaj kohe niveli ka qenë poshtë 1 – çka tregon se ecuria e ekonomisë shqiptare nuk e ka justifikuar marrjen e borxhit nga qeveritë e saj. Edhe pse kostoja e borxhit tonë publik është ende e përballueshme, ky borxh dukshëm ka një cilësi dhe produktivitet shumë të ulet – e thënë ndryshe, borxhi ynë është shpërdoruar duke u investuar në interesa, projekte apo programe me ndikim të dobët ose inekzistent në ekonomi.

Grafik 4: Ky grafik tregon produktivitetin marxhinal të borxhit publik, ose sa Lek GDP janë shtuar për çdo Lek borxh të shtuar.

Pronarë të këtij borxhi publik shqiptar që është rritur më shpejt se ekonomia dhe ka një produktivet të ulët, nuk janë vetëm financuesit zyrtarë të borxhit, qofshin këta të brendshëm apo të jashtëm. Siç thamë që në fillim borxhi është simptomë, ndërsa shpenzimet janë shkaku i vërtetë, pasi qeveritë marrin borxh për të financuar shpenzimet. Pronarë të vërtetë të rreth 16% të borxhit publik, por të fshehur, sa nga pazotësia aq edhe nga vullneti i qeverive, janë të gjithë ata që nuk paguajnë taksat, dhe sidomos ata më të privilegjuarit, të cilëve shteti nuk ua mbledh taksat. Janë këta, mes të cilëve gjenden thuajse të gjithë pasurit e Shqipërisë, që nuk paguajnë detyrimet dhe që kanë forcën e padukshme, jo ligjore, ta detyrojnë qeverinë të marrë borxh, dhe mos t’i ngacmojë ata. Borxhi tatimor në Republikën e Shqipërisë në fund të vitit 2016 ishte 11.7% e GDP ose 1.27 miliard Euro[5]. Këto 1.27 miliard Euro që mungojnë në buxhet, Qeveria i plotëson duke marrë borxh – të brendshëm e të jashtëm – borxh të cilin janë të detyruar ta paguajnë të gjithë shqiptarët, ndërsa vetëm disa mijëra subjekte prej tyre pasurohen, të favorizuar nga qeveria. Nëse themi se çdo shqiptar ka rreth 3000 Euro borxh sapo vjen në këtë jetë, rreth 500 Euro nga këto janë për shkak se qeveritë tona kanë privilegjuar disa, në kurriz të gjithë shqiptarëve të tjerë.

Rritja e borxhit publik ndodh kur të ardhurat nuk mjaftojnë për të financuar shpenzimet, qofshin këto për të plotësuar dëshira psikologjike të liderëve autoritare, apo nevojat reale të qytetarëve dhe ekonomisë. Në kushte normale, marrja borxh është një mjet në dispozicion të qeverisë, që ajo të mos rrisë taksat për të mbledhur me shumë të ardhura në buxhet. Përkundrazi, ta ulë barrën fiskale në mënyrë që të stimuloje ekonominë, duke grumbulluar më shumë të ardhura për shkak të zgjerimit të saj. Por a ka ndodhur kjo në Shqipëri? Edhe pse huamarrja (borxhi) kërceu nga 62.2% në 2012, në 72.1% e GDP në vitin 2014, kjo nuk çoi drejt një politike taksash më të ulëta, përkundrazi që atëhere e deri tani Shqipëria ka barrë të lartë fiskale prej 36.5%, duke lënë pas vetëm Serbinë me 39.7%. Pra jemi një vend me taksa te larta, me borxh të lartë dhe me të ardhura të ulëta.

Ndërkaq, borxhi prej 73% e GDP në 2017, është më i lartë se stoku i FDI-ve gjatë 3 dekadave, që është vetëm 52.7% e GDP[6]. Të gjitha vendet e rajonit, pa përjashtim, kanë një stok FDI më të lartë se borxhi publik, ku spikat Mali i Zi me stok investimesh prej 132% të GDP, kundrejt një borxhi sa 62.5% e GDP; dhe Serbia me 95.4% të GDP kundrejt një borxhi në rendin e 61.5% të GDP. Dukshëm investitorët në Shqipëri preferojnë më shumë investimin tek borxhi publik, sesa atë të drejtpërdrejtë në ekonomi.

Po të dëgjosh qeveritarët, borxhi yne publik i ngjan një molle të kuqe, të shndritshme sidomos përkundër qëllimeve formale pse është marrë, por po t’i hedhësh një sy nga brenda, “poshtë rrobave”, sheh që është një mollë e krimbur.

Grafik 5: Ky grafik krahason nivelin e borxhit dhe atë të FDI-ve kundrejt GDP-së. Vetëm Shqipëria ka borxhin më të lartë se raporti FDI/GDP krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

 

VII. Borxhi dhe ristrukturimi i ekonomisë sonë

Çfarë roli ka luajtur borxhi në strukturimin e ekonomisë shqiptare? Ç’pamje, ç’përmbajtje i ka dhënë borxhi ekonomisë, duke qenë një prej burimeve kryesore të rialokimit të burimeve? Ristrukturimi i ekonomisë sonë morri formë thuajse përfundimtare në vitin 1997 kur ekonomia private arriti në 75%, për të arritur ndoshta në 80% të GDP në mes të viteve 2000. Në dekadën e fundit ky raport nuk ka pësuar ndryshime të dukshme apo të qëndrueshme. Që prej privatizimeve të para në mes të viteve 1990, sektori privat dhe ai bujqësor ruajnë një strukturë pronësie mikroskopike ku shumica dërrmuese e ndërmarrjeve ka 1-4 të punësuar, dhe madhësia mesatare e fermës mbetet 1.16 hektare. Pesha e sektoreve të ekonomisë ka mbetur e pandryshuar prej vitesh. Bujqësia edhe sot vazhdon të përbëjë 22.9% të GDP, njësoj si para dy dekadave, ndërsa është streha e rreth 49% të popullsisë dhe Shqipëria është importues neto i ushqimeve. Këto janë parametra ekonomike të rendit feudal, krahasuar me vendet e BE. Shqipëria vazhdon të ketë nivelin më të ulet në rajon të produktivitetit; sa 19% e mesatares europiane. Investimi në kërkim shkencor dhe inovancion është qesharak. Niveli i besimit tek institucionet është i ulët[7], ndërsa titujt e pronësisë[8] si elementi kryesor i çlirimi të potencialit ekonomik jane ende të pasigurtë. Ekonomia shqiptare ende nuk ka ardhur në shekullin e 20 dhe as të 21; që ta bëjë këtë ajo ka nevojë për një ristrukturim të thellë, dhe financimin e të tjera prioriteteve të zhvillimit nga ato që kemi patur deri më sot – të cilat demonstrojnë njëherësh një stanjacion ekonomik dhe kulturor, pasi jo vetëm i përkasin objektivave të zhvillimit në shekullin e 19-të, por janë të gjitha të pambaruara dhe me cilësi e kontribut të dobët në ekonominë e vendit. Prandaj, nga kjo ekonomi që mund të prekim sot me dorë, është e qartë se borxhi ynë publik ka luajtur një rol të rëndësishëm vetëm si stabilizues makro-fiskal, por ka patur një rol të kufizuar në ristrukturimin e ekonomisë shqiptare.

 

VIII. Për çfarë të marrim borxh nesër?

Që të krijojmë rritje ekonomike të qëndrueshme, që të mos e ndjejmë peshën e borxhit, çdo burim financiar – përfshi borxhin publik – pra, çdo shpenzim i qeverisë duhet të mbështesë ristrukturimin e ekonomisë në favor të sektorëve të erës dixhitale, ku sipas mendimit tim peshën më të madhe, prioritetin absolut duhet ta marrë sektori i Edukimit. Studime të kryera në Shqipëri tregojnë se investimi në sektorin tonë të edukimit, sidomos në parashkollor, kështu siç është – pa e reformuar atë, ka një norme kthimi prej 12.8%[9]; studime në nivel ndërkombëtar tregojnë se këto norma kthimi në edukim mund të arrijnë edhe në nivele prej 36%, ose të ndikojnë me 1 pikë përqindje në rritjen e GDP[10]. Ne, nuk mund ta mbushim hendekun e zhvillimit që kemi, sidomos atë fizik sado borxh të marrim. Sa për të marrë një shembull të këtij hendeku: ndërsa ne mezi mbarojmë se shtruari me zift disa kilometra rrugë në vit, Franca ka filluar t’i shtrojë rrugët me panele diellore. Tendencat për mbushje të hendekut fizik kanë karakter më shumë elektoral sesa zhvillimor, sidomos për shkak të fragmentimit politik të shpenzimeve. E përsëris, ne, si vend nuk mund ta mbushin hendekun e zhvillimit për të kaluar nga krahu tjeter. E vetmja mundësi që kemi është ta kapërcejmë këtë hendek. Nëse do marrim borxh për të financuar prioritete zhvillimi, atëhere ky duhet të jetë një borxh strategjik që financon një prioritet strategjik. Ky prioritet strategjik është Edukimi – për zhvillimin e këtij sektori përmasa e vendit dhe stadi i zhvillimit teknologjik janë të parëndësishëm. Në sektorin e Edukimit do të mësohen aftësitë e shekullit 21, dhe rriten kapacitetet për t’u përshtatur me shpejtësinë eksponenciale të ndryshimit që po ndodh në mënyrë të pamëshirshme përreth nesh. Duke e shndërruar sektorin e Edukimit në motorrin e produktivitetit të të gjithë sektorëve të tjerë. Borxhi duhet të financojë vetëm vizionin kombëtar të zhvillimit, dhe jo prioritete afatshkurtra. Nëse nuk e bëjmë këtë shumë shpejt, do jemi në të gjallë, si Njerëzit e Kromanjonit[11] të shekullit 21.

 

IX. Borxhi ynë publik, një bekim?

Për ta përmbledhur, mendoj se pavarësisht rritjes që ka pësuar në vite borxhi publik, ky nuk ka kontribuar në krijimin e një ekonomie moderne, me bazament të qëndrueshëm që të mundësojë investime në rinovim teknologjik e inovacion dhe rritje të konkurrueshmërisë së saj. Vetëm kemi rritur borxhin, i cili nuk ka arritur të kthehet në një borxh të rritjes së qëndrueshme. Borxhi yne ka garantuar stabilitetin makro përgjatë viteve, çka ka sjellë një rritje ekonomike sasiore, një rritje natyrale ku dora e qeverive ndjehet pak ose aspak. Por ne jemi ende larg rritjes së qëndrueshme dhe cilësore. Ne kemi rritur borxhin, por nuk jetojmë mirë – jemi ende në shumicë në fund të piramidës së Malsow[12], tek plotësimi i nevojave fiziologjike. Edhe pse jemi në shekullin 21 prej dy dekadash, ne Shqiptarët vazhdojmë të mos kemi furnizim të vazhduar me ujë, me energji, shërbime mjekësore dhe arsimore cilësore, ndërsa jane rikthyer largimet masive të shqiptarëve nga vendi.

Nëse supozojmë se borxhin e kemi përdorur sipas rregullit të artë për investime publike – për të mbyllur hendekun e zhvillimit – dhe nuk kemi arritur rezultatet e dëshiruara që shqiptarët të rrojnë e prosperojnë në Shqipëri, ndoshta do na duhet të pranojme se kemi gabuar me prioritetet që kemi financuar, dhe mënyrën e financimit të tyre. Borxhi ynë ka financuar projekte, rëndësia metaforike e të cilëve ka qenë dukshëm më e madhe se sa rëndësia e tyre ekonomike. Kjo është vlefshme si për projektet e mëdha, xixëlluese në rrugë apo aeroporte, ashtu dhe për ato mijëra financime politike të fragmentuara si një kristal i thyer, vetëm e vetëm për të fituar njohje dhe pëlqim politik në zonat elektorale të Shqipërisë. Mendoj se janë pikërisht këto dy elemente, të fshehura tek zbatimi formal i rregullit të artë – borxh vetëm për investime publike – që kanë shërbyer si strehë e keqmenaxhimit, zvarritjeve, korrupsionit, klientelizmit, paqartësisë në shpenzime, të fragmentimit elektoral të tyre, mungesës së transparencës në kontraktim siç janë edhe PPP, të cilat kanë ulur cilësinë e veprave publike dhe dobësuar efektin e tyre në ekonomi.

Ndaj, ndryshe nga sa përgjithësonte Hamilton, borxhi ynë public, për mënyren se si dhe ku është përdorur, ka qenë shpëtim për qeveritë, por nuk ka qenë ndonjë bekim për ekonominë shqiptare; ka qenë thjesht një ilaç i holluar që më shumë se ka shëruar atë nga sëmundja, ka arritur të garantojë pëlqyeshmëri dhe komfort elektoral për oligarkët dhe qeveritarët. Pra, më shumë se ekonomia, përveç kreditorëve, fitime dhe përfitime nga borxhi kanë nxjerrë këta të fundit. Ndaj, nuk mund ta quaj bekim këtë borxh deri tani. Ndërkohë, borxh do vazhdojë të merret – me shprese që të financojmë Edukimin; dhe ne të tjerët do vazhdojmë ta paguajmë mbrapsht këtë borxh. Ndaj nuk më mbetet gjë tjetër, por të uroj, borxh të mbarë të gjithëve!

 

Dritan Shano
Ekonomist
Ish-Zëvendës Ministër i Financave
Konferenca “Borxhi publik dhe efektet e tij në ekonomi” organizuar nga Qendra Shqiptare për Qeverisje të Mirë dhe Fondacioni Konrad Adenauer.
Tiranë 25. 06. 2018

____________________________________________________________

[1] Vlerësim i bërë nga Moody dhe Standard & Poor në 2017

[2] Doing Business Report, Compettivenes Index, CIA World Report

[3] Aleksandër Hamilton një prej themeluesve të SHBA – Sekretari i parë i Thesarit nën administratën e Presidentit George Washington – promovoi ndërhyrjen e fortë të shtetit në ekonomi përmes shpenzimeve të financuara me borxh publik në tentativë për të krijuar atë çka njihet si “kapitalizëm shtetëror” përkundër ekonomisë së lirë të tregut, Për shkak të këtyre politikave SHBA u përball me një krizë të fortë financiare në vitin 1792.

[4] John Maynard Keynes me Teorinë e Përgjithshme të Punësimit, Interesit dhe Parasë është një nga ekonomistët më influent në botë. Çelësi i filozofisë së Keynes është manipulimi i kërkesës agregate, duke i njohur qeverive një rol të rëndësishëm për ta stimuluar ekonominë në kohë recessioni përmes rritjes së shpenzimeve publike. Këto mendime të Keyenes u përqafuan gjerësisht nga politikanët në mbarë botën aq sa Presidenti Nixon, 35 vjet pas botimit të “Teorisë” thuhet të jetë shprehur se “tashmë jemi të gjithë Keynesianë”. Keynes, pretendonte gjithashtu se kur vendet të dilnin nga vështirësia përmes rritjes së shpenzimeve, atëhere qeveritë do i shkurtonin shpenzimet. Kjo, edhe pse kanë kaluar 82 vjet nga publikimi veprës madhore të Keynes, ende pritet të ndodhë.

[5] Raporti vjetor i Kontrollit të Lartë të Shtetit, viti 2016

[6] UNCTAD, Ministria e Financave.

[7] Tek “Pse dështojnë kombet” Daron Acemoglu dhe James Robinson shpjegojnë se prosperiteti ekonomik varet mbi të gjitha nga institucionet ekonomike dhe politike përfshirëse. Institucionet janë “përfshirëse” kur shumë njerëz mund të ndikojnë vendimmarrjen politike, në krahasim me rastet kur një grup i vogël njerëzish kontrollojnë institucionet politike dhe nuk duan qe kjo të ndryshojnë. Institucionet janë “përjashtuese” kur ato lejojnë elitën të qeverisë, dhe të shfrytëzojë të tjerët, duke mjelë pasurinë e kujtdo (shumicës së popullsisë) që nuk është në elitë. Proceset e vetingut në drejtësi, edhe pse të prekura politikisht, po nxjerrin në pah pasuri të pajustifikuara në rradhët e gjyqtarëve. Edhe më lehtë mund të verifikohen pasuritë e politikanëve, apo biznesmenëve që pasurinë e tyre e kanë të lidhur drejperdrejt me aksesin tek fondet dhe favoret publike. Në fakt, në Shqipëri kemi një klasë politike e cila dominohet nga të njëjtët njerëz dhe mendësi përjashtuese, dhe një numër të vogël oligarkësh të cilët komandojnë kompozimin politik dhe vendimmarrjen. Shembull tipik ilustrues është miratimi i VKM nr. 542, datë 27. 07. 2016, që uli limitin e taksimit të blerjeve online nga 145 Euro (20 mijë lekë) që ishte në 22 Euro (rreth 3 mijë lekë), duke rritur koston dhe zvogeluar zgjedhjen e të gjithë përdoruesve te internetit dhe blerësve online, por duke kënaqur vetëm ata pak persona të cilet do nxjerrin kështu fitim përmes një biznesi apo klientesh të siguruar nga shteti dhe jo nga aftësia e tyre konkurruese.

[8] Hernando De Soto tek Misteri i Kapitalit, shpjegon se janë pikërisht proçese si regjistrimi i prones, sigurimi i titujve të pronësisë dhe institucionet që kryejnë konvertimin e pronës në asete të tjera, në kapital apo mijëra mundësi apo kombinacione të tjera bashkëpunimi dhe përfitimi ekonomik që shpjegojnë pse kapitalizmi është i suksesshëm në disa vende dhe pse dështon në disa të tjera. Në Shqipëri, edhe pas 3 dekadash të rikthimit të konceptit të pronës private, kemi një situatë tejet konfuze në lidhje me pronën dhe titujt e pronësisë për shkak të legjislacionit të lidhur me pronën, proçeseve të pambaruara të regjistrimit të saj, politicizimit të tejskajshëm të këtyre proçeseve, dhe një trupë gjyqësore dhe noteriale që jo rrallë perpetuon paqartësitë dhe tjetërsimin e pronës. Kjo pengon zhvillimin duke e lënë kapitalin në gjumë, rrit kostot e kredidhënies sepse ka pasiguri dhe skarcitet, dhe mban ndezur konflikte sociale të lidhura me pronen, të cilat deri tani kanë shkaktuar mbi 9000 të vrarë.

[9] “Kostoja e mos-investimit në Arsim në Shqiperi” UNICEF, George Psacharopoulos

[10] OECD, education papers

[11] Njerëzit e Kromanjonit janë quajtur fosilet e gjetura në Abri de Cromagnon, Francë të identifikuar si rraca njerëzore prehistorike e Europës

[12] Nevojat fiziologjike janë niveli më bazik i nevojave në piramiden e Maslow dhe përfshijnë: ujin, ushqimin, ngrohjen dhe pushimin.

Leave a Reply