Shifrat e FMN: Situata ekonomike dhe e financave publike kërkon vëmendje urgjente

FMN ka publikuar databazën e tetor 2020 me të dhënat dhe parashikimet makroekonomike dhe fiskale për vendet e botës, përfshi dhe Shqipërinë. Ky publikim është i rëndësishëm për dy arsye. Së pari, ai ofron një pamje më të plotë për rritjen ekonomike dhe borxhin publik, jo vetëm për vitin 2020 por edhe projeksionet për vitet në vijim.  Së dyti, PBB-ja e parashikuar për vitin 2021 nga FMN në këtë raport është shifra që duhet të përdoret edhe nga Qeveria Shqiptare në hartimin e buxhetit të vitit të ardhshëm.

Tabela 1: Kuadri Makroekonomik dhe Fiskal dhe Buxheti 2020, të rishikuar, nga Ministria e Financave

Ligji për menaxhimin e sistemit buxhetor në RSH përcaktohen që “vlera e Produktit të Brendshëm Bruto, nominale në lekë, e cila do të përdoret për llogaritjen e raportit të borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto për vitet buxhetore që planifikohen dhe për vitin pararendës, nuk mund të jetë më e lartë se vlera respektive e parashikuar ose vlerësuar në raportin “Perspektiva ekonomike botërore” (World Economic Outlook), të Fondit Monetar Ndërkombëtar, më i fundit i publikuar në kohën kur ligji vjetor i buxhetit dorëzohet për miratim në Kuvend. Kjo dokumentohet qartësisht në relacionin shoqërues të ligjit vjetor të buxhetit.” Ky ndryshim ligjor u bë pas vitit 2013 si masë për të mos lejuar hartimin e buxheteve optimiste në të ardhura dhe rritje ekonomike, që për shkak të mos-realizimit sillnin probleme me detyrime të prapambetura dhe borxhin publik. Pra vlera për PBB nominale në lekë që do të përdoret në hartimin e buxhetit 2021 nuk duhet të kalojë vlerën e parashikuar së fundmi në World Economic Outlook. 

Tabela 2: Treguesit sipas WEO Tetor 2020, FMN (2019-25, parashikime)

Cilat janë mesazhet kryesore nga analiza e shifrave të WEO, për të cilën duhet të jemi të alarmuar?

1. Rritja ekonomike për vitet 2020 dhe 2021 parashikohet të jetë -7.5% dhe +6.1%, respektivisht. Duhet theksuar se këto parashikime janë më pozitive se të Bankës Botërore (-8.4% dhe +5%, respektivisht). Por këto parashikime janë më negative, të marra së bashku, se sa parashikuar nga Qeveria në buxhetin e rishikuar 2020 dhe Kuadrin Makroekonomik e Fiskal 2021 – 2022, të rishikuar, me -4.3% dhe +5.9%, respektivisht. Me çmime konstante, vetëm pas mes-vitit 2022 ekonomia do rritet përtej nivelit të fund-vitit 2019.

Figura 1: Parashikimet për ecurinë e PBB-së sipas FMN dhe MFE

2. Borxhi publik për vitin 2020 dhe 2021 do të jetë rreth 83.3% e PBB-së. Në fund të vitit 2025, borxhi publik parashikohet në WEO në 69.1% e PBB-së, ende më lart se gjendja e tij në fund të vitit 2019, prej 67.7% e PBB-së. Ndërkohë, në buxhetin e 2020, Qeveria ka parashikuar një borxh publik prej 80.5% të PBB-së, dhe për vitin 2021 ka parashikuar një borxh publik prej 76.4% e PBB-së (sipas Kuadrit Makroekonomik e Fiskal, të rishikuar).

Figura 2: Parashikimet për ecurinë e Borxhit Publik sipas FMN dhe MFE

3. Totali i të Ardhurave të Buxhetit të Shtetit në vitin 2020 parashikohet në WEO në vlerën 384.2 miliardë lekë. Kjo vlerë është me 62.4 miliardë lekë më pak se plani prej 446.6 miliardë lekë në buxhetin 2020. Kjo shifër, si ajo e ndikimit në të ardhurat tatimore, është shumë problematike për realizimin e shpenzimeve, deficitin dhe borxhin publik. Totali i të Ardhurave të Buxhetit të Shtetit në vitin 2021 parashikohet në WEO në vlerën 452.5 miliardë lekë. Kjo vlerë është më 52.9 miliardë lekë më pak se plani prej 505.4 miliardë lekë të parashikuara në Kuadrin Makroekonomik e Fiskal, të rishikuar në fund të korrikut 2020.

Kjo shifër, si ajo e ndikimit në të ardhurat tatimore trajtuar në artikullin e mëparshëm, është shumë problematike për realizimin e shpenzimeve dhe borxhin publik.

Figura 3: Parashikimet për ecurinë e të Ardhurave Buxhetore sipas FMN dhe MFE

4. Totali i Shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit për vitin 2020 parashikohet ne WEO në vlerën 516.5 miliardë lekë. Kjo vlerë është 63 miliardë lekë më pak se plani prej 579.5 miliardë lekë në buxhetin 2020. Fatkeqësisht, kjo tregon qe Buxheti 2020, i rishikuar, ka qenë tejet optimist dhe duhet riparë menjëherë. Gjithashtu, duke qenë se hapësirat për shkurtime në shpenzimet korrente janë të vogla, por edhe disa shpenzime kapitale janë kontrata në vazhdim që qeveria nuk i ndryshon dot (si PPP-të), plani i shpenzimeve të reja kapitale, ku përfshihen dhe investimet për rimëkëmbjen nga tërmetin, nuk do të realizohen këtë vit siç janë planifikuar. Në përgjithësi, buxhetimet optimiste janë shoqëruar edhe me detyrime të prapambetura, si mjet për të mbajtur treguesit nën kontroll. Ky është risk real.

5.Totali i Shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit për vitin 2021 parashikohet në WEO në vlerën 532.4 miliardë lekë. Kjo vlerë është 45.6 miliardë lekë më pak se plani prej 578 miliardë lekë të parashikuara në Kuadrin Makroekonomik e Fiskal, të rishikuar në fund të korrikut 2020. Kjo do të thotë se, së bashku më pikën 4 më lart, situata në menaxhimin e financave publike është kritike. Buxhetit të Shtetit do i duhet të shkurtojë rreth 108.6 miliardë lekë (rreth 1 miliardë dollarë) në fonde publike, ndërkohë që ka detyrimin për të mbështetur ekonominë nga pandemia dhe të financojë rindërtimin nga tërmeti.

Figura 3: Parashikimet për ecurinë e Shpenzimeve Buxhetore sipas FMN dhe MFE

* * *

Në kushtet kur rindërtimet e tërmetit kërkojnë deri në 60 miliardë lekë sipas MFE, e shumë angazhime financiare janë ndërmarrë përtej kapaciteteve të financave publike gjatë këtyre viteve, situata paraqitet shumë e zymtë. Gjatë këtyre viteve, Qeveria nuk arriti të ulte borxhin publik, nën-perfomoi në rritjen ekonomike të vendit, nuk zgjeroi të ardhurat nga tatimet, krijoji sërish detyrime të prapambetura, zgjeroi faturën e vendimeve gjyqësore dhe arbitrazhit, nuk realizoi mirë-administrim të sektorit të energjisë, mbi-shpenzoi ne mënyrë ineficente, dhe ndërkohë ndërmori agresivisht dhe me papërgjegjshmëri angazhime shumëvjeçarë në forma të PPP-ve.

Si rrjedhojë, goditja e dyfishtë nga tërmeti dhe pandemia i gjeti financat publike vulnerabël dhe pa kapacitete. Nëse borxhi publik do të ishte në nivelet e 70-73% të PBB-së si pasojë e zbatimit të reformave deri në vitin 2019, e jo 83% saç është sot, do të kishim më shumë hapësira fiskale dhe do të mund t’i lejonim vendit frymëmarrje nëpërmjet borxhit publik. Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi por duhet të shërbejë si mësim për në vijim.

Për këtë kërkohet një diskutim real, transparent dhe urgjent. Jemi në kohë fushate elektorale dhe risku është vërtet i madh. Duhen lënë mënjanë populizmat e kësaj periudhe, dhe duhet treguar përgjegjshmëri maksimale. Çdo papërgjegjshmëri do na kushtonte shtrenjtë në formën e një barrë më të lartë fiskale, investimeve publike të munguara dhe deri në shkurtime të shërbimeve apo përfitimeve aktuale publike. Si qytetarë, duhet të kërkojmë llogari dhe përgjegjshmëri për çdo qindarkë këto muaj, si dhe një plan konkret për 5-vjecarin e ardhshëm për ekonominë dhe financat publike.

Ndërkohë, megjithëse jemi në datën 15 tetor, me gjithë kërkesat ligjore për paraqitjen e projekt-buxhetit 2021 apo ndërprerjen si afat ligjor i çdo prokurimi apo nënshkrimi kontrate për vitin 2020, në kushtet e mungesës së PBA-së së miratuar, nuk kemi asnjë transparence. Shkurtimi i çdo abuzimi në shpenzime, si në fryrje dhe keq-menaxhim të shpenzimeve korrente, rishikimi i çdo kontrate PPP dhe shpenzimeve kapitale problematike, prioritizimi i shpenzimeve kapitale, lufta ndaj evazionit dhe veprimeve klienteliste, duhet të jetë sot në agjendën e politikës shqiptare. Thyerësit e disiplinës fiskale dhe rregullave të menaxhimit financiar dhe kontrollit duhet të kenë frikë nga ligji.

Leave a Reply