Rishikimi i ecurisë ekonomike: Ndikimi në të ardhurat tatimore

Aktualisht jemi në mbyllje të buxhetit të shtetit për vitin 2020 dhe hartimin e buxhetit të vitit 2021. Rishikimi i ecurisë ekonomike në ulje për vitet 2020 dhe 2021, parashikim i mbështetur edhe nga FMN e Banka Botërore, nuk janë një shenjë e mirë për ekonominë, borxhin publik, por edhe aftësinë e buxhetit të shtetit për të ndikuar pozitivisht në rimëkëmbjen ekonomike dhe mbështetjen e biznesit dhe shtresave në nevojë. E vendosur nën presionin e borxhit të lartë publik, aftësia e qeverisë për të nxitur dhe mbështetur rritjen ekonomike është e limituar pikërisht në një moment kritik kur ekonomia ka më shumë nevojë për të.

Rishikimi në ulje i ecurisë ekonomike në 2020 (baza më e vogël) por edhe i rimëkëmbjes në 2021 (rritja e vogël e bazës), sjellin një efekt të zmadhuar negativ për treguesit fiskal në krahasim me parashikimin e mesvitit 2020, deficitin, por edhe për treguesin e borxhit publik si përqindje e PBB-së. Kështu shohim se si ky proces mund të përkeqësohet me kalimin e kohës.

Le të shohim më poshtë sa mund të jetë ky impakt, duke u fokusuar në të ardhurat dhe tatimet. Në vijim janë paraqitur treguesit kryesorë fiskalë të miratuar në 22.07.2020 me Vendim të KM, si pjesë e “Kuadri Makroekonomik e Fiskal, i Rishikuar, Për Periudhën 2021 – 2023”[1] dhe Buxhetin e rishikuar të vitit 2020 me Aktin Normativ nr. 3. 

Tabela 1 – Kuadri Makroekonomik e Fiskal, i Rishikuar, Për Periudhën 2021 – 2023

Nga sa më lart, konstatohen lehtësisht dy elemente. Së pari, rritja ekonomike e 2020 prej -4.3% është optimiste edhe kundrejt parashikimit të parë të FMN prej -5%[2]. Së dyti, të ardhurat si përqindje e PBB-së në 2021 ishin shumë ambicioze, duke qenë se Shqipëria nuk ka arritur nivelin prej 27.1% të PBB-së në të ardhura nga tatimet as në vite të qeta.

Së fundmi, FMN dhe Banka Botërore publikuan parashikimet e reja për rritjen ekonomike. Për vitin 2020, ecuria ekonomike parashikohet në minus 7.5% nga FMN[3] dhe minus 8.4%[4] nga Banka Botërore. Për vitin 2021, Banka Botërore parashikon një rritje ekonomike në nivelin e 5%. Nëse nga Tabela 1 ndryshojmë vetëm këto të dhëna (duke përdorur FMN për vitin 2020 dhe BB për vitin 2021), e duke mbajtur çdo tregues tjetër konstant, rezultati është si më poshtë:

Tabela 2 – Rritja ekonomike e riparë sipas FMN dhe BB

Vetëm nga rishikimi ekonomik, të ardhurat nga tatimet janë rreth 13.8 miliardë lekë më pak se plani në vitin 2020, dhe 19.6 miliardë lekë se parashikimi në kuadrin makroekonomik dhe fiskal për vitin 2021. Në total, financave publike do t’u mungojnë rreth 33.4 miliardë lekë (ose rreth 300 milionë dollarë) në 2020-21 krahasuar me parashikimet e mesvitit. Kjo përkthehet në më pak shpenzime publike dhe/ose borxh publik më të lartë.

Por nëse lexojmë me vëmendje raportin e Bankës Botërore, ajo shprehet që në vitin 2020 të ardhurat nga tatimet si përqindje e PBB-së do të bien në 24.1% në 2020, dhe pritet të shkojnë në 27.6% të PBB-së në vitet 2022-2025 – pra, pas vitit 2021. Për të ilustruar këtë skenar më të rënduar, përveç rritjes ekonomike (në këtë rast kemi përdorur BB për vitet 2020-21), kemi ndryshuar dhe vlerat e të ardhurave nga tatimet si përqindje e PBB-së. Për vitin 2020 kemi përdorur parasihikimin e Banka Botërore dhe për vitin 2021 është përdorur mesatarja më lartë historike e Shqipërisë në kohë të qeta, 25.8%.

Tabela 3 – Rishikimi i rritjes ekonomike dhe të ardhurat tatimore si përqindje e PBB-së

Si  rezultat i rishikimit për poshtë të rrijtes ekonomike, por edhe të të ardhurave nga tatimet si përqindje e PBB-së, të ardhurat tatimore janë rreth 43.5 miliardë lekë më pak se plani i vitit 2020 dhe 44.7 miliardë lekë se parashikimi i vitit 2021. Sipas këtij skenari, në total financave publike do t’i mungojnë në krahasim me parashikimet e mesvitit rreth 88.2 miliardë lekë (ose rreth 750 milionë dollarë) për periudhën 2020-21. Kjo përkthehet në një reduktim drastik të shpenzimeve publike dhe/ose borxh më të lartë.

Figura 1: Të ardhurat nga tatimet sipas skenarëve

Bazuar në sa më lart, ndikimi në të ardhurat tatimore do të jetë midis 33.4 dhe 88.2 miliardë lekë më pak për 2020-21, në krahasim me parashikimet e mesvitit. Duke pasur parasysh që pasiguritë në ekonomi janë të larta, nevoja për mbështetje është rritur, rindërtimi nga tërmeti duhet të vazhdojë, por fondet publike janë të cunguara, kërkohet menjëherë transparencë dhe diskutim real për prioritizimin e shpenzimeve dhe eliminimin e atyre jo esenciale (sipas Bankës Botërore) duke riparë buxhetin e vitit 2020 por edhe hartimin e një buxhetit realist dhe me hapësira korrigjuese dhe mbështetëse në vitin 2021. Për më tepër, çdo iniciativë për mbështetje të ekonomisë duhet të jetë transparente por edhe me faturën përkatëse dhe burimin e financimit. Fatkeqësisht kjo gjë nuk ka ndodhur ende.

_________________________

Për më shumë në lidhje me këtë temë mund ti referoheni një analizë të botuar në datë 12.10.2020 në Revistën Monitor me titull “Rreziku i Financave Para Zgjedhjeve”[5].


[1] http://www.financa.gov.al/wp-content/uploads/2020/08/Kuadri-Makroekonomik-e-Fiskal-i-Rishikuar-p%C3%ABr-Periudh%C3%ABn-2021-2023-VKM-Nr.-574-dat%C3%AB-22.7.2020.pdf

[2] https://www.imf.org/en/Countries/ALB

[3] https://www.imf.org/en/News/Articles/2020/09/28/mcs092820-albania-staff-concluding-statement-of-the-first-post-program-monitoring-mission

[4] https://openknowledge.worldbank.org/bitstream/handle/10986/34518/9781464816437.pdf

[5] https://www.monitor.al/

One thought on “Rishikimi i ecurisë ekonomike: Ndikimi në të ardhurat tatimore

Leave a Reply