“Paga e luftës”: sa përfitojnë dhe a mjafton?

  • Përfitojnë “pagën e luftës” për deri 3 muaj rreth 60 mijë të punësuar formal;
  • Përfitojnë dyfishim të pagesës për 3 muaj rreth 62 mijë të papunë dhe në ndihmë ekonomike;·      
  • Rreth 88% e të punësuarve formal nuk do të jenë përfitues së “pagës së luftës”; 
  • Gjithashtu rreth 500 mijë punonjës informal nuk përfitojnë (përveç atyre që janë në listat e ndihmës ekonomike apo të papunë);     
  • Pritshmëritë e qeverisë janë që biznesi i madh të përballojë “pagën e luftës” për 88% të të punësuarve;     
  • Stimuli fiskal për ruajtjen e kërkesës është i pamjaftueshëm (vetëm 0,5% e PBB-së);
  • Qeveria kërkoi nga bankat shtyrjen e pagesave të kredive për 3 muaj por nuk ofron nga ana e saj shtyrje të pagesave për detyrimet tatimore;      
  • Nga ana tjetër, hapësira fiskale që ka qeveria dhe mundësia për te reaguar konsiderohet e kufizuar nëse kemi parasysh që
    1. ka risk krediti të lartë (niveli 6);
    2. deficitin buxhetor në nivel mesatar (1,9% PBB-së);
    3. nivel borxhi publik të lartë (67,5% e PBB-së).

Më 1 prill filloi aplikimi për “pagën e luftës”. Sipas deklarimeve nga MFE, totali i efektit në buxhet të VKM Nr.254, datë 27.3.2020, llogaritet rreth 5.8 miliardë leke.

Si përkthehet kjo në numra përfituesish?

Janë afërsisht 30 mijë biznese me qarkullim deri 14 milionë leke në vitin 2019. Këtu përfshihen vetëm ato biznese që kryejnë aktivitete të ndaluara sipas urdhrit të MSHMS. Këto biznese kanë në list-pagesat e tyre:

·      të vetëpunësuar dhe persona te papaguar te familjes

·      të punësuar (afro 27 mije)

Gjithsej janë 60,422 përfitues të cilët mund të marrin 26 mijë lekë në muaj (një fond mujor rreth 1,57 miliardë lekë në muaj).

Duhet sqaruar që të gjithë, pavarësisht nëse deklarojnë pagë zero, paguajnë kontribute për sigurime shoqërore e shëndetësore. Pagesa është ndihme financiare dhe rrjedhimisht VKM Nr.254 nuk shprehet në lidhje me pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Duke qenë se pagesa i jepet individit, presupozohet që biznesi nuk është i detyruar të paguajë kontribute për periudhën që do jepet ndihma shtetërore. Megjithatë nuk ka qartësi për ketë çështje. Shuma e kontributeve të sigurimeve për këta 60 mijë përfitues llogaritet rreth 440 milionë lekë në muaj.

Përfituesit e tjerë janë:

  • 59,540 qytetarë që përfitojnë ndihmë ekonomike;
  • 2,650 qytetarë që përfitojnë pagesë papunësie.

Ky grupim do të paguhet me një fond shtesë prej 340 milionë lekë në muaj. Sipas aktit normativ, “Paga e luftës” është parashikuar të jepet për 3 muaj dhe totali është rreth 5.8 miliardë lekë.

Kush mbetet jashtë skemës së “pagës së luftës”?

Numri total i të punësuarve dhe të vetë-punësuarve (përjashto bujqësinë dhe sektorin publik) është afro 500 mijë. Janë edhe afro 500 mijë të tjerë të punësuar informalisht. Që do të thotë se rreth 88% e totalit nuk do jenë përfitues e “pagës së luftës” nga qeveria por mund ta marrin nga një kujdestar tjetër që është punëdhënësi.

Kush ishte arsyetimi për këtë vendim?

Në radhë të parë, në çdo vendimmarrje me impakt buxhetor duhet gjetur hapësira fiskale, të cilën do ta shikojmë pas pak në seksionin e fundit. Të gjithë biem dakord qw përfituesit sipas VKM-sw janë shtresat mw nw nevojw. Ata nuk kanë alternativw tjetër tw ardhurash pasi punëdhënësit e tyre nuk janë në gjendje të shëndoshë financiare.

Thirrja nga qeveria ishte qw biznesi i madh të përballojë vetë pagat e pjesës tjetër pasi mundësitë e qeverisë janë të kufizuara. Ky solidaritet do sillte një trajtim të njëjtë për të gjithë punonjësit pavarësisht nëse ata punojnë në biznes të madh apo të vogël. Por biznesi është organizatë fitimprurëse pavarësisht përgjegjshmërisë sociale që mund të ketë. Dhe nëse fitimi apo likuiditeti preket, punëdhënësit do rishikojnë kostot fikse dhe daljet e parave. Një nga zërat kryesore për shumw biznese në Shqipëri, ku niveli i automatizimit është i ulët, janë kostot e personelit. Dhe në logjikën e biznesit është veprimi më i natyrshëm që të shkurtosh personelin në këtë situatë. Mos harrojmë që kemi të bëjmë me një force madhore dhe gjithë marrëdhëniet kontraktuale mund të cënohen për arsye të forcës madhore përfshirë edhe marrëdhëniet e punësimit.

Në lidhje me punonjësit informal, sipas anketës së fundit të INSTAT, janë rreth 500 mijë të tillë. Nëse ata nuk figurojnë si të papunë ose në skemën e ndihmës ekonomike, nuk mund të jetë përfitues të parave të taksapaguesve. Nëse do tw përdorja një shprehje që kemi dëgjuar këto ditë, këta mund të marrin pagën e luftës vetëm nëse “bëhet deti kos”.

Çfarë ka bërë qeveria për të lehtësuar biznesin e madh në këtë periudhë?

  1. Ka vendosur në dispozicion një fond garancie sovrane për kredi marrje prej 11 miliardë lekë. Kjo kredi mund të përdoret për të paguar punonjësit, një shpenzim që nuk do sjelli përfitime mbrapsht për biznesin. Pra thënë ndryshe, qeveria nuk merr borxh vetë për pagesën e “pagës së luftës” por pret nga biznesi të marri borxh për këtë pagesë;
  2. Ka siguruar bashke me BSH një pezullim te pagesës së kësteve të kredive për një periudhe 3-mujore.

Këto stimuj fiskal dhe financiar nuk mjaftojnë dhe mundësitë janë, ashtu siç janë gjetur edhe nga shumica e vendeve të tjera në zhvillim (shiko “Taksimi në kohën e COVID-19”). Solidariteti nuk do të funksionojë nëse qeveria merr përsipër vetëm 12% dhe biznesi 88%. Ndërkohë që bizneset e mëdha kanë paguar kontributet për sigurime dhe tatimin mbi pagat nw 20 mars, tatim-fitimin në datën 31 mars, dhe do të vazhdojnë të paguajnë edhe gjatë muajit prill e mbase përtej tij. 

Ndërkohë, kanë filluar të shfaqen vonesa në procesin e rimbursimit te TVSh-së. Ne vërtet nuk kemi mundësi për “para helikopter” por minimalisht qeveria duhet të sigurojë rimbursim të shpejtë të TVSH-së, dhe një shtyrje me të paktën 3 muaj të pagesave të tatim-fitimit (përfshi parapagimet), kontributet e sigurimeve dhe tatimit mbi pagën e punonjësve. Për më tepër që të njëjtën gjë kërkoi nga bankat ta bënin me kreditë e tyre.

Përveç shtyrjes me 3 muaj të pagesës se disa detyrimeve, disa masa tw tjera qw mund të konsiderohen janw rishikimi i kësteve të parapagimit të tatim fitimit dhe disa taksa që nuk kanë bazë llogaritje nivelin e aktivitetit ekonomik – si p.sh. disa taksa vendore dhe ajo e pronës. TVSH dhe akcizat janë tatim mbi konsumin dhe në kushtet e reduktimit apo pezullimit të aktivitetit ato janë taksa në raport të drejtë me aktivitetin kështu që nuk janë barrë e tepërt për biznesin.

Janë pikërisht tatimpaguesit me xhiro mbi 14 milion që sjellin rreth 98% te të ardhurave ne buxhetin e shtetit. Një kolaps në këtë segment do të sillte një rrënim ekonomik të vendit dhe gjithashtu të financave publike. Kostot ne rast kolapsi do ishin shumë më të larta sesa stimuli fiskal që pritet nga qeveria. Falimentimi nuk është proces që kthehet mbrapsht dhe nesër mund të jetë shumë vonë. Sipas një skenari të mundshëm, rrezikojnë të dalin 100 mijë të papunë si rrjedhojë e krizës. Fondi i nevojshëm për këta të papunë, nëse zbatojmë kriteret e VKM Nr. 254 do ishin 2.6 miliardë lekë në muaj. Për minimalisht 3 muaj përfitim si të papunë, do të nevojitej një fond rreth 7.8 miliardë lekë (më shume sesa fondi aktual).  

Por cila është hapësira fiskale dhe çfarë ndryshimesh solli Akti Normativ?

Hapësira fiskale që ka Shqipëria dhe mundësia për të reaguar konsiderohet e kufizuar nëse kemi parasysh që vendi ka:

  1. risk krediti të lartë (niveli 6);
  2. deficitin buxhetor ne nivel mesatar (1.9% PBB-së);
  3. nivel borxhi publik të lartë (67.5% e PBB-së).

Pa u futur në analizë të detajuar dhe duke injoruar rialokimet brenda grupit, ndryshimet në zërat kryesore që solli akti normativ janë:

  • Të ardhurat u ulen 20 miliardë lekë ose 3,9%
  • Shpenzimet u rriten 9 miliardë lekë ose 1,6%

Në krahun e të ardhurave parashikimet mbeten optimiste, kurse në krahun e shpenzimeve buxheti është konservator dhe nuk ka ndryshime të rëndësishme. Shpenzimet operative janë rritur me 1% dhe shpenzimet kapitale janë ulur me 1%. Ndryshimi më i rëndësishëm është rritja në fondet speciale dhe fondet rezerve për Covid-19. Fondi shtesë në total për këtë zë është sa 0.5% e PBB-së.

Deficiti i rritur si rrjedhojë kryesisht e uljes së të ardhurave do të mbulohet me një rritje në kërkesën për Eurobond (18 miliardë lekë) dhe rritje në borxhin e brendshëm (10 miliardë lekë). Kjo do të thotë një rritje e borxhit në krahasim me parashikimin e mëparshëm me 1.6% të PBB-së.


Për të diskutuar mbi këto tema dhe shqetësime të tjera, z. Elton Haxhi zhvilloi një diskutim me Ekon.al. Videon e plotë mund ta ndiqni më poshtë.

Leave a Reply