Marrja e borxheve të reja, hapësirat fiskale korrigjuese janë ngushtuar ndjeshëm

Pedagogu i Universitetit të Nju Jorkut dhe një nga themeluesit e Ekon.al, zoti Azmi Stringa, i intervistuar nga revista “Monitor”, shprehet se fondet e dhëna në kredi në Konferencën e Donatorëve në Bruksel, në planin afatmesëm do të rrisin presionin te treguesit fiskalë dhe borxhi publik. Zoti Stringa vlerëson se kjo vjen për shkak të ngushtimit në vite të hapësirave fiskale korrigjuese të vendit.

Stringa thotë se, nëse në vitin 2019 do të ishin realizuar objektivat e vendosura për borxhin publik për ta mbajtur nën 60 për qind, apo do të ishin realizuar reformat, përballimi i kostos së tërmetit do të kryhej vetëm me fondet e buxhetit.

Sipas tij, theksohet edhe mënyra e përdorimit me efikasitet të fondeve, si dhe modeli që do të ndiqet me qëllim shmangien e arbitraritetit. Stringa rekomandon se, nëse zonat e prekura nga tërmeti do të ishin rindërtuar në partneritet me biznesin, nuk do të kishte faturë borxhi.

Duke analizuar natyrën e fondeve, shumë prej të cilave janë kredi për realizim projektesh, Stringa shprehet se për shkak të procedurave në hartim dhe kapaciteteve financiare, për përfundimin e tyre do të duhen më shumë se dy vjet. “Nëse fatura 1 miliard euro njihet si detyrim i shtetit, pavarësisht se kur disbursohen kreditë dhe e çojnë borxhin në nivelin 72 për qind, duhen vendosur objektivat që parametrat fiskalë të sillen brenda objektivave të vendosura”.

Zoti Stringa, si do ta vlerësonit zhvillimin e konferencës së mbajtur në Bruksel për mbledhjen e fondeve. Sa prej tyre janë donacione dhe sa kredi?

Nga informacioni publik asgjë nuk është vendosur dhe ende nuk janë qartësuar termat financiarë, se si janë marrë këto fonde dhe për çfarë do të përdoren. Mund të bëjmë një analizë në varësi të deklaratës që bëri ministri i Rindërtimit në media, ku ai shprehet: “Këto fonde nuk janë vetëm për rindërtimin, por edhe për rizhvillimin ekonomik”.

Nëse analizojmë këtë deklaratë, nuk dihet se sa prej tyre do të jenë për rindërtimin e zonave të prekura, sa për rimëkëmbjen ekonomike, infrastrukturën, për ujësjellësit, shkollat, që detyrimisht janë të lidhura me faturën e tërmetit dhe zhvillimin e këtyre zonave.

Disa prej kredive janë dhënë nga institucionet financiare, si BERZH-i, nëpërmjet projekteve. Në linjën e punës së këtyre institucioneve, dhënia e kredive nëpërmjet projekteve është normale. Më pas, këto projekte kanalizohen nga qeveria, sipas nevojave, për zhvillimin e zonave të dëmtuara apo te nevoja për zhvillimin e infrastrukturës që i shërben ndërlidhjes së komuniteteve.

Sipas mendimit tim, në këtë rast nuk është paraqitur vetëm fatura e tërmetit. E rëndësishme është se si do të kanalizohen fondet e dhëna nga shtetet. Mbase kjo do të kryhet nëpërmjet institucioneve të tyre të zhvillimit, si KfË, mbetet për t’u parë forma ose mënyra, pasi nuk di të them se cilat janë projektet specifike që janë kërkuar për t’u zhvilluar.

Ky proces, si për nga natyra e kredive të marra, por edhe për zbatimin e tyre, që nga hartimi i projekteve, kapacitetet e procedurave dhe financiare të vendit, lë të kuptohet se do të zgjasë më shumë se 1 apo 2 vjet. Aftësia për përthithjen e këtyre fondeve me qëllim arritjen e objektivit mbetet për t’u parë. Pra, nëse mund ta përmblidhja, përshkrimi kryesor që ne mund t’u bëjmë zhvillimeve deri më sot është se mungesa e transparencës po shfaqet në të gjitha hallkat e procesit të rindërtimit.

Ku mendoni se do të hasen pengesat për përdorimin e fondeve në shërbim të rizhvillimit të zonave?

Do të dëshiroja të theksoja, se në momentin që komunikohet për dhënien e një kredie, qytetarët duhet të kuptojnë se risku është i tyre, pavarësisht se çfarë do të ndodhë nesër. Kjo nuk duhet nënvlerësuar. Në kushtet ekonomike-financiare të vendit, duke iu qëndruar edhe fjalëve të kryeministrit, që ne jemi vend i varfër, kryesore është që këto fonde të përdoren me efikasitet, të shkojnë në drejtimin e duhur.

Mospërdorimi i tyre me efikasitet nuk është risk i institucioneve financiare, por i qytetarëve. Do të jetë faturë për qytetarët. Ne si shoqëri e kemi marrë përsipër pagimin e saj. Llogaridhënia duhet të jetë e lartë. Ky element shihet edhe të SHBA-të, të cilat do të kontribuojnë me ngritjen e shkollës së transparencës. Pra, transparenca në përdorimin e fondeve është kryesore.

Fillimisht nevojitet një program i detajuar, se sa janë kostot imediate që duhen përballuar nga qeveria, si strehimi i menjëhershëm apo plotësimi i kushteve minimale. Më pas, llogaritja e kostos së projekteve për kthimin e situatës në normalitet të këtyre zonave. Nuk di të them se sa nga fatura prej 1 miliard eurosh e kostos së rindërtimit të nxjerrë nga qeveria, përbëhet nga elementët imediatë dhe pjesa tjetër e zhvillimit.

Para se të hyjmë në analizën e efekteve fiskale dhe të projekteve kapitale, dua të them se qytetarët do të jenë ata që do të mbajnë këtë kosto, ndërkohë që ata duhet të jenë të fundit. Kjo ka ndodhur për raste fatkeqësish të ngjashme. Duhet të kuptojmë se a ka alternativa të tjera, përpara se ta çojmë këtë kosto në buxhetin e shtetit, në huamarrje dhe borxh publik.

E para, shteti automatikisht përpara se të futet në këpucët e qytetarëve, pra të merret me strehimin e menjëhershëm të tyre, duhet të futet edhe në asetet e tyre. Pra, nëse të jep një shtëpi në një vend tjetër, toka ku ndodhet shtëpia e shkatërruar nuk mund të jetë e jotja, pasi qytetari është kompensuar për dëmin. Lind pyetja, se sa i aftë është shteti shqiptar të rimarrë asetet e zonave të shkatërruara, pra si do të përdoren ato, për të minimizuar në finale koston që do të mbajë shoqëria.

Ky është rasti i duhur për të treguar nëse ka mekanizma të tjerë tregu për rizhvillimin e këtyre zonave me leverdishmëri ekonomike, pa ndikuar në buxhetin e shtetit, si partneriteti me biznesin që janë prezantuar më parë. Sepse është më e lehtë që në një zonë, siç është Kombinati, ku janë të dëmtuara ndërtesa 3-katëshe, një ndërtues është i gatshëm për të ndërtuar një ndërtesë 5-katëshe dhe vetë mund të marrë dy katet e fundit.

Në këtë rast, buxheti nuk ka kosto. Por mund të ndodhë që këta qytetarë të kompensohen për shtëpinë e shkatërruar, më pas asaj tokës do t’i gjendet pronari për t’ia dhënë një ndërtuesi tjetër. Pra, këto zona janë me risk të lartë arbitrariteti dhe skema abuzive mund të dalin në sipërfaqe. Për këtë kërkohet vëmendje të madhe.

Së dyti, kjo situatë mund të shihet me mjaft oportunitet, si do të përdoren territoret e zonave të shkatërruara, pasi banorët të strehohen në ndërtesat e reja që do të ndërtohen nga shteti. Këto territore ku kanë qenë të ngritura ndërtesat e shkatërruara, mund të përdoren për ngritjen e shkollave dhe kopshteve, lulishteve apo do të ngrihen ndërtesa. Rëndësi ka analiza e asaj se sa do të marrë shteti mbrapsht.

Duhet transparencë dhe një model, që shteti me lekët tona, të mos paguajë si kompani sigurimi kompensimin e qytetarëve, por të veprojë si një kompani sigurimi, e cila pasi të kompenson për dëmin, të gjitha të drejtat e pronës së re t’i ketë vetë.

Çfarë rekomandoni? Si duhet të kryhet rindërtimi i zonave që këto kosto të mos jenë të buxhetit?

Shteti duhet të jetë në partneritet me biznesin për të marrë përsipër ndërtimin e banesave. Mbase një biznes i vetëm do ta kishte të vështirë të rindërtonte një zonë, por ndërtesa prej tyre mund të ndërtohen. Një mënyrë tjetër është që, si në rastin e pronave në bregdet, të krijohet një entitet në formën e një shoqërie aksionare, ku shteti është 100 për qind pronar, të shlyejë detyrimet ndaj banorëve të dëmtuar dhe të jetë pronar i aseteve të pastruara nga zonat e dëmtuara, për t’i kthyer në partneritet me biznesin modele zhvillimi.

Por, siç e theksova më sipër, aftësia e enteve publike për t’i përdorur këto asete të reja do përcaktohet sërish nga transparenca ndaj publikut. Vetëm kështu mund të eliminohen problemet kronike që shfaqen shpesh në vendimmarrjet publike si abuzimi, klientelizmi dhe korrupsioni. Kryesore mbetet kthimi i normalitetit në jetën e qytetarëve, por edhe të zgjidhet modeli më i mirë ekonomik dhe financiar për të minimizuar sa më shumë kostot për buxhetin e shtetit.

Cilat do të jenë efektet e huave në treguesit e buxhetit, pra në shpenzime, të ardhura, borxhin publik?

Fatura e evidentuar e rizhvillimit prej 1 miliard eurosh, tregon se shteti e ka marrë parasysh se i ka lindur një detyrim, që duhet ta shlyejë financiarisht me kosto. Një pjesë e këtij detyrimi, i cili përkthehet në shpenzimet që do të ndërmerren gjatë vitit, do të mbulohet siç parashikohet ose nga grante, nga buxheti i shtetit dhe kredi. Një pjesë e buxhetit të shtetit mund të hiqet nga projektet që nuk janë prioritare dhe të alokohen për zonat e prekura nga tërmeti. Kombinimi i këtyre 3 mekanizmave financiare do të mbulojë koston e tërmetit.

Grantet nuk paraqesin probleme te treguesit fiskalë, pasi në buxhetin e shtetit ato paraqiten si e ardhur, kundrejt projektit specifik. Kjo e ardhur që përfshihet në zërin e të ardhurave nga grantet, balancohet nga shpenzimet. Pra, impakte te treguesit fiskalë, si deficiti apo borxhi, nuk do të ketë.

Për sa u përket kredive, për të cilat mendoj se më shumë do të përdoren për zhvillimin, dhe do të jenë të shtyra në kohë, pasi nuk mund të merren aktualisht të gjitha për shkak edhe të mungesës së kapaciteteve për t’i zbatuar brenda afateve, por as për shkak të hapësirës fiskale. Kjo pasi ka një limit për deficitin nën 5 për qind, dhe deficiti nuk mund të kalojë 2 për qind të PBB-së si dhe treguesit e uljes së borxhit për çdo vit në raport me PBB-në. Duke marrë parasysh këto çështje, për situata emergjente mund të kërkohet edhe amendimi i ligjit, por kjo duhet verifikuar në ligj.

Vlen të theksohet se hapësirat fiskale të vendit janë të limituara. Hapësirat korrigjuese ishin të limituara. Nëse ndodh një krizë, për shkak të hapësirave të limituara, ndodhesh përpara një situate që ndikon te treguesit fiskalë dhe indikatorët ekonomikë. Ngjarja e tërmetit duhet të vlejë si një leksion për t’u ndërgjegjësuar mbi rëndësinë e shëndoshë të financave publike.

Në vitin 2013, borxhi publik së bashku me detyrimet e prapambetura ishte 72 për qind, dhe për këtë arsye u morën masa për të rritur hapësirat korrigjuese në të ardhmen. Reformat si lufta kundër informalitetit, rritja e të ardhurave, lufta kundër evazionit, reforma në energji, strategjia për menaxhimin e financave publike, kishin si qëllim përmirësimin e gropave në buxhet. Limitimet u vendosën pikërisht për rastet kur Shqipëria mund të përballej me kriza dhe nevoja për të eliminuar ekspozim të lartë për shpenzimet dhe të ardhurat.

Mund të thuhet me plot gojën se, nëse do t’i kishim përmbushur këto objektiva, sot do të kishim më shumë hapësirë për të shpenzuar për rimëkëmbjen nga tërmeti. Madje, me intensitet të lartë! Fatkeqësisht, vendi ynë është larg realizimit të objektivave të vendosura për borxhin publik, detyrimet e prapambetura, reformën në sektorin e energjisë.

Nëse kemi një faturë prej 1 miliard euro për të shlyer, në planin afatmesëm, kjo mund të bëhet në kohë, për të minimizuar efektet te treguesit fiskalë, por mund të ketë ndikim në jetën e qytetarëve, pasi sa më shpejt të bëhet rindërtimi, aq më mirë është.

Elementi tjetër është se, nëse fatura është 1 miliard euro, duke pasur parasysh treguesit e deficitit dhe rritjen ekonomike, duhet të vendosim nëse kjo kosto shtesë do të prekë investimet kapitale që kanë nevojë të kryhen, apo do të jenë mbi shpenzimet kapitale që kemi pasur. Pra, duhet të vendoset nëse do të futen më shumë shpenzime për rimëkëmbjen e tërmetit, apo shpenzimet e tjera kapitale që mund të jenë të domosdoshme, do t’i shtyjmë në kohë, apo do të jetë një kombinim i të dy mundësive.

Mendoj se përgjigjja për këtë do të jetë diçka e mesme, do të ketë edhe një shkurtim të shpenzimeve të domosdoshme kapitale, dhe një rritje të shpenzimeve. Por duhet të jemi të qartë që presioni është në rritje për treguesit fiskalë, por për borxhin publik, në planin afatmesëm, minimalisht në3-4 vjet. Kjo do të detyrojë qeverinë që të performojë mirë në aspektin e të ardhurave, të ulë evazionin.

Gjykoj se nuk ka hapësirë për rritjen e taksave, madje mund të sillte dhe ndikim negativ nëse vazhdohet me rritje taksash dhe komplikim të procedurave. Qeveria duhet të fokusohet në luftën kundër evazionit të madh dhe të strukturuar, ku mund të gjenden hapësira të jashtëzakonshme për rindërtimin dhe investimet e domosdoshme. Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen se, nëse gjithë këtë kosto do ta mbartin në formën e borxhit, qeveria duhet të ndërmarrë angazhim maksimal kundër evazionit dhe rritjes së të ardhurave në krahasim me rajonin. Hapësira për t’u kryer është.

Në planin afatmesëm, qeveria duhet të kryejë një vlerësim se cili do të jetë impakti i kostos të tërmetit në menaxhimin e financave publike, dhe si do të realizohen objektivat. Nëse fatura 1 miliard euro njihet si një detyrim i njohur i shtetit, pavarësisht se kur disbursohen kreditë, borxhi publik do të rritej në nivelin 72 për qind. Kjo kërkon vendosjen e objektivave për marrjen e masave, në mënyrë që parametrat fiskalë të sillen brenda objektivave të vendosur.

Pra, e ritheksoj se, në rast se do të ishin realizuar objektivat e strategjisë deri në 2019-n, dhe borxhi do të ishte nën 60 për qind, do të ishte më i lehtë përballimi i kostove, madje edhe më shpejt. Por gjithashtu, aftësia për të thithur dhe shpenzuar fonde ka nevojë për përmirësim. Nëse vazhdohet përdorimi i fondeve me efektivitet të ulët, siç ka rezultuar në disa raste, kostot nuk i mbajnë francezët apo gjermanët, por qytetarët shqiptarë, pasi këto janë kredi.

Leave a Reply