Aspekte të Dinamikave Urbane dhe Sociale Shqiptare

Rasti i Komplekseve Rezidenciale me Densitet të Ulët dhe/ose Mesëm

Komplekset rezidenciale të rrethuara, me densitet të ulët dhe/ose të mesëm, janë kthyer në një model zhvillimor të suksesshëm në industrinë e ndërtimit dhjetëvjeçarin e fundit në territorin shqiptar. Në këtë diskutim, nëpërmjet një analize historike dhe krahasimore, do mundohemi të hedhim pak dritë mbi dinamikat urbane dhe sociale, për të kuptuar më drejt gjenezën dhe zhvillimin e këtij modeli. Kjo bisedë ka si qëllim parësor të ngrejë pyetje si dhe të arrijë në deduksione mbi “autenticitetin”, “cilësinë” dhe “vlerën efektive” të këtyre ndërhyrjeve; nëpërmjet shembujve të marra nga kontekste të ndryshëm por me përqasje të ngjashme me vendin tonë.

Për të kanalizuar diskutimin mbi këtë model zhvillimor, janë përzgjedhur tre ndërhyrje, në kontekste dhe me oferta banimi të ndryshme. Komplekset rezidenciale elitare/luksoze, të cilat do trajtohen në këtë diskutim janë:

  1. Rezidenca Kodra e Diellit, Tiranë
  2. Rolling Hills Luxury Residences, Lundër
  3. Green Coast Resort and Residences, Palasë

Vija logjike e këtij rrugëtimi, fillon me një lexim sintetik të zhvillimeve historike urbane dhe sociale të lidhura ngushtë me industrinë e ndërtimit. Ky rrugëtim fillon në fundin e viteve ‘800 dhe vazhdon deri në vitet ‘60 të shekullit të kaluar, në Evropën Perëndimore dhe Shqipëri. Në fokus të kësaj analize historike janë: komplekset rezidenciale të klasës punëtore me densitet të ulet dhe ngjashmëria e tyre me modelin zhvillimor aktual në vendin tonë. Gjatë diskutimit theksohet se ajo që Shqipëri shitet si jetesë luksoze, në fakt nuk është e tillë në vendet e zhvilluara.

Në pjesën e dytë trajtohet historiku i banesës sub-urbane e klasës punëtore dhe shtresës së mesme amerikano-veriore dhe amerikano-latine gjatë 70 viteve të fundit për të nxjerrë në pah ngjashmëritë dhe ndryshimet përkatëse si dhe njëkohësisht për t’i krahasuar ato me komplekset rezidenciale shqiptare. Po në këtë pjesë do trajtohet rëndësia e “gardhit”, dhe simbolika e saj në rezortet dhe rezidencat tona. A duhet gardhi për të mbrojtur rezidencën, apo për t’u fshehur ndaj pjesës tjetër të shoqërisë?

Një projekt propozim i kompleksit rezidencial për shtresën e mesme, me funksion turistik, në Côte d’Azur i vitit 1949-es nga arkitekti Le Corbusier do të na ndihmojë të kuptojmë më qartë përqasjen e kompleksit GreenCoast në Palasë gjatë pjesës së tretë të diskutimit. Po në këtë fazë, do të trajtohen rezidencat turistike që aktualisht gjendjen përgjatë vijës bregdetare turke, italiane dhe franceze për t’i krahasuar ato me ndërhyrjen e rezortit të lartpërmendur.

Në pjesën finale dhe përmbledhëse, do ballafaqohen tre komplekset e marra në diskutim me ndërhyrjet arkitektonike dhe urbane të së kaluarës (si për banesat popullore dhe ato elitare). Në këtë krahasim do mundohemi të arrijmë në deduksione objektive, mbi aspektet identitare, formale, hapësinore dhe të përmbajtjes e vlerave së modeleve të reja zhvillimore të komplekseve të rrethuara në vendin tonë.

Diskutimin me ark. Dritan Kapo ju ftojmë ta ndiqni më poshtë.

* * *

Prezantimin e diskutimit mund ta gjeni më poshtë

Leave a Reply