Administrata publike: plaçka e luftës

Javën e kaluar, në disktutimin live të kryer në faqen tonë në Facebook (video e plotë poshtë postimit) u përqendruar mbi administratën publike dhe vendimmarrjet problematike të lidhura me të. Në këtë postim, do risjellim për vëmendjen tuaj disa nga treguesit kryesorë që u përmendën gjatë diskutimit tonë live.

Megjithë refomat e ndryshme ligjore, vëmendjen e shtuar të partnerëve ndërkombëtarë, problemet e administratës publike shqiptare janë të thella dhe kronike. Fatkeqësisht, emërimet në administratë të figurave publike, të cilat u kthyen në çështje debati gjatë këtyre javëve, janë thjesht maja e ajsbergut.

Për të kuptuar më konkretisht abuzimet kronike që ndodhin me administratën publike, do përqendrohemi në dy tregues: ciklikalitetin e shpenzimeve dhe largimet nga administrata.

Figurën 1 paraqitet norma e ndryshimeve vjetore për shpenzimet korrente (ku përfshihen shpenzimet jo kapitale) nga buxheti i shtetit. Siç mund të dallohet qartësisht, shpenzimet korrente pësojnë rritje gjatë periudhave zgjedhore dhe shkurtime e konsolidime në periudhat e ndërmjetme.

Figura 1: Shpenzimet korrente
Burimi: Ministria e Financave, llogaritje të autorit

Figurën 2 paraqitet vetëm norma e ndryshimit për pagesat e personelit të administratës publike – një nga komponentët e shpenzimeve korrente. Në këtë rast, siç mund të dallohet qartë, ciklikaliteti është akoma më i dalluar. Sidomos periudha zgjedhore e vitit 2017 ndryshon dukshëm nga tredi historik i serisë. Më konkretisht, në dhjetor 2016, shpenzimet për personelin u tkurrën me 11% krahasuar me një vit më parë. Kjo normë ishte dyfishi i normës më negative të mëparshme, janar 2014. Ndërkohë, në periudhën qershor-gusht 2017, shpenzimet për personelin u rritën me mbi 13% krahasuar me një vit më parë.

Figura 2: Shpenzimet për personelin
Burimi: Ministria e Financave, llogaritje të autorit

Kostot e punësimeve të fryra, të përkohshme dhe të panevojshme shfaqen në Figurat 3 dhe 4. Këto dy grafikë shfaqin 10 institucionet që kanë kryer pagest më të larta për largimet nga puna të administratës gjatë viteve 2018 dhe 2019.

Shifrat janë të konsiderueshme. Në vitin 2018, buxheti i shtetit ka paguar thuajse $20 milion për vendimet gjyqësore të largimeve nga puna. Dhjetë institucionet kryesore, të paraqitura në Figurën 3, kanë mbi 60% te peshës, me mbi $13 milion.

Figura 3: Vendimet gjyqësore për largimin nga puna, viti 2018
Burimi: Raportet e KLSH

Vitit 2019 është i ngjashëm me thuajse $16 milion detyrime të paguara për largime të padrejta nga vendet e punës. Dhjetë institucionet e para sërish kanë mbi 60% te peshës, me thuajse $10 milion detyrime.

Figura 4: Vendimet gjyqësore për largimin nga puna, viti 2019
Burimi: Raportet e KLSH

Ajo që bie në sy në Figurat 3 dhe 4, përveç shumave të paguara, janë dhe institucionet e përmendura. Megjithëse shumica e personelit të administratës publike përbëhet nga mësues, policia, ushtria apo stafet mjekësore, asnjë nga institucionet përgjegjës për këtë pjesë të administratës nuk shfaqet në listë. Lista, e cila kryesohet me distancë të dukshme në të dy vitet nga Bashkia Tiranë, dominohet nga institucionet kryesore që përcaktojnë përfituesit privat të vendimeve të administratës publike: leje ndërtimi, konçesione e liçensa, si dhe administratën tatimore dhe doganore.

Si përfundim, vlen të theksohet sërish se problemet administratës publike kanë qenë dhe mbeten kronike e të vazhdueshme. Ciklikaliteti i shpenzimeve, i lidhur fort me periudhat elektorale, është treguesi i parë që shfaq kostot e tepërta të administratës. Largimet nga puna – që vijnë edhe si pasojë e punësimeve të fryra – janë po ashtu një tregues tjetër i kostos së tëpërt që ngarkohet ndaj taksapaguesve shqiptarë. Mbi të gjitha, fakti që largimet nga puna janë të shpeshta në institucionet nevralgjike të vendimarrjes ekonomike të shtetit, tregon sërish paaftësinë e administratës për të përballuar presionin politik dhe interesat madhore ekonomike që përcaktojnë sot fatet e vendit.


Videon e plotë të diskutimit mbi problemet e administratës publike mund ta ndiqni më poshtë.

Leave a Reply